Mikel Gojani :Struktura metaforike e romanit “Këpucët e Kaltrinës” të Petrit Palushi


Shkrimtari Petrit Palushi, i cili për prozën e tij është vazhdimisht në vëmendje të kritikës letrare, deri më tash ka botuar romanet: “Këpucët e Kaltrinës” 2013, “Artemisa e mëkatit” 2010, “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” 2007, “Tri motra në një qytet” 2006, botimi i dytë më 1911 dhe “Përroi i Andrrës” 2004.

Romani “Këpucët e Kaltrinës”, i prozatorit Petrit Palushi, shfaqet krejt origjinal në qasjen e tematikës sociale në trajtimin e spikatur psiko-filozofike. Forma e ndërtimit të tekstit të prozatorit Palushi tashmë është e njohur. Tek ky prozator ngërthehet tematika social-psikologjike, si mëtim i hershëm për të ngarendur drejt lëvizjeve të reja të mendimit dhe të ideve që i shtron në rrafshin real të të rrëfimit.

Kepucet e Kaltrines

Konfliktet dramatike

Motivet që kanë preokupojnë prozën e këtij autori, e kanë shtysën në vrojtimin e hollë dhe të vazhdueshëm të evoluimit apo transformimit të filozofisë dhe psikes kolektive. Gjendja e rëndë e individit bashkë me kolektivitetin të shoqërisë, të kushteve të rënda materiale me të cilat është përballur individi dhe kolektiviteti, por me shumë edhe të gjendjes shpirtërore të njeriut shqiptar, jepet në rrafshin e një kohe të caktuar. Figurat që i përdor në prozë, që vihen dhe veprojnë nën trysninë e kushteve shoqërore, politike e sociale, por specifika e reagimeve dhe e rrugës për të zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe e ngjizin strukturën metaforike të veprës. Konflikti dramatik në të cilin e përplas jeta personazhin, përballet denjësisht ose jo, por autori kujdeset të lehtësojë aftësitë e leximit intertekstual të lexuesit nëpërmjet paraqitjes tronditëse të fakteve të njohura jetësore dhe organizimit të tyre brenda subjektit gati baladesk të prozës, pa preferuar t’i lërë ata (lexuesin dhe figurën) në mëdyshje ekzistenciale, që do t’u humbisnin konkretësinë detajeve të kohës dhe hapësirës së caktuar, pra atë kohë apo atë hapësirë të cilën e ka kornizuar autori, që është e rrahur në letërsinë tonë, mirëpo prozatori Palushi, ngjarjet dhe realitetet i zhvendos me një mjeshtri tepër të veçantë dhe krejtësisht specifike, duke i dhënë një frymë të re, në një hapësirë, po ashtu të veçantë dhe tepër specifike. Ngjarjet dhe dramat që zhvillohen në tekstin e prozës ngërthejnë motive mjaft të trishta me esenca të dhimbshme të një realiteti konkret shqiptar, të një kohe dhe ambienti të caktuar. Siç është konstatuar me të drejtë nga studiuesja Ermelinda Kashahu “Duket sikur në roman ka një dramatizëm mes personazheve, por jo. Ato thjesht shfaqin formën e ndjeshjeve jetësore të ashpra. Mbishtresat simbolike janë shenjë e stilit modern, e parashenjave si vijimësi emocionesh. Fjalori është i begatë. Fraza, si e përshkrimit ashtu dhe e rrëfimit, është e shkurtër dhe shpreh shumë kumtime. Një frazë e tillë shenjon shëmbëlltyrën e jetës, krijon gjerësinë e rrëfimit dhe të përshkrimit. Shkrimtari të fut në gjuhën e përditshmërisë dhe kjo është një pasuri e madhe letrare dhe gjuhësore, një shprehje e drejtpërdrejtë e pasurisë së mendimeve, të ndjenjave që janë ndryrë në të. Koha e rrëfyer jep hapësirën dhe mjedisin ku zhvillohen ngjarjet, krijon ngjyresën historike të atyre viteve.”.

