2011-02-13

“Shkrimi akademik’, një libër për çdo bibliotekë

Intervistoi për "Bota sot": Skënder Mulliqi


Dr. Xhavit Aliçkaj, profesor i Universitetit të Prishtinës, autor i veprave studimore si“Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës”, “ Estetika e Shkrimit” si dhe një numër studimesh sapo ka nxjerrë në botim edhe librin “Shkrimi Akademik”.

Bota Sot: Prej disa kohësh po përgatisnit librin “Shkrimi Akademik”, të cilën e ligjëroni në fakultet. Çka do të na thoni për fillim?



                                      Prof.dr.Xhavit Aliçkaj 


Xh.Aliçkaj: Është e vërtetë se ka disa kohë që e kisha në planin shkrimor botimin e një libri për këtë lëndë. Ndoshta libri ka pasur mundësi, mbase edhe nevojë të botohet edhe më herët, mirëpo kisha nëpër duar një vepër tjetër me studime letrare, e cila më bënte kureshtar ta botoj para kësaj. Më në fund vepra “ Estetika e Shkrimit” doli ne vitin 2009 dhe jo vetëm që u prit mirë ndër lexues, por ia lëshoi radhën edhe veprës “ Shkrimi Akademik”.

Bota Sot: Në biseda rasti me studentë, vërehet se e kanë pëlqyer dhe se është një libër shumë i kapshëm. Cili është mendimi juaj?

Xh.Aliçkaj: Duke krijuar tashmë një përvojë bukur të gjatë të mësimdhënies të kësaj lënde dhe duke u mbështetur në interesat dhe nivelin e dijes së studentëve, sidomos nga kultura e të shkruarit, kam bërë përpjekje që jo vetëm t’i kenë në një vend gjithë çka u duhet nga shkrimi akademik, por këto të dhëna t’i mbështes në elementet që duhet t’i ketë gjuha e veprës shkencore si : qartësia, thjeshtësia, harmonia, dhe stili i rrjedhshëm, të cilat e karakterizojnë bukurinë e gjuhës dhe aspektin estetik e stilistik të saj. Për këto çështje jo vetëm që kam shkruar, por jam munduar t’i zbatoj në librin tim, që si duket kanë gjetur shprehje te studentët.

Bota Sot: Po me çka në të vërtetë merret shkrimi akademik?

Xh.Aliçkaj: “ Shkrimi Akademik” në studimet tona universitare është një lëndë e re dhe e aplikuar para pak vitesh, ndërkaq në disa universitete evropiane ka traditë më së 30 – vjeçare. Duke u nisur nga një gjendje jo e mirë e përgatitjes së nxënësve nga nivelet e tjera shkollore me njohuritë që kanë nga kultura gjuhësore e shkrimore, ka qenë më se e nevojshme që kjo lëndë të futet në programet mësimore që studentët të ngritën në një nivel më të lartë të shkrimit. Përndryshe “Shkrimi Akademik”, siç po tregon vetë togfjalëshi, është shkrim me një status më të lartë që i tejkalon shkrimet paraprake të studentëve. Është një sintezë e njohurive nga gjuha, nga bukuria e veçantia e të shkruarit, nga letërsia e eleganca e shkrimit dhe nga vetë metodologjia. Thënë shkurt : Shkrimi Akademik” është një lloj i shkrimit më të mirë ku mpleksen të gjitha elementet e shkrimit të bukur: ana gjuhësore e stilistike, letrare, profesionale, logjike e shkencore.

Bota Sot: Cila është lënda, materia, që ju keni përfshirë në libër?

Xh.Aliçkaj: Duke pasur nëpër duar mbi 20 vepra që kanë të bëjnë me shkrimin akademik, ose të përafërta me të dhe duke i pasur parasysh kërkesat dhe nevojat e studentëve për ato forma shkrimore me të cilat përballen gjatë studimeve, jam munduar t’ua ofroj një libër me udhëzimet më kryesore që u duhen atyre. Meqenëse nëpër libra të shfrytëzuara kam parë laramani temash, pra një lloj lirie në përfshirjen, përzgjedhjen dhe mbarështrimin e përmbajtjes, edhe ne kemi vepruar ngjashëm, duke u mbështetur në to, duke ndryshuar dhe duke shtuar e hequr nga diçka, në mënyrë që studentëve t’u mbetet pjesa qenësore që u duhet në praktikën shkrimore. Derisa në shumë tekste zë vend qendror metodologjia, diku çështja gjuhësore, në ndonjë tjetër ndonjë lloj i shkrimit akademik, ne i kemi përfshirë të gjitha ngapak. Në fillim janë dhënë pjesë nga metodologjia kërkimore -shkencore si përcaktimi i temës, kërkimi i materialit, plani i punimit dhe hartimi i tij dhe në fund baza dokumentuese. Kjo është bërë me qëllim që studentët të kenë një orientim metodologjik se si duhet të fillohet një shkrim. Më pastaj jemi ndalur në çështje gjuhësore si: gjuha e veprës shkencore, stilet e të shkruarit, dhe përdorimi i fjalëve shqipe në vend të fjalëve të huaja. Një kapitulli i është kushtuar një kulture të përgjithshme shkrimore që ka të bëjë me çështje personale, po edhe praktike si shkrimet ligjore, procesi, raporti, referati etj. Ndërkaq në fund i kemi përfshirë dhe sqaruar llojet e shkrimit akademik që u duhen gjatë studimeve, po edhe pastaj si: eseja, punimi seminarik, punimi i diplomës, recensioni, studimi dhe llojet e tjera të nivelit më të lartë shkencor. Ky libër mund të shërbejë të gjithë atyre që merren me shkrime, me studime ose që duan të marrin një dije dhe kulturë për të shkruar bukur dhe në mënyrë profesionale.

Bota Sot: Planet e juaja të mëtejme?

Xh.Aliçkaj: Kam mbledhur afro 600 anekdota në oda burrash, kam arritur t’i rikujtoj afër 300 sish. Meritojnë të botohen se janë interesante.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...