2011-03-07

Shkruan: Shahbaze VISHAJ:MBRETËRESHË ZEMRE


(Nënës-Mësueses)


Sa e sa stinë
lotove për lotin tim
Mbretëreshë zemre
edhe këtë mars
po më pret
aty
te guri i vatrës
më thërret pareshtur
zë burri i tatës
sa Pranvera
s’më sollën te Ti
oj Helenë e bukur
Ah!
ç’më kaploi malli për Ty
për buzëqeshjen e luleve
që dimrat m’i kanë ngrirë
e di se të mungoj
edhe Vjollcës me sy pranvere
i mungon aroma ime
edhe këtë festë
zë yti ethshëm kumbon
për prangat
që sjellin pranga
e shtrëngatën
që sjell shtrëngatë
as këtë stinë
Agimi s’agon në shtratin e lirisë
vetëm hija e tij të djeg
brenda saj fshihet pikëllimi
Ti pret, pret
e në heshtje flet
ndoshta këtë Pranverë
Shpresa s’fundoset në humnerë
( 7 – 8 Mars)
LULE ZEMRE
( Nënës - Mësueses)
Nuk të braktisa
o Nënë
besomë
atë ditë Marsi
shikimi më mbeti kah Ti
tash e njëmbëdhjetë Pranvera
nuk ta putha ballin
as shtatin s’ma mbulove
aty
në shtratin e lumturisë
fle kujtimi, loti, malli
sa jam përmallu
për kullën, fjalën, zjarrin
ndoshta këtë festë
do të pushojë kënga e vajtimit
e cila tash e sa stinë
t’i ka venitur lulet e zemrës
do të kthehem
në thesin pa ëndrra jete
në Marsin tjetër
do të takohem me Ty
nënë, motër, mësuese
në muranën e qëndisur
me buqeta lulesh të kuqe
PENTAGARAMI I THYER
(Për Nënën dhe Mësuesen)
Çdo mars
në hartën e zemrës sate
flet loti, malli, dashuria, zjarri
në pentagramin e thyer te jetës sime
kafshon melodi vetmie
çdo ditë për Ty
pëlcet kujtimi
kujtimi, që takohet
me kullën, fjalën, lumin, valën
buzëqeshjet tona
ashtu të vyshkura
vriten nga çmenduri të kohës
sa e sa herë
mallkova ata
që natën e lanë pa hënë
e Yllkën pa nënë
Drenin e lanë pa nuse
e Gresën pa mësuese
mallkova ata
që Pranverat
m’ i veshën me ngjyrë pikëllimi
e copëza eshtrash
m’ i mbuloi sërish bloza e tymi
për çfarë të shkruaj, sonte
kur vargu ngacmon heshtjen
e lotët flasin për Ty, nënë- mësuese
për Ty,
që shtegtove Ëndrrës së Fshehur
atë mars
pika gjaku numërova
në damarët e prerë
në sy të këndonte liria
e në ballë
e pafjetura fjalë
sot, hijen tënde
kërkojnë këndet e truallit
e fjalën e ëmbël Mësuese
nxënësit në klasë, e korridorit
tani, kudo malli ndez shpirtin
e riga loti pikojnë
në pentagramin e thyer të jetës sime

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...