2011-03-07

Një vepër që nderon popullin shqiptar

Nga Stephen Sylejman Schwartz


Qendra për Pluralizëm Islamik (CIP), një rrjet ndërkombëtar intelektualësh e gazetarësh të moderuar myslimanë, ulema dhe sheikë sufi, ka kënaqësinë që të mbështesë botimin e librit “Vizita ime në Tokën e Shenjtë” të mikut dhe kolegut tim Vehbi Bajrami, kushtuar udhëtimit të tij në Izrael në 2008 dhe të ndihmojë në shpërndarjen dhe diskutimin e tij.

Vehbiu, duke udhëtuar haptas nëpër shtetin hebre si gazetari kryesor shqiptaro-amerikan, autor, botues dhe drejtues i gazetës “Illyria” në New York, tregoi guxim të madh. Ndonëse shumica e shqiptarëve janë myslimanë, ata, ashtu si shumë besimtarë të Islamit nëpër botë, dinë pak dhe u mungon informacioni i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë për realitetet e jetës në Izrael.

Duke përshkruar rrugëtimin e tij, Vehbiu nuk ka kursyer asgjë nga ato që pa.

Ai ka shprehur admirim për shumë aspekte të jetës në Izrael por edhe ka bërë pyetje të forta, shumica lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli. Ndërkohë që e përgëzojmë për këtë libër, në CIP e kuptojmë se një libër i tillë mund të tingëllojë si shumë kundërthënës mes shumë myslimanëve, mirëpo ne e mirëpresim atë si një kontribut në një debat i cili duhet të zhvillohet. Është dashur prej shumë kohësh tashmë që myslimanët të flasin me një ndershmëri të re për përplasjen 62 vjeçare ndërmjet Izraelit nga njëra anë dhe nga armiqtë e tij arabë e myslimanë, tashmë të udhëhequr nga Irani, në anën tjetër. Ne e urojmë Vehbiun që thyeu heshtjen mbi këtë temë; një akt që mishëron rolin, parimet dhe qëllimet e CIP-it, ndonëse Vehbiu nuk është anëtar i organizatës sonë.

Bashkohem me Vehbiun në falënderimin e Komitetit Amerikano-Hebre dhe të Konferencës së Presidentëve të Organizatave më të Mëdha Hebreo-Amerikane që bënë të mundur që një grup myslimanësh amerikanë të moderuar të udhëtonin nëpër Izrael. Po përmend këtu se edhe dy kolegë dhe miq të tjerë të ngushtë të mi, Presidenti CIP-it, Kemal Silay dhe Drejtori i CIP-it dhe udhëheqësi i komunitetit mysliman Shia në SHBA, Nawab Mousvi Agha, morën pjesë në të njëjtën vizitë që përshkruan Vehbiu.

Vehbiu shkruan me krenari të justifikueshme për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, si myslimanë ashtu edhe të krishterë, në trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm Shqipëria, nga të gjitha vendet që ishin pushtuar nga nazistët, refuzoi të dorëzonte qoftë edhe një hebre të vetëm në duart e kriminelëve që planifikonin dhe kryenin Holokaustin. Ky ishte gjithashtu i vetmi nga vendet e pushtuara nga Aksi që në fund të luftës numëronte më shumë hebrenj se në fillim të saj. Komentet e Vehbiut për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët, jo vetëm që u bëjnë nder shqiptarëve, por edhe përbëjnë një dëshmi të fuqishme kundër atyre që mohojnë gjenocidin e kryer kundër hebrenjve të Europës, sidomos mes myslimanëve dhe që i personifikon diktatori iranian, Mahmud Ahmadinexhad. Udhëheqësit amerikano-hebrenj, në shumë raste, duke u nisur thjesht më shumë nga ndërgjegjia dhe kujtesa e vuajtjeve të popullit të tyre nën fashizmin se sa nga njohja e detajuar e marrëdhënieve shqiptaro-hebreje, në mënyrë të ngjashme kanë mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga përpjekja për gjenocid në vitet 1998-99, gjatë ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë. Pa mizorinë e Hitlerit gjatë Holokaustit, Serbia nuk do të kishte besuar kurrë se do të mund të shpëtonte pa u ndëshkuar për krimet e saj ndaj myslimanëve të Bosnjës si dhe ndaj shqiptarëve, në këtë rast, po e përsëris, si kundër myslimanëve ashtu edhe të krishterëve. Rruga për në Aushvic, që duhej të ishte mbyllur njëherë e përgjithmonë, çoi në Srebrenicë dhe në Korenicë. Një mysliman i Ballkanit që në budallallëk e sipër do të mohonte Holokaustin e hebrenjve, do të mbështeste dorën që mbajti thikën që preu aq shumë fyte në ish-Jugosllavi.

Vehbiu zbulon shumë aspekte të jetës në Izrael, të cilat kanë të panjohura për myslimanët në botë. Një shembull domethënës që mund të përmendet është përshkrimi që i bën gjykatave Islamike të Sherihatit, që financohen nga shteti hebre si një e drejtë ligjore e arabëve myslimanë.

I jam akoma më shumë mirënjohës Vehbiut që ka nderuar thellësisht jetën dhe veprën shenjtore të një tjetër miku dhe kolegu, të ndjerit sheik sufi, rahmetlliut Abd Al-Aziz Bukhari, që jetonte në Jeruzalemin Lindor dhe ishte një pasardhës i Imam Bukharit, hartuesit të madh të haditheve apo komenteve gojore nga Profeti Muhamed, sallallahualejhisalaam.

