Shkruan: Mustafë XHEMAILI
1. Njohja
Njohja ime me Ibrahim Kelmendin është bërë në veprimtari e sipër qysh kur ai mbajti fjalimin me jehonë, por edhe dekonspirativ, në varrimin e babait tim Muharremit, ndjesë pastë, më 3 shtator 1979. (shih libri faqe 209) Madje kjo njohje ime me te u bë në mungesë. Unë shërbeja në ish-Armatën Jugosllave dhe kur erdha në Komogllavë, gjithçka kishte përfunduar. Pasojat e fjalimit të militantit të zbuluar të ilegales së Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i cili fjalën për babain tim e kishte shkruar i ulur mbi një thes të mbushur me misër, ishte e dy anshme: përfundimisht në Komogllavë u shpall irredenta dhe, përfundimisht, Ibrahimi u detyrua ta lëshoj Kosovën. Fjalimi i tij ishte thjeshtë politik, kundër shtypësve dhe shfrytëzuesve të klasës punëtore dhe Kosovës, ishte thjeshtë kundër interesave të ish-Jugosllavisë. Ishte fjalim politik që mbahej hapur në Kosovë, një ndër të rrallët e asaj kohe, ishte aq i guximshëm sa shënonte një kthesë të madhe në jetën e njerëzve, të pranishmëve të shumtë që kishin ardhur pothuajse nga gjithë Kosova, por dhe nga Maqedonia për të ma nderuar babain tim. Ndërsa Muharrem Xhemailin, punëtorin, mjeshtrin e kategorisë së lartë të ndërtimeve, grevistin e shkëlqyeshëm në Ndërmarrjen ndërtimore Ramiz Sadiku dhe dashamirësin e madh të arsimit, lirisë dhe përparimit, e nderoi përjetësisht, Ibrahim Kelmendi e nderoi përjetësisht me një fjalim të denj atdhetar e politik. Nuk është vonë edhe sot, që, unë, djali më i madh i familjes së Xhemailëve të Komogllavës irredentiste, mikun tim IK, ta falënderoi, publikisht, për këtë nderë që iu bë babait tim në shtatorin e largët, në vjeshtën e verdhë të vitit 1979.
Kopertina e librit “ATENTATET”
———————————–
Vetëm kur jam arratisur nga Kosova në pranverën e vitit 1984, dhe veçanërisht në verën e atij viti, njohja me I. K., u bë aktive, në bashkëpunim të plotë dhe pothuajse krejt të natyrshme. Veprimtarinë e tij e kisha të njohur. Me rrëfimet e tij, ai vetëm më bindi nga afër se ai kishte qenë dhe ishte kapaciteti udhëheqës organizativ, i cili kishte mbetur i vetmuar, pa shokë që kishin nivelin e tij, guximin dhe këmbëngulësinë për të luftuar dhe ecur përpara, pa intelektual, dhe… me një dëshprim të madh, që ai e ndrydhte brenda vetes. Ai para meje ka qenë i hapur dhe pa ekuivok, pa makijazh dhe pa sforcim. Mbase me dhjetëra herë m’i ka përsëritur ngjarjet që më vonë do ta marrin formën e prozës së gjatë ATENTATET. E ka bërë këtë edhe në kuadrin e punës që bënim bashkë (ishim në udhëheqje të LRSSHJ-së e pastaj të LPRK-së e OMLK-së degës jashtë vendit si dhe në Redaksinë e ZiK-ut, por e ka bërë këtë edhe si para një shoku, miku, intelektuali. Unë i besoja. Ai ishte më i sinqerti, përkundër, ta zëmë Xh.Sh.-së, i cili, i kishte larguar krejtësisht intelektualët nga vendet vendimmarrëse në organizatë dhe në Redaksinë e ZiK-së, dhe ishte shumë i shkathët, orator i shkëlqyeshëm dhe specialistë i intrigave politike.
Analizat që IK i bënte për situatat, emrat e ndryshëm që vepronin në diasporë, që tash janë personazhe në ATENTATET, dhe veçanërisht ngjarjet para dhe pas natës së 17 janarit të vitit 1982, më kanë bindur në drejtësinë e gjykimeve për njerëz dhe personalitet që tashmë janë përshkruar në roman. Këtë bindje timen shpesh ua kam thënë dhe bashkudhëheqësve në organizatat ku veproja dhe Redaksinë e ZiK. Të vetmin problem unë e kam pasur me IK.-në se ai largohej pa paralajmërim dhe jo gjithherë i jepte llogari Qendrës, ku edhe vetë bënte pjesë. Dhe, gjithmonë, unë i haja kritikat për të nga të gjithë të tjerët, sepse gjithmonë para kritikuesve e mbroja. Ndërsa kur ai vinte e takoheshim shpesh bënim shamatë të vërtetë. Ndoshta kjo e metë, e cila shpjegohet me karakterin e njeriut, për një disiplinë (apo mosdisiplinë) në jetë dhe në organizim të saj, ai vetë ia ka parë më së shumti sherrin. Sepse të gjithë më së shumti e kanë sulmuar në këtë dobësi të tij.
Shikuar në aspektin tjetër IK në atë kohë, realisht ishte lideri politik kryesor në mërgatë, gjë që për mua, thjeshtë, e bënte të kuptueshme mosrespektimin e tij të plotë të rregullave dhe disiplinës që, ne, të cilët kishim ardhur në pranverën e vitit 1984 nga Kosova (shih f. 459), përpiqeshim t’i vendosim brenda LRSSHJ-së ekzistuese, LPRK së ardhshme dhe OMLK-së Djv, ato rregulla dhe mënyra pune me disiplinë të lartë, të përditshme, milituese dhe organizative ashtu siç kishim bërë brenda në Kosovë.
Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
—————————————-
Në fakt, shumë shpejt, edhe këtë disiplinë që e predikonim, pa të cilën nuk do të kishte pasur kurrë sukses LPRK nga vera e vitit 1984 e deri me 1991, Ibrahim Kelmendi i futi me sukses te bashkatdhetarët në Gjermani, Belgjikë, Suedi, Norvegji, Danimarkë, madje edhe në Amerikë.
2. Cili është autori
Një vërejtje: Do të ketë shkrime, letra etj., dhe mbase do të ketë edhe të tjerë, se do të thonë se IK e kanë pasur mik e shok për kokë shoku e miku, por deri më sot e kanë quajtur edhe anarkist, edhe dekonspirativ, madje edhe të rrezikshëm. Njëra anë. Ndërsa ana tjetër do të lëshoj mallkime e rrëfe mbi kokë të IK-së ashtu siç kanë lëshuar edhe dikur e lëshojnë edhe sot.
Ka edhe të tjerë, madje të njohur që, sot, IK-në e duan të gjallë vetëm për dëshmitar në ndonjë gjyq të mundshëm. Pra vetëm si një subjekt dëshmues, tregues dhe kaq. Mandej IK le të shkoj në dreq të mallkuar! Them kështu, sepse personazhet kryesore në ATENTATET i njoh mirë edhe unë, dhe veçanërisht personazhet e pas atentatit që vegjetojnë me shkathtësi edhe sot në parti politike, organizata, qeveri e mekanizma të saj, ojq-ët e shumta me buxhete të majme.
Por unë mendoj se IK ka pasur shumë shokë por edhe nuk ka pasur asnjë shok! Veçanërisht pas vrasjes së Jusuf Gërvallës! Ndërsa nga dëshmia e tij, duket kthjellët se ai vetëm Jusuf Gërvallën e ka pasur shok të vërtetë! Dhe kjo ishte e natyrshme. Në rinin e tij IK, si gjithë të tjerët, duhej ta kishte një shok të vërtetë. Dhe, ai, e gjeti pikërisht atë që i duhej për bisedë, edukim, qortim, grindje, debatim, orientim, organizim, bashkëveprim – atë më të mirin, shokun ideal! Për gjithë jetën!
Pra, të shkruash apo të mos shkruash – kjo është çështja! Të heshtësh apo të flasësh – kjo është çështja! E IK., ka vendosur që thënien e Hamletit të perifrazuar kështu në këtë rast nga unë, ta merr si njëdrejtimëshe:
Të flasësh, mos të heshtësh!
Të jetosh me historinë!
Të flasësh të vërtetën!
Ta dëshmosh aktivisht atë!
Jo në mënyrë pasive, siç mund të kërkojnë disa!
Ibrahim Kelmendi është njëri ndër emrat më të spikatur të Lëvizjes Ilegale të Kosovës të viteve 70 dhe 80-ta. Ai ishte organizatori i mirëfilltë në emigracionin politik kombëtar të viteve 1978-1984 në Gjermani dhe njëri ndër më të spikaturit në kuadrin e organizatave që përmenda më lartë. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm brenda tyre si dhe përvoja e tij brilante me emigracionin, ka bërë që shumë punë me rëndësi jetike për organizimet në diasporë, dhe më vonë edhe brenda në Kosovë, të marrin kahje të duhur dhe me rëndësi historike. Veçanërisht me kompetencë flasë për vitet e bashkëpunimit me IK-në 1984-1991, vit kur unë për shkaqe politike e të papajtueshme, pra edhe me IK-në, në një rast vendimtar për rrjedhat politike të organizatës, ku bënim pjesë së bashku, jam tërhequr nga politika aktive.
Por ky është një kapitull tjetër, i cili mund të hyj në romanin e ri të Ibrahim Kelmendit, ose të ndonjë autori tjetër, por pse jo edhe të prozave të mia të ardhshme.
Për të shkruar një roman me ngjarje historike, me personazhe që jetojnë ende, ose që janë vrarë në rrethana të ndryshme, dhe për arsye të ndryshme, autorit i duhet guximi, të cilin I. Kelmendi e ka pasur gjithmonë. Ata që nuk e kanë njohur me herët, shprehen publikisht, madje edhe në gazeta, si të habitur, hutuar dhe të mjegulluar me guximin e I. K., për të hyrë në letërsi-histori dhe zhanret që përthekojnë të shkruarit në prozë. Kjo nuk qëndron. Sepse unë kam pasur në dorë dhe në shqyrtim, artikuj, shkrime, analiza, raporte dhe relacione politike, platforma politike, të cilat Ibrahim Kelmendi, Shoku, Martin Shtoji.., i ka shkruar me guxim të pashoq, me qartësi të jashtëzakonshme për kohën dhe rrethanat. Në fakt ndërtimi i platformës bazë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një organizatë masash për kohën, nuk bazohet vetëm në Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, (teza të cilat janë pranuar edhe në ditën e 17 janarit të vitit 1982- kur ato me vendimin e përbashkët të J.G. K.Z.,I.B., dhe B.G., janë shndërruar në Program të Frontit për Republikën e Kosovës (shih faqe. 325), por edhe në platformën e guximshme dhe artikuluese mbi organizimin të shkruar në vitin 1986 me titull: “Vetëm me organizim të mirëfilltë e parimor të LPRK-së do të fitojmë statusin e Republikës”(janar1986).
IK., ishte gjithmonë i shkathtë i qartë dhe mbi të gjitha këmbëngulës. Këto cilësi të karakterit të tij i njihnim dikur, ne, që punonim sëbashku në ilegalitet e gjysmëilegalitet, ndërsa tash të gjithë po i shikojnë dhe njohin në legalitet të plotë, përmes veprës së tij ATENTATET.
3. Historia – Dëshmia – Tronditja
Me ATENTATET, Ibrahim Kelmendi dëshmon fuqishëm për një kohë. Për rrethana të caktuara. Ai dëshmon për një rrjedhë të historisë së caktuar që vërtetë ka ndodhur, dhe ai e tregon përmes prozës së gjatë. Mënyra e të treguarit (pra të diskursit) dhe personazhet realë ose të retushuar në mënyrë fare transparente, bënë me dije, se qëllimi i autorit nuk është letërsia, por dëshmia – pra historia. Nga kjo edhe duhet të shikohet interesimi për një libër të tillë. Historia e letrarizuar bëhet shkak më i fortë për t’u lexuar dhe komentuar. Se brenda ka një a më shumë të vërteta, një a më shumë personazhe realë. Madje në këtë rast pjesa më e madhe e tyre janë gjallë dhe vegjetojnë diku nëpër Kosovë dhe Evropë.
Ibrahim Kelmendi, autor i librit „ATENTATET“
————————————
Historia pra ndodhi – Udhëheqësit historikë të Lëvizjes së re Kombëtare të Kosovës Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi u vranë me atentate nga armiku i popullit shqiptar. Për fat dëshmie, nuk u vra i katërti Miran Bruçaj (Ibrahim Kelmendi- Bruçaj). Apo le të themi edhe se ai u vra pa atentat për të mbetur i gjallë për historinë! Pra si në historitë tragjike, po jo si në legjenda. Se legjenda nuk është histori. Dhe legjendarizmi është mit. Dhe se miti është përrallë. Dhe se përralla nuk është e vërtetë po e shpifur. Pra personazhe reale historike u vranë për një çështje historike, për një kauzë historike, për shkak se menduan, shkruan gazeta, revista, libra e këngë, hartuan pamflete, letra e programe, organizuan demonstrime e manifestime me flamur, milituan dhe luftuan në mënyrë jo të dhunshme për lirinë e Kosovës. Për të ndodhur kjo histori dhe tragjedi e popullit të Kosovës, u kujdesën një mori personazhesh të tjerë, politikanë e diplomatë vrasës, militantë vrasës, kriminelë profesionalë, shtabe profesionale, buxhete shtetërore, koordinime të specializuara, propagandë perfide dhe luftë speciale e strategjike. Dhe në fund plumba për ata që luftojnë kundër robërisë, për ata që luftojnë për lirinë e popullit të vet.
Por Mirani mbeti gjallë dhe ai duhet të dëshmojë e t’i zbuloj atentatet dhe atentatorët, që me sukses janë fshehur deri më sot.
Dëshmia varej në fijen e fatit brenda tragjedisë – Pra ky fat i rëndë i ra hise Miranit, pra IK-së, ku jeta nga vdekja e ndau vetëm për atë fije fati brenda tragjedisë që ndodhi mbi miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët e vet. Ai duhej të jetonte për të dëshmuar. Por jo vetëm të jetonte sa të merrte frymë. Por të jetonte duke luftuar. Ai e ka ditur se në atë moment që të ndalej do të ndalej dhe humbte edhe dëshmia. Pra dëshmia ishte për IK., lëvizja e pandërprerë për ta çuar idenë, programin, platformën e lirisë, flakadanin e saj, të shprehemi kështu, të 17 janarit të vitit 1982, kur ai flakadan lirie që u ndez dhe u zvenit me stuhinë dhe plojën e plumbave, por jo për t’u shuar deri në çlirim. Barra e rëndë e dëshmisë, autorit të kësaj vepre, i ka rënduar më shumë se sa t’i kishin rëndë plumbat në gjoks në natën e 17 janarit në Untergrupenbah. Autori dëshminë e mbajti brenda vetes për ta zbuluar faqe bote në moment të përshtatshëm. Ashtu siç bëri në këtë vit.
Tronditja është goditëse – Sepse ngjarja dhe goditja ishte e madhe në një kohë vendimtare për një popull që kërkonte dhe luftonte për lirinë e tij kombëtare. Por tronditja në ditët e sotme që shkakton vepra e IK., ATENTATET është poashtu e madhe dhe legjitime. Kjo ka të bëjë me befasinë që të shkakton gjetja. Kureshtja për diçka që të kujtohet, për diçka që dikush të rrëfen një të vërtetë të fshehur dhe tronditja pastaj të lëvizë duke të hedhur përballë vetvetes për ta parë të vërtetën në sy. Kjo është njëra ndër karakteristikat e njohjes së vetvetes. Zakonisht më shumë të tronditë zbulimi i diçkafes brenda vetes se te të tjetër. ATENTATET është një zbulim brenda vetvetes që kur lexuesi e lexon tekstin e librit, zbulon atë që ndoshta nuk kishte dashur ta zbuloj asnjëherë. A nuk tingëllon thënia e Jusufit para vdekjes së tij, si një lloj antidëshmie: Nëse vrasësi është shqiptar mos u zbuloftë kurrë! Sepse tronditja do të ishte e madhe për kohën kur u vranë, ndërsa dëshmia do të ishte e pakët. Ndërsa sot tronditja është e madhe se ballafaqohemi me vetveten duke parë dëshminë e bollshme historike të dëshmitarit të mbijetuar nga furtunat e plumbave dhe nga furtunat e fjalëve.
Të gjitha këto, lexuesi, tash i lexon me komoditet brenda veprës së Ibrahim Kelmendit dëshmisë së tij jetësore. Ai e sheh historinë, e përjeton dëshminë dhe tronditjen njëkohësisht.
4. ATENTATET – çfarë romani është dhe a është roman
(Ose një shikim ndryshe për tekstin postmodern)
Skema e famshme e Aristotelit lidhur me historinë dhe letërsinë është e qartë. Ajo nuk ka ndryshuar as sot dhe është kështu: Historia tregon atë që ka ndodhur, ndërsa letërsia (poezia) tregon atë që mund të ndodhë; historia tregon çka ngjet, letërsia tregon si mund të ngjajë; historia tregon gjëra të veçanta, letërsia tregon gjëra të përgjithshme, prandaj letërsia është më filozofike se historia. Më tutje: historiani shënjon referencat (të dhënat), shkrimtari shënjon tekstin fiktiv, të mundshmen; historiani nuk harton fabula, kurse shkrimtari harton fabula. Edhe më tej: historia mund të jetë e shkruar në vargje e të mos bëhet letërsi. Sepse e para mbështet te e vërtetdukshmja (që do të thotë e mundshme) kurse e dyta në ngjashmëri (që do të thotë e besueshme). (shih te S.Hamiti:Tematologjia, f.70).
Po pra. Secila punë i ka kriteret e veta. Edhe shkenca. Madje edhe bujqësia dhe agronomia. Pra edhe letërsia ka kriteret e veta. Ajo, një shkrim, të shkurtër apo të gjatë, në vargje, prozë apo dialog, e futë në kuadrin e kritereve të saja. Letërsia në radhë të parë merret me jetën e njeriut në formën e emitimit (memisisist), në formën e krijimit (poesisit) dhe të rikrijimit (metasisit). Dhe materien që një autor e shkruan, e nxjerrë në letër, në letërsi përcaktohen përmes zhanreve. Pra materia e autorit e letrarizuar për librin e tij duhet të përkufizohet. ATENTATET çka është: histori, letërsi, autobiografi, pra roman letraro-historik, roman memoaresh, roman i personazhit, roman i ideve, i situatave, i aksionit, roman politik apo roman kriminalistik!
Në bazë të kritereve letrare, ATENTATET, nuk është roman, madje as roman historik, as roman autobiografik e as politik e kriminalistik. Së paku nga këto llojeve letrare dhe derivime të romanit, e përjashton forcërisht platforma aristoteliane mbi artet.
Dhe, nëse nuk dëshirojmë ta përfillim as këtë platformë artistike, e domosdo duhet ta përkufizojmë brenda një lloji, atëherë duhet të flasim vetëm si për një tekst autobiografik, që automatikisht duhet lexuar dhe interpretuar ndryshe nga letërsia e mirëfilltë. Kjo do të na lehtësonte shumë. Sepse materia që sjellë autori në ATENTATET, nuk na jep të dhënat letrare për të folur për vlerat letrare artistike, por thjeshtë: biografike e, mbase, edhe historike. Madje, kur dihet autori dhe historia e tij, kur dihen historitë e personazheve të kësaj autobiografie, thjeshtë ky del edhe roman historiko-politik i një periudhe të caktuar me kulmim të mprehtë: atentatet e vërteta kundër njerëzve të shquar të Kosovës vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
Pra, deri sa nuk përcaktojmë më mirë se për çfarë materie po flasim, hapësira për të “manipuluar” me ngjarjet e librit të këtij autori, për të manipuluar vet autorin, përkrahësit dhe kundërshtarët e dikurshëm dhe të sotshëm të personalitetit Ibrahim Kelmendi, do të jenë sa absurde, aq edhe pa kuptim. Ndërsa definimi i zhanrit, llojit, qartëson shumë gjëra.
Këtu del vetëm një problem – linja e dashurisë në mes Miranit dhe Renatës. Kjo është linja romaneske, letrare. Por edhe kjo linjë hynë në gjithë materien e ATENTATEVE, dhe na del një përshkrim edhe më i plotë biografik.
Megjithatë brenda kornizave të njërës nga këto lloje letrare, duhet të flasim. Nëse nuk bëhet kështu dhe nëse nuk duam ta kuptojmë kështu, ne, në këtë rast, duhet të flasim domosdoshmërish për një tekst postmodern që kapërthen në vete disa zhanresh letrare: prozën e mirëfilltë (tekstin), dramën (dialogun), reportazhin (përshkrimin) idilin (dashurinë), memorialistikën (ditarin), politikën (programet, manifestet), historinë (datat, ngjarjet dhe personazhet realë), autobiografinë (kujtimet), epistolaritetin (letrat). Pra gërshetim i të gjithave këtyre elementëve përbëjnë romanin e sotëm postmodern. Kush i njeh këto probleme letrare, IK. të jep përshtypjen se i ka munguar vetëm një vidiokamerë për të xhiruar të gjithë ngjarjen dhe bashkë me librin, lexuesit t’ia jep edhe një CD (dvd) për ta shikuar konkretisht se si ka ndodhur – ndodhija!
Postmodernizmi përcakton mirë një tekst siç e ka brenda ATENTATET e Ibrahim Kelmendit. Ai është i afërt me kulturën masive dhe pop-artin, preferon të ashtuquajturin stil subversiv dhe zbaton teknikën e artit të kombinuar me referenca të shumta historike, politike, etike, estetike, etj., dhe se në planin estetik postmodernizmi e thellon procesin e zhdukjes së kufijve mes gjinive dhe llojeve letrare, kështu që në mendimin kritik e teorik gjithnjë e më shpesh përdoret nocioni neutral tekst dhe derivatet e tij të tipit: inertekst, pretekst, metatekst, hipertekst etj. (shih te A. Vinca . Panteoni i ideve letrare, f. 223-224).
5. Cila ishte koha
Koha që paraqitet në ATENTATET e IK., është mjaft specifike. Mund të thuhet se vitet 1978-1983, janë më të përshtatshmet për thurje të subjekteve dhe njëkohësisht për përshkrimin e saj në mesin e mërgimtarëve shqiptarë në Evropën Perëndimore. Është një kohë me thyerje të mëdha. Në këtë kapërcyllë të dhjetëvjetëshit, ndodhin ngjarjet më të madhe historike të popullit shqiptar në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore – Demonstrata Gjithëpopullore historike të Kosovës të vitit 1981. Edhe ashtu mërgata shqiptare ishte e pa organizuara dhe krejt në fillimit e saja organizative. Kah të orientoheshin ata!? Kryesisht të pashkollë, gjysmanalfabetë, të ardhur nga shtresat heterogjene të shoqërisë shqiptare në ish-Jugosllavi, me një kulturë të ulët të dijeve dhe përvojave, pa familje dhe mjaft të hendikepuar; të maltretuar nga regjimi mbikëqyrjes dhe represionit të ambasadave dhe i konsullatave të ish-Jugosllavisë; duke punuar në punë të rënda dhe duke jetuar pothuajse në mjerim në mesin e Evropës industriale, vetvetiu dhe domosdo janë këto tema të madha për trajtime, qoftë në letërsi, qoftë në dramë, qoftë në dokumentarë filmikë, por edhe në analiza, libra e statistika sociopsikologjike. Vetëm demonstratat e vitit 1981, hapën rrugën dhe filloi artikulimi i kërkesave, ambicieve, synimeve dhe perspektivës së tyre për ta realizuar, lirinë e tyre, lirinë e Kosovës dhe viseve të saj në ish-federatën jugosllave.