Romani “Këpucët e Kaltrinës”, merret me fatin e njerëzve mbi të cilën kaloi një gjeneratë e tërë e popullit shqiptar, viktimë e një ideologjie ekstreme. Rrëfimi palushian, ngërthen fatin e një shoqërie, kryesisht të brezit të gjimnazistëve; është ky brezi i ri i fundit që përjetoi gjithashtu gjëra drastike dhe gjithçka gërshetohet natyrshëm për të dhënë problematikën social-psikologjike krejtësisht shqiptare të fundshekullit XX pothuaj në të gjitha përmasat. Edhe pse ngacmimet autori i ka marrë nga një kohë e caktuar, mjeshtërisht ia ka arritur që gjithçka të funksionojë brenda konceptit të letërsisë fiction, aq e domosdoshme në teknikën e letërsisë moderne.

Misteret e karaktereve

Këto ngjarje me gjithë vlerat të tjera ideo-artistike që ngërthen romani, me shumë kompetencë shprehet shkrimtari Arbër Ahmetaj, i cili ndër të tjera thotë se romani është si film që sjell imazhe nga një botë e ngrirë. “Ëndrrat, lutjet, emocionit, dashuritë dhe frikërat e atyre adoleshentëve kanë fuqi përgjithësuese. Romani rrjedh i prajtë, si ujnat e liqenit, por fsheh në gji e na befason me misteret e karaktereve, me dramat dhe dhimbjet e përditshmërisë së tyre. Ironia e përdorur me masë, vë gjithsesi në spikamë, një mospërputhje të thellë mes asaj që reklamohet si arritje dhe një realiteti poshtërues, përtokës për njeriun, e sidomos për të rinjtë. Asnjë bashkëkohës europian i personazheve të këtij romani, nuk ka qenë aq i rrëzuar përtokë, aq i poshtëruar nga varfëria, mungesat ekzistenciale, frikërat nga përgjimi dhe rrënimi prej punëve skllavëruese e jo produktive. Gjithsesi personazhet arrijnë të ëndërrojnë, të flasin për qytete të mëdha, për kryevepra botërore të letërsisë, të ngadhënjejnë duke ruajtur shpresën dhe fuqinë për të dashuruar”.

Pra, këto motive dhe këto ide të cilat i potencuam edhe më lart dhe që janë mjaft të rrahura në rrafshin tonë poetik e prozaik, mirëpo prozatori Palushi këto ideo dhe këto motive i shtron përmes një fryme tërësisht nga një këndvështrim mjaft specifik dhe të veçantë, përkatësisht me një modalitet tepër kualitativ dhe te avancuar. Prozatori përdor një rrëfim pothuaj të thjeshtë në shtjellim, të themi në model i të krijuarit kohelian, mirëpo një rrëfim që përçon ide dhe mesazhe tepër të rëndësishme dhe shumëdimensionale.

Në romanin “Këpucët e Kaltrinës”, shqiptohen dhe transponohen një varg problemesh qenësore të ekzistencës së njeriut tonë e të botës së tij; përftohet dhe zhvillohen një dialog asociativ, me botën që e rrethon dhe e përcakton gjëllimin dhe veprimin e tij. Kjo shumësi problemesh e kuptimesh është shprehur nëpërmjet një strukture tekstore të ngjeshur e të dendësuar. Autori Palushi ka lënë vetëm testin pa të cilin nuk do të kuptoheshin e të zhvilloheshin lidhjet e ballafaqimit të dukurive e problemeve, të shqiptohej dhe të krijohej konteksti prozaik që e dallon veprën letrare si në aspektin ideor, po ashtu edhe në atë artistik.

Shtjellime më në brendësi

Esencialisht në romanin “Këpucët e Kaltrinës”, bëhet objekti trajtimi e keqja, varfëria, dhimbja, që njeriu i shkakton njeriut. Këto fenomene janë konkretizuar dhe shprehur në këtë roman nëpërmjet ngjarjeve dhe rrëfimeve që autori i shtjellon në roman.