Sheik Bukhari, paraardhësit e të cilit u vendosën në Jeruzalem shekuj më parë, ishte udhëheqës i komunitetit mysliman uzbek të qytetit.

Mirëpo, ne mbetëm të tronditur dhe të revoltuar që ky njeri i nderuar i paqes u bë viktimë e një agresioni fizik ndërsa qendra e tij sufi u pushtua nga fundamentalistët vahabistë. Në fakt, qëndresa që Sheiku Bukhari i bënte agresionit vahabist në Jeruzalemin Lindor është e ngjashme me atë që bëhet sot në të njëjtën vijë të frontit në Tetovë, në Maqedoninë Perëndimore, ku faltorja bektshiane Harabati Sufi ndodhet përballë një njëjtit sulm. Si vahabistët në Jeruzalemin Lindor ashtu edhe ata në Tetovë shfrytëzojnë në të dy rastet konfliktet lokale etnike - arabët kundër hebrenjve, sllavët kundër shqiptarëve – për të çuar përpara programin e tyre dashakeq për nënshtrimin e Islamit pluralist, tradicional dhe spiritual.

Një shpirt i ngjashëm jotolerant e fundamentalist mes myslimanëve u shfaq edhe në përpjekjen, e dëshmuar nga Vehbiu, për ta ndaluar atë dhe pjesën tjetër të grupit që të bënin një vizitë në Haram-i-Sharif, në seksionet e Kupolës së Gurit dhe të Xhamisë El-Aksa, nga “roje” që vunë në dyshim Islamin e vizitorëve. Mirëpo, vlerat e Islamit tradicional mbizotëruan në këtë situatë dhe Vehbi dhe bashkudhëtarët e tij patën kënaqësinë të vizitonin vendet e shenjta Islamike të Qud-sit si dhe më pas Murin Perëndimor ku hebrenjtë mblidhen për t’u falur. Vehbiu vë në dukje se rindërtimi i Murit dhe krijimi i një hapësire në krah të tij për t’u falur u urdhëruan si një shërbim në favor të hebrenjve të Jeruzalemit dhe të shtegtarëve hebrenj nga Sulltani Otoman Sulejman Kanuni, dhe u bënë realitet nga arkitekti me kombësi shqiptare Mimar Sinani, ndoshta ndërtuesi më i madh Islamik i të gjitha kohërave.

Vehbiu ia shërben të vërtetën lexuesit në një mënyrë dramatike dhe jashtëzakonisht domethënëse kur përshkruan tunelin e ndërtuar nën Harem-el-Sherif, që është bërë një mollë sherri me akuza të shumta kundër hebrenjve dhe Izraelit nga radikalët arabë.

Këta të fundit pretendojnë se tuneli ka pasur për qëllim që të sabotojë dhe shkatërrojë monumentet Islamike në Harem-el-Sherif, mirëpo Vehbi jep dëshmi personale të metodave të kujdesshme të përdorura në hapjen e tunelit që të shmangeshin dëmtimet.

CIP prej kohësh ka vënë në dukje hipokrizinë e ekstremistëve vahabistë, të cilët nga një anë kanë shkatërruar shumicën e trashëgimisë Islamike të Mekës dhe Medinës, duke përfshirë edhe shtëpinë ku ka jetuar Profeti Muhamed (të shtyrë nga besimi i paarsyeshëm se ruajtja e xhamive historike dhe strukturave të ngjashme është një lloj adhurimi idhujsh), e nga ana tjetër lëshojnë retorikën e tyre të vazhdueshme dhe të pandershme kundër Izraelit për vandalizma të këtij lloji. Vehbi Bajrami tashmë qëndron si dëshmitar i pavërtetësisë së kësaj gënjeshtre.

I jam edhe më tej mirënjohës Vehbiut që u takua me gazetarin izraelito-arab Khaled Abu Toameh dhe përshkroi në libër diskutimet me këtë koleg faktembledhës që ka treguar një karakter të ngjashëm në raportimin e saktë dhe trimëror. Abu Toameh ishte fillimisht një mbrojtës i Organizatës për Çlirimin e Palestinës në media ndërsa sot shkruan për gazetën “The Jerusalem Post”. Zbulimi në media nga Abu Toameh i historive të korrupsionit nga udhëheqja palestineze nën drejtimin e Jaser Arafatit ishte heroike. Vehbiu vizitoi gjithashtu Akademinë El-Kasemi, një institucion Islamik në Beka-el-Garbija (Baqa al-Gharbiyya) në Izrael, ku gjallon fryma Sufi dhe që është unike për rezultatet e saj si një shembull i shkollimit mysliman në Izrael.

Së fundi, Vehbiu na kujton tmerret e luftës në Kosovë, duke përfshirë edhe masakrimin e katolikëve shqiptarë në Korenicë, pranë Gjakovës, 10 vjet të shkuara. Këtu mbyllet një rreth; CIP ka mbështetur si Akademinë Al-Kasemi (Al-Qasemi Academy) ashtu edhe Shkollën Fillore në Guska, pranë Korenicës, ku fëmijët katolikë e myslimanë – shumica e prindërve të të cilëve u vranë brutalisht – të shkollohen së bashku.

Vehbi Bajrami ka parë shumë gjëra që duheshin vënë re dhe në këtë libër ka shkruar shumë gjëra për të cilat duhej folur. Vepra e tij i bën nder popullit shqiptar.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...