Anarkia e organizimit dhe e drejtimeve politike ka qenë e hetueshme që nga viti 1975, kur kanë filluar të shkojnë në Gjermani dhe Zvicër, mërgimtarët shqiptarë nga Kosova dhe nga Maqedonia.Veçanërit në disa shtete dhe në SHBA, emigracioni i ri nga Kosova dhe viset e saj, hasi pothuajse në kundërshtim të plotë me emigracionin e vjetër që kryesisht kishte ardhur nga Shqipëria. Praktikisht organizimet e ndryshme, që përshkruhen në ATENTATET janë reale dhe kanë ndodhur me të vërtetë, kronologjikisht e historikisht. Gjithashtu edhe bartësit e atyre organizimeve, pjesa më e madhe e të cilëve, sot janë gjallë. Këto organizime nuk janë goditur nga ish-Jugosllavia, deri sa ka dalë organizimi që bënë IK., me Frontin e Kuq Popullor dhe sidomos me gazetën e përkohshme “Bashkimi”. Goditjet janë shpeshtuar, të dirigjuara nga Beogradi, kundër emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar në Evropën Perëndimore, vetëm atëherë kur janë parë se shqiptarët me orientime politike të qarta kombëtare, janë drejtpërdrejt kundër Beogradit pushtues e sundues të Kosovës, e veçanërisht pas vitit 1981. Dhe dihet. Ato goditje kulmuan me atentatin politik kundër Jusuf e Bardosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit. Them edhe të IK., sepse mosvrasja e tij ka qenë vetëm një rastësi! Një rastësi dhe asgjë më shumë! Ashtu siç u përpoqa ta zbërthej më lartë: rrethanat e ruajtën për të dëshmuar sot historikisht për kohën, rrethanat dhe atentatet kundër bijve të Kosovës, kundër lirisë së Kosovës në këtë periudhë, e cila po dëshmohet se ka qenë e një rëndësie vendimtare për fazën e re të luftës për çlirim.
Marrja me tema të mëdha politike, qoftë edhe duke i përshkruar ato në formën e kujtimeve, dokumentaritetit dhe formës autobiografike si dhe sajimi për herë të parë i tyre në gjinin e prozës, nga I. Kelmendi, është një kamuflim për të shfaqur e depërtuar idetë, veprimet, dhe veçanërisht sqarimet për një kohe të caktuar historike. Kjo është bërë me qëllim dhe është krejt e lejueshme edhe në shkrimtarinë e sotme.
Në një mënyrë ose tjetër të jepet ideja se sikur në këtë vepër të Ibrahim Kelmendit është trajtuar i gjithë emigracioni në Evropë në mënyrë horizontale dhe vertikale deri në ditët e sotme. Jo njëherë e kam dëgjuar këtë koncept, i cili po shkallëzohet dhe po e merr trajtën e një gabimi, qoftë i paqëllimshëm, qoftë i qëllimshëm.
Romani përfshin dhe përmbledhë vetëm një kohë të caktuar, me personazhe të caktuar, me hapësirë të caktuar: nga viti 1978 e deri në verën e vitit 1984, pra gjashtë vjet. Madje edhe autori e shënon gabim këtë periudhë. Ai thotë se ngjarjet janë të viteve 1979-1982, gjë që në bazën e materies që sjellë në ATENTATET, ngjarjet ndodhin brenda viteve 1978-verë 1984. (Kujto ngjarjet që tregohen në retrospektivë para 1979-tës si dhe ngjarjet që tregohen pas atentateve deri në fillim të vitit 1984.)
Periudhat 1984-1990, 1991-1997 të Lëvizjes Ilegale të Kosovës jashtë vendit, (veçanërisht LRSSHJ-LPRK-LPK dhe OMLK-djv.,) janë dy periudha politike që kanë krejtësisht karakteristika të tjera ani se janë pasardhëse të periudhës 1978-verë1984. Ato periudha kanë intensitete të tjera, organizime të tjera, përvoja dhe kahe krejtësisht të qarta, me programe dhe statute të definuara, natyrisht edhe me probleme dhe specifika të veçanta të atyre problemeve, me kuadro të larta, të profilizuara e të specializuara, me organizime të qëndrueshme dhe kontinuitive, me lidhje të rregullta brenda-jashtë dhe anasjelltas, e deri te themelimi, po nga këta militantë, e organizatorë, politikanë e strategë luftarakë të këtyre organizatave – i Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Prandaj kur flitet për ATENTATET e autorit IK., domosdo duhet të sqarohet dhe theksohet periudha kohore e organizimit dhe veprimeve të mërgatës ekonomike dhe politike në periudhë të caktuar 1978- verë 1984, që mos të manipulohet me hapësirën dhe kohën ku janë vendosur ngjarjet historike, dokumentare e autobiografike në këtë vepër.
6. Cilët janë personazhet
Personazhet e veprës së IK., mund t’i ndajmë në katër grupime. Me që janë të gjithë personazhe historikë, pra që i përkasin një kohe dhe epoke të caktuar, disa prej tyre janë edhe të kamufluar me një shtresë të hollë konspiracioni të përkohshëm.
Grupi i parë i personazheve janë ata që u vranë. Por ata u vranë jo të gjithë për të njëjtat motive dhe arsye. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka janë emrat historik që e vulosin gjithë hapësirën e kohës në ATENTATET, e mbi të cilët ranë plumbat për të bërë katrahurën e madhe mbi ta, mbi familjet e tyre, dhe para së gjithash, për të bërë plojën e madhe mbi Lëvizjen Ilegale e gjysmëilegale të Kosovës brenda e jashtë Kosove.
Të tjerët (që dalin jashtë këtij grupi) e që vriten si V. Ibrahimi etj., nga motive e mistere të pasqaruara ende, janë personazhe me bagazhe jetësore të dyshimta e kontraverse.
Grupi i dytë, i militantëve të vërtetë, i naivëve militantë, diplomatëve, përkrahësve: Mirani, Vasili, Maksi, Renata, Mihaili, Hydajet Hyseni, Ajshe Gërvalla, Marta, Kryehetuesi Majer, Engjëlli K., Simoni Ç. Benedikt Shafer, Hakan Mali, Dritë Gërvalla, Dardana, Bulja (Saranda), Fatkeqja, Bardhec R., Zymer P., Demushi, Baca Nesim, Xhelë Kalishti, Rexhep Halimi, Shyqeri Gjeneva, Hasan Kadria, Abdullah Tahiri, Baca Avni, Baca Zymri, Muja, Sabrushi, Suliot e Vesmirë Nelaj, Murtez Kryebardhi, Ryshan B., Hajzer Lumi, Agroni, Naili, Osalan Isforti, Enis Mitrovica, Drilona, Ahmet Zherka, Diellza, Gjeto S., etj., në ATENTATET janë ata të cilët përpiqen të bëjnë diçka më shumë për Kosovën dhe lirinë popullit të vet dhe popullit shqiptar. Pjesa më e madhe e tyre na dalin të gatshëm që, kurdoherë, të sakrifikohen për Kosovën dhe lirinë e saj.
Grupi i tretë i përgojuesëve, lakmitarëve, intrigantëve, pseudopatriotëve, shantazuesëve, arrivistëve dhe problematikëve: Sabit Katunriu, Garipi, Rrahmani, Bedriu, Minush M., Nuri Syleviqi-Qerosi, Nazimi, Fahri Faleku, Xhahil Rambeja (Xhaviti), Proletari, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi, Musa Hoti, Hafif Gagaj, Fazit Melaj, Halim Berbati, Ahmad Sadeku, Rexhit Sahataj, Galan Azapi, Xhafar Dunkeli (Skenderi)., Xhabir Shatori (Bacaloku), Avdyl Prapashpina, Ambasadori A.B., Korrespondenti A.S.,etj., në ATENTATET, janë ata të cilët bënë ashtu siç u detyruan të bëjnë, siç patën dëshirë të bëjnë, siç nuk ditën të bëjnë, apo siç i urdhëruan të tjetër të bëjnë kundër lirisë së popullit të vet.
Grupi i katërt i spiujve, vrasësve, kriminelëve, Rezil Mejtepi, Fekir Dalena, Selim Brosha, Ermir Fatahu, Josip Karaxha, Sadi Bakaj, Adashi i Jusufit, Diplomati B.H., Mysafiri nga Bllaca e Lumbardhit, etj., në ATENTATET tipizohen si informatorët e shkëlqyeshëm, frymëzuesit, nxitësit, përpiluesit, farkuesit, urdhërdhënësit e urdhërmarrësit, shkelësit, vrasësit dhe ekzekutorët deri në krim, kundër lirisë së popullit shqiptar, kundër Kosovës.
7. Autori – Personazhi
Shpesh flitet se personazhi është edhe romani, vepra e tij. Ose anasjelltas: romani është personazh dhe lexuesi e ndjekë atë nëpër tekstin e tij. Ky është edhe një debat në teorinë e letërsisë. Ka roman personazhi. Ka dramë personazhi. Pra ka edhe monodramë.
Te ATENTATET, na del Mirani personazhi kryesor. Ai është unik dhe i gjithkundshëm. Pa te dhe veprimin e tij, nuk lëviz as teksti në këtë libër. Ai është i gjallë, por edhe i vdekur. Ai fletë, diskuton, qeshë, feston, dashuron, qanë… Ndoshta është njëri ndër personazhet më të tejdukshëm në letërsinë shqipe të njëzet viteve të fundit. Kur një libër ka brenda vetes autorin si personazh, aq më shumë ky libër është autobiografik dhe postmodern, figura e tij bëhet më popullore, e din të gjithë lexuesit se kush është në mënyrë konkrete. Ata nuk kërkojnë shëmbëllim, sepse ai është unik. Nuk ka si të tjerë. Ai është pranë tyre dhe me ta.
Kjo është përparësia e autorit personazh dhe e personazhit autor te romani postmodern ATENTATET, te romani autobiografik i Ibrahim Kelmendit, sepse Mirani është vet ai.
8. Jehona – Mbyllja – Hapja
Jehona e ATENTATEVE është e pritur. Ajo është e fuqishme dhe e arsyeshme. Rrëfimi i tekstit është dramatik. Sepse historia është vetë drama e jetës. E gjithë materja realizohet me një dialog të shkathët, por që duhej përpunuar edhe pak, për t’u ngritur në nivelin e pranueshëm letrar, të shijes letrare dhe vlerës artistike. Pra, tendenca që të mbetet teksti sa më afër tekstit të historisë, ka rrezikuar drejtpërdrejt tekstin letrar dhe vlerën e tij. Në këtë rast dialogun letrar dialogun artistik. Duke munguar përshkrimet gjatë dialogjeve, ta zëmë të sjelljes së një personazhi, shprehja e fytyrës apo anët psikologjike e botës së brendshme, shpesh faqe të tëra tekstesh na dalin si një procesverbal i mbledhjeve të celulave organizative. Kjo e ka dëmtuar në një masë leximin dhe përjetimin normal, për sot, por për jetëgjatësi dhe rilexime, vështirë që mund të mbajnë peshën e kohës.
Është e kuptueshme se jehona ishte e fuqishme sepse atentatet mbi Jusufin, Kadriun, Bardhoshin dhe Ibrahimin, ishin të fuqishme. Madje jehona e atentatit ishte shumë më e madhe pas likuidimit fizik të tre prej tyre. Plojën e vetë të vërtetë, atentatet e kanë bërë duke u shndërruar e shumëzuar në grindje, përçarje, fyerje dhe hutim të plotë në mesin e mërgimtarëve, të cilët edhe ashtu kishin organizim të dobët e fillestar. Ndërsa liderin organizativ dhe politik, Ibrahim Kelmendin i cili për fatin e tyre të mirë u shpëtoi plumbave, në vend se ta marrin dhe ta vendosin në vendin ku e kishte dhe të shkonin pas tij, ata e morën nëpër këmbë, e fyen, e degraduan, e mohuan dhe dëmi ishte i pakrahasueshëm, dhe, për një kohë të gjatë i pariparueshëm.
Jehona e ATENTATEVE sot, pikërisht edhe për këtë është e madhe. Sepse tash shihet krejt qartë se sa i madh është bërë gabimi, veçanërisht PAS ANTENTATIT. Befasi të madhe shprehin edhe të tjerët për ato që kanë ndodhur në mesin e atyre organizimeve të tilla siç ishin, dhe me ata njerëz-personazhe realë që kanë vepruar për dhe kundër Kosovës.
Mbi të gjitha kjo është JEHONA e mirë, e bukur, e thellë e librit të mirë, që të jep diçka me tekstin e vet, që të jep një të vërtetë të një kohe dhe të atyre njerëzve.
Dhe, këtë, mund ta quaj kohë të mirë të librit dhe të vërtetës në kohë të mira që po vijnë për Kosovën dhe librin e saj, tekstin e saj, të vërtetën e saj.
Pavarësisht kësaj, nuk duhet të harrojmë se romani krijohet nga autori, ndërsa historia shkruhet nga historianët dhe nga ata që përjetojnë në formën e memoareve apo e rrëfejnë në formën e autobiografisë apo kujtimeve. Prandaj ta theksojmë edhe një herë librin, këtu prozën e gjatë si roman apo si histori. Dhe, këtu, patjetër, funksionon fantazia e besueshmërisë te lexuesit tashmë të shumtë të këtij autori. Sepse, pëlqehet më tepër historia si e besueshme, ndërsa refuzohet romani si i shpikur, i krijuar si letërsi autoriale. (shih edhe te S.Hamiti.Tematologjia f.73).
Mbyllja e një lënde, e një teksti, mund të ndodh. Po. Edhe në ATENTATE T të Ibrahim Kelmendit ka ndodhur një mbyllje. Por kjo nuk është mbyllje e qëllimtë. Kjo është krejtësisht teksture, tregimtare. Autori ka përfunduar, ka mbyllur një rrëfim, një dëshmi. E kjo dëshmi e ka rënduar për një çerek shekulli. Nuk është pak. Në shpirtin e autorit ka gërryer koha si thartira një enë që nuk zbrazet. Teksti, rrëfimi, dëshmia më në fund shkrimi është një pastrim (katarsis) që me këtë roman ka ndodhë dhe është çliruar e vërteta e autorit dhe është çliruar vet ai. Ai ka mbyllur një cikël dialogësh, monologësh, një varg vajesh dhe një varg plumbash që kanë marrë jetërat e shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Natyrisht bashkë me të gjitha këto është rrumbullakësuar me një rrëfim të veçantë, me një tekst të veçantë, një kohë dhe periudhë e veçantë, krejt natyrshëm.
Hapja bëhet e natyrshme pas përfundimit e mbylljes së natyrshme. Ibrahim Kelmendi ka fituar përvojë me ATENTATET dhe ka marrë më shumë guxim nga lexuesi i tij si dhe jehona e mirë, shumë e mirë, e librit. Ai tashmë mund të përballoj edhe shkrimin e teksteve të tjera letrare, artistike, dokumentare a historike edhe me nivele më të larta. Mjafton që tash ka bërë një përmbyllje të qëlluar në veprën e tij të parë të këtij lloji, në kuptimin e ideve dhe ecurisë së tyre deri në një jehonë, deri në një mbyllje dhe deri në një hapje.
Tash, Ibrahim Kelmendi nuk e ka aspak të vështirë të bëjë një hapje të re për të depërtuar edhe më thellë në perandorinë e shkrimit edhe të shkrimtarisë.
———————————-
Intervistë me Ibrahim Kelmendin – Republika, nr.5/2007
BALLAFAQIMI ME TË KALUARËN E HIDHUR TË KOSOVËS TË TREMBË PËRHERË
Intervistoi: Salih KABASHI, Botues i revistës Republika
_____________________________________
Ibrahim Kelmendi është personalitet i njohur politik dhe publicistik i Diasporës shqiptare në Evropë. Një ndër njohësit më të mirë të saj, një kohë të gjatë bashkëpjesëmarrës dhe bashkënismëtar i lëvizjeve kombëtare jashtë vendit, ai muaj më parë ka bërë një bum të vërtetë mediatik me librin më të ri të tij me titull “Atentatet”, ku me një stil të rrallë dhe modern prej rrëfimtari të saktë, ka shpëluar anët e errëta e të shumëpërfolura të aktiviteteve klandestine dhe figurave të njohura e më pak të njohura në emigracionin e ri shqiptar të Kosovës, dhe jo vetëm të atij. Duke qenë se libri “Atentatet” është një arenë e gjerë ku zbulohen e demaskohen prapaskena të ngjarjeve të ndryshme brenda gjirit të mërgatës sonë, duke qenë se në atë arenë defilojnë rezilë e katilë përballë një mase shqiptarësh të vuajtur dhe të djegur për Atdhe, duke qenë se në librin e tij e shohim cipërcullak të zhveshur edhe UDB-në gjakatare, edhe mjeranët shqiptarë, të cilët pa ia ditur mirë hallin vetit, ishin futur atje ku e kanë vendin vetëm të mençurit, të ndershmit dhe trimat, duke parë, në fund, se me librin “Atentatet”, pothuajse është hequr misteri i atentatit më të bujshëm të UDB-së mbi tre shqiptarë të mëdhenj, duke e nxjerrë në kokër ledine vetë vrasësin, ne, autorit të librit, z. Ibrahim Kelmendi, i jemi drejtuar për një intervistë. Ai pas pyetjeve tona ka bërë shëtitjen e tij nëpër një kohë të vrullshme, duke evokuar dhe duke dëshmuar për një pjesë të historisë, në të cilën ai padyshim e ka vendin e tij të merituar, tepër interesant dhe gjithsesi të dhimbshëm.
Ballina e librit “ATENTATET”
Republika: Libri yt “Atentatet” ka zgjuar interesim të madh ndër lexues. Me të ke gëzuar dhe ke hidhëruar njerëz. Këtë e kam parë si diçka normale. Por, duke biseduar rreth librit tënd kam vënë re se disa edhe janë trembur! Si e shpjegon këtë të fundit?
KELMENDI: E logjikshme se do të tremben. Nuk është i lehtë ballafaqimi me të kaluarën, sidomos për ata që dëshirojnë të real ektojnë. Edhe vetë jam trembur pasi e kam lexuar romanin, por tashmë si lexues. Sa herë i kam shtruar vetes pyetjet: Është dashur Mirani dhe bashkëveprimtarët e tij t’ia vështirësojnë e t’ia ngatërrojnë aq shumë vetes jetën e tyre, gjegjësisht veprimtarinë e tyre? A mos kanë mundur të zgjedhin një rrugëtim më të thjeshtë dhe më të suksesshëm? Përse është dashur t’i bëjnë aq shumë hile njëri-tjetrit? Përse të angazhuarit e UDB-së dhe të strukturave të ngjashme nuk kanë respektuar ligjet përkatëse të kohës, për të mos sharruar deri në krime të rënda e antiligjore, rrjedhimisht përse janë angazhuar deri në kriminalitet ekstrem – atentat ndaj personaliteteve kaq njerëzore, siç ishin Jusufi, Kadriu e Bardhi? Përse veprimtarët patriotë nuk kanë qenë më të ngritur, për të gjetur forma më demokratike të organizimit? Përse panevojshëm i kanë ngatërruar konceptet ideo-politike, kur,
parë nga pozicionimi i tanishëm, duket se duhet ta kenë pasur më të lehtë t’ia qëllojnë, se si mund të bëhej më lehtë dhe më mirë ajo veprimtari patriotike, sesa si kanë menduar e vepruar? Më këso pyetjesh mund të vazhdohet edhe më. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tilla, secili personazh i romanit do të duhej të ndjehej i ndruajtur, për të mos thënë i trembur, siç jeni shprehur ju. Po vjen koha e llogaridhënies për secilin personazh që ndjehet i ndruajtur dhe i frikësuar, para vetes dhe para të tjerëve; ai që ka bërë krime të japë llogari për krime, ai që ka bërë gabime, të japë llogari për gabime, madje edhe ndonjëri të ndjehet i penduar, përse nuk ka menduar e vepruar më mirë e më shumë. Sigurisht, edhe Mirani duhet të ndjehet i ndruajtur: Ka marrë përsipër barrë të rëndë, pa qenë i parapërgatitur, gjegjësisht pa qenë i zoti, për t’i dalë zot si duhet e sa duhet.
Republika: Kjo kohë e PASLIBRIT, le ta quaj kështu, çfarë përmbushje (kënaqësie) të ka sjellë?
KELMENDI: Thënë të drejtën, ndjehem sikur kam bërë një si katarsis (çlirim të shpirtit), pasi kam qenë i mbingarkuar me barrë të rëndë, kurse tani sikur po ndjehem i shkarkuar.
Asgjë më të bukur e më të ëmbël s’ka sesa e vërteta
Republika: Në librin tënd ka lloj-lloj personazhesh, disa prej të cilëve, pavarësisht kamuflazhit të hollë që u ke bërë, disa nga ne nuk e kemi aq vështirë t’i identifikojmë. Ndërkohë që edhe më lehtë do ta kenë që aty ta gjejnë veten ata që të mbuluar e gjysmëmbuluar shfaqen gjatë rrëfi mit tënd artistik-memoaristik. Cilat janë reagimet e tyre, pasi që, supozoj, nuk do ta kenë lehtë gjatë asaj cope jetë që atyre u ka mbetur?
