2011-02-01

Terrori i Edvin Kristaq Ramës

Leximi i ngjarjeve që prodhuan dy data të janarit, 21 dhe 28, kanë vetëm një emër: terror. Në të dy datat njerëzit ndalën këmbën të dalin në rrugë, mbyllën dyqanet, prindërit pritën me frikë fëmijët të ktheheshin nga shkolla, për herë të dytë ambasada amerikane lajmëron qytetarët e vet të mos dalin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa qytetarët e Tiranës e ndien vetë frikën, ndaj dhe u vetëmbyllën! Kjo psikozë frike quhet terror, po nga kush? Politika do të jetë përgjigjja e parë, ngjarjet që prodhon politika shqiptare. Sigurisht terrorin prej politikës e presim, ashtu siç ndodhi më ‘44, kur Enver Hoxha për të ardhur në pushtet përdori “frikën” mbi popullin, por jo individin.

Kjo ishte arma e parë psikologjike që donte të vriste brenda shqiptarëve, ta rrënonte psikologjikisht, t’i jepte tension jetës, t’i hiqte mendimin për të menduar i lirë, për të gjykuar me vetëdije, duke asgjësuar në mënyrë të dhunshme çdo alternativë tjetër. Kështu shtroi rrugën për sistemin e tij, paranojak, duke vrarë të pafajshëm, në emër të sigurisë së pushtetit; se dikush po e kërcënonte me vdekje atë dhe popullin dhe ndaj duhej mbrojtur. Pas kësaj krijoi tensionin, terrorin që i hap rrugë pushtetit të dhunshëm. E njëjta arsye na shtyn të mendojmë, dhe aspak ndryshe, se si Rama më 21 janar, brenda 24 orëve, i bëri shqiptarët frenetikë, u zbuloi instinktin e kafshës, barbarisë, deri në vrasje me njëri-tjetrin. Lufta civile që shkaktoi Enveri, duke ndërsyer shqiptarët me njëri-tjetrin me të njëjtin qëllim u arrit; vrasje në emër të nacionalizmit, në emër të popullit të zemëruar! Janë tipike parulla diktatorësh, të dhunshëm për pushtet.

Po në emër të këtij u shpërfill, u zhduk farë mendimi tjetër, zëri i intelektualëve të lirë asaj plejade të viteve ‘30-‘40 që kishin lajmëruar për një dekadë mbi çdo shenjë të komunizmit, kur niste terrori dhe çetat terroriste. Të njëjtën çetë pamë më 21 janar, të njëjtën çetë të gatshme për terror që mblidhen si “heronjtë komunistë”, të ndihmuar nga traktet mediatike.

Paranojë është dhe kjo ndjesi qytetare, por ndryshe nga plejada e viteve ’30, të cilët e përhapnin mendimin e tyre në pikat më të dobët të shqiptarëve që ishte vetëdija dhe psikologjia, gjendja mentale, sot këto mungojnë krejtësisht prej “elitës” shqiptare. Kur ka me qindra organizata joqeveritare, për lloj-lloj sëmundjesh, patologjike e psikologjike, për sensibilizimin e ndjenjës qytetare, për të drejtat e njeriut, për hakmarrje e gjakmarrje, është e pashpjegueshme pasiviteti për ta lexuar të paktën situatën. Ndoshta presin dhe këto OJQ buxhetin e 2011-s, si nga brenda dhe nga jashtë për të bërë projekte e programe se si të rehabilitohen shqiptarët. Një aktore e njohur në pamundësi për të ngritur zërin, e përmend shpesh me vete se këtu “është një spital psikiatrik”. Ndërsa për të huajt këto situata në Shqipëri i bëjnë heronj, për t’iu mburrur bashkatdhetarëve të tyre se po jetojnë si Afganistan.

Terror kanë dhe ata, siç patën “gjermanët” e “amerikanët”, dhe “anglezët” e viteve ‘44, të cilët e lanë Shqipërinë në vetizolim.

Për ta vërtetuar këtë terror mjafton të shikojmë pas, qysh në vitet e para të diktaturës, pasi u mboll terrori erdhi kosa, qetësia e rreme që i futi shqiptarët në gjedhë (në zgjedhe, brenda gardhit).

Pas asaj “lufte” frenetike për të mbjellë terror politik tek shqiptarët më 21 janar, në rrezik për të prodhuar një luftë civile, më 28 janar pamë ekstremin, qetësinë e rreme. Njerëzit u rreshtuan tamam si në diktaturë, u futën në gardh. Qytetarët u diktuan të mos e kalonin gardhin, po të bënin homazh “të detyruar”. U krijua një shtet brenda pushtetit të Edi Ramës. Leximi i homazheve siç u komentua nga mediat kishte një medalje; populli i thirrur nga Rama diti të lexonte urdhrat e tij! Vetëm vdekja u respektua në gjithë këtë “qetësi të rreme”, njësoj si në diktaturë. Brenda 24 orëve Rama arriti të realizonte paranojën e tij; të krijonte skenën sikur do ta vrisnin atë personalisht. Por njëkohësisht të krijonte dhe ngjarjen më të paturpshme, të frikshme; dublimin e sigurisë së shtetit. Njerëzit me shirita të verdhë po dublonin policinë. E frikshme kjo brenda një shteti, në emër të sigurisë. Të futësh në gardh 6 mijë vetë, t’i vendosësh dy rreshta me njerëz me shirit të verdhë në krah, mu përpara pozicionit të policëve ishte terrori i dytë, i palexueshëm, por që klith për vetëdije.

Demonstratat kanë lirinë e tyre, qytetarët kanë ndjeshmërinë personale që nuk përputhet me asnjë lloj pushteti. Ndërsa Rama artikulonte në një intervistë për një nga televizionet se mësuesit kanë nevojë për politikën, mjekët kanë nevojë për politikën, mediat kanë nevojë për politikën, tregtarët kanë nevojë për politikën etj. - këto janë krejtësisht absurde dhe provokojnë sërish terror të palexuar. Modelet demokratike të një vendi prodhojnë individë të lirë, me mirëqenie ekonomike, të lirë për t’u arsimuar pa pasur nevojë për politikën! Shteti dhe qeveritarët biblikisht janë shërbëtorë dhe jo politika, por e kundërta, politikanët kanë nevojë për individin e fortë.

Në të kundërt, mbillet terrori dhe pushteti. Tashmë shenjat e diktaturës i lexojmë më mirë se cilido vend tjetër. Jo vetëm se kemi një trashëgimi kulturore te mendimit, mohuar nga komunizmi, që të mbush me vetëdije e ndërgjegje, por historia e 50 vjetëve të diktaturës dhe e këtyre 20 vjetëve në përpjekje për të mbërritur në liri ka krijuar të paktën filtra të fortë psikologjikë për të kuptuar kur terrori na troket në derë. Ky është lajmërim për diktaturë, sistem jashtë demokracisë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...