Vullnet Mato
ËNDËRR PARAJSE
Mbrëmë gjatë një shiu
të zgjatur netëve me radhë,
pashë një ëndërr të kundërt
me këqësimin e motit.
Sikur agoi papritur
një mëngjes parajse i bardhë
dhe u zgjova gazmor
te mrekullia hyjnore e zotit...
Por në kulmimin e atij
ngazëllimi të madh qiellor,
shtanga krejt i befasuar
me trompeta në zemër,
kur pashë të strukur
mes shpirtmëdhenjve tokësor,
një nga xhelatët më kriminel
të kohës së egër...
Një nga ata jagot e dredhave
që arritën më vonë,
gjer në foltoren e parlamentit,
dhe aty publikisht,
për të drejtat e njeriut
buçitën me zërin jehonë,
duke luajtur martirin e pafajshëm,
vetmohuesin si Krisht.
Mes luleve vigane
ku ligjëronin zogjtë këngëtar
ai qeshte e lozte me shpirtrat,
në kulmin e haresë,
ndërsa mua më dukej
sikur në atë vezullim të paparë
vallëzonte në rrjetën e vet
një marimangë e zezë.
Fort i mahnitur mendova,
si ka mundësi të jetë futur,
te ky mjedis me pranverë
të përjetshme perëndie,
frymëvrasësi i shpirtrave
në moshën e frymës së bukur,
viktimave të tij edhe në qiell
t’u bëjë përsipër hije?....
Atëherë bërtita fort,
nëpër gjumin e mesnatës:
O zot i madh, kontrollo
sejmenët e tu të besuar,
kur zgjedhin shpirtrat
në dyert e parajsës,
se paske edhe mes tyre
ryshfetçi të korruptuar!...
Të lutem, të paktën
këtu ku buron drita jote,
mos lejo të shkelen
parimet e shenjta të qiellit,
duke shkaktuar pakënaqësi
dhe zemërime toke,
për kodet e marrëveshjes
që ke me njerëzit!...
Dhe si e pashë që aty,
nuk m’u përgjigj askush,
zbrita shkallët e qiellit
një nga një mjaft i zemëruar.
Shkova të hedh shpirtin
në ferr, mes zjarrit prush,
dhe atë çast brofa
nga shtrati tepër i tmerruar...