KELMENDI: Edhe Miranit mund t’i vijë keq për shumë (mos)angazhime të tij, edhe atij i duhet të merret me të kaluarën në pjesën e jetës që i ka mbetur, që do të thotë, edhe Mirani do të më japë llogari mua. Po kështu, edhe personazhet tjera do duhej të ballafaqoheshin me veprimtarinë e tyre. Uroj që t’u ketë mbetur njerëzi e mjaftueshme, që ta përpunojnë njerëzishëm të kaluarën e tyre. Edhe për Rezilin ndjej keqardhje, pasi edhe ai nuk do të ishte i tillë, sikur të mos jetonte në atë hapësirë e kohë, gjegjësisht në ato rrethana. Sigurisht, sikur Kosova të mos kishte qenë e robëruar, sikur të mos kishin qenë ato struktura e mekanizma, që i krijon çdo pushtues, edhe ai do të mund të ishte njeri pa këto gjynahe që i mvishen në roman. Sa njerëzore do të kishte qenë, sikur ai vetë ta tregonte publikisht gjithë të vërtetën. Atëherë unë do të kisha treguar mëshirë njerëzore për të, duke u nisur nga fakti, se kolektiviteti ynë (kombi ynë), nuk ka qenë në gjendje ta rrethojë secilin pjesëtar të tij, që të mos rrëshqasë në krime, siç mendoj se ka rrëshqitur Rezili. Sa u përket reagimeve të personazheve, deri tani kam pasur vetëm reagime pozitive. Në përurim të librit ishte i pranishëm edhe Vasili, me të cilin u përqafuam shumë përmallshëm, pasi nuk ishim parë prej kohësh. Letër më ka dërguar edhe bashkëshortja e Kadriut. Me lejen e saj po sjell një pjesë të letrës: “Ka kohë (vite) që nuk jemi parë, por ja që bota është e vogël dhe për të gjallët krijohen mundësi në çaste të caktuara kontakti. Në këtë rast kontakti elektronik. Këtë e bëj, pas leximit të veprës tënde historike ‘Atentatet’, për të cilën të përgëzoj nga zemra! Edhe njëherë urime! Me të dalë nga shtypi e lexova me një frymë. Pasi jam njëra ndër protagonistet e asaj ngjarjeje makabre që bëri UDB-ja me vrasjen e tre bijve (udhëheqësve të denjë) të Kosovës dhe në disa rrethana kam qenë edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në ato ndodhi para dhe pas vrasjes, nuk u durova pa të shkruar, për të përgëzuar. Të them të drejtën, u ktheva prapa 25 vjet, duke kujtuar e përmalluar dhe plot emocione atë kohë sa të bujshme, aq edhe të dhimbshme, ku ti me spikamë ke paraqitur çdo personazh. Për ato rrethana, ku pjesëmarrëse kam qenë edhe vetë. Vërtet secilin personazh e ke paraqitur të tillë siç pata mundësi t’i njihja edhe vetë. Kjo më bën të besoj se edhe ata të cilët nuk pata mundësi t’i njihja, i ke paraqitur tamam ashtu siç ishin në realitet, të lidhur me UDBnë jugosllave, për të shkatërruar Lëvizjen…”
Po i mirëpres edhe reagimet kundërshtuese, sulmuese e fyese, edhe për faktin se tani jetojmë në rrethana të çliruara dhe mund të diskutojmë, të debatojmë e të përplasemi publikisht e demokratikisht, rrethana këto që fatkeqësisht nuk i kishim kur na kanë ndodhur gjithë ato përplasje, hile e tragjedi, por edhe suksese, meqë, megjithatë, ia dolëm të formojmë organizatën për të cilën ishim angazhuar dhe kishim vendosur bashkë: Jusufi , Kadriu, Bardhoshi dhe unë.
Gjykimin real do ta bëjë brezi tjetër, pasi ai do jetë i liruar nga subjektivizmi ynë
Republika: Jo vetëm gjatë leximit të veprës, por edhe tashti kam menduar se ti mund të kesh provokuar ortekun me rrëfi min tënd të guximshëm. A mendon se në të ardhshmen mund të kemi edhe nga të tjerë libra të ngjashme mbi veprimtaritë në emigracion?
KELMENDI: Sigurisht. Sa për sqarim, kam botime të gatshme, por nuk i kam botuar, për disa arsye. Arsyeja më kryesorja ka qenë distanca e pamjaftueshme kohore, si në rastin e ngjarjeve që trajtohen në roman. Pata filluar me përgatitje të librave, në të cilët do të trajtoheshin (në pikëpamje publicistike), në mënyrë sa më të kompletuar, gjithë veprimtaria patriotike e emigracionit.
Kur z. Shaban Sinani i bëri recensionin librit për emigracionin e Belgjikës, më pati këshilluar që ta shtyj për më vonë botimin e atij libri. Pra, bëhet fjalë për librin, të cilit i është bërë edhe korrektura gjuhësore dhe është bërë faqosja dhe ai po pret i faqosur (në boca) kohën kur duhet të botohet. Po vetëkuptohet, po pret edhe mundësitë financiare për ta realizuar botimin. Në fazë të përgatitjes janë për secilin shtet të paktën nga një libër dhe të tjerë.
Shpresoj se edhe të tjerët do merren me këtë tematikë, secili nga këndvështrimi i tij, për të kompletuar gjithë tablonë, pasi të paktën një e treta e shqiptarëve janë emigrantë dhe ata kanë dhënë kontribut të gjithanshëm, i cili nuk do të duhej të injorohej. Kurse gjykimin real do ta bëjë brezi tjetër, pasi ai do jetë i liruar nga subjektivizmi ynë. Atij brezi do t’ia lehtësojmë punën vlerësuese, nëse i përgatisim sa më shumë informacion dhe analiza, qofshin këto edhe subjektive.
Arkivi më i saktë është vetë populli
Republika: Një ditë do të hapen dosjet, ku secili do të ketë mundësi, si në Slloveni, bie fjala, që të ketë qasje në dosjen që ka mundur ta ketë mbajtur për të Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, apo ndryshe policia politike komuniste e njohur si UDB. Kur kihet parasysh se dosje të tilla janë bartur në Beograd, a mund të imagjinosh rrëmujën që do të shkaktonte kthimi i tyre në Kosovë dhe hapja e tyre për publikun?
KELMENDI: Nëse Beogradi nuk do të demokratizohet, atëherë duhet pritur se dosjet do të manipulohen e do të sajohen, varësisht nga nevojat politike ditore, për t’i shërbyer politikës se tyre nacionaliste. E vetmja mundësi për t’ju kundërvënë spekulimeve hileqare është trajtimi i tyre nga ekspertët. Zhvillimi i shkencës ka shkuar deri atje, sa të konstatojë saktësisht se kur është përpiluar një shkresë, gjegjësisht një dosje. Prandaj dhe duhet të shfaqim rezerva, kur ata do t’i servirin. Kurse arkivi më i saktë është vetë populli, pasi secilit individ ai ia di veprimtarinë konkrete, që do thotë se rrethi ku jam angazhuar unë e di se cili kam qenë dhe çfarë kam bërë. Disa kujdestarë janë interesuar më herët ta bombardojnë opinionin me dezinformata, por në fund të fundit, mua asnjë dezinformatë nuk do të më irriton për atë që e kam njohur personalisht.
Republika: Njëri nga personazhet e tua, në Rambuje, gjatë mbajtjes së Konferencës, me pretendimin e njohësit të historisë, për të mos thënë se propagandonte, tregonte me shembuj se ne si komb mund të kemi perspektiva vetëm nën farë perandorish. Tregonte për perandorët bizantinë e romakë me origjinë ilire-shqiptare, për pashallarë turq po ashtu të rrënjëve tona kombëtare dhe vinte te kulmi: arritja mu në krye të shtetit jugosllav të shqiptarëve nga Kosova si kuadro federative. Përfundimin nuk e kishe vështirë ta nxirrje: të rrinim ende me Serbinë sepse aty, donte të linte të kuptohej, mund të shkëlqejmë më mirë si komb!!!
KELMENDI: Ai ka shpërdoruar të drejtën e lirisë së të shprehurit të mendimit, edhe pse spekulimi dhe falsifikimi, ose pozicionimi kundër lirisë së kombit tënd, nuk mund të arsyetohen me liri të mendimit.
LPK-ja në Bruksel nuk e pranoi në gjirin e saj Enver Hadrin
Republika: Edhe në librat edhe në intervistat është vënë re një guxim i mirëfilltë që t’i çmitizosh disa fi gura të emigracionit, të cilat tanimë kanë dhe lapidarë dhe një literaturë të tërë himnizuese për ta. Me pak fjalë, edhe një herë: Kush ishte Enver Hadri?
KELMENDI: Nuk di të ketë bërë ndokush lapidar për Enver Hadrin, i cili edhe do të mund ta kishte merituar para Vebi Ibrahimit (të cilit i është ngritur një në fshatin Uglar të Gjilanit dhe shkollës aty i është vënë emri i tij). Nga këndvështrimi im, i ndjeri Enver Hadri ka qenë personalitet i dyzuar, tepër kundërthënës. Nuk më kanë penguar (dez)informatat e përfoljet se ai u shërben njëkohësisht Sigurimit shqiptar dhe UDB-së jugosllave. Unë kam qenë i prirë të vlerësoj kontributin e përditshëm të secilit.
Ta zëmë, kur Sekretari i parë i ambasadës jugosllave në Bon, z. Shefqet Hashani, na përkrahte gjatë formimit të Klubit shqiptar në Düsseldorf (Dyseldorf), ne e mirëpritnim, edhe pse ai ishte një krye-udbash zyrtar, ndërsa na hidhëronte kundërvënia e korrespondentit të atëhershëm të gazetës “Rilindja”.
Të kthehem edhe një herë te Enver Hadri. Gjatë viteve të fundit Lëvizja ka bashkëpunuar me të, por duke e mbajtur në distancë, pra i jepnim të dhëna për gjendjen në Kosovë që ai t’i plasonte dhe kaq. Lutjes së tij për ta pranuar në Lëvizje nuk i përgjigjeshim, sepse anëtarët e Lëvizjes në Bruksel nuk e pranonin.
Në fund gjykuam se ai e pagoi me jetë vendimin e guximin e vonuar për të dalë nga tutela e UDB-së, prandaj u angazhuam t’ia bëjmë një varrim pompoz kur atë e vranë kriminelët serbë. Kurse mitizimi, se ishte intelektual, bënte shumë veprimtari patriotike, kishte lidhje të mira me strukturat politike në Bruksel e Strasburg, është vetëm mitizim, i prodhuar dhe i fryrë kryesisht nga padronët e tij në fillim dhe më vonë nga ata që dëshiruan të përfitonin individualisht nga vrasja e tij. Sigurisht edhe nga të painformuarit. Po më lejuat, do t’i bëja një lloj vlerësimi matematikor angazhimit të tij. Guximi dhe vendimi i tij për të dalë nga tutela e shërbimeve inteligjente jugosllave, përfitimi politik nga vrasja dhe gjatë varrimit të tij (nëse mund të shprehem kaq teknikisht), i kompensojnë me mbi 50 për qind dëmet e tij të viteve të 80-a. Prandaj unë do ta klasifikoja më shumë pozitiv sesa negativ.
Republika: Po Vehbi Ibrahimi?
KELMENDI: Për këtë njeri, si edhe për të ndjerin Musa Hoti, në rivarrimet e të cilëve qe angazhuar edhe TMK-ja, nuk diskutoj me dëshirë, pasi në hapësirë e kohë i kam urryer për veprimtari të tyre të dendura kriminale. Vetëm kur do të më ofrohen argumente të tjera për kundër, që unë nuk i kam ditur, do të ndërroja qëndrim dhe t’u kërkoja falje publike.
Republika: Një pyetje tjetër: A ka pasur dhe sa mund ta ketë pasur UDB-ja në dorën e saj politikën kadrovike në lëvizjet atdhetare të emigracionit?
KELMENDI: Përgjigjja e saktë do të dalë kur do të hapen arkivat, por parë nga distanca e sotme, duke analizuar veprimtarinë e disa veprimtarëve, them se UDB-ja mund t’i ketë futur hundët në radhët patriotike të mërgatës, më shumë sesa dëshirojmë të dyshojmë. Sigurisht, do kishim bërë më shumë, sikur të kishim qenë në gjendje të minimizonim dobësitë tona, për të përballuar luftën speciale që na bënte UDB-ja, sidomos luftën që e bënte përmes të ashtuquajturit organizim të legalizuar pluralist gjatë viteve të 90-ta.
Republika: Doni të thoni se LDK-ja e Diasporës kishte brenda njerëz të UDB-së?
KELMENDI: Në trendin (euforinë), për mendimin tim të inskenuar në Beograd, pothuajse gjithë pjesëtarët (informatorët) e UDB-së dorëzuan librezat partiake të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe u anëtarësuan në LDK-në (popullore). E njëjta eufori ndodhi edhe në Perëndim.
Sa për informim, Programin, Statutin dhe fletë-anëtarësimin në LDK i kam shtypur e shumëzuar për herë të parë unë (të përpunuar mirë grafikisht) dhe kam angazhuar që të shpërndahen në demonstratë të LPK-së në Bon në fillim të vitit 1990. Gjykoja se duhej të ndihmohej që të organizohej edhe në Perëndim, për të angazhuar bashkatdhetarët që frikësoheshin të angazhohen në LPK. Pata vepruar kështu, edhe pse kisha dyshime se riorganizimet në Kosovë nuk ishin autentike. Ai riorganizim po ndodhte në kohën kur Lidhja e Komunistëve të Kosovës, Lidhja Socialiste, Lidhja e grave, Lidhja e Rinisë, etj., deri diku i kishin dalë nga kontrolli pushtetit të centralizuar monist në Beograd. Tani, po themelohej një LDK, që duhej të përfshinte gjithë popullin dhe në mënyrë të centralizuar, të kanalizuar dhe të kontrolluar duhej të menaxhohej revolta popullore e vitin 1989. Dhe fatkeqësisht ajo ndodhi. Revolta e rrebelimi aktiv i vitit 1989 u futën në arkivolin që mbante mbishkrimin LDK.
Megjithatë, po ndihmoja LDK-në që të shtrihej edhe në Perëndim, edhe pse Programi i saj binte ndesh me këmbënguljet e deputetëve të Kosovës në Kuvendin federativ, të cilët po mundoheshin të mbronin diskualifikimin juridik e politik të Konferencës së Bujanit, të cilin e kërkonin deputet serb, në kohën kur Programi i LDK-së ishte pozicionuar kundër vendimeve të Konferencës se Bujanit, etj.
Shkurt e shqip, në LDK nuk ishin infiltruar njerëz të UDB-së, por ata ishin ndër bashkëthemeluesit kryesorë të saj dhe ata ia përcaktonin kahen ideo-politike e organizative.
Sa herë bashkëveprimtarët më kishin informuar, se e kishin parë UDB-ashin famëkeq, Selim Brosha, të vizitonte Kryetarin e LDK-së në Gjermani, z. Hafi z Gagica, në zyrat e kësaj Lidhjeje në Shtutgart. Dhe kjo nuk ndodhte fshehurazi, por me një soj fodullëku, për të dëshmuar për rrethanat e kthesat e reja që po ndodhnin në Kosovë e jashtë.
Në fillim UDB-ja shfrytëzonte edhe dobësitë e paaftësitë tona organizative
Republika: Ç’ishte ajo punë: Iknin nga burgjet, apo thjesht vinin në Gjermani a Zvicër dhe hop! bëheshin liderë të organizatave me emërtime patriotikeçlirimtare!
KELMENDI: Në fillim nuk kishim të dhëna dhe mundësi për t’u mbrojtur nga të tillët, sepse UDB-ja, nëpërmjet atentateve, na e kishte zënë hapin. Pastaj, ata i shfrytëzonin edhe dobësitë e paaftësitë tona organizative, fillestare. Më vonë kaluam në ekstrem tjetër. Vinin nga Kosova kuadro të sprovuar patriotikisht, na afroheshin, ne (disa drejtues të Lëvizjes) i denigronim ata duke i detyruar të bëhen anëtarë të thjeshtë në bazë, siç shpreheshim atëherë, ose nuk i afronim fare, nëse ata ishin më të kualifikuar intelektualisht.
Republika: Në emigracion, pos punëve të mëdha në dobi të Kosovës, ka pasur me shumicë intrigë. Ka pasur edhe përcjellje të njerëzve të thjeshtë dhe të dëlirë duke shpifur për ta se gjoja nga një kabinë telefonike në Zürich, Düseldorf a Gjenevë ishin dëgjuar të përmendin emra të ndryshëm që intriguesit i lidhnin me personazhe konkrete në hierarkinë e policisë sekrete jugosllave. Ju udhëheqja, bie fjala e LPK-së, e keni toleruar një gjë të tillë, madje e keni praktikuar. Kështu punëtorët sezonalë shantazhoheshin jo vetëm nga UDB-ja e Jugosllavisë por edhe nga njëfarë maniri udbesk përbrenda lëvizjeve të emigracionit…
KELMENDI: Sindromi i frikës ishte gjithandej, pasi UDB-së i kishte dale nami si e gjithëpranishme. Në fakt ai ka qenë shërbim i fuqishëm dhe për këtë të bindin shumë edhe vrasjet e pasluftës në Kosovë, pavarësisht pranisë së forcave ndërkombëtare dhe shumë shërbimeve inteligjente. Raste konkrete, që aludoni ju, nuk po më kujtohen.
Qysh në vitin 1978 UDBja e kishte filluar atë fushatë dhe donte ta
shpërbënte veprimtarinë tonë të organizuar
Republika: Mund të them, për aq sa mbaj mend, se një ndër figurat më të përfolura, në përmasat e saj shpeshherë negative e diskredituese jashtë çdo logjike, ke qenë ti vetë. Ku ndizej e kush e ndizte atë zjarr aq të madh të dyshimeve?
KELMENDI: Besoj, përgjigjen e dini vetë. Por, meqë po kërkoni të përgjigjem unë, atëherë ajo fushatë ishte e koordinuar nga UDBja. Qysh në vitin 1978 ajo e kishte filluar atë fushatë dhe e kishte intensifikuar në prag dhe sidomos pas atentateve, pasi qëllimi ishte që të shpërbëjë veprimtarinë tonë të organizuar, meqë duhet të ketë parashikuar se do kishte ndikim të madh, po u lejua të konsolidohej e të rritej. Koha dëshmoi se ne e përballuam atë dhe bëmë maksimumin e mundshëm. Sigurisht, do kishim bërë më shumë, sikur të kishim qenë në gjendje të minimizonim dobësitë tona, për të përballuar luftën speciale që na bënte UDB-ja, sidomos luftën që e bënte nëpërmjet të ashtuquajturit organizim të legalizuar pluralist gjatë viteve të 90-a, si e thash edhe më heret.
Evropa ka qenë mirë e informuar për gjendjen dhe padrejtësitë në Kosovë,
por i ka munguar vullneti i mirë për të mbajtur qëndrim të drejtë
Republika: Edhe në librin tënd edhe në intervistat, ke vlerësuar si më të ngritur emigracionin në Zvicër në raport me atë të Gjermanisë, ndërkohë që pothuajse nuk i ke lënë farë peshe atij në Belgjikë. Pse?
KELMENDI: Kjo mbase ka ndodhur edhe për shkak të madhësisë numerike të imigrantëve në këto vende. Këto dy emigracione ishin më me ndikim në Kosovë e Maqedoni, ngase kishin lidhje më të ngushta më vendlindjen. Në Belgjikë ishte emigracion më i vogël dhe më i shkëputur, parë thjeshtë edhe në relacion të ndihmave sociale, pasi nëpërmjet këtyre ndihmave emigracioni mund të ushtronte ndikim më të madh në vendlindje.
Lëvizja po përqëndrohej për të rritur angazhimin çlirimtar në Kosovë. Disa individë në Bruksel, që angazhoheshin individualisht, mendonin se rol të madh kishte angazhimi i tyre individual në takime me personalitete politike të Brukselit, informimi i tyre nga këta individë.
Unë përfaqësoja konceptin, se ato personalitete e njihnin më mirë gjendjen në Kosovë sesa individët që përpiqeshin t’i informonin ata, pasi për atë punë ata kishin të angazhuar shërbime e struktura të shumta profesionale. Prandaj, ata nuk ia mbanin anën e Kosovës, jo pse nuk e dinin të vërtetën, por sepse nuk donin. Ata ishin të prirë të përkrahnin më të fortin – Serbinë, meqë kjo do t’u kushtonte më lirë. Mendoja se vetëm aftësimi ynë, për të përballuar e për ta provokuar sa më shumë Serbinë, do t’i detyronte ndërkombëtarët që të ndërrojnë qëndrimin. Nuk besoja në konceptin, se me lobim do ta mundim Serbinë, pasi dija se ajo ishte shumë herë më përpara, me kuadro, me lidhje e me financa. Të vetmin shans kishim gjendjen në terren. Për këto shkaqe dhe të tjerat që nuk po i përmend me këtë rast, nuk i kam dhënë peshë emigracionit të Brukselit, për çka duhet t’u kërkoj që tani falje bashkëveprimtarëve atje, që ishin të organizuar në Këshillin e LPK-së në Bruksel. Ata, brenda mundësive të tyre, kanë kontribuar shumë, por jo sa dëshironim dhe jo aq sa të kishin ndikim më të madh në atë emigracion.
Ndoshta shpjegimet në të ardhmen do të ma ndryshojnë mendimin, por jo disa propaganda të individëve, të cilët, – më fal për fjalorin, – mendojnë se sa herë kanë pordhë në Bruksel, kanë lëshuar nga një bombë atomike.
Nga përvoja personale di, personalitetet politike që kam takuar në Evropë, kanë qenë mirë të informuar për gjendjen dhe padrejtësitë në Kosovë, por u ka munguar vullneti i mirë për të mbajtur qëndrim të drejtë, pasi kishin për bazë vetëm interesat e tyre të ngushta shtetërore. Edhe sot, të tillë pushtetarë evropianë dinë se, më të fituar materialisht janë nëse përkrahin Serbinë dhe jo Kosovën, por fatmirësisht, sundimtarët e atëhershëm demokratë amerikanë (Clinton, Ollbrajt, Clark e të tjerë përkrahës të doktrinës dhe angazhimit të tyre), i imponuan Evropës dhe botës edhe drejtësinë humanitare. UÇK-ja nga toka, ata nga qielli, e nxorën Serbinë nga Kosova. Këtyre, shqiptarët që dinë të vlerësojnë lirinë e tyre elementare, gjegjësisht lirimin nga pushtimi serb, duhet t’u jenë gjithherë mirënjohës.
Përplasjet kryesore i kishim në mes vete, vetë brezi ynë
Republika: Në emigracion ka pasur një ndeshje gjeneratash: Emigracioni i Kosovës (kupto ai i viseve shqiptare nën Jugosllavi) përballë atij të vjetrit nga Shqipëria. As 28 nëntori nuk i bashkonte, sepse haheshit për flamurin. Pastaj grindeshit rreth përparësive si: a më parë duhet rrëzuar Enver Hoxha apo të çlirohet Kosova. Si i shpjegon këto nga kjo distancë kohore?
KELMENDI: E para, kur kanë filluar lëvizjet tona në vitet e 80-a, ai emigracion, në kuptimin patriotik e politik, pothuajse nuk ekzistonte. Në njëfarë forme ai ishte shkrirë në veten e tij, pasi brezi i dytë i tij nuk donte t’ia dinte për angazhim të baballarëve. Shikuar nga ky këndvështrim, ndonjë përplasje serioze politike e ideore nuk kemi pasur, pos ndonjë përplasjeje simbolike, pa peshë. Pra, emigracioni i vjetër politik në vitet e 80-a nuk ka qenë faktor, por vetëm fiksion. Përplasjet kryesore i kishim në mes vete, vetë brezi ynë, sepse UDB-ja dhe naiviteti ynë na impononte luftë politike e ideore, ta zëmë se si të festohet, me flamur me yll, ose pa yll, me fotografi të Enverit ose pa të, me fotografi të Titos në klube shqiptare ose pa fotografi , me cilët flamuj të dalim në demonstrata, etj.
Fondin 3 përqindësh e pati përvetësuar e tjetërsuar gjatë dhe pas lufte
pseudo-kryeministri Bukoshi
Republika: Emigrantët janë mjelë nga shumëkush. Mjelja më herët ka qenë siç ka qenë, pare në kapuç, ndërsa në fillim të viteve ‘90 ajo u bë “institucionale”. Pasi që kam lexuar se do të flasësh për keqpërdorime fondesh, nisja me këtë intervistë!