Fabula e romanit është tejet tërheqëse dhe të mban në ankth gjatë tërë narracionit. E gjithë drama fillon me përmbytjet që kishin ndodhur pas shirave të rrëmbyeshëm. Dy lumenjtë që derdheshin në ujanën e liqenit kishin sjellë gjëra të llojllojshme, por sidomos tapa, të cilat u quajtën tapat e liqenit.
Pothuajse e gjithë fabula e romanit zhvillohet përmes tre protagonistëve kryesorë të romanit, të tre gjimnazistëve, Dardanit, Etnikut dhe Valtonit. Përpos shumë njerëzve të tjerë që kishin vërshuar në gjetjen e tapave të këpucëve për t’i përpunuar dhe për t’i siguruar të rejat. Këta njerëz kishin për qëllim që përmes këtyre tapave të cilat ishin të detyruar t’i përpunojnë dhe t’i sigurojnë sikur të ishin “të reja”. Edhe këta tre gjimnazistë, kishin mësyer ujanën e liqenit për të gjetur tapa për t’i rregulluar te këpucëtarët në mënyrë që t’i sigurojnë këpucët për mbrëmjen e maturës. Ngarendja e tyre për të gjetur sa më shumë tapa dhe për t’i siguruar këpucët, për këta gjimnazistë ishte e vazhdueshme. Dardani ishte i interesuar për të gjetur edhe tapa për këpucët e Kaltrinës, të dashurës së tij. Ai gjeti një këpucë, mirëpo kishte shumë vështirësi për të gjetur edhe një tjetër në mënyrë që t’i bëjë dy këpucë të njëjta. Edhe dy shokët të tjerë të Dardanit, Etniku dhe Valtoni interesoheshin që të gjejnë tapën për këpucën e Kaltrinës. Mirëpo, përpjekjet e tyre ishin të kota, sepse tapën që iu nevojitej nuk kishin mundësi ta gjenin. Gjimnazistët i mblidhnin këpucët që i nxirrte liqeni në breg, ua hiqnin eprinat, merrnin tapat e tyre dhe me to përpiqeshin të ndreqnin këpucë. Ata ecnin brigjeve te liqenit, kërkonin në çdo kohë, ditën, natën, shpesh edhe i mbushnin thasët me ato tapa dhe bënin përpjekje për t’i përshtatur sipas numrave të këpucëve, të cilat herë i përshtatnin herë nuk kishin mundësi për t’i përshtatur. Këta të rinj gjimnazistë, merreshin me diçka që nuk e kishin paramenduar kurrë më parë, me diçka që s’mund të ndodhte e as që kishin ëndërruar ndonjëherë më parë.

Tablo interesante përpos ngarendjes së vazhdueshme për gjetjen e tapave për sigurimin e këpucëve, sidomos të të rinjve të cilët ishin më tepër të interesuar për to, edhe gjetja e Biblës së mbështjellë në një kuti plastike paraqet një mesazh tepër të veçantë shumëdimensional, bashkë me moton e këtij Libri të Shenjtë: “Lutemi për Ju!”. Edhe pse në këtë kohë gjetja e këtij libri tek cilido person do të paraqiste rrezik të madh, këta të rinj ishin kureshtarë që këtë libër të fshehin dhe ta lexojnë, madje-madje edhe t’ua shpërndajnë të rinjve gjimnazistë. Pastaj edhe zbulimi te njëri nga shokët (Dardani), ka “Komedinë Hyjnore”, njëra nga kryeveprat e letërsisë botërore, paraqet një ide tejet interesante. Meqenëse Butrinti i ofron tapa si kundërvlerë vetëm t’ia dhurojë Komedinë hyjnore, Dardani i përgjigjet se “po të m’i japësh të gjitha tapat nuk ta jap Komedinë…”, dhe, reciton vargjet nga ky libër:
Në mes të shtegtisë së kësaj jete
u gjenda në një pyll krejt errësi,
se kishe humbë unë rrugën e vërtetë… (fq. 46)

