Max Brym
Drilon Pulaj
Një libër që rrëfen jetën e një gruaje nga Kosova, i paraqitur në formën e një romani të shkurtër nga autori gjerman Max Brym, i cili për tre vjet rresht ka kontaktuar me personazhin e librit “Fajtorja e pafajshme” Albana Z. siç e quan autori një grua që nga paslufta e degjeneruar nga jeta detyrohet të punojë lloj-lloj punësh për të mbijetuar, deri tek ajo e prostitutës.
Autori me një rëndësi të veçantë u ka kushtuar formave speciale të shtypjes së femrave në Kosovë, që nga paslufta. Personazhi i Albanës e trajtuar në këtë libër tani të përkthyer edhe në gjuhën shqipe është shembulli i shtypjes dhe i poshtërimit, mirëpo edhe shembulli i rebelimit dhe i së drejtës për identitetin e vet seksual dhe për liri shoqërore. “Jam marrë me një çështje që në Kosovë pak u kushtohet rëndësi, mendoj se ia kam dalë me sukses kësaj pune, duke treguar një jetë të vërtetë se çka i ka ndoshur Albanës”, ka thënë Brym.
Në ambientet e Librarisë Dit`e Nat`, ku edhe u mbajt promovimi i këtij libri, autori shprehu kënaqësinë që pati rast të merret me fenomenin e prostitucionit në Kosovë, gjë për të cilën ai konsideron se është bërë pak punë në parandalimin e tij. Romani në fjalë është një vepër kronologjike, e cila përshkruan një njarje të vërtetë të një gruaje shqiptare të dhunuar gjatë luftës e të dëbuar pastaj nga familja e saj si dhe peripecitë e jetës së saj të vështirë si prostitutë.
Në këtë roman, Albana Z. si personazh kryesor bëhet shkaktar i tregimit të një historie të shkurtër ekonomiko-politike dhe një shumësi faktesh të këtyre proceseve në Kosovë nga akterë vendorë e të huaj, duke mos lënë anash edhe përvojat e hidhura të një gruaje që do ta ushtrojë pavarësinë e saj. Max Brym Mynihu gjithashtu është bashkupunëtor në Universitetin e Prishtinës dhe tregoi se vjen shumë shpesh në Prishtinë, me ftesë të bashkpunëtorëve të tij nga Kosova. Libri që u promovua ka pasur mjaft sukses në shtetet gjermanofolëse, ku ka shqiptarë, ndërkaq të shtunën erdhi i përkthyer me lejen e autorit për herë të parë në Kosovë.
Libri gjatë leximit është i thjeshtë thotë Brym, ngase figura qëndrore Albana Z. e cila gjatë luftës së vitit 1999 u dhunua nga gjashtë çetnikë serbë në atë kohë, rrëfehet në këtë libër dhe më pastaj ajo fillon të jetojë në Prishtinë, si një prostitutë.
Gjuha e Brymit është direkte dhe pjesërisht shokuese. Gjërësisht Brym në librin e tij shpjegoi privilegjet materiale të zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë. Njëherësh tregoi se si këta zyrtarë, sillen me femrat në Kosovë. Ndër të tjera vetë autori për gazetën “Zëri” tha se heroina e romanit gjen forcën të lirohet nga kthetrat e prostitucionit. Vendimtare për këtë zhvillim është dashuria e Albana Z. me një aktivist politik majtist si dhe zhvillimet e rezistencës sociale në Kosovë.
“Vendimi për t’u larguar nga prostitucioni personazhit i duhej bërë kundër deshirës së tutorëve, të cilët ishin në shërbim të një partie”, u shpreh autori. Në parathënie Max Brym thekson se historia ka një sfond real dhe se ai i njeh këta persona. Autori i ka ndryshuar vetëm emrat dhe vendet. Në roman lexuesi njoftohet shumë mbi gjendjen politike të vendit tonë.
Autori e përshkruan Albana Z. si një krijesë të kënaqësisë. Drejtëpërdrejt ai përshkruan aktivitetetet e saj seksuale me të dashurin e saj më të ri.
“Në shtrat Albana gjithnjë është dominante, dhe kjo ka shumë rëndësi” thotë autori.
Gjuha e Brymit në këtë kontekst për disa meshkuj mund të jetë shokuese. Ai gjërësisht flet mbi këto gjëra në shtrat. Gjatë leximit lind pyetja se mos vallë është zgjeruar shumë. Si duket, Brym dëshiron të provokojë. Tema e seksualitetit dhe nevojat e grave kryesisht janë tema tabu në shoqërinë kosovare.
Ky roman i vogël rrumbullakësohet me një pllakë të vogël historike mbi zhvillimet e Kosovës. Autori qëndron politikisht majtas dhe njëherësh ai then shumë mite të pseudomajtistëve gjermanë lidhur me Kosovën. Brym shkruan kundër shtypjes së grave dhe angazhohet për barazi sociale dhe vetëvendosjen politike të Kosovës.
No comments:
Post a Comment