KELMENDI: Fillimisht një sqarim: Lëvizja nuk e ka mjelë emigracionin me të holla të hedhura në kapuç e në paketa, siç na kanë përfolur strukturat afër UDB-së dhe ndonjë i painformuar. Veprimtarinë patriotike e kemi mbajtur me vetëkontribut dhe me ndihma të simpatizuesve të angazhimeve tona.
Sa u përket fondeve, nuk është tematikë që mund të sqarohet nëpërmjet intervistave. Bazuar në përcaktimin tim, të drejtë institucionale shtetërore për të kërkuar llogari, mediat mund të kërkojnë vetëm për “Fondin e Republikës së Kosovës”, pasi në atë Fond emigrantët kanë qenë të detyruar të paguajnë tatim (3 për qind nga të ardhurat). Atë Fond e pati përvetësuar e tjetërsuar para, gjatë dhe pas Lufte pseudo-kryeministri Bukoshi.
Sa i përket Fondit “Vendlindja thërret”, ai ka qenë Fond i Lëvizjes dhe i UÇK-së, në të cilin është derdhur vetëm ndihma vullnetare (dhe jo tatimi) dhe prandaj mediat sikur nuk kanë aq shumë të drejtë morale për të kërkuar sqarime e llogari. Vërtet, unë kam qenë krye-përgjegjës për këtë Fond në Gjermani dhe si përgjegjës i dytë, pas të ndjerit dhe të lavdishmit Jashar Salihu, për gjithë Fondin “Vendlindja thërret”. Kam mëdyshje se kujt dhe kur jam i detyruar t’i jap llogari. Sigurisht, disa shpërdorues të mjeteve të këtij Fondi i kam nën ivestigim (vëzhgim), se si po sillen tani; Të dhënat për ta i kam të gatshme, por do t’i publikoj kur unë e gjykoj se është koha, ose, në ndonjë rast fatkeq, do t’i publikojnë ata që ua kam dhënë t’i ruajnë këto shënime.
LPK-ja e sotme nuk është LPK-ja e para Kuvendit të Prizrenit 1999
Republika: Tash nuk je në asnjë parti politike. LPK-së i ke thënë lamtumirë qysh më 1999 në Prizren. Tash më intereson që për lexuesit e rinj dhe për ata që mund të kenë harruar, të më thuash se gjatë gjithë karrierës tënde të gjatë, me cilat figura politike ke qenë në udhëheqje, si i ke parë ata dikur, si i shihje dje, si i sheh sot?
KELMENDI: Fillimisht një sqarim: LPK-së nuk ia kam dhënë unë lamtumirën, por Kuvendi legjitim i vitit 1999 në Prizren. Ai Kuvend pati vendosu që kjo Organizatë meritore të shpërbëhet dhe anëtarët e saj, kush sipas përcaktimit individual ideor e politik (meqë Lëvizja kishte përbërje pluraliste), të organizohen në parti politike. Partia e tanishme e LPK-së nuk është LPK-ja e para atij Kuvendi. Këta që e kanë formuar këtë parti, nuk kishin të drejtë morale dhe juridike, të formonin këtë parti-lëvizje me këtë emër, meqë këtë të drejtë ua ndalon vendimi i atij Kuvendi.
Sa u përket figurave politike, po ta dija për kë konkretisht e keni fjalën, do t’ju jepja përgjigje konkrete.
Meqë nuk jeni konkretizuar, atëherë edhe mua më mbetet të jap përgjigje të përgjithësuar. Nëse i keni parasysh figurat politike, të cilat unë i kisha bashkëveprimtarë, atëherë me keqardhje më duhet të përgjigjem, se ndaj disave ndjehem i zhgënjyer, sidomos ndaj disave që u angazhuan në politikë. Mendoj se të tillët nuk e përballuan tundimin e famës së papritur, në ndonjë rast edhe të pamerituar, por të imponuar mekanikisht, nuk e përballuan tundimin e pushtetit dhe të pasurimit të pamerituar.
Republika: UÇK-ja ka dalë nga LPK-ja, më vonë a mund të thuhet se ajo në njëfarë mënyre udhëheqjes së lartë të LPK-së i doli nga dora?
KELMENDI: Keni të drejtë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e ka themeluar LPK-ja, është përkujdesë me përkushtim për rritjen dhe konsolidimin e saj. Përgjithësisht, LPK-ja e ka ruajtur primatin e drejtimit të UÇK-së në aspektin politik, e ka menaxhuar sektorin e saj të logjistikës. Disa segmente të fraksionizuara të UÇK-së qenë pavarësuar nga LPK, edhe pse drejtues të atyre fraksioneve vazhdonin të ishin në struktura të LPK-së. Më konkretisht, bëhet fjalë për disa individë, që u interesonte pasurimi financiar dhe krijimi i karrierës se tyre politike në llogari të UÇK-së.
Republika: Komandantët e UÇK-së kanë qenë kuadro të LPK-së apo jo?
KELMENDI: Për aq sa jam unë i informuar, të gjithë komandantet e zonave dhe pothuajse të gjithë komandantet e niveleve të dyta e të treta kanë qenë anëtarë të LPK-së.
Republika: Nga kjo distancë kohe si e shpjegoni ju përpjekjen e asokohshme për ta vënë UÇK-në nën ombrellë të FARK-ut e të Qeverisë së Kosovës me seli në Bon?
KELMENDI: Insistimi për ta vënë UÇK-në nën kontroll, gjoja në emër të institucionalizimeve, ishte vetëm një përpjekje hileçare për ta zhbërë UÇK-në. Ato pseudo-institucione, pseudo-kryeministri dhe pseudo-presidenti, ishin kundërshtarët më të rreptë të UÇK-së. Por, fatmirësisht ndodhi e kundërta. UÇK-ja krijoi marrëdhënie të mrekullueshme me Shtabin e FARK-ut nga shtatori i vitit 1998…
Republika: Ju e keni njohur dhe e keni kontaktuar Ibrahim Rugovën. Pse nuk mund të merreshit vesh me të?
KELMENDI: Nga ana jonë me kohë ia kemi ofruar bashkëpunimin. Atij, me gjasë i ka mjaftuar vetja e tij dhe idhullimi që i kanë bërë turmat…
Republika: Hysen Gërvalla një kohë të gjatë kërkonte që ju të sqaronit rrethanat e vrasjes së vëllezërve të tij dhe të Kadri Zekës. Tash kur ju kini nxjerre argumente në disa qindra faqe, si e keni parë reagimin e tij, respektivisht lutjen që ju të ju ruajnë si dëshmitar…
KELMENDI: Fillimisht dëshiroj ta falënderoj për mirëpritje të romanit nga ana e tij. Kurse thirrjen e tij për të më ruajtur mua, e kam mirëprit si tepër normale, pasi e ka bërë z. Hysen Gërvalla. Nga ai nuk mund të priten mendime e sjellje më njerëzore, pasi i mungon përgatitja dhe kultura përkatëse. Nga ata që e kanë përcjellë Kuvendin (e grushteve…) të LDK-së, e kanë parë se çfarë shamataxhiu është dhe tek tani mund të më kuptojnë, se çfarë zullumi më ka bërë ky burrrrrr gjatë viteve…
——————
XHAFER SHATRI PËR RIZA SALIHUN
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe nëpërmjet shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshimtë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografi në e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.
Riza Salihu
Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar.
Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur
me një rast dhe i ka gjetur një revole…
Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim, kjo nuk është për t’u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.
Revista “ Pasqyra”, Nr. 61, 2002
(Ribotuar në revistën REPUBLIKA, nr. 5/2007, në fund të faqës ku mbaron intervista me Ibrahim Kelmendin)
Kthehu ne fillim
______________________________________
Letra e Saime Isufit personazhe e romanit “Atentatet” -
dërguar autorit të librit Ibrahim Kelmendi
SAIME ISUFI:”SECILIN PERSONAZH E KE PARAQITUR TË TILLË SIÇ PATA
MUNDËSI T´I NJIHJA EDHE VETË”
Saime Jusufi (personazhe e romanit / bashkëshortja e Kadri Zekës)
I nderuar Ibrahim, Ka kohë (vite) që nuk jemi parë, por ja që bota është e vogël dhe për të gjallët krijohen mundësi kontakti. Në këtë rast kontakti elektronik. Këtë e bëj, pas leximit të veprës tënde historike “Atentatet”, për të cilën të përgëzoj nga zemra! Edhe njëherë urime!
Me të dalë nga shtypi e lexova me një frymë. Pasi jam njëra ndër protagonistet e asaj ngjarjeje makabre që bëri UDB-a me vrasjen e tre bijve (udhëheqësve të denjë) të Kosovës dhe në disa rrethana kam qenë edhe pjesëmarrëse direkte në ato ndodhi para dhe pas vrasjes, nuk u durova pa të shkruar, për të përgëzuar.
Të them të drejtën, u ktheva prapa 25 vjet, duke kujtuar e përmalluar dhe plot emocione atë kohë sa të bujshme, aq edhe të dhimbshme, ku ti me spikamë ke paraqitur çdo personazh. Për ato rrethana, ku pjesëmarrëse kam qenë edhe vetë, vërtetë secilin personazh e ke paraqitur të tillë siç pata mundësi t’i njihja edhe vetë.
Kjo më bën të besoj se edhe ata të cilët nuk pata mundësi t’i njihja, i ke paraqitur tamam ashtu siç ishin në realitet, të lidhur me UDB-në jugosllave, për të shkatërruar lëvizjen…
(Mail-letër, 05.03.2007)
&
Fragmente nga letra elektronike e Ramiz Kelmendit (14.03.2007):
(…) Librin e kam marre bashke me “Fokusin”, sapo ka dale. Edhe e kam lexuar. (…) Si pune e pare, mund te te them se me ke habitur – jo pak! – me stilin, ta quaj romanesk, te librit.D.m.th., me ke gezuar, ta kam pelqyer.
E dyta, libri lexohet me nje fryme, edhe pse, perkunder natyres sate, si te njoh une, d.m.th. qe nuk nguron fare t’i thuash te bardhes e bardhe dhe te zezez e seze, kesaj here me ka munguar kjo kurajo jotja duke u fshehur pas emrave te trilluar (me ndonje perjashtim). (…) Libri ka nevoje per nje lekture me te mire. (…)
Kthehu ne fillim
________________________
Flet veprimtari Ibrahim Kelmendi “Pa dorëza” për gazetën Express
E NJOH VRASËSIN E JUSUF GËRVALLËS
Ai që vrau Jusuf Gërvallën jeton në Kosovë, në një fshat të komunës së Suharekës. Është shqiptar dhe e ka emrin Rezil, thotë Ibrahim Kelmendi në intervistën ekskluzive për gazetën Express.
Intervistoi: Nebih Maxhuni
Prishtinë, më 11 e 12 mars 2007
Prishtinë,10 mars — Ibrahim Kelmendi. Për gjeneratën e re ky emër s’thotë asgjë. Ndoshta as që e dinë se çfarë ka bërë ky njeri për jetën e tyre. I harruar për shumë kohë në jetën e diasporës, numërohet se ka qenë idealisti i parë i së majtës shqiptare jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Është ndër të paktë shqiptarë të diasporës që ka pas guxim të vishet me xhins dhe në një mënyrë a tjetër ka jetuar me jetën e studentëve gjermanë. Për dallim nga të tjerët ai ka mundur të socializohet në jetën gjermane dhe në jetën e tij ka nxitur polemika dhe debate pikërisht për shkak se nuk ka jetuar vetëm jetën e refugjatit ose të punëtorit të krahut në Gjermani.
Ka qenë njeriu i parë që ka thyer heshtjen prej kohësh për meritokracinë e diasporës dhe ka botuar të dhëna interesante duke anashkaluar distancën historike dhe duke përshkruar gjëra të rrezikshme për procesin i cili ende s’ka përfunduar.
Si mik i afërt i Jusuf Gërvallës, ai mori guximin ta përshkruajë tërë realitetin e asaj kohe, duke mos kursyer persona dhe personazhe. Libri i tij i titulluar “Atentatet”, përfaqëson një rrezik në vete për të vërtetën e asaj kohe.
Libri në një mënyrë përfaqëson edhe karakterin e hapur dhe shumë të përfolur të Ibrahim Kelmendit, i cili, si shumë herë ka dalë jashtë kornizave të “qytetarit” të diasporës. Shpeshherë, i ngarkuar me teza konspirative gjatë jetës së tij, ai ikën nga ajo hapësirë në librin e tij dhe ballafaqon fakte dhe emra pa hezituar fare se mund të krijojë situata të pakëndshme në jetën kosovare edhe ashtu të rëndë dhe konspirative.
Thotë që e njeh atentatorin e Jusuf Gërvallës, i cili jeton në një fshat të komunës së Suharekës. I bën shenja dhe ia heq elozhet politike
dhe meritën folklorike edhe miteve në diasporë, siç thotë ai, të ngritura artificialisht. Ndryshe, nga tjerët, e sheh figurën e Enver Hadrit dhe Vehbi Ibrahimit, duke i përshkruar ata si njerëz me merita të dyshimta.
Libri ,“Atentatet”, duhet të jetë vetëm një pjesë e së vërtetës të cilën Ibrahim Kelmendi, ish udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” dhe njeriu që ka propozuar që LPK-ja të ketë fundin e saj historik në vitin 1999 në kongresin e rregullt në Prizren, sepse e vërteta tjetër duhet të shpaloset pas intervistës që i ka dhënë gazetës Express.
Ai flet atë që rrallë kush guxon ta thotë.
Express: Pyetja e cila është shumë dilematike për secilin që ju njeh, për shembull gjeneratat e vjetrat, jo të rejat. Pse libri “Atentatet”? Ke thënë që libri do të bëhet krejt në një kohë më të qetë. Pse tani ky libër? Është ky dëshpërim i juaji me të kaluarën dhe të tashmen?
Ibrahim Kelmendi : E para, romanin nuk e kam publikuar deri tani, sepse kam menduar që duhet një distancë kohore, që unë si autor të mund të reflektoj për atë që është bërë në mërgatë, e dyta, kam menduar se publikimi i mëhershëm do të dëmtonte luftën, veprimtarinë çlirimtare, gjegjësisht nuk do i bënte mirë asaj veprimtarie. Tani kam gjykuar që një çerek shekulli është distancë e mjaftueshme dhe mund të thuhen të vërtetat, pa dëmtuar luftën dhe pa qenë i penguar nga subjektivizmi.
Express: Pse ky dekonspirim pas 25 vitesh edhe pse ju jeni njeri nga ata që i keni ditur këto gjëra, i keni njohur situatat, e keni njohur diasporën dhe njerëzit atje…?
Ibrahim Kelmendi: Mosdekonspirimi i deritanishëm i atyre që kanë ndodhur është varur edhe nga ndikimi i amanetit apo porosisë se Jusuf Gervallës, i cili ka thënë: “Nëse dorasi është shqiptar, mos u zbuloftë kurrë!” Ne secili kemi një konstrukt social, i cili na bën të respektojmë amanetin, gjegjësisht porosinë e fundit. Pastaj, po të thuheshin në kohë këto të vërteta, do kishim përplasje të mëdha, do na shkonte koha duke u marrë me qërim hesapesh në mes nesh.
Express: E përmendet mitin. Heshtja për një kohë kaq të gjatë ka krijuar mite të diasporës. Njëri nga ato mite keni qenë edhe ju. Ju keni qenë i gjithëfuqishëm, por realisht jeni njeri i rëndomtë. Është krijuar miti për Jusuf Gërvallën. Po e lexove librin tuaj, do shihet se të gjithë ata njerëz kanë bërë jetë normale dhe kanë bërë një veprimtari patriotike prej distancës. Si e shikon ju këtë çështje tash?
Ibrahim Kelmendi : Se vërtetë kemi qenë njerëz të rëndomtë. Mua më pengon kur njerëzit mitizohen dhe u zmadhohen angazhimet e tyre. Në botë të qytetëruar angazhimi patriotik e çlirimtar do të shihej si punë normale. Pse, ta zëmë, ka nevoje të lavdërohet një bujk që ka punuar në arën e tij, pasi ka bërë një punë normale. Njësoj e vlerësoj edhe angazhimin patriotik. Prandaj zmadhimet, këto krekosje të njerëzve, nuk janë të shëndetshme. Një angazhim për të fituar sa më shumë liri nuk ka përse të zmadhohet e lavdërohet deri në mitizim. Unë e gjykojë angazhimin tonë si angazhim tepër të përgjegjshëm e qytetar. Dhe prandaj dëshira ime ka qenë dhe është, që të demitizohen këto veprimtari çlirimtare, të shihen realisht se i kanë bërë njerëz vullnetmirë, të cilat, të them, rastësisht kanë qëlluar aty, por ka mundur të jenë edhe të tjerë, prandaj nuk ka nevojë të madhërohen figurat, por duhet të vlerësohet njerëzisht, në hapësirë, kohë e rrethana përkatëse.
Express: Para se të hyjmë në emra konkret. Zakonisht në Ballkan ndodh që elementi i tradhtisë dhe patriotizmit është prezent. Të dyja këto elemente i keni brenda librit. Realisht, si korrespodonin këto elemente ballkanike ose kush është më shumë tradhtar e kush patriot, apo kush ka qenë i infiltruar në lëvizjen e madhe për Pavarësi? Pse i keni prekur këto elemente kaq të ndjeshme kur e dini mentalitetin?
Ibrahim Kelmendi: Janë kategorizime që behën në këtë hapësirë, d.m.th. që shkojnë në ekstreme: tradhtar apo patriot. Unë e peshoj veprimtarinë e të ashtuquajturit tradhtar dhe gjithashtu edhe të patriotit. Patriot është secili njeri për nga natyra, sepse e donë vendin ku ka lind. Ata që e quajnë patriotizmin virtyt të jashtëzakonshëm, për mua janë budallenj. Tjetra, edhe angazhimet e tradhtarëve jam i predispozuar t`i shoh në mënyrë të diferencuar, sidomos në rrethana të rënda të pushtimit. Për aq sa kanë lejuar mundësitë dhe rrethanat e kohës, është formësuar gjeturia e vet qytetarëve. Në Kosovën e pushtuar, në hapësira të ndryshme kohore, ka pasur një farë autonomie përkatëse administrative e vetëqeverisëse. Në atë kuadër të autonomisë është dashur të angazhohen e të punojnë njerëzit edhe në struktura policore, duke përfshirë edhe UDB-në. Për shembull, sipas vlerësimit tim, për mua ka qenë pothuajse i barabartë të qenit mësues me të qenit udbash, gjegjësisht nëpunës sigurimi, sepse kanë qenë struktura e hallka të të njëjtit zinxhir, gjegjësisht të të njëjtit sistem, kanë vepruar sipas ligjeve të miratuara nga i njëjti Kuvend i Kosovës ose nga kuvendi federativ. Mësuesi e ka pasur për detyrë të indoktrinojë, UBD-shi të kontrollojë nëse ka zënë vend indoktrinomi i mësimdhënësit. Përjashto rastet, kur UDB-ashi dhe të ngjashmit kanë kapërcyer kompetencat ligjore, që nuk kanë lejuar ndjekje kolektive, tortura e zhdukje fizike, nuk kanë lejuar as atentatet, si në rastin e 17 janarit të viti 1982. Dhe këto raste duhet ndëshkuar, siç ka ndodhur e po ndodhin në ish shtetet tjera moniste.
Express: Derisa në një moment ju e depolitizoni personalitetin për patriotizmin që ka pasur obligim, në njëfarë mënyrë mitizoni rolin UDB-së si të gjithëfuqishme, si gjithkund infiltruese. Pse i keni dhënë rolin aq të madh, që sipas librit tuaj, nuk ka qenë aq me peshe sa e mitizoni ju, apo është çështje e frikës?
Ibrahim Kelmendi: Ka mundësi të jetë edhe rrjedhojë e frikës, pasi frika është ndjesi e pakontrollueshme. Ka mundësi që unë nuk e kam përshkruar tamam, sa ajo ka qenë e pranishme. Dihet se UDB-ja ka qenë njëra ndër sigurimet më të fuqishme, të cilës në ndonjë rast ia kanë pasur zili edhe CIA, KGB, etj. E di që këtë strukturë, qysh nga viti 1948, e kanë ndihmuar edhe ekspertë të CIA dhe Perëndimi i ka dhënë edhe ndihma të mëdha financiare dhe kadrovike dhe është ndihmuar që të jetë njëra ndër sigurimet më të forta në Evropë. Si e tillë ajo është përpjekur të kontrollonte gjithçka, jo vetëm në Kosovë, por të na kontrollojë e të na pengojë edhe në Perëndim. Prandaj disa prej personazheve që i kam përshkruar, të cilët kanë luajtur rol të madh, mendoj se veprimet e sjelljet nuk duhet t’i kenë pasur si rrjedhojë vetëm të budallëkut të tyre, ose vetëm për të kënaqur egomaninë e tyre, por ashtu duhet të jenë instruktuar e instrumentalizuar për të vepruar nga ky shërbim. Ta zëmë, kemi pas gazetarë dhe letrar të shkëlqyer, për të cilin sa i përket aftësisë profesionale, kam pas dhe kam një respekt të madh. Ai duhet të ketë qenë i kamufluar si korrespodent i “Rilindjes”, por ka qenë i angazhuar për t’i shërbyer atij sigurimi…
Express: Prej nga ju këto informata se këta njerëz duhet të kenë qenë të tillë?
Ibrahim Kelmendi: E para e punës, ai, si korrespodent i “Rilindjes”, nuk kishte nevojë të involvohen në përplasjet tona me konsullatën jugosllave në Dyseldorf dhe në atë përplasje ai ndonjëherë të ishte më brutal se vet konsulli. Do mjaftonte që ai, me një korrespodencë për gazetë të tij, të përshkruante çka po ndodhte dhe ai të mos inkuadrohej në ato përplasje që kishte Klubi shqiptar në Dyzeldorf me konsullatën dhe institucionet tjera të atëhershme shtetërore. Ato insistonin që ta fusnin nën tutelë Klubin e shqiptarëve aty, dhe ky, i kamufluar si gazetar, angazhohej pro konsullatës. Duke vrojtuar veprimtari të tillë, vija në përfundim se ai duhej të ishte në shërbim të UDB-së…
Express: Ju këta njerëz i quani me detyrë të ngarkuar, vërtet kanë qenë të tillë?
Ibrahim Kelmendi: Një kategori e tillë duhet të ketë qenë, siç e vlerësoja unë atëherë. I njëjti, p.sh., kur e arrestuan Vasilin në Kosovë, e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë hetimeve…
Express: Kush është Vasili, ngase lexuesit tanë nuk e dinë?
Ibrahim Kelmendi: Vasili është njëri nga personazhet e romanit. Ai ka pasur një urdhër për të bërë atentat ndaj Jusuf Gervallës, por trimërisht ka refuzuar ta zbatojë. Për këtë ai duhej të ndëshkohej nga UDB-ja. Prandaj kur Vasilin e arrestuan në Kosovë, gazetarin në fjalë e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë procesit hetues, meqë duhet të jetë vlerësuar si njohës më i mirë i veprimtarisë sonë në Perëndim. Kështu i kisha atëherë informatat dhe prandaj i krijoja vlerësimet, pasi na duhej të krijonim sistem të vetëmbrojtjes.