Sjellja e varfërisë ekstreme, që kishte sjellë edhe zhveshjen e personalitetit dhe të dinjitetit të njeriut në këtë shoqëri, tregon edhe fakti që të rejat ta shesin edhe moralin vetëm e vetëm për ta siguruar një tapë, përkatësisht një palë këpucë. Të rinjtë janë ata që ëndërrojnë dhe shpresojnë, i ushqen optimizmi që do të ndryshojë ai realitet. Ëndërrojnë Londrën, Brukselin, Romën, Berlinin dhe metropolet e Europës për një jetë plot shpresë, me të dinjitetshme.
Dhe një ditë ky synim i këtyre të rinjve u realizua. Ndërsa një pasdite shkuan të mblidhnin tapa në liqen, për të njëjtin qëllim vjen edhe Urim peshkatari, i cili këtyre të rinjve u jep kumtin se janë hapur ambasadat e huaja në Tiranë.

Simbolika e tapave të liqenit

Ajo që në esencë i përmbledh, i sublimon përbërësit kryesorë të kësaj vepre të Petrit Palushit, është simbolika e tapës, e cila nëpërmjet diagonaleve të shumta, ndërlidh edhe i funksionalizon kohët, ngjarjet, veprimet; nëpërmjet kësaj figure që bart gjithë boshtin kurrizor të materies së veprës, shpalosen rrafshet e ndryshme të fatit të individit dhe kolektivitetit në një periudhë të caktuar, pësimet, tragjika, por edhe qëndresa dhe përpjekjet e njeriut tonë për të mbijetuar, qoftë edhe përmes ëndrrës.

Në të vërtetë simbolika e tapave përshkon, ndërlidh e funksionalizon shtresat dhe përbërësit kryesorë shtjellues, kuptimorë e artistikë. Në pjesën dërmuese të këtij romani idetë dhe mesazhet shprehen nëpërmjet rrëfimit të natyrshëm, por edhe nëpërmjet dialogëve. Autori di çfarë t’u përçojë lexuesve dhe cila është forma më e përshtatshme nëpërmjet së cilës duhet t’u rrëfejë për çështjet të cilat i vlerëson të rëndësishme. Dhe pikërisht, nëpërmjet një modeli të veçantë të rrëfimit, Petrit Palushi e ka krijuar, përkatësisht e ka shprehur një botë të mvetësishme motivore, artistike dhe unikate në prozën e sotme shqipe.

Vështrimet rreth romanit

Edhe pse ka pak muaj që romani është botuar, ndoshta është vepra për të cilën është shkruar më shumë në një kohë kaq të shkurtër. Në shqyrtimet e Ermelinda Kashahut, Arbër Ahmetajt, Ragip Sylajt, Kosovare Krasniqit, Fitor Ollomanit, etj., zbulohet tharmi i veprës, ajo e veçantë që e bën këtë roman të dallueshëm.

Dhe, në fund mund të konstatojmë që romani “Këpucët e Kaltrinës”, jo vetëm që është paradigmë e një modeli unikat gjuhësor, mirëpo paraqet edhe një ndjenjë tepër të rëndësishme shpirtërore e mendore. Është një roman i tillë, një vepër e hapur, mesazhi i të cilit vjen duke thadruar dhe duke u plotësuar gjithnjë e më shumë në kujtesën e lexuesit.

Romani “Këpucët e Kaltrinës”, i autorit Petrit Palushi, është një roman mjaft i rëndësishëm për letërsinë bashkëkohore shqipe, po ashtu edhe tepër joshës për lexim. Romancieri Petrit Palushi, përmes romaneve të mëhershëm me shumë vlerë, po ashtu edhe me këtë roman, ka siguruar një vend të merituar në prozën e sotme shqipe.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri