2013-07-22

Poezi nga PORTUGALIA

Fernando Pessoa, 1888-1935

NATË…



Natë. Sterrë e zezë kjo natë. Te një shtëpi e largët,

Shkëlqen drita e një dritareje.

E shikoj dhe tërë qenien ma mbush një ndjesi njerëzore.

Çuditërisht jeta e një njeriu që banon aty



Dhe nuk e njoh fare,

Më tërheq vetëm përmes dritës që e shoh nga larg.

Sigurisht, jeta e tij është reale: ai ka një fytyrë,

Ka gjeste, ka familje dhe një zeje.

Por tash për mua ka rëndësi vetëm drita e dritares së tij.

Ndonëse ajo dritë është aty, ngaqë e ka ndezur ai,

Për mua, ajo dritë është një realitet i pandërmjemë.

Unë nuk shkoj kurrë përtej realitetit të pandërmjemë.

Përtej realitetit të pandërmjemë nuk ka asgjë.

Nëse nga vendi ku qëndroj, unë shoh vetëm atë dritë,

Varësisht nga vendi ku gjendem, ekziston vetëm ajo dritë.

Ai njeri dhe familja e tij janë realë

Në anën tjetër të dritares.

Unë ndodhem në anën e këndejme, në një largësi të madhe.

Drita u shua.

Ç’rëndësi ka për mua që ai njeri vazhdon të ekzistojë.







Miguel Torga, 1907-1995



REKUIEM PËR VETEN TIME



Fundi po afrohet.

Dhe unë jam i trishtuar që po mbaroj kështu,

Gërmadhë njerëzore

Dhe jo natyrë që u tret.

Invalid nga trupi

Dhe me shpirt ulok.

I vdekur në të gjithë organet dhe shqisat e mia.

E gjatë qe udha dhe tepër të mëdha

Qenë shestimet që bëra në të.

Por askush nuk rron dot

Kundër ligjeve të fatit.

Dhe fati nuk deshi

Që të më shkonte mbarë, siç luftova,

Që të bija në këmbë, në sfidë e sipër.

Një lumë i lumtur që niset

Për t’ u hedhur në det

Dhe në një oqean ta përjetësojë

Shkëlqimin e tij të rrëmbyer prej lumi.





Ruy Cinatti, 1915-1986



TË MARR MIDIS DUARVE TË MIA…



Të marr midis duarve të mia frymën e ëmbël

Që e cik gojën tënde

Ta çoj te buzët e mia për një puthje

Si ajo puthje që, me druajtje,

Jep ai që përkulet për të dëgjuar

Vërshimin e vesës

Mbi lulet e agsholit.







Jorge de Sena, 1919-1978



CAMÔES-I U DREJTOHET BASHKËKOHËSVE TË TIJ



Ju mund të më vidhni gjithçka :

Idetë , fjalët, imazhet

Si dhe metaforat, temat, motivet,

Simbolet dhe privilegjin e dhimbshëm

Të kem qenë i pari që krijova një gjuhë të re,

Në mirëkuptim me të tjerët, me kurajën

Për të luftuar, për të menduar, për të depërtuar

Në viset e thella të dashurisë, për të cilat ju jeni të tredhur.

Dhe pastaj ju mund të mos më citoni,

Mund të më zhdukni, të më shpërfillni dhe madje të brohoritni

Për kusarë të tjerë më fatlumë.

Kjo ka pak rëndësi : sepse ndëshkimi

Do të jetë i tmerrshëm. Jo vetëm kur

Stërnipërit tuaj që nuk do ta dinë më cilët jeni,

Do të më njohin edhe më mirë

Nga sa ju shtireshit sikur më njihnit,

Por gjithçka, gjithçka që ju e plaçkitni me kaq zell,

Do të kthehet tek emri im.

Dhe vërtet gjithçka do të jetë imja,

Do të quhet imja, do të llogaritet si imja,

Madje edhe ato vogëlsira mjerane

Që pa i pasë uzurpuar, ju mund t’i keni bërë vetë.

Ju nuk do të keni asgjë, kryekëput asgjë:

Madje as kockat tuaja,

Sepse do të shkojnë të kërkojnë ndonjë nga skeletet tuaja

Për ta paraqitur sikur është imi.

Me qëllim që kusarë të tjerë,

Të ngjashëm me ju,

Të përgjunjen për të vënë lule te varri im.

—-

Luis de Camôes, 1524-1580, poet kombëtar i Portugalisë







Sophia de Mello Breyer Andersen, 1919



BIOGRAFI



Pata miq që do të vdisnin, miq që u nisën për udhë

Miq të tjerë që e copëtuan fytyrën pas kohës.

Unë e urreva atë që ishte e lehtë,

E kërkova veten te drita, te deti, tek era.