___________________________________________________
_____________________________________________
Express: Si e sheh Ibrahim Kelmendin patriot të diasporës, si të duket ai prej kësaj distance historike?
Ibrahim Kelmendi: Si një veprimtar i natyrshëm, autentik, i cili për shkak se ka shkuar i ri dhe është ndikuar shumë nga jeta studentore gjermane, ndonjëherë është keqkuptuar edhe nga bashkëveprimtarët si i padisiplinuar, si jo serioz, si anarshist, si me xhins të grisur e flokë të gjatë…
Express: Të ndalemi te kjo, ngase në libër ju nuk e përshkruani personalitetin tuaj, por ata që ju njohin, ju kanë vlerësuar se keni pas në dukje një bindje ideologjike të majtë, por të dallueshme prej marksistëve dhe leninistëve të kohës, të dallueshme edhe prej Jusuf Gervallës dhe Enver Hadrit. Nga kjo distancë kush ka pasur të drejtë ?
Ibrahim Kelmendi: Se pari do të thoja se asnjëri nuk kishim kushedi se çfarë bindje ideologjike, pasi na mungonte përgatitja teorike, po të kemi parasysh përgatitjen përkatëse teorike filozofike. Për aq sa ishim të ideologjizuar, secili kishim të drejt, sepse ideologjitë nuk mund të shabllonizohen dhe të gjykohen, siç po ndodh tani. Me rëndësi duhet të ketë qenë, se edhe pse kishim bindje të ndryshme, nuk armiqësoheshim për shkak të tyre, por bashkëvepronim. Kjo mbase tregon se kishim tolerancë e mirëkuptim pluralist dhe këtë e kishim në programet e statutet tona politike, në shkrimet tona. Bindjet tona ido-politike kanë osciluar dhe kanë evoluuar. Ne më shumë na ka interesuar kontributi për çlirim kombëtar dhe jo drejtësia ideologjike, d.m.th. na interesonte të gjejmë mënyrën më efikase, që të ndikojmë sa më shumë te njerëzit, që t’i afrojmë ata duke i ndërgjegjësuar për veprimtari të angazhuar patriotike e çlirimtare.
Express: A ka krijuar diferenca ideologjia për çështjen kombëtare gjatë asaj kohe, meqë ju duhet të keni qenë më liberal se të tjerët, të cilët ishin më konservativ, për të mos thënë se kanë qenë enveristë?
Ibrahim Kelmendi : Në organizimet ku kam vepruar unë, përcaktimi programor ka qenë: pavarësisht bindjeve ideologjike e politike, secili që është i interesuar të angazhohet për Kosovën Republikë, gjegjësisht ta çliroj Kosovës, ka të drejt të anëtarësohet. Pastaj, brenda për brenda organizimeve tona, kur kishim demokraci më të avancuar, kishim edhe luftë idesh, sepse është e natyrshme që secili të angazhohet që të përfitoj simpatizantët e vet. Kjo ka ardhur në shprehje tek ne nga mbarimi i vitit 1984, kur filluam të organizojmë mbledhje me më shumë veta, deri edhe te kuvende, në të cilat filluam të kishim garë për vota dhe votime të fshehta. Rëndom ka pasur goxha përplasje gjatë diskutimeve, ndonjëherë kanë qenë edhe brutale, por pothuajse gjithë herë kemi bërë kompromise, sepse në fund të fundit ne po angazhoheshim ta çlirojmë Kosovën dhe jo të ia përcaktojmë asaj sistemin politik.
Express: Pse ju keni pasur një respekt të madh për Jusuf Gërvallën, të cilit në njëfarë mënyre i kushtohet libri juaj? Ke një rezervë për veprimtarinë e Enver Hadrit dhe grupacioneve të Belgjikës. Cili është dallimi i këtyre grupacioneve?
____________________________________
Ibrahim Kelmendi: Respekt kam pasur për Jusufin nga se në fillim jam gjetur në një situatë shumë të vështirë. Atëherë kam qenë shumë i ri për të pasur formim të avancuar politik. Kam pas një si kompleks që nuk po dija të artikuloja me shkrim ato që kam dëshiruar t’i shpreh. Ardhja e Jusufit më ndihmoj shumë, pasi ai ma zvogëloi atë kompleks. Pastaj kam pas një kulturë, që kur me rastiste të bashkëveproja me dike që e çmoja më të aftë se vetën, ia lëshoja vendin, kaloja në plan të dytë, që do të thotë se ua liroja vendin atyre që ishin më të përgatitur. Pra, edhe te gëzimi i madh dhe lirimi nga kompleksi, se aty e tutje nuk do më tallin për ato që do shkruaja, pasi do m’i redaktonte Jusufi, e ka bazën respekti e dashuria e madhe për Jusufin. Por kryesore ka qenë cilësia e tij si njeri, modestia dhe kultura e tij. Ai ka ditë të të afroj si shok e bashkëveprimtar, në kohën kur njerëzit të kategorizonin, gjegjësisht të largonin, nëse kishe nivel të ulët intelektual e profesional.
Po kaq shumë e kam respektuar dhe dashur edhe Kadri Zekën, me të cilin fatkeqësisht jam njohur tek në mars të vitit 1981 dhe kam kaluar shumë më pak kohë, se sa me Jusufin.
Pyetet edhe për Enver Hadrin dhe grupimet në Belgjikë. Unë te ai njeri nuk kisha gjetur pothuajse asgjë. Duhet ta kem takuar qysh gjatë vitit 1978 dhe të mos kem bashkëpunuar. Ai në dukje nuk kishte koncept politik, ka qenë shumë konfuz, kemi pas shumë debate, ndonjëherë edhe përplasje e armiqësime. Në paraqitje ishte antikomunist, kurse kisha informata se po bashkëpunonte me Partinë Komuniste të Belgjikës. Kisha përshtypjen që ai po informonte dike, që do të thotë se, kisha dyshime që ai po informon njëherazi Sigurimin shqiptar por edhe UDB-në. Në vitet e fundit patëm bashkëpunim. Kurse gjatë varrimit Lëvizja u angazhua për varrim dinjitoz, pasi ai nuk kishte miq e bashkëveprimtarë rreth vetës, që do mund ta bënin këtë. Në mbledhjen komomorative i pata kërkuar falje publike për padrejtësitë që mund t’i kishte bërë Lëvizja dhe unë.
________________________
Grupimet e organizuara në Belgjikë, në fillim të viteve të 80-ta, nuk kanë qenë të fuqishme. Grupimet e djathta nacionaliste pothuajse kishin pushuar se qenuri, kurse grupimet e reja, të djathta dhe të majta, përbëheshin vetëm nga dy-tre individë, me dallim prej grupimit pro Lëvizjes, i cili dominonte. Vetëm kur ndodhi pluralizmi i simuluar e i shpifur në Kosovë në fillim të viteve të 90-ta, kishte një rritje organizative LDK-ja, me të cilën herë bashkëpunonim e herë jo.
(Vazhdimi i dytë …)
___________________________
UNË DO TA ZBARDHI RASTIN GËRVALLA
Ibrahim Kelmendi në romanin e tij “Atentatet” dëshmon se vrasësi është Rezili. Për këtë ai thotë se ka fakte të mjaftueshme. Nuk frikësohet për vete sepse beson se ka ndërgjegjen e pastër.
Lexoni vazhdimin e dytë në Express të intervistës me Ibrahim Kelmendin.
Express: Ju e keni margjinalizuar rolin e emigracionit në Bruksel, por i jepni vend rolit të emigracionit në Zvicër. Boshti i veprimtarisë ka qenë i vendosur në Zvicër dhe Gjermani. Ju i jepni peshën Jusufit derisa vritet, por më vonë, edhe pas vrasjes, nxitet ose ngritët mitin për Jusufin dhe ajo ka një inercion. Na trego këto dy boshte edhe lëvizjet tua Zvicër – Gjermani, shihet që keni një njohuri të dukshme duke eliminuar Belgjikën si emigracion?
Ibrahim Kelmendi: Fillimi i kësaj lëvizjeje, për të cilën po flasim, ka ndodhur në Gjermani, ndërsa më vonë epiqendra është zhvendosur në Zvicër, për faktin se në Gjermani kishin ardhur shumë emigrantë gjysmë-analfabetë, do me thënë ishin vështirë të “përpunueshëm”, ndërsa në Zvicër shumica kishin një shkollë të mesme. Në këto dy shtete emigracioni ka qenë më i madh në atë kohë. Në Belgjikë nuk kishte emigracion aq të madh. Atje ishin dy grupime të mëdha, emigrantë politikë nga Shqipëria dhe emigrantë ekonomik shqiptarë nga Turqia. Të dy grupimet ishin kryesisht të paarsimuara.
Express: Pse ishte Jusuf Gërvalla cak i UDB-së, dhe pse ai ishte i rrezikshëm për te?
Ibrahim Kelmendi: Unë them që UDB-ja duhet të ketë gjykuar se u arratis një kuadër më intelektual se këta të tjerët që ishin deri atëherë dhe prandaj do ketë influencë më të madhe. Emigrantët e paarsimuar në atë kohë kanë pasur një kult ndaj intelektualit, sepse ka pas një deficit të madh në Kosovë. Këta emigrantë që kishin shkuar atje për të punuar, kanë marrë atë gjendje sociale me veti, d.m.th. edhe kultin për intelektualin dhe atë gjendje e kanë konservuar. Menjëherë u përhap lajmi se është arratis një intelektual i zoti. Prandaj UDB-ja priste se ai do të ketë një ndikim të madh. Për këtë arsye ajo qysh në fillim u mundua t’i presë hovin. Kështu, që në start Rezili, personazhi që unë e argumentoj si doras, akoma pa arritur Jusufi, filloi të përhapë propagandë se Jusufin e ka dërguar UDB-ja për të na përçarë dhe se jemi të rrezikuar nga ai. Kjo po ndodhte akoma pa hy në tokë gjermane Jusufi. Kjo ishte metoda më e efektive për t`i frikësuar njerëzit. Rezili në mënyrë aktive u mor me këtë propagandë. Pothuajse 24 orë rrinte në stacione treni në Shtutgard, ju drejtohej shqiptarëve kur i njihte e nuk i njihte, mjaftonte kur i shihte se po blenin gazetën “Rilindja”. I gostiste me kafe dhe mandej u thoshte se UDB- ja ka çuar një UDB-ash. Unë gjykoj nga ky kënd, se UDB-ja ka marrë masa të menjëhershme që Jusufin ta pengonte që të mos kishte ndikim qysh në startim të veprimtarisë se tij në ekzil. UDB-ja mori ofensivë që ta diskreditojë Jusufin.
Express: A ka pasur sukses Rezili, personazhi juaj, që ta diskreditojë Jusufin sidomos te një masë që ka qenë krejtësisht analfabete?
Ibrahim Kelmendi: Te njerëzit që i kemi pas afër vetës, si të anëtarësuar, si simpatizantë, nuk ka pasur fare influencë. Ai pat krijuar influencë të kufizuar te një grupim i vet, sepse sapo u hetua që në Gjermaninë Qendrore filluam një angazhim konkret patriotik, si kundërpeshë ai në Shtutgart formoi një grup që fillimisht e quajti Grupi komunist “Zëri i Kosovës”.
Rezili-themelues i grupit komunist “Zëri i Kosovës“ (perosnazhi real në foto)
___________________________________
Express: Pse personazhi juaj do të jetë vrasës dhe pse shqiptari duhet të jetë vrasës i Jusuf Gervallës e jo për shembull njerëz të specializuar të UDB-së? Në libër duket e mjegulluar kjo.
Ibrahim Kelmendi: Sepse edhe unë po të kisha qenë oficer i UDB-së njësoj do të kisha vepruar, do kisha zgjedh një shqiptar si doras. Kjo për faktin se nëse do e zbulonin gjermanët, atëherë do përhapej dezinformatë: “Shqiptarët vriten në mes veti për probleme të tyre të brendshme”. Ky duhet të ketë qenë motivi apo qëllimi kryesor i UDB-së, pse ka urdhëruar shqiptarë për të bërë atentatin.
Express: Ju e njihni Rezilin, ai është gjallë, jeton në Kosovë. Jeni frikësuar ndonjëherë se nuk e thoni të vërtetën, se dorasi nuk është ai, edhe pse në libër detajisht e përshkruani personazhin si vrasës dhe jepni arsyen pse është doras?
Ibrahim Kelmendi: Unë në këtë drejtim e kam ndërgjegjen e qetë. Thënë të drejtën, dëshiroja që Rezili të ketë një alibi, të mos ketë qenë atentatori, vrasësi, por krye-hetuesi, të cilin fillimisht e kam orientuar drejt Rezilit si atentator i mundshëm, katërçipërisht më ka bind se Rezili nuk ka alibi. Ai dy herë ka qenë i arrestuar për këtë qëllim. Atëherë unë kisha informata të bollshme që të dyshoj në Rezilin, meqë kishte dhënë një urdhër për t’u bërë atentati ndaj Jusufit. Ngase i kishte dështuar, do e ketë vendosur ta bënte vetë, sepse për dështim të parë UDB-ja mund t’i ketë kërkuar llogari. Prandaj, kur krye-hetuesi më ka bind se ai nuk ka alibi, atëherë u bëra kategorik, se dorasi duhet të jetë Rezili.
_______________________
Express: Dorasi ka dhënë një alibi se ka qenë te motra…, por ju e demaskoni këtë?
Ibrahim Kelmendi: Unë e kam bërë këtë duke u thirr në bashkëbisedimet që kam pasur me krye-hetuesin, sepse ai thotë që motra ka qenë shumë mirë e përgatitur, e ka mbuluar shumë mirë Rezilin, por nipat e tij, me të cilët ka biseduar krye-hetuesi, kanë treguar se daja i tyre s`ka qenë natën e krimit të motra, bile ata i kanë treguar se nuk kishte qenë gati për dy vjet aty. Fatkeqësia e tij (krye hetuesit), siç është shpreh vetë krye-hetuesi, është se ligji në Gjermani e ndalon që të miturit të jenë dëshmitarë në gjyq.
Express: Ju e dini se kush është vrasësi. Ai është Rezili. Meqë ju e keni pasur mik Jusufin, pse nuk e denonconi rastin, kur të miturit e motrës së tij tash janë rritur, ata mund të flasin në gjyq? Rezili jeton në Kosovë në një rajon të caktuar. Cili është obligimi moral i mikut të Jusufit, i cili është gjallë?
Ibrahim Kelmendi: Obligimi im moral është që të testoj opinionin, kam drejtë unë apo nuk kam të drejtë të shkeli mbi amanetin e Jusufit për të bërë pastaj denoncim konkret ndaj Rezilit. Pastaj obligim moral tashmë duhet ta kenë edhe lexuesit, që e kanë lexuar romanin “Atentatet”…
Express: Kemi të bëjmë me vrasje, porosia është çështje morale.
Ibrahim Kelmendi: Unë kam dilema, prandaj po marrë mendime nga njerëzit, se çfarë përshtypjeje u ka bërë romani. Edhe të tjetër kanë mundësi të bëjnë denoncimin. Janë me qindra që e dinë emrin e vërtetë të Rezilit, pasi e dinë se ai ka qenë kryetar i grupit komunist “Zëri i Kosovës”. Ata nuk janë të lidhur emocionalisht me Jusufin, siç jam unë që ndjehem i obliguar të respektojë një porosi të tillë. Pra, ata i kanë mundësitë më të hapura. Nëse ata s’e bëjnë, unë do i pres diskutimet dhe nëse më thuhet, se është më me rëndësi denoncim i dorasit, sesa porosia e Jusufit, atëherë do ta bëj këtë.
Express: Me qenë se po i lëmë lexuesit që ta lexojnë librin, nuk po ndalemi te rasti Gërvalla, se si është vrarë. Ti e prek një element jashtëzakonisht interesant në libër ose më mirë të themi ke prek edhe një personazh tjetër, Emil Kastriotin. Një personazh tejet konfuz, por një personazh i qartësuar nga ti dhe i paqartë në veprimtarinë e tij. Pse duket Emil Kastrioti i tillë?
______________________________
Ibrahim Kelmendi: Unë e kam njohur atë edhe personalisht. Kam biseduar shpesh me të, sepse me secilin veprimtar në migracion unë s’kam pas kurrë një lloj paragjykimi të rri e të bisedoj me të, që të shikoj a kemi diçka të përbashkët që na lidh. Edhe në saje të atyre takimeve, më është imponuar të krijoj një lloj intuite që të mundem t’i vlerësojë dhe t’i kategorizoj njerëzit, janë apo nuk janë për bashkëpunim. Kështu unë, qysh herët, Emilin e kam kategorizuar në atë skedarin tim, se nuk është për bashkëpunim, se është destruktiv, bile se është i dyshimtë. Por me Emilin dhe të tillët, nuk kam dëshiruar të hyj në konflikt, sepse gjykoja se do harxhoja kot energji time dhe të organizatës ku bëja pjesë.
Express: Në libër i sheh ata si njerëz të rrezikshëm, megjithatë?
Ibrahim Kelmendi: Po, sigurisht, bile si shumë të rrezikshëm dhe unë kam menduar që duhet t`i lëmë rehat, nuk duhet të merremi me ta. Nëse merrem me ta, atëherë procesi shkon duke eskaluar dhe ndoshta do shkonim deri te vrasja.
Unë kam pas një përcaktim: vrasje në Perëndim nuk guxon të ndodhë, një për shkak të kultit që kam prej malësorit, se mysafiri nuk guxon të shpërdorë mirëpritjen e nikoqirit, do me thanë, në shtëpi të huaj nuk bëhet sherr. Kështu që, meqë në Perëndim na kanë strehuar, na e kanë lejuar veprimtarinë patriotike dhe na kanë ofruar shans për një jetë më të mirë, atëherë unë kam qenë i përcaktuar që të kanalizojmë mërgatën tonë kundër vrasjeve, qoftë mes ne shqiptarëve, qoftë me të tjerët. Prandaj unë u kam ikur këtyre sherrxhinjve, që kanë qenë shumë të rrezikshëm, dhe kurrë nuk jam marr me ta. Kur ata janë marrë me mua, unë i kam duruar, kam heshtë dhe i kam injoruar. Vetëm një përplasje skandaloze e kam pas me Emilin, më pat bërë një sherr të madh, por e kam duruar, nuk jam hakmarrë.
Express: Në librin tënd, realisht një personazh krejt minor, është hero i një pjese të Kosovës. Ai është rivarrosur me nderime, i është ngritur kulti i personalitetit. Unë i kam lexuar reagimet e Ibrahim Kelmendit për një personazh të tillë, i cili gjatë jetës në diasporë ka qenë kontrovers dhe i dyshimtë. Ju e dini për cilin e kam fjalën, besoj?
___________________________
Ibrahim Kelmendi: Bëhet fjalë ndoshta për Vebih Ibrahimin. Ate, nga njohja ime e drejtpërdrejtë dhe nga njohja përmes bashkëveprimtarëve në Bruksel, të cilët e kanë njohur më mirë se unë, e kam kategorizuar në atë skedarin tim si element kriminel, që merret me kontrabandë, me prostitucion me gjithçka, por veç patriotizëm e moral nuk i ka. Në fakt shtirej se ishte veprimtar e trim patriot, po i kishte vetëm si mjet për punë. Kështu gjykoja unë atëherë dhe kështu vazhdoj të mendoj, deri sa të më ofrohen prova kokëforta për të kundërtën.
Express: Po pse këto dallime kaq të mëdha. Realisht krijohet miti për një njeri i cili në diasporë ka pas krejt tjetër punë?
Ibrahim Kelmendi: Sepse këtu është lehtë të spekulosh. Unë di kopukë, që janë marrë me droga, kontrabandë, imoraltet, hajni, spiunim, që vinë në Kosovë, paguajnë gazetar fukara, financiarisht dhe profesionalisht, që punojnë në televizion ose në gazeta dhe ua bëjnë me porosi reportazhet për t’i bërë hero. Pastaj ato shkrime i manipulojnë njerëzit, meqë nuk janë të informuar. Akoma kemi njerëz të shkretë, që kanë njëfarë kulti të vjetër, se ato që pasqyron televizioni ose gazeta, duhet me qenë e vërtetë. Pastaj të tillët fillojnë të madhërojnë edhe keqbërës, fillojnë t’u thurin këngë…
Express: Por, edhe miku i juaj, Haqif Mulliqi e ka madhëruar Enver Hadrin.
Ibrahim Kelmendi: Nuk e di. Ai e paska bërë një punë në mungesë të informatave, ose mund ta ketë ndjerë si obligim moral, sepse, ndoshta, në kohën e fundit Enver Hadri ka fituar një lloj ndërgjegjësimi patriotik dhe një siguri, se mund t’ia kthen shpinën padronit. Dhe ky lloj guximi atij i kushtoi me jetë. Ne e kemi diskutuar një rast, kur ai doli të propagandonte dhe të mbledhë lekë në emër të asaj që ka merita për rezolutën e parë për Kosovën, që pat aprovuar Parlamenti Evropian. Meqë unë isha në dijeni për procesin e rezolutës që në nismë, atëherë e këshillova: “Enver je duke e rrezikuar vetën. Ti ke dëgjuar si krejt bota në lajme për rezolutën. Tjetër meritë për te nuk ke. Mos i dil zot, sepse jo të gjithë nacionalistët serbë në Evropë i ka UDB-ja e Beogradit nën kontroll dhe dikush prej tyre mendon që ti vërtet e ke atë meritë që po mundohesh ta përvetësosh. Ndonjëri prej tyre mund të hakmerret ndaj teje, prandaj rri rehat dhe mos ia sjellë vetës ujkun në torishtë, në mënyrë kaq naive. Edhe këtë punën e mbledhjes se të hollave te bashkatdhetarët, gjoja në emër të shpenzimeve që ke bërë për të korruptuar parlamentarë për të miratuar rezolutën, do të lutesha ta ndërpresësh, mos i bezdis se nuk i meriton”. Kanë qenë të paktën edhe 10 veta prezent, në klubin shqiptar “Idriz Seferi” në Bruksel, kur e kemi debatuar këtë çështje. Tash edhe Haqifi ka ndjerë obligim moral të shkruaj, por edhe unë kam ndjerë obligim moral që t`ia organizojmë varrimin, sepse nuk ka pas kush t’ia organizojë. Njerëzit e Lëvizjes i kam këshilluar që të merren me organizim sa më dinjitoz të varrimit të tij, sepse, megjithatë, m’është duk një gjest shumë i mirë e i guximshëm, që Enveri ka provuar të dalë nga shërbimi, sepse ka menduar që ishte dobësuar UDB-ja. Unë nuk druhem t`i them gjërat e përparme të tij, po kuptohet, siç i kam vlerësuar në Kohë dhe do gëzohesha, sikur të kisha prova që të bindesha se ai ka qenë gjithë jetën patriot.
Kthehu ne fillim
_____________________________________________
DYNDALLA E MENDIMEVE
Shkruan:Adem Gashi
(Ekskursion paranoik nëpër librin “Atentatet” të Ibrahim Kelmendit)
Referenca për U. Uitmenin “Uollt, ti ke mjaft brenda vetes, përse nuk e zbraz?”…
1.
Derisa lexoja dorëshkrimin “Atentatet” (ndonja 600 faqe tekst) nga pozicioni i lexuesit të parë e ndieja trysninë e lodhjes e të trishtimit, të përhumbjes e të kotësisë, të mllefit e të ngazëllimit, të vajit e të ekzaltimit. Autori kishte hedhur furtunshëm mbresat, kujtimet e përvojën e tij disa vjeçare në një radhor tekstual, pas një çerekshekulli. E pranova torturën i joshur nga tri a katër elemente që i konsiderova vlera. E para: duke qenë vetë njëri nga aktorët e këtyre ngjarjeve, merr kurajën të shkruajë pa shtihamë e krekosje: Ky është varianti im i rrëfimit dhe i së vërtetës! – thotë ai. Mistifikimi i vetëm: autori narrator vetëpersonifikohet me kryepersonazhin në veten e tretë – Miranin; E dyta: duke e bartur peshën e tragjedisë për rreth çerekshekulli, autori krijon largesën e nevojshme me aktndodhjen, pa lënë shteg ndikimi në kohën tonë nga përndezja e pasioneve, po aq sa edhe nga marrëzia e harresës; E treta: tejkalimi i vetvetes dhe i rrethanave kontekstuale duke e shpërfaqur dramën-dilemë për foshnjërinë dhe adoleshencën politike, kur njeriu brenda ditës gdhihej atdhetar e ngrysej tradhtar, ngrysej politikan e gdhihej demagog, kur trasta e kredos politike të veprimtarëve ngjante me strajcën e magjupës përzier me teorira ideologjish të skajshme politike. Nuk thashë kot në fillim ekskursion paranoid, sepse pranë mendimeve-perla të një filozofi të lashtësisë shfaqeshin broçkullat e ndonjë mistreci komunist, pranë urtisë popullore sloganet e zvjerdhura të moralit të shpëlarë, pranë dijes së orakullit fodullëku i të parit të mëhallës. Megjithatë, megjithatë… gjithë kësaj shtjelle nuk i mungonte vullneti dhe aspirata për liri.
2. Për tragjedinë shqiptare të 17 janarit të vitit 1982, kur u vranë Jusufi, Kadriu e Bardhi, unë kam lexuar tri vepra që i përkasin lëmit të letërsisë. “Baladë për vdekjen e J. G.”, tregim i Ismail Kadaresë; “Jusufi”, novelë e Zejnullah Rrahmanit dhe “Atentatet”, roman i Ibrahim Kelmendit. Tregimi i të parit ndërtohet sipas skemës së rrëfimit policor, novela e të dytit sipas predikimit mitik, biblik e simbolik, romani i të tretit sipas modelit-përvojë të Atë Zef Pllumbit “Rrno për me kallxue”. Ibrahim Kelmendin e kam takuar së pari në verën e vitit 1990, në Zvicër. Ai ka rrojtur që të rrëfejë (në fund të fundit letërsia s’është tjetër veçse një rrëfim a një vetërrëfim). Së fundi e pashë sot paradite, në mos edhe para pak çasteve këtu në këtë sallë. E kam ditur dhuntinë e tij për shkrime të tjera, po kurrë për letërsi. “Atentatet” është një roman ku brenda shtatë kaptinave përvijohet jeta dhe veprimtaria e shqiptarëve në emigracion, në dekadën e shtatë, të tetë dhe të nëntë të shekullit të kaluar. Pavarësisht nga titulli atentatet romani më së paku e trajton aktin kulmor të shkrepjes së plumbave. Krismat vijnë vetëm si jehonë e kumtit të përzishëm, si jehonë mandate. E po vepra letrare nuk është kronikë a lajm gazete. Ajo sjell atmosferën, gjendjen psikologjike e shpirtërore, vrasjen, vetëvrasjen, grackën, lëkundjen, tundimin e ndërgjegjes së njerëzve. Aty është farka ku nga shkëndijat e vogla plasin zjarret e mëdha të dramave, të tragjedive, po edhe të fitoreve të mëdha.
Në planin e gjuhës e të stilit autori nuk del më tej mëhallës së amatorive. Veçoj me këtë rast dialogun. S’di pse m’i kujton romanet e Remarkut. Kelmendi shumë më saktë e jep tablonë përmes bashkëbisedimit sesa përmes përshkrimit. Vetjet e romanit, po të flisja sipas teorisë së dramës, i përkasin personave autentikë të emigracionit, duke u shfaqur me siglat e emrave e të mbiemrave. Kelmendi është nga të rrallët autorë që ka pasur kurajën t’i shpalojë edhe marrëzitë e çoroditjet, shfytyrimin e çnatyrimin e bëmave të njerëzve, pa e kursyer as veten. Kur ta lexojmë me këtë dioptri kritike historinë tonë dhe sidomos historinë tonë politike them se kemi maturuar në planin e ideve politike e shoqërore.
3. S’ka shumë kohë që lexova një intervistë të Gabos së madh, Garsia Markezit. Kur e pyetën si ndodhi që gjatë gjithë vitit 2005 as shkroi dhe as botoi gjë, ai u përgjigj: Besoj se ju të gjithë e dini se unë, së paku më përvojën që kam, kurdo mund të ulem e të shkruaj një roman. Madje një roman shumë të mirë. Po nuk e bëj dot nga konsiderata që kam për lexuesin tim. Ai lehtë do ta hetonte se në romanin tim mungon shpirti im, qenia ime. Në dy veprat e para që zura ngoje për këtë vullkan ngjarje, në tregimin e Kadaresë dhe në novelën e Rrahmanit shkëlqen mjeshtëria shkrimore, zanati i shkrimtarit. Në romanin e Kelmendit është derdhur furtunshëm shpirti i i autorit, bashkëveprimtarit të heronjve. Zgjidhni dhe merrni!
_______________________________
PER ROMANIN ATENTATET
Shkruan:Sali Kabashi
Do të doja të prezantoja librin e ri të një pjesëtari të njohur të Mërgatës shqiptare të Evropës. Ibrahim Kelmendi nuk është kushdokushi. Ai është për rreth 30 vite aktiv në gjirin e asaj që të shumtën e kohës është quajtur Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, e cila, siç dihet sot, njihet me emrin LPK dhe është e pranishme me një deputet edhe në Parlamentin e Kosovës. Këtu nuk do të shkruaj për këtë, por për librin Atentatet dhe për autorin e tij, pasiqë në rastin konkret ata as nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Ibrahim Kelmendi edhe më parë e ka sprovuar pendën e tij në publikime e libra të tjerë. Por, kësaj radhe ai ka dalë me një libër, që në fakt është një evokim kujtimesh nga gjiri i Lëvizjes atdhetare më të përfolur e më të kontestuar, njëherit edhe më të lëvduar e më të glorifikuar. Në ballë të saj, mu në majat e saj, bile edhe ndër themeluesit e Lëvizjes, të gjithë e kanë ditur se qëndronte vetë Ibrahim Kelmendi. Lidhur me të janë thënë e stërthënë gjera tepër fantastike. Ka pas aq shumë përgojime, sa mua personalisht më brengoste dhe njëherit më mahniste këmbëngulja e tij për të heshtur. Ai heshtte pothuajse për gjithë bjeshkët e thashethemnajave. Nuk ka shumë muaj qyshse në një komunikim përmes postës elektronike i kisha shkruar se ai duhej, më në fund, të shkruante versionin e tij lidhur me atentatin e UDB-së mbi Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën. E kam ruajtur atë komunikim relativisht të shkurtër dhe nuk e kam vështirë të kujtoj se ai ende kishte mëdyshjet e tij që do ta bënte librin, do ta linte për një kohë tjetër apo do ta braktiste fare një ide të tillë. Kjo ishte përshtypja ime e asaj kohe dhe mbështetej në një gati indiferencë e tij lidhur me një libër eventual. Por një gjë e kisha të sigurt: Ibrahim Kelmendi ishte njëri ndër njohësit më të mëdhenj të realiteteve të mërgatës shqiptare. Për mendimin tim ai ishte një profesionist në politikë. Student gjerman dhe për pasojë një njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës gjermane, një orator shembullor, një njeri i hazërxhevapeve, siç thonë, Ibrahim Kelmendi më pati fascinuar mua dhe një mikun tim, shkrimtar i shquar slloven, kur të ftuar nga një asociacion për të drejta të njeriut nga Munihu (München), patëm shkuar që të shpalosnim dosjen shqiptaro-sllovene të Kosovës se vitit 1989. Miku im, më një nuhatje fantastike, më pat thënë e më vonë edhe e pat shkruar në shtypin slloven, se lider i ardhshëm i Kosovës se re paskomuniste do të ishte Ibrahim Kelmendi. Peter Bozhiç quhej shkrimtari slloven dhe si fëmijë kishte kaluar nëpër kampet naziste në Gjermani.
Nejse, kjo është ajo që më ka mbetur në kujtesë nga ajo kohë. Tashti kemi librin Atentatet. Kemi edhe autorin e tij, për të cilin thashë se e konsideroja një njeri me profesion politikani. Tash Ibrahim Kelmendi nuk është askund në politikë. Apo ai vazhdon ta bëjë politikën në mënyrën e tij tejet origjinale. Edhe libri i tij është origjinal në shumë pikëpamje. Origjinal si zhanër. Ai e quan roman, mbase për të shpëtuar nga grackat e akuzave që pas botimit të librit atij mund t’ia bëjnë njerëz që janë përmendur me emra të gjymtuar, me emra të shpifur, me emra të vërtetë. Mirani është personazhi kryesor i librit dhe nuk është vështirë të merret vesh se ai personifikon vetë autorin. Ç’deshi Ibrahim Kelmendi që të shfaqet me këtë libër vetëm tashti? Ishte një shqetësim i tij intelektual, apo një kthim kusuri të gjithë atyre që e kishin sharë e akuzuar derisa ai kryesisht heshtte? Mund të jetë dhe mund të jetë tjetra, por mund të jenë edhe të dyja bashkë. Sido që të jetë, pasi e lexova librin, edhe unë kam nxjerrë konkluzionet e mia:
E para, libri i tij e pasuron atë që ne e quajmë literaturë e Diasporës shqiptare, e cila dita ditës po bëhet më e begatshme dhe pasuruese e letërsisë dhe publicistikës sonë kombëtare.
E dyta, libri Atentatet do të çojë shumë pluhur dhe do të nxisë edhe të tjerë veprimtarë në Diasporën tonë që të shkruajnë memoaret e tyre. Bile kjo do ta inkurajojë më shumë edhe vetë Kelmendin që të shkruaj edhe libra të tjerë. Sepse, nëse përpara është thënë se fjala nxjerrë fjalën, tash mund të thuhet, sidomos në rast si ky, se libri nxjerr librin, tëndin apo të tjetrit që do ta kundërshtojë librin tënd.
E treta, libri Atentatet, në të vërtetë është një kundërgoditje e fuqishme për gjithë ato që unë i quajta fabrikues të atyre bjeshkëve të mëdha të shpifjeve e të thashethemeve.
E katërta, përmes romanit të tij politik dhe memoaristik, Ibrahim Kelmendi ka sfiduar edhe ata që ende janë të fuqishëm dhe që janë gjallë, por që kanë qenë, për faqen e zezë të tyre, shërbëtorë të UDB-së famëkeqe, e cila ka veshur në të zeza shumë motra e nëna. Po të zhvishej nga ai petk i hollë i literaturës së mirëfilltë, anarkisti Ibrahim, siç e kanë quajtur të tjerët dhe që, siç duket, i pëlqen ta quajnë, përmes kësaj vepre u ka hapur shtegun zbulimit të shtisëve e dorasëve mbi vëllezërit Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Libri ka sfiduar rëndë spekulantë të ndryshëm që akuzonin pa fije turpi njerëz të pafaj për gjoja vrasjen e tre heronjve të Kosovës. Po të kishim të ndërtuara struktura drejtësie, siç ka në vende evropiane, prokurorët, qysh në ditën e daljes së librit në treg, do t’i priste një punë e ngutshme.
Dhe e pesta, libri edhepse voluminoz, lexohet me një frymë. Libri ka ritmin e tij që të rrëmben dhe të bën të jesh ngjitur me te deri në faqet e fundit, kur në kopertinë qëndrojnë vlerësimet e Prend Buzhalës e të Adem Gashit. Ky i fundit në parafjalën e tij ka lënë të shkruar: “Ky shkrim s’është gjë tjetër veçse një akt dëshmimi i autorit, blatuar hyjneshës se tij, të vetmes dhe të tërëkohshmes.” Prend Buzhala, ndërkaq, flet për Rrëfimtarin autorial dhe për librin që lexohet si dorëshkrim letrar.
Vetë autori e ka parë të udhës që në fund të sqarojë (citoj): “Ngjarjet e romanit janë fragmente të jetës dhe veprimtarisë në ekzil, gjatë viteve 1979-1982, të personaliteteve tashmë historike, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla dhe të bashkëveprimtarëve e të kundërshtarëve të tyre. Ato janë pasqyruar ashtu siç i kam përjetuar dhe siç i kam mbajtur mend, pa pretendime për të qenë të vërteta historike. Mendimet dhe vlerësimet janë të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet.”
Krejt në fund edhe ky element i rëndësishëm për raste të këtilla: Libri është botuar nga Focus, është botuar gjatë janarit dhe fillimshkurtit nga shtypshkronja Blini në Gjakovë. Kopertinën e ka punuar Ngadhnim Memhmeti në Shkup, ndërsa për faqosje autori nuk ka paguar asgjë, sepse e ka bërë vetë. As shtypi nuk i ka kushtuar gjë, sepse brendësinë e ka financuar Focusi, kurse kopertinën Ngadhnjim Mehmeti. Deri në dalje të librit autori është ndihmuar me mbi 3.000 euro nga individë të ndryshëm. Pra, mund të kenë ardhur ende në adresën e tij, sepse ai aty ka të shënuar edhe dy konto bankare. Është shënuar se libri është botuar në 3.000 ekzemplarë dhe është paralajmëruar se do të ketë edhe një ribotim. Nga kjo pikë Ibrahim Kelmendi del krejtësisht dhe plotësisht i suksesshëm, sepse në epokën paskomuniste librat nuk botohen më në tirazhe kaq monumentale. Ndërsa polemikat për librin, pa ftohur mirë ai nga rotativat, kanë filluar me bujë. Ne diasporikët, kësodore, do të fusim bashkëkombësit tanë në Atdhe që t’i flugën leximit dhe t’i shkëpusim nga limonadat serike latino-amerikane.
(Revista REPUBLIKA, nr. 3, 2007)
_______________________________
Dëshmitari dhe krijuesi i historisë
Roje e vetëdijes kombëtare dhe e së vërtetës
Shkruan: Sadri Ramabaja:
(Dy fjalë për romanin ATENTATET, autor Ibrahim Kelmendi, botues Fokusi, Prishtinë 2007)
Në këtë fjalë rasti për romanin e veçantë ATENTATET, të autorit poashtu për shumëçka të veçantë, Ibrahim Kelmendi, duke pas parasysh se të tjerët mund të ndalen dhe ta kundrojnë atë nga aspekti thjesht letrar, dua të nënvizojë pikërëndesat dhe ndërlidhjet që reflekton poetika e romanit në bashkëjetesën e natyrshme të artit me politikën.
Në letërsinë shqipe bashkjetesa e artit me politikën ka pas që në zanafillën e saj edhe mision historik: zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe krijimn e shtetit shqiptar. Ndërkaq si vazhdim i kësaj tradite pozitive në letërsinë shqipe, autori i romanit ATENTATET, i ka vënë vetës për detyrë parasëgjithash mbrojtjen e së vërtetës dhe vetëm të vërtetës. Krahas kësaj përmes përmbysjes së hierarkisë së ideolatrisë utopiste, ai prajshëm, por pa atë modestinë që e karakterizon në jetë, ndjek hullinë e Brehtit të madh, duke u shndrruar plotësisht në një shkrimtar të angazhuar në kuptimin e mirëfilltë dhe më pozitiv të mundëshëm të kësaj fjale.
Heronjtë kryesor të romanit triller ATENTATET: Mirani, prapa të cilit, e qartë, është vet autori, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, do të hyjnë kështu në galerinë e personazheve – roje të vetëdijes kombëtare.
Ndërkaq kryeheroi i biografisë së romanizuar – Mirani, mund të shikohet si model i bashkëjetesës dhe përplotësimit reciprok të narratorit si personazh letrar dhe autorit të romanit i njohur parasëgjithash si veprimtar politik.
Përzgjedhja e këtij zhanri të letërsisë për t’ ju qasur epokës së ilegales shqiptare, duke pasur përherë si motiv qenësor intencën kombëtare të veprimtarëve të saj, i ka dhuruar letërsisë sonë një model të veçantë të heroit- Miranin – që si busull orjentuese në jetën e tij, si personalitet i kompletuar, ka intencën kombëtare, njerëzoren dhe të vërtetën. Intenca kombëtare me kalimin e kohës i bëhet pikë referuese, standart për të gjykuar për çdo hap në jetë edhe në kohën kur ai fillon studimet në Filozofi dhe gjermanistikë, zgjidhet si student aktiv në Kryesi të organizatës së Studentëve të Universitetit të Bohumit, kur fillon botimin e Bashkimit, shtron platformën politike të Frontit të Kuq, kur bashk me Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën diskutojnë rreth Tezave e Frontit, që më vonë do të shndrrohen në Platformë politike të Lëvizjes për Republikën e Kosovës etj. Ai për asnjë qast, si intelektual i kompletuar nuk lejon që të shndrrohet në farë idealisti utopist. Shi për këtë me kohë mendon diferencueshëm, nuk e identifikon socializmin teorik me pseudosocializmin e shteteve pseudosocialiste, gjegjësisht me sistemin diktatorial monist.
Duke pas parasysh rrethanat në të cilat vepronin Mirani, Jusufi, Kadriu, Bardhi etj., duke njohur brumin përmes të cilit mëton ta bëjë bukën – armatën e emigracionit tonë gjysmëanalfabet etj. puna e tyrej prej titani del edhe më në pah, meqë ata i kishin shtruar vetes detyrën fisnike prej revolucionari dhe edukatori: të ndikojë te këta njerëz dhe në krejt procesin historik duke ndikuar në vetëdijsimin e tyre, që do të rezultojë me luftën për çlirimin e pjesëve të pushtuara të atdheut.
Këtë punë Mirani e bënë me përkushtim, me këmbënguljen tipike të revolucionarëve dhe si busullë ditore ka interesin kombëtar.
Ndërkaq ai nuk lodhej fort se çfarë mendonte për të dhe bashkëpunëtorët e tij “ajka” e reaksionit të ashtuquajtur djathtist që nuk e kishin për turp të krenohen edhe për aktet makabre siç ishte rasti i Muharrem Bajraktarit në vrasjen e Bajram Currit. Kjo shtresë e llumit historik me atë të ashtuquajturin patriotizëm të tyre arkaik, ishin shndrruar në mumje neveriitëse edhe për fëmijët e tyre, shumica e të cilëve tashmë nuk flisnin shqip.siç do të shpreht në një rast një bijë e Malësisë së Gjakovës, studjuese e shkencave politike, që e takon krejt rastësisht në relacionin Bruksel-Nju Jork.
Romanin ATENTATET kam prirje ta shikoj si një vepër letrare që ka një mison tjetër jashtëletrar – të dëshmojë për të vërtetën rreth atentatit fizik dhe atentateve tjerë politik etj. që iu bë Jusufit, Kadriut e Bardhit më 17 janar 1982 dhe Lëvizjes si tërësi deri në qershor të vitit 1999.
“UDB-ja, shprehet në një rast Mirani, personazhi kryesor i romanit, nuk e ka pasur për synim vetëm vetëm mënjanimin fizik të Jusufit, Kadriut e Bardhit, sepse atë mund ta bënte edhe më heret. Ajo ka përgaditur terrenin që, pas atentateve fizike ndaj shokëve, të bëjë atentate të njëpasnjëshme ndaj lëvizjes sonë patriotike”.
Duke qenë pjesë e kësaj Lëvizje dhe mik i autorit për më se 20 vjet rresht, pra edhe njohës i shpirtit të tij krijues, mund të shpreh bindjen këtu dhe në këtë rast se romani që do ta pasojë këtë, si temë bosht do ta ketë të ashtuquajturën alternativë politike të ngritur në Kosovëë në vitet e 90-ta dhe pjesë të tëra të saj që shërbyen si mekanizëm i UDB-së për shpërlarjen e trurit të një populli të tërë, duke e bindur atë për pamundësinë për t`përballuar luftën me Serbinë. Nëse autori nuk do taë arrijë ta bëjë këtë për një arsye apo tjetër, sigurisht romani ATENTATET, do të shërbejë si model i mirë për ndonjë autorë tjetër nga kjo lagje e kriptoelitës sonë që tashmë po del në shesh.
Po të mos ndodhte atentati i 17 janarit 1982 dhe atentatet politike që pasuan brenda Lëvizjes dhe më pas edhe brenda UÇK-së, sigurisht se Kosova dhe shqiptarët në tërësi sot do të ishin subjekt dhe faktor i dinjitetshëm i familjes së popujve në Evropë, pa qenë të shtrënguar të përgaditen të jetojnë edhe më të ndarë dhe me tutorë mbi kokë.
Romani ATENTATET natyrshëm më ngjet se do të jetë si një ledh mbrojtës përball demistifikuesve të strategjisë kombëtare në letrat shqipe dhe gjetkë. Autori i tij, meqë i takon kripto elitës kombëtare tërësisht të pakontrollueshme, që përmbysi shumë plane të superstrukturave elitare intelektuale dhe ushtarake, duke krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që do ti hapte rrugë çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe… natyrshëm, duke u identifikuar plotësisht me Miranin si narrator, para lexuesit të gjerë na prezantohet jo vetëm si dëshmitar i historisë, po edhe si krijues i saj.
_______________________________________
PROMOVIM – IBRAHIM KELMENDI: “ATENTATET”,
Shkruan: Prend Buzhala:
(Roman, botues FOCUS, Prishtinë 2007)
Kur merr fund leximi i romanit “Atentatet” të Ibrahim Kelmendit, tek iu bëhet homazh përjetësisë së tri personaliteteve historike, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, në trevjetorin e rënies, lexuesi e ndien se nuk është në gjendje të dalë nga gjeratoret e misterit të krimit politik; të dalë nga humnerat e enigmave dhe të intrigave të rretheve nga më të ndryshmet, qofshin ato politike, të organizatave e lëvizjeve atdhetare, familjare a të interesave nga më meskinet; nga skenarë të fshehtë shtetërorë a të shërbimeve sekrete ndërshtetërore e ndërkombëtare që thuren pafundësisht; nga ngritje, hapje e përmbysje çështjesh e faktesh të ditura e të paditura; nga të provuarit e një morie përjetimesh që të tronditin; nga zbulime të vrullshme, nga pak të rrëmbyeshme e dehëse. I del parasysh panorama e gjerë epike e romanit, në të cilin parakalojnë personazhe të mërgatës shqiptare të të gjitha ngjyrave, me huqet e karaktereve që kanë, parakalojnë revolucionarë, politikanë kafenesh, pseudonacionalistë të shitur për një femër serbe, mashtrues e qelepirxhinj të ndryshëm, bixhozxhinj të shitur si politikanë e atdhetarë, janë njerëz të thjeshtë të emigracionit ekonomik, ende të shtypur nga mendësia e skllavit, vijnë ambasadorë, diplomatë, komunistë e pseudo-ideologji të të gjitha tarafeve, spiunë, intelektualë, gazetarë, nëpunës policie, parakalojnë ngjarje, qytete e shtete të Evropës perëndimore. Parakalojnë demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë nëpër qytetet gjermane e zvicerane, në Bruksel e SHBA, janë ecejeaket e pafund të atdhetarëve për drejtësi kombëtare nëpër zyra shtetesh, kancelarish ndërkombëtare a media botërore.