Eugenio de Andrade, 1923



PRITJE



Orë, orë që nuk kanë të sosur,

Të rënda, të thella ;

Unë do të të pres ty

Derisa gjithçka të bëhet memece.



Derisa një gur të nxjerrë kokën nga toka

Dhe të çelë lule të reja.

Derisa një zog të më dalë nga fyti

E të zhduket te heshtja.







Armando Silva Carvalho, 1938



LERMËNI TË HYJ…



Lermëni të hyj te poema.

Llambë me një natyrë të dytë

Për të vështruar të vdekurit

Të vdekurit që i desha shumë

Që toka i ka gllabëruar dhe vjeshta i ka zhdukur

Në trajtë shirash acide.

Lermëni të hyj te poema.

Tashmë mushkëritë e mia

Dinë të thithin muzikën e zotit

Në ajrin e ndotur nga murtaja.







Casimiro de Brito, 1938



ZEN



Zen është një enë

Ku zënë vend macja ime

Dhe macja që nuk kam

Karboni i trupit të njeriut

Dhe karboni i yjeve

Drita ku unë pi

Hijen e ditëve.

Zen është dielli zen është uji

I të gjitha enëve shija

E gurit tingulli

I gurit që ti imagjinon

Kur nuk imagjinon asnjë gur







Gastao Cruz, 1941



NË POEZI



Në poezi unë kërkoj shtëpinë ku jehona

Ekziston pa britmën që atë e përfton.





José Agostinho Baptista, 1948



ERA



E kotë është lutja kur në muzg

Ne dëgjojmë daullet e frikës

Terrori pasqyrohet në fytyrat e përqendruara të fëmijëve.

Kallamishtet tunden, grunjërat fërgëllojnë.

Një kalli ndahet më dysh

Nga tingulli i një kantike që vjen nga larg.

Nga një vis shumë i largët zbret heshtja.





Helder Moura Pereira, 1949



PO IKI NGA KËTO VISE…



Po iki nga këto vise

Dhe nuk po marr me vete asgjë

Madje as këtë zot mizor

Që i jepte arra

Atij që nuk kishte dhëmbë

Unë jam i trishtuar. Këtë Portugali



Nuk e kam më në zemër, e ndiej

Se gjithçka po e vë në pikëpyetje. I trishtuar.

Kaq i trishtuar jam



Saqë vetëm do të ha fruta e do të pi duhan

Dhe do të mendoj se kaq të trishtuar

Më bëri e papritura e dashurisë







Nuno Judice, 1949



PYETJE NJË MIKESHE TË VDEKUR



Unë të pyes se çfarë do :

Trëndafilin që nuk ka çelur nën qiellin e prillit ?

Një varr të bardhë në qendër të tokës ?

Gjinjtë e zjarrtë të vajzës së re në mëngjes ?

Gishtat e panjollë të dashnorëve ?



Një lule mund të çelë

Në çfarëdo vendi ; një varr

Mund të ketë ngjyrën e gjetheve që e mbulojnë;

Dashuria i vë zjarrin kraharorit që i jepet,

Duart mund të fshehin

Dhuratën e mëngjesit dritëplotë.



Vetëm ti nuk mund të përgjigjesh.

Jeta kaloi nëpër sytë e tu

Si hija e një zogu shtegtar,

Duke i kallkanosur buzët e tua

Si ujët e puseve. Asnjë refleks nuk e priti

Dëshirën e saj që të qëndronte

Sikur tashmë ta dinte se ishte e padobishme.



Një dritë e hirtë

Më shkëput nga kujtesa jote.





Ana Marques Gastâo, 1962



JA ÇFARË KA MBETUR…



Ja çfarë ka mbetur

Nga atdheu im.

Dora që kërkon

Pa hidhërim logjik

Trupin e këtyre të vdekurve.



Madje nuk e di më se kush jam

Në çastin që bie muzgu

Hapësirë përballë kohës

Përjetësi e plagosur

Midis fundit dhe dënesës.



Zemër që rreh me potere,

Më thuaj, o nënë,

Me gojën tënde të lagur nga lotët

Nëse kujtesa e mban

Botën e mavijosur.



Ana Paula Inacio, 1966



LËRE KOHËN…



Lëre kohën t’i bëjë të tjerat

T’i mbyllë dritaret

T’ua mbledhë velat anijeve

T’i presë anijet në port

Të shpërndajë fatin

Të ndezë zjarrin

Të presë të shtrohet darka



Hapi dyert : deshifroje dritën

Hijen, artin e gjahtarit të zogjve

Me tri copa druri

T’i bën një kanoe

Me katër fjalë, bën një varg,

Lëre kohën t’i bëjë të tjerat



Përktheu : Anton PAPLEKA





Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...