Kurse receptuesi i veprës, mandej, ka nevojë për një këndellje: e këtë mundësi ia krijon vetë autori me ndërthurjet e pleksjet e strukturës kompozicionale që e lë të hapur. Bartës i rrëfimit është Mirani, ndryshe një personazh ideografik i veprës (sikundër e ka përkufizuar këtë formalizim të ligjërimit që më 1879 logjicienti Gottlob Frege). Së këndejmi, autori ka arritur t`i bëjë një Artin e Jetës dhe Artin e Fjalës, t`i shquajë pistat, të përafërta e të përkundërta, të Idealistit dhe Revolucionarit, të Krijuesit dhe kronikanit letrar kundruall psedudove të shumtë, qofshin ata të stolisur me emra të bukur, si atdhetarë, revolucionarë, idealistë apo me emra të preferuar të kohës, si marksistë-leninistë, komunistë etj etj. I quajtur tashmë roman-thriler, vepra “Atentatet” e Ibrahim Kelmendit, megjithatë, ka shumë përbërës: veprimtaria e organizuar atdhetare dhe përpjekjet për bashkim të mërgatës politike shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, si dhe rrethanat, si shprehet autori, para e pas atentatit ndaj tre personaliteteve tashmë historike, Jusuf Gërtvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës; një rrëfim autobiografik i pikëzuar përgjatë gjithë veprës, ashtu sikundër e afishon këtë edhe autori “fragmente të jetës dhe veprimtarisë në ekzil gjatë viteve 1979 – 1982”, një relatë dashurie, takimesh, bashkëpunimi e debatesh me Renatën, studente gjermane. Sado që modeli diskurziv i kësaj vepre i përket autofikcionit a romanit autobiografik, tek lexohet si roman personal, a si publicistikë intime letrare, megjithatë, në kontekstin e përtashëm sociokulturor e historik, ai përpiqet ta mbajë distancën objektive me realitetin e viteve ’80. Vetë epizmi romanor e përcakton këtë distancë me kohët e me njerëzit, ashtu sikundër e përcakton edhe motivacioni i personazheve me karakterologjinë e tyre.
Zhvillimin fabular të ngjarjeve shkrimtari e “defabulizon” përmes shtatë kapitujve: në kapitullin e parë romani hapet me festën e krishtlindjes, me panoramën epike të lëvizjeve atdhetare jashtë me bartësit e tyre dhe me arratisjen e Jusufit nga Kosova e pushtuar; në të dytin jepen pjesë autobiografike të personazhit të Miranit, nëpërmes trajtës së esesë e të kronikës letrare, në të tretin çmaskimi e shpërbërja e grupit pseudoatdhetar të personazhit të Rezilit, një dorë e zgjatur e shërbimit sekret jugosllav; në të katërtin jepet gjendja politike e mërgatës dhe ajo në Kosovë në prag të shpërthimit të demonstratave, si dhe përplasjet dramatike të mërgatës politike për t’u bashkuar; në pestin ndodh arrestimi tragjik i njërit ndër personazhet kryesore të veprës, Vasilit, jehona e demonstratave shqiptare në Kosovë, organizimi i tyre në mërgim, hartimi i tezave për bashkim politik; në të gjashtin kulmi arrin me vrasjen e tre personaliteteve në çastin kur po arrihej ideali i atdhetarizmit shqiptar për bashkim të organizatave të tyre politike dhe në të shtatin gjendja pas këtyre atentateve. Vepra është konceptuar sipas strukturës së romanit kriminalistik: meqenëse lexuesi di për vrasjen e tri figurave të shquara atdhetare, po ashtu ky receptues i letrave shqipe di se vrasja është e mbështjellë me një mister, kurse këtu, personazhi i veprës, Mirani, më shumë gjendet në rolin e zbërthimit të kësaj enigme, i cili bën punë të palodhur jo vetëm në çmaskimin e personave të infiltruar të armikut në radhët e mërgatës atdhetare, po edhe në çmaskimin e pseudove e të karaktereve të dyshimtë e joqëllimimirë, jorevolucionarë, që kishin ardhur aty jo për qëllime çlirimtare, po për qëllime të tjera. Autori përqendrohet në përshkrimin e aktorëve e të atyre rrethanave, të mbështjella ende me mjegulla të pleksura e me kundërthënie, me pohime hamendëse, për të ringjallë interesime për intriga të shoshitura e të bëra sipas një skenari politik. Shumë ndër këta aktantë që ende janë gjallë, autori i përmend e i pikëzon me emrat e mbiemrat e tyre të vërtetë. E, mbi të gjitha, aty përcillen mesazhe atdhetarie e humanizmi. Në poetikën e ndërthurjes shumështresore, autori na detyron që në tryezën e leximit të na vijnë nocionet teorike-letrare post/moderne si eseja biokritike, hibridizimi i zhanreve, biografia letrare, autobiografia, memoari, biografia e romanizuar, trajta letrare e kronikës, bioletra, epistola etj etj e që po i përkufizojmë me nocionin bioproza. Sa do që “Atentatet” është dëshmi dokumentare për dramën shqiptare të këtyre anëve në shtegtimet e lirisë, që nga viti 1979 e deri më 1982, për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën; sa do që lënda e pasur dokumentare e librit është paraqitje dokumentare e fatit të njerëzve; sa do që autori është rrëfimtar i jetës së përditshme; sa do që ai gërsheton elemente të reportazhit e të romanit, të letrës e të kronikës publicistike me strukturën tekstore të udhëpërshkrimit dhe, më në fund, rrëfimin në veten e tretë me dialogun sokratik-platonian – kudo është i pranishëm Rrëfimtari Autorial që unifikohet me Unë-in e personazheve tjerë autentikë: si modalitet i veçantë i së vërtetës. Është jeta ajo që e ka përgatitur shkrimin e veprës, do të thoshim: krijimin e rrëfimit. Mandej lexohen linjat narrative art-jetë, fikcion-realitet.
“Atentatet”, në radhë të parë do lexuar si vepër letrare, si roman, meqë të tillë e ka përkufizuar edhe vetë autori. Kjo do të thotë se edhe ky roman kuintesencë estetike të veten e ka imagjinatën letrare, fikcionin autorial. Është thënë shpesh se s’ ka letërsi pa imagjinatë letrare, e cila thuret e endëzohet mbi të vërtetat e një kohe, mbi veçoritë thelbësore të jetës, mbi tiparet individuale të personave të veçantë, mbi universin e paanë të jetës, të kohës, të historisë e të ambienteve. Romani t’i jep ato mundësi që nuk t’i jep, bie fjala, një libër dokumentar, i mbështetur e i thurur mbi dëshminë, mbi faktin dhe mbi të vërtetën. Dhe sa e sa herë lexuesit e kanë shtruar pyetjen: a na e mëson të vërtetën imagjinata letrare? Bioproza e Ibrahim Kelmendit përbën një thurje shumështresore dhe të ndjeshme, përbën një modalitet të veçantë të së vërtetës; sado që, në pamje të parë, të lë përshtypjen e një rrëfimi të thjeshtë. Aq sa të duket se po lexon një bioroman, po aq futesh në shtigjet e romanit kriminalistik. Ndryshe, shumështresimi romanor hap shtigje të shumta pajtimi a mospajtimi po edhe mundësi të shumta për lexim.
Prishtinë 5 shkurt 2007
___________________________________
“Atentatet” – sjell kujtimin për vrasjen tragjike të 17 janarit ‘82
Shkruan: Avni Dahari
“Nëse dorasit janë shqiptarë, mos u zbulofshin kurrë!” – amaneti i Jusuf Gërvallës me të cilin i shpallet luftë përçarjes dhe vëllavrasjes.
Me rastin e 25 vjetorit të rënies së tre dëshmorëve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla shtëpia botuese “Focus” në Prishtinës e botoi romanin “Atentatet” të autorit Ibrahim Kelmendi.
Romani trajton për temë veprimtarinë patriotike të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Ibrahim Kelmendit dhe bashkëveprimtarëve të tyre në mërgim, kryesisht në Gjermani dhe në Zvicër. Gama e veprimtarisë së tyre me theks çlirimtar shtrihet edhe në disa shtete të Evropës dhe të kontinenteve të tjera. Tema që shtjellohet në këtë roman, ka për bazë synimin dhe përpjekjet çlirimtare të popullit tonë të pushtuar nën Jugosllavi, i cili në mars dhe prill të vitit 1981 u ngrit në demonstrata gjithëpopullore për liri dhe barazi me popujt e tjerë në këtë shtet.
Romani “Atentatet” është shkruar nga një autor, i cili një kohë të gjatë ka vepruar me tre dëshmorët, të cilët të përndjekur për shkak të veprimtarisë patriotike në Kosovë, detyrohen të gjejnë strehim, Kadriu në Zvicër, ndërsa Jusufi e Bardhoshi në Gjermani, ku do të kryhet atentati në natën e kobshme të natës së 17 janarit të vitit 1982. Si bashkëveprimtar i tyre Ibrahim Kelmendi ka sjellë brumë të mjaftueshëm për t’u njohur me përpjekjet dhe veprimtarinë organizative për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, bashkë me kryeprotagonistin, autorin, që në roman mban emrin Mirani, janë veprimtarë të rinj. Ata janë të pajisur me dëshirën më sublime, përkushtimin për punë dhe gatishmërinë për sakrificë deri në vetëflijim. Edhe pse kishin thithur njohuri teorike nga librat e shumtë për luftërat çlirimtare dhe revolucionet që kishin lexuar e që po lexonin, atyre u mungonin përvoja dhe shumë njohuri të artit të luftës. Të vetëdijshëm për këto mangësi ata do t’i vënë vetes për obligim që me njohuri të tilla teorike e praktike të pajisen krahas ushtrimit të veprimtarisë organizative me mërgimtarët.
Të katër bashkëveprimtarët janë më se të vetëdijshëm se bashkimi i organizatave OMLK, LNÇKVSHJ dhe Froniti i Kuq Popullor që përfaqësoheshin me organet “Liria”, “Lajmëtari i lirisë”dhe “Bashkimi” ishte më se i domosdoshëm. Ata do t’i hyjnë punës së palodhshme për bashkimin e këtyre organizatave në organizatën Lëvizja/ Fronti për Republikën e Kosovës, e cila do ta marrë përsipër organizimin e veprimtarisë patriotike në mërgim dhe në trojet tona nën Jugosllavi. Gjatë realizimit të këtij qëllimi tepër fisnik ata do të hasin në vështirësi të ndryshme dhe të shumta. Numri i vogël i përkrahësve nga radhët e mërgimtarëve ekonomikë, që në roman përfaqësohen në mënyrë tipike nga Hysni G. Vasili, Maksi, Rexhep Halimi, Hakani e ndonjë tjetër, edhe pse të përkushtuar deri në sakrificë, do të jetë mbështetje e pamjaftueshme për t’u bërë ballë sfidave të shumta. Kundër tyre ishin angazhuar pseudopatriotët, naivët, demagogët, udbashët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët duke u futur nëpër klube dhe organizimet politike manipulonin me mërgimtarët tanë ekonomikë që, si pasojë e robërisë, kishin nivel shumë të ulët arsimor. Me mashtrime, kërcënime, frikësime, shantazhime, me marrjen e pasaportave, torturave fizike dhe me burgosje (kur mërgimtarët ktheheshin në atdhe), ata i përçanin këta hallexhinj dhe ushtronin presion mbi ta që jo vetëm të distancoheshin nga veprimtaria patriotike që zhvillohej në vend dhe në mërgim, por edhe ta dënonin e ta luftonin atë.
Shumica e personazheve në këtë roman ose janë bashkëpunëtorë të autori dhe dëshmorëve ose kundërshtarë të tyre. Një pjesë e emrave të tyre janë të vërtetë, ndërsa të tjerët edhe pse të sajuar shumë lehtë mund të identifikohen me bartësit e tyre. Në figurën e Jusuf Gërvallës gërshetohen tiparet e një atdhetari me edukatë tradicionale kombëtare dhe të një intelektuali me një diapazon të gjerë kulturor që vihet me tërë qenien për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Amaneti i tij “Të mos jua dëgjojë kush vajin, sepse e kemi krenari të flijohemi për Kosovën!” – që në çastet e fundit ia thotë bashkëshortes, janë fjalët më të spikatura që flasin për përkushtimin e vetëdijshëm të tre dëshmorëve deri në flijim. Kadri Zeka, që po ashtu është personazh kryesor në këtë roman, krejt kapitalin e tij patriotik dhe të gjitha aftësitë dhe njohuritë revolucionare i shkrin po për këtë ideal. Në roman shquhet edhe figura e Nënëmadhes Ajshes, nënës së vëllezërve Gërvalla, e cila pas atentatit nuk pranon t’i shihte djemtë e vetë të vrarë, para se t’i fliste Kadriut, të cilin e quan djalë. Ajo do t’i bëhet nënë edhe Miranit, të cilin nuk e ndan nga Kadriu, Jusufi, e Bardhi. I tillë është edhe Babai i Kadri Zekës, i cili duke e pasur parasysh se në mesin e atyre që vinin për ngushëllime, kishte bashkëpunëtorë të UDBsë, ndër të tjera thoshte: “Nuk më njihnin as në katundin fqinjë. Kur ndodhi kjo vrasje u bëra i njohur. Me mijëra erdhën për ngushëllime dy ditët e para sa isha atje. Po ta kisha ditur se kështu do të afirmohesha, do ta kisha vrarë vetë djalin tim dhe do t’ia kisha lënë fajin UDBsë.” Me përshkrime të gjalla na paraqiten Drita bashkëshortja e Jusufit, Saranda bashkëshortja e Kadriut, fëmijët e Jusufit që një dhomë në shtëpinë e tyre e quanin dhoma e xhaxhit Miran. “Shyqyr që na shpëtove ti, xhaxhi Miran!” – janë fjalët e vajzës së Jusufit, Dardanës së vogël, që shprehin afërsinë dhe besimin për njeriun që e çmonin si anëtar të familjes dhe luftëtar të çështjes kombëtare.
Mirani Ibrahim Kelmendi, njeri praktik, që për veprimtarinë e mëtejme mbështetet fort në Jusufin e Kadriun, mallkon veten që nuk kishte qëlluar të vritej në natën e kobshme të 17 janarit. Bashkë me brengën e madhe në shpirt, ai, tani, pa shokët e idealit, duhej të luftonte kundër UDB-së e cila në bashkëpunim me Rezilët, Qerosët e Xhahilët dhe shërbimet e fshehta gjermane dhe të shteteve të tjera, sabotuan, minuan e kryen atentatin. Dorasit duke i vrarë tre bashkëluftëtarët e tij bënë atentat shpirtëror edhe mbi Miranin, mbi familjen Gërvalla, mbi familjen Zeka, mbi shumë bashkëveprimtarë të tjerë dhe mbi tërë Lëvizjen, e cila do ta marrë të mbarën falë përkushtimit dhe sakrificës së pasuesve të mirëfilltët që do ta ndjekin shembullin e të rënëve më 17 janar në Gjermani.
(Botuar në gazetën javore “Focus”, më 02.03.2007)
LIBRI “ ATENTATET” I IBRAHIM KELMENDIT
Shkruan:Rasim Selmanaj
Botimi i gazetës FOCUS, ma ka ushqyer, pashmangshëm “mallin e stampes” – siç do të thoshte Buzuku mendjendritur. Prirë nga kjo ndjenjë, kam publikuar një dyzinë librash të zhanreve të ndryshme letrare. Midis këtij korpusi, ja edhe kjo e sotmja, “Atentatet” e Ibrahim Kelmendit.
Raportet e mia me këtë libër dhe me këtë autor, nuk janë raporte të rëndomta të botuesit me autorin, dhe as të interesit. Është jehona e ngjarjes së madhe të para-çerekshekullit që vjen në jehonën e kohës duke më ndjekur gjithandej, vijave që formojnë biografinë time: në shkollë, në punë, në luftë, në burg, në liri e në paqe. Në këtë përthyerje vijash, jeta ime ndahet përgjysmë: para atentatit dhe pas atentatit. Çuditërisht, në këtë të dytën, zë fill misteri si një lum nëntokësor që herë shfaqet, e herë humbet, duke lënë sheshit vetëm ca shenja e kode si pika orientimi brenda një hapësire të pacaktuar.
Deri tashti, për këtë tragjedi janë dhënë qindra lajme e kumtesa me variante e nënvariante, me siglën sekret, top-sekret, rezervat etj. Mendja më thoshte dhe më thotë se çdo kumtesë “zyrtare” shtetërore është më çoroditëse se rrëfimi më i trilluar i krijuesit, sado e mëvetësishme dhe subjektive qoftë ajo.
Shpalimin e këtij libri doja ta bëja mu në përvjetorin e rënies së heronjve, më 17 janar, në Deçan, por qenë defektet e makinave të shtypshkronjave, mungesa e dritave, korrentit që e bënë vonesën. Tani jemi këtu, sonte. Defektet e makinave i kuptojmë dhe i lëmë me një anë! Por nuk i kuptojmë dhe nuk i lëmë siç nuk na lënë të qetë defektet e ndërgjegjes sonë. Ndaj, që ato të mos ndodhin, që ato të mos përsëriten, që mbretëria e territ të mos kthehet në mendjet tona, po i japim dorë fillimit të shpalimit të enigmës.
Kurdo qoftë është më i pranueshëm një sherr që duket, sesa një lajkë erëkëndshme, e padukshme. Për aq sa është në dorën time, unë do të vazhdoj t’i shpalos “sherret” edhe me botime të tjera.
Prishtinë, 05 mars 2007
Kthehu ne fillim
_______________________________________________
Flet veprimtari dhe publicisti Ibrahim Kelmendi
SI U NJOHA ME JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËN DHE KADRI ZEKËN
Bisedën e zhvilloi: Adem GASHI
Prishtinë, 7 janar – Këtyre ditëve e netëve të dimrit surrogat, më rastisi ta takoja njeriun, për të cilin kisha dëgjuar të flitej qëkur, por e kisha njohur më vonë, në verën e vitit 1990, në një qytet të Zvicrës. Ibrahim Kelmendi më vinte kështu me dy portrete: me atë që ia bënin të tjerët (një figurë që lëvizte ndërmjet Trockit dhe Bakuninit/anarkistit) dhe me pamjen e vet të natyrshme (të njeriut që ishte i gatshëm të të ofronte shërbim pa u hamendur, sidomos për punët që lidheshin me kauzën e atdheut e të lirisë), por që asnjëherë nuk e shfaqte autoportretin, nuk e shpalonte CV-në e vet, siç po thuhet tashti. S’i kam shpëtuar as vetë tundimit dhe dilemës: Është modesti e këtij njeriu, apo zonat e errëta janë terrene që e joshin për mistifikim!? Sidoqoftë, në të gjitha variantet, portreti i tij, në profil, shfaqet me një vurratë.
të marrë hak për Babën tim
Ibrahim Kelmendi
__________________
Kelemendi: Këtë e kam dhuratë nga Zoti, do thoshin besimtarët, që janë të prirur ta ngarkojnë Atë padrejtësisht. Saktësisht duhet ta kem nga gjallëria dhe kureshtja. Në moshën fëmijërore prej shtatëmbëdhjetë muajsh, duhet t’më ketë bërë përshtypje oxhaku i madh i familjes sonë të madhe, gjegjësisht zjarri i madh në atë oxhak dhe kazani gjithashtu i madh, i mbushur me fi dhe i varur për të zier rrobat që do i lante Nëna. Në atë zjarr tërheqës jam futur dhe jam bërë grill, gjegjësisht hell. Ka qenë dhjetori i dimrit të rëndë të vitit 1956. Babën atë ditë e kishin lidhur për kumbulle në oborrin e stacionit të policisë në Kliçinë. Pas dyzetë e një viteve, kur Adrian Krasniqi, vëllai im, Qerimi, bashkë me bashkëluftëtarë, e sulmuan këtë stacion famëkeq, m’u bë sikur e sulmuan për të marrë hak për Babën tim, për shumë baballarë dhe për mua, pasi ditën e djegies sime, duhet të më ketë munguar Baba, që të më dërgonte menjëherë në spital.
Jusufi, Kadri e Bardhoshi
________________________________
Mos doni të më thoni se edhe adoleshenca juaj i nënshtrohet trysnisë së pushtetit të pushtuesit?
Kelemendi: Me tepri, do thosha. Baba shpesh rrëfente për angazhimet e tij kundër pushtuesit dhe vuajtjet e tij po nga pushtuesit, pas ripushtimit të Kosovës. Rrëfimin e fillonte nga i pari i tij në Vuthaj të Gucisë, kur pushtuesit malazez e kishin ther, bashkë me 300 burra të përzgjedhur të fshatit. Barbare në atë rrëfim ishte, se 300 burrat i kanë lidhur dorë për dorë, i kanë detyruar t’i hapin varret e tyre, i kanë ther me singia, i kanë hedhur në varre, i kanë mbuluar me dhe pa ju dalë shpirti. Në vitet e 50-ta e 60-ta përndiqej djali i axhës, Imeri, i vetmi në rrethinën tonë që studionte historinë. Në fëmijëri atë e kisha si idol. Që në klasën e parë të shkollës së mesme të mësuesisë në Pejë, si 14-vjeçar, më rastisi të ballafaqohem me peripeci, për shkak të rolit tim spontan në demonstratën e 28 nëntorit të ’68-tës, që u nis në oborrin e kësaj shkolle. Më 1972 më rastisë të më arrestojnë në Rahovec, duke qenë në vitin e 4-tërt të Gjimnazit të atyshëm.
Kelemendi: Tri vite isha studentë në Prishtinë, dega e fizikës. Qysh në vitin e parë u gjeta në rreth të mirë të shokëve, meqë isha ilegal (banues jo legjitim) në dhomën nr. 5, të konviktit nr. 1, ku legalisht banonin vëllai Zeneli dhe kolegu i tij, Tahir Reci, absolventë të juridikut. Ata i kishim si kujdestarë të rreptë për ngritjen tonë intelektuale. Edhe Fetah Kajtazi ishte cimer, ilegal si unë. Kishim shumë shokë dhe vazhdimisht diskutonim, si të organizohemi dhe çfarë mund të bënim. Jusuf Bruçaj na “indoktrinonte” pa pra, por vdiq nga rrjedhojat e burgut. Atëherë bënim gjëra të vogla, për të cilat në vitin 1976 m’u desh të arratisem. Veprimtaria e fshehtë e Grupit Revolucionar, veprimet e të cilit patën jehonë, na dhanë forcë morale dhe na provokuan që edhe rrethi ynë i shokëve të angazhohej, deri sa të gjenim kontakt me atë Grup, por nuk e gjetëm.
Kelemendi: Në Gjermani në vitin 1977 regjistrova gjermanistikën dhe filozofinë, në Ruhr-Universitet në Bochum. Sapo gjeta veten, fillova të botoj ndonjë trakt të thjeshtë, që ua shpërndaja emigrantëve tanë, që mezi dinin t’i lexonin. Pastaj avancova në botim të një pamfletit, që e pata titulluar: “Rron or rron, dhe nuk vdes shqiptari” dhe në botim të një si gazete, me emër “Bashkimi”, Organ i Frontit të Kuq Popullor. Këtë e themeluam në vitin 1978. Ishte faza e revolucionaritetit adoloshent, në kuptimin ideo-politik e organizativ. Por, vështirësia ishte se nuk kisha shokë, me të cilët do organizonim veprimtarinë botuese, emigrantët tanë ekonomikë ishin gjysmanalfabetë dhe njëherësh frikësoheshin për t’u angazhuar.
Kelemendi: Fillimisht fare pak, asgjë konkrete, pothuajse vetëm nga disa bisedime me përmbajtje të një patriotizmi romantik. Djali i axhës, Imeri, i cili përndiqej e survejohej si i dyshuar për veprimtari ilegale, nuk na fliste konkretisht. Te ne, në kullën tonë të famshme, vinin personalitete, si Ramadan Shala, Murteza Nura, Nezir Gashi dhe të tjerë. Prania e tyre në odën e miqve na bënte krenarë. Më pastaj, gjatë studimeve në Prishtinë, diskutonim shumë për organizimet e fshehta, por nuk i kontaktonim dot. Do thoja, në atë kohë gati sa nuk ndjehej nevoja për veprimtari të fshehtë patriotike, meqë shumë veprimtari mund të ushtroheshin hapur. Kishte ndodhur një ndërgjegjësim i gjerë patriotik dhe strukturat e pushtetit të KSA të Kosovës mbyllnin njërin sy, bëheshin sikur nuk po vërenin. Pra, Kosova po frymonte më lirshëm. Por, në këtë kohë po formohej një borgjezi e kuqe, titiste, që kishte mundësi të bënte më shumë për zhvillim të përshpejtuar të Kosovës, por humbiste kohën me pasurim të pamerituar vetanak, humbiste kohën në kafehane, pas degjenerimit etj. Sapo u arratisa, m’u dha mundësia të informohem më shumë.
Njohja me Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe me Kadri Zekën
Kelemendi: Përgjithësisht, organizimet e fshehta në Kosovë ishin të majta, komuniste e revolucionare, meqë ndikoheshin nga propaganda e fuqishme e Tiranës dhe të angazhuarit vinin kryesisht nga shtresat e varfra. Ndonjë organizim i djathtë në vitet e 60-ta e 70-ta nuk duhet të ketë ekzistuar, për sa kam qenë unë i informuar. Në Perëndim, në dy vitet e para, dëgjoja për ca organizime nacionaliste, i kërkoja ato në Bruksel e gjetiu, por kur vija në kontakt, dëshpërohesha, pasi ato organizime nuk kishin përmbajtje kombëtare dhe aty e tutje i quaja pseudonacionaliste. Ishin ca organizime formale, të vogla, pa peshë e ndikim, që vetëm përflisnin, se si do ta çlironin Shqipërinë nga diktatura komuniste, ndërsa trojet e pushtuara, Kosovën me vise, nuk e përmendnin fare. Këto organizime i udhëhiqnin kryesisht njerëz që dikur i kishin shërbyer UDB-së, pasi ishin arratisur nga Republika e Shqipërisë në RSFJ-në, gjithashtu komuniste. Ata nuk i kishte penguar terrori komunist i serbomadhit Aleksandër Rankoviç mbi shqiptarët e pushtuar, meqë e kishin pasur atë si një lloj punëdhënësi. Të njëjtin zhgënjim përjetova në vitin 1978, kur njoha më për së afërmi Besëlidhjen Kombëtare Shqiptare, të cilën e udhëhiqte Emin Fazlia, alias Emil Kastrioti. Edhe kjo pseudo-organizatë, në dukje nacionaliste, 7-8 anëtarë të të cilës ishin nga Kosova, preokupim kryesor kishte çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe jo çlirimin e Kosovës nga pushtimi jugosllav. Kjo njohje nuk më përvetësoj që t’ju bashkëngjitem atyre, prandaj u ndjeva i detyruar të themelojmë, bashkë me ca bashkatdhetarë, organizatën Fronti i Kuq Popullor. Përkrahjen fillestare e gjeta te bashkatdhetarët në Düsseldorf me rrethinë dhe nga emigracioni i vjetër nacionalist në Bruksel, rreth veteranëve të famshëm Gjelë e Hysen Gjelil Kalishta, që veten e dinin për ballistë. Për të na u kundërvënë, pas nesh Riza Salihu sajon Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”, në Stuttgart. Në fund të vitit 1979 në Gjermani arratiset Jusuf Gërvalla. Në të njëjtën ditë informohem nga vëllai i tij, Bardhoshi, me të cilin isha njohur dhe ishim bërë miq që në vitin 1978. Ardhjen e Jusufit e përjetuam si ndihmesë të madhe morale dhe intelektuale. Po në këtë kohë, në Zvicër gjendeshin Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni, kuadro drejtues të OMLK-së, por angazhimi dhe ndikimi i tyre nuk shihej gjëkundi, pasi ishin futur në ilegalitet, shtatë pashë nën tokë. Meqë Jusufi i përkiste Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), vendosëm që veprimtarinë e organizuar të Frontit ta ngrimë, siç po thuhet, deri sa të ndodhte bashkimi.
Kelmendi: Angazhimi ynë më i suksesshëm, në janar të vitit 1981, ishte përgatitja e gazetës “Bashkimi”, futja dhe shpërndarja e tij e fshehtë në Kosovë dhe më pastaj shpërndarja në Perëndim. Në kryeartikull, me titull “Bashkimi bënë fuqinë”, të shkruar nga Jusufi dhe unë, kishim përpiluar platformën ideopolitike të kohës dhe kishim shtjelluar formën e organizimit në Kosovë e në emigracion.
Gazeta “Bashkimi” – organ i FKP-së
__________________________________
Platforma ideopolitike dhe forma e organizimit, të trajtuar në këtë kryeartikull, kishin karakter pluralist. Protesta sociale e studentëve më 11 mars 1981, demonstrata politike më 25 mars, ku u lansua për herë të parë kërkesa për Statut të Republikës, dhe revolta popullore e 1 e 2 prillit na befasuan, meqë ne kishim bërë parashikime të përgjithësuara, se shpërthimet sociale e nacionale do të ndodhnin, por nuk i kishim parashikuar aq të shpejta. Menjëherë, Jusufi, Kadriu dhe unë, morëm vendim për të bërë demonstrata çdo fundjavë në metropolet kryesore të Zvicrës dhe të Evropës Perëndimore, të cilat kishin ndikim të kufizuar jashtë, por moralizonin popullin në Kosovë. Kjo 3-she, edhe pse u përkisnim organizatave të veçanta, pothuajse gjatë gjithë vitit 1981 e organizonte veprimtarinë, sikur t’i përkisnim një organizate të vetme. Fillimisht Jusufi, bashkë me Kadriun (prill-shtator), u angazhuan edhe në redaktimin dhe botimin e Organit të OMLK-së, “Liria”, meqë gazetën “Bashkimi” dhe revistën “Lajmëtari i lirisë” i kishim “ngrirë”, duke pritur bashkimin. Gjatë muajit korrik-gusht, fillimisht Jusufi, Kadriu dhe unë, pastaj edhe bashkëveprimtarë të tjerë, diskutuam platformën e bashkimit, duke u bazuar në tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Ato i kishte përpiluar OMLK-ja në maj të ’81-shit në Kosovë, por bashkimi në Kosovë u pengua nga burgosjet e shumta. Prandaj u ndjemë të thirrur që bisedimet t’i vazhdojmë ne dhe të realizojmë bashkimin. Në parim u dakorduam për platformë dhe për formë të organizimit. Jusufi shprehu dëshirën, që bashkimin ta shpallte veterani Sabri Novosella, të cilin ai e dinte si njërin nga udhëheqësit e Organizatës se tij, LNÇKVSHJ. Në tetor 1981, në takimin e Stambollit, Sabri Novosella bllokon përkohësisht bashkimin, për të cilin ishim marrë vesh qysh në gusht. Si rrjedhojë, Jusufi dhe Kadriu ndërprejnë bashkëpunimin deri më 2 janar 1982, me përjashtim të pjesëmarrjes se përbashkët në festën e 28 Nëntorit, ku bashkërisht ishin në podium të atij manifestimi të madh. Gjatë këtyre dy muajve Jusufi nis botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”, si organ të LNÇKVSHJ, kurse Kadriu përgatit një numër të “Lirisë”. Më 2 janar 1982, në dasmën e Kadri Zekës dhe Saime Jusufit, gjendet mirëkuptimi i pezulluar në mes të Jusufit e Kadriut. Më 16 janar, me ftesë të Jusufit, takohemi për të bërë bashkimin. Në agun e 17 Janarit 1982, vendosim bashkimin e tri organizatave tona. Në mbrëmjen e kësaj dite të kobshme, UDB-ja ekzekuton Jusufin, Kadriun e Bardhoshin dhe plagos rëndë vendimin tonë për bashkim…
JA PSE E SHKROVA ROMANIN « ATENTATET »
Zgjodha zhanrin e romanit historik e politik për ta kompletuar sa më shumë tabloidin e veprimtarisë, jetës dhe të atentateve, sidomos ato që nuk dukeshin. Njëherësh, zgjodha romanin, për ta paraqitur edhe figurën e kryedorasit të mundshëm, për të cilin unë vazhdoj të jem i bindur se e ka bërë këtë krim të rëndë.
Një çerek shekulli heshta, me mendimin se heshtja ime është konstruktive…
Me Bardhosh Gërvallën njiheshit më herët, po me Jusufin, Kadri Zekën?
Kelmendi: Në këtë pyetje duhet të jem përgjigjur paraprakisht. Konkretisht, me Bardhoshin jam njohur e miqësuar në vitin 1978, me Jusufin sapo ka arritur në Gjermani, në fund të vitit 1979, kurse me Kadriun në fund të marsit të vitit 1981.
Itinerari gjeografik i veprimtarisë sate shtrihet gjithandej Evropës e kontinenteve të tjera. Jam kurioz të di në ç’gjendje ishte mërgata jonë në kontinentin e largët, në Amerikë? Kam parasysh gjithnjë traditën e ndritur të Nolit e të Konicës.
Kelemendi: Pas atentateve na u imponuan “përfaqësuesit” e LNÇKVSHJ-së (Sabri Novosella), PKSHMLJ-së (Avdullah Prapashtica) dhe OMLK-së (Xhafer Shatri). Ata nuk deshën të dinë për bashkimin e 17 Janarit, por bën një “bashkim” të tyre, për t’u përçarë në mes tyre, pa u tharë ngjyra e firmave nën marrëveshje.Nga qershori deri në dhjetor 1982 shkova në Amerikë për ta shtrirë ndikimin e Lëvizjes sonë atje, dhe për t’u arratisur nga zullumi që më bënin “trashëgimtarët” politik të Jusufit e Kadriut, të cilët uzurpuan (ç)udhëheqjen e Lëvizjes sonë.
Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi (1983) Kadri Zeka e Hydajet Hyseni (1980)
__________________________________________
Në aspektin e organizimit patriotik e politik komuniteti shqiptar në Amerikë ishte për faqe të zezë. Vatrën e Nolit e kishte pushtuar UDB-ja, kryesisht nëpërmjet krerëve të Legalitetit. Disa vatranë, nga pakënaqësia, në Boston ishin organizuar në shoqatën dhe rreth gazetës “Liria”. Mërgata politike ishte e copëtuar në shumë partiza e organizata, të cilat pos zhurmës në rrethe të ngushta, kishin numër të vogël të anëtarëve e simpatizantëve. Ndikimi i tyre ishte simbolik. Edhe ato zhurmonin për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, kurse Kosova e pushtuar u interesonte vetëm sa për të vjelë ndonjë ndihmë financiare nga shqiptarët e trojeve të pushtuara. Kjo mërgatë në vitin 1981 shante e fyente studentët dhe rininë e Kosovës, me etiketime e përfolje, si “kuçaloshët e Enverit” e ngjashëm. Sa për të bërë një formalitet, në prill 1981, kjo mërgatë organizoi një protestë para Selisë së OKB-së në Nju Jork, por nuk morën pjesë as 300 veta, të ardhur edhe nga Detroidi, Çikago e qytete të tjera, në kohën kur vetëm në Nju Jork duheshin të ishin rreth 50 mijë shqiptarë. Emigracioni i ri nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, që ishte i interesuar të angazhohej për statut të Republikës për Kosovën, pengohej e kërcënohej nga emigracioni i vjetër pseudonacionalist, i cili, pothuajse tërësisht kontrollohej nga UDB-ja.
Këtyre ditëve në faqet e shtypit është dukur një kërkesë për mbështetje rreth botimit të një romani tuaj. Me pak rreshta përvijohet tematika që jo rrallë ka trazuar shpirtrat e shqiptarëve. Është fjala për atentatin ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Unë njoh disa fusha të vokacionit tuaj si komentin, vështrimin, shkrimin dokumentar (kam lexuar edhe librin tuaj për ngjarjet e 97-së në Shqipëri). Përse këtë herë zgjodhët pikërisht gjininë e romanit? Mendoni se zbardhja do të jetë më e thellë dhe më totale?
Kelmendi: Një çerek shekulli heshta, me mendimin se heshtja ime është konstruktive, në interes të veprimtarisë sonë çlirimtare. Individëve dashamirës, por më shumë individëve naivë, iu interesonin emrat e dorasve. Disa syresh shpërdoronin vëllezërit Avdyl e Hysen Gërvalla, për të më terrorizuar, duke shfaqur banalisht naivitetin e tyre, sikur vetëm ata, si vëllezër, po interesoheshin për t’i zbuluar vrasësit. Atyre nuk u mjaftonte prononcimi i Jusufit, me plumba vdekjeprurës në trup, se “atentatin politik na e ka bërë UDB-ja”, të tillëve nuk u mjaftoi as porosia (amaneti) i tij: “Nëse dorasit janë shqiptarë, mos u zbulofshin kurrë!”. Kërkonin gjithsesi emrat e dorasve, jo vetëm nga kureshtja.
Zgjodha zhanrin e romanit historik e politik për ta kompletuar sa më shumë tabloidin e veprimtarisë, jetës dhe të atentateve, sidomos ato që nuk dukeshin. Njëherësh, zgjodha romanin, për ta paraqitur edhe figurën e kryedorasit të mundshëm, për të cilin unë vazhdoj të jem i bindur se e ka bërë këtë krim të rëndë.
Janë bërë disa libra për UÇK-në. Dihen raportet dhe roli i LPK-së. Pastaj lufta në Kosovë, në Luginë të Preshevës, në Maqedoni. Ku ishte Ibrahim Kelmendi?
Kelmendi: Aty ku mendonte se ishte i nevojshëm dhe ku e ngarkonin me detyrë, pa bërë zhurmë e vetëreklamim, siç bënin disa zhurmë për t’u afirmuar, që bënin sherr e pengonin luftërat.
Pastaj erdhën partitë e reja, partitë e ish-luftëtarëve. Njëherë u dukët në PDK. Më vonë u botua një shkrim juaji tepër kritik për teorinë e Moratoriumit të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi. Ishte mospajtim konceptual apo frymë e demokracisë së brendshme?
Kelmendi: Në Kuvendin e fundit të LPK-së, të mbajtur në Prizren në vitin 1999, u prononcova: “Fillimisht nuk do angazhohem në asnjë parti politike, pasi më duhet kohë për t’u integruar në Kosovë, pas gati 25 viteve në ekzil. Nëse ka qenë i mbarë kontributi im deri tani, ka qenë i mjaftueshëm, nëse ka qenë i mbrapshtë, ka qenë i tepërt…”. Në PDK asnjëherë nuk kam qenë anëtar. Në mbledhjen themeluese dhe në Kongresin e Parë kam marrë pjesë si qytetar i lirë. Më ka interesuar vëzhgimi i drejtpërdrejtë, nëse po themelonin parti vërtet demokratike. Gjithashtu isha i interesuar të jap ndonjë sugjerim profesional, nëse do më kërkohej, ose do ta jepja vetë, nëse e gjykoja të arsyeshëm. U ndjeva i zhgënjyer, sidomos nga mënyra e imponimit dhe e autoritarizmit të Hashim Thaçit. Me Hashim Thaçin jemi bashkëveprimtarë e miq të vjetër. Miqësinë dhe respektin vazhdoj ta ruaj për të, pavarësisht kritikave të herëpashershme. Besoj se edhe ai ruan për mua miqësi e respekt reciprok. Jo vetëm një herë jemi “konfrontuar” në media dhe kam ndërmend të “konfrontohem” sa herë që do ta gjykoj se “konfrontimi” im është në të mirë të Kosovës, të zhvillimit të demokracisë në PDK dhe në të mirë të vetë Hashim Thaçit. Nuk besoj se kjo do prish miqësinë tonë, pasi kemi jetuar mjaft gjatë në Perëndim, për të mësuar diç nga kultura e atjeshme demokratike. Jam i prirur t’i kritikoj e kundërshtoj miqtë, që ata të bëhen më të mirë. Ata që i konsideroj se janë destruktivë dhe që i vlerësoj të jenë në “grixhën” e Beogradit e në “grixhat” e shërbimeve të huaja, kryesisht i lë të qetë, për të mos thënë i injoroj.
Demonstratë para selis së OKB-së në Gjenevë (1983)
__________________________
Po tani? Tani? Unë njoh tash e gjashtëmbëdhjetë vjet Ibrahim Kelmendin. E di se është martuar me të hyrë të nëntëdhjetave me Mimoza Cikën, që tashti punon si gazetare e redaktore në radion Deutsche Welle (Dojçe Velle) në Këln, e di që ka një djalë, e di që duket sa në Gjermani, sa në Prishtinë, sa në Tetovë, sa në Tiranë, ndoshta rastësisht (!) edhe në Vuthaj. Po, çfarë nuk di? Ku është ai tani dhe ç’bën?
Kelmendi: Për momentin jam këtu dhe vazhdoj të jem Ibrahim Kelmendi. Gjendem gjithandej, kudo më duket e nevojshme dhe ku ndjej kënaqësi të gjendem. Po përpiqem t’i kompletoj e t’i sistemoj shënimet për të kaluarën. Jam marrë intensivisht me grumbullim të bashkëbisedimeve (kam të incizuara rreth 300 orë) me shumë veprimtarë të emigracionit, të të gjitha rrymave e organizimeve, duke përgatitur të paktën nga një libër për çdo shtet. Profesionalistet më kanë këshilluar se botimi i tyre duhet të shtyhet për më vonë, sepse tani është çekuilibruar sistemi i vlerave. Pra, kam të gatshme një mori botimesh dhe do t’i botoj kur do të gjykoj se e kanë kohën.
Hidhërohem ndaj disa bashkëveprimtarëve dhe miqve të dikurshëm, që bëjnë vila e pallate…
Zërat e skajshëm që më vijnë ma bëjnë portretin tënd të ngjashëm me personazhin Durmish Dur Aliu të Kadaresë, që, herë shfaqet e herë humbet. Kanë ardhur këta zëra tek ti ndonjëherë dhe ç’mbresa keni pasur? Si i gjykoni, më në fund?
Kelmendi: Nuk më kujtohet fare ky personazh.Kam gjykuar se veprimtarisë sonë politike dhe çlirimtare i duhet edhe njeriu i “padukshëm”, në operativë, siç thuhet në gjuhën profesionale. Këtë rol të rëndësishëm nuk mund ta ushtrojnë ata që vazhdimisht dëshirojnë të duken, të imponohen e të vetëreklamohen, nuk mund ta ushtrojnë as ata, që edhe kur pjerdhin, mendojnë se kanë bërë bombë atomike. Këtë rol nuk mund ta luajnë as ata që përpiqen të përvetësojnë meritat e të tjerëve, meqë dinë se vetë janë të pamerita. Mua tani po më brengos, se disa të pamerituar i janë imponuar skenës politike e partiake në Kosovë, kurse nuk po më brengos pse unë kam ngelur në “hije”. Vazhdoj ta jap kontributin tim, pa pritur që të paguhem, të dekorohem e të bëhem personalitet mediatik. Hidhërohem ndaj disa bashkëveprimtarëve dhe miqve të dikurshëm, që bëjnë vila e pallate, shpenzojnë barbarisht mjetet e pamerituara, por nuk hidhërohem pse atyre nuk iu intereson për Ibrahim Kelmendin, që ende nuk ka banesë e të ardhura të rregullta për jetesë, por po varet nga ndihma e individëve vullnetmirë dhe shpirtmirë. Për këtë gjendje sociale nuk ndjehem i penduar, por krenar, meqë kam përballuar tundimin e parasë (edhe kur kam kaluar miliona DM nëpër dorë) dhe të tjera tundime, që sprovojnë ndershmërinë e burrit, siç thuhej nga pleqtë. E çmoj si jonjerëzore, për të mos thënë armiqësore, kur mësoj se disa individ shpërdorojnë mundësitë, që të përvetësojnë ato që nuk i meritojnë, në këtë fazë kaq vendimtare, e cila kërkon vetëpërmbajtje e sakrifica, kërkon kontribut konstruktiv. Në kohë të përshtatshme, këta keqbërës mbase do jenë personazh të ndonjë romani, siç i kam paraqitur disa në romanin “Atentatet”, për t’i përjetësuar si të tillë. Keqbërësit e sotëm po i “survejojë” nëpërmjet syrit të popullit. Jam i vetëdijshëm, se keqbërësit nuk do skuqen e marrohen, edhe kur do përjetësohen në romane, si shpërdorues tenderësh edhe të ilaçeve, si shpërdorues të besimit politik e partiak, si autoritar absolutist në parti, në poste ekzekutive e gjetiu. Nuk do skuqen as pseudotrimat, që populli i quan trima pas beteje, nëse do t’i përjetësojë si të tillë, nëse po i keqtrajtojnë bashkëqytetarët tanë joshqiptarë, për interesa të tyre personale ose si mercenarë të Beogradit, nëse i keqtrajtojnë për teka e frustrime të tyre, jo vetëm për të kompromentuar Kosovën, por edhe duke rënë në nivel të bishave… Kur shumë keqbërës e kriminelë mendojnë se unë jam zhdukur dhe prandaj mund të livadhisin lirshëm, pikërisht në këtë kohë unë mbledh e përpunojë investigimin që ua bënë syri i popullit. Kur të gjejë mënyrën e momentin e përshtatshëm, do t’i përjetësojë në letra, si të tillë. Shpresoj se edhe krijues të tjerë do kenë kurajë që ta trajtojnë këtë tematikë, sado që ndjehen të kërcënuar e të pafuqishëm.
Tok me falënderimin për bashkëbisedimin, Ju dhe familjes suaj u dëshiroj shëndet!
Kelmendi: Edhe unë ju falënderoj dhe ju uroj ato që ia dëshironi vetes suaj.