Shkruan : Abaz Pllana
Që nga 12 dhjetori kur u mbajtën zgjedhjet në Kosovë kaluan mbi dy muaj. Për dy muaj pas zgjedhjeve u mbajtën prapë zgjedhje, u anuluan e u rinumëruan votat dhe u paraqitën shumë ankesa e dyshime për procesin zgjedhor. Këto shkelje, parregullësi e spekulime ndikuan që të ashpërsohet fjalori i komunikimit të ndërsejllë mes partive politike shqiptare të Kosovës.
Gjatë kësaj kohe edhe në Shqipëri tensionohet situata si pasojë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë dy muajve u këmbyen akuza e kundërakuza, fyerje e kërcënime, të cilat u finalizuan me vrasjen e katër shqiptarëve të pafajshëm dhe me plagosjen e dhjetra të tjerëve. Edhe ato pak ura të komunikimit që kishin mbetur filluan të shemben mes dy taborreve politike shqiptare. Të izoluara nga të dy anët, të vendosur për veprime të mëtutjeshme, edhe më të vendosura, në Shqipëri po tendoset klima politike deri në ekstrem.
Gjatë këtyre dy muajve, kur shqiptarët po vazhdojnë të grinden, maqedonët vazhdojnë me zell të madh projektet e tyre shoviniste antishqiptare. Dhe partitë politike shqiptare në Maqedoni veprojnë e flasin njëra kundër tjetrës, kurse Gruevski vazhdon antishqiptarizmën e tij.
Greqia harron çdoherë krizën e saj kur turret me deklarata e veprime provokuese ndaj shqiptarëve. Ajo që bëri masakrat çnjerëzore mbi shqiptarët çamë, planifikon të realizojë po të njëjtin plan edhe ndaj shqiptarëve në shtetin shqiptar, duke synuar madje deri në Korçë në mesin e shkurtit 2011.
Derisa shqiptarët grinden mes tyre, antishqiptarët hudhen në aksion dhe shqiptarët nuk mirren me armiqtë e vërtetë të tyre, por mirren me njëri -tjetrin.
Qarqet serbe dhe ruse duke shtrirë ndikimin e tyre në tërë botën, krijojnë pozita shumë të përkeqësuara të shqiptarëve para botës. Madje me ndihmën e parlamentarëve të KE, aprovohen raporte me plotë dyshime që mund t’i besojë vetëm ndonjë « i sëmurë » siç thoshte B. Koushner. Megjithatë, "besohen" edhe gjëra më të pabesueshme që mund të njollosin shqiptarët.
Mediat, debatet dhe bisedat e zakonshme prapë mirren me njëri- tjetrin, derisa fyerje më të rënda dhe shumë tendencioze u drejtohen shqiptarëve nga qarqet e huaja antishqiptare.
Reagime të plogështa, reagime sa për të kaluar radhën u dhanë shumë nga personalitetet e shquara të jetës politike. Në të njëjtën kohë, reagime të ashpra, reagime të gjata dhe akuza të rënda, duke trilluar e shpikur epitete të paqena u përdorën nga politikanët tanë kundër njëri- tjetrit.
Dhe sot kemi ngelur përballë njëri- tjetrit duke mos mundur të gjindet një rrugë e përbashkët për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë ata.
Pasi jemi në vlugun e bisedimeve për formimin e qeverisë së Kosovës do të ndalem më gjatë në këtë çështje që është bërë problem pa qenë nevoja të jetë i tillë.
Nuk është shumë moti, kur shqiptarët e Kosovës u radhitën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në luftë kundër pushtuesit serb për lirinë e vendit. U bashkuan forcat më përparimtare dhe më të guximshme për të arritur deri te çlirimi i Kosovës. Ishte njëra ndër fitoret më të rëndësishme, pas 28 Nëntorit 1912, që kishin korrur shqiptarët gjatë shekullit të kaluar. Dhe kjo falë angazhimit dhe bashkimit mbarëshqiptarë për Kosovën.
Ata që ishin në istikame kundër serbit, në përkrahje morale dhe politike të UÇK-së, në armiqësi të përhershme me pushtuesin serb, sot para së gjithash janë në tri parti kryesore të Kosovës : PDK, AAK dhe VV.
Nëse para një dekade ishin përkrah njëri- tjetrit për të dhuruar edhe jetën për lirinë e Kosovës, sot janë përballë ose kundër njëri- tjetrit për ndarjen e pushtetit dhe të "plackës".
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, partia më e madhe e Kosovës nuk mund të arrijë votat që të qeverisë vendin e vetme. I duhet bërë koalicion me parti tjera. Dhe partitë tjera që dje ishin së bashku në koalicionin e luftës çlirimtare kundër serbit sot nuk po munden (nuk po duan) të merren vesh me njëra-tjetrën. Këta shokë, bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të djeshëm, sot më lehtë merren vesh me titistët (me pjellën e tyre rugovistët) dhe bashkëpunëtorët e djeshëm të pushtuesit se me njëri-tjetrin!! Hyrja e PDK-së në bashkëqeverisje me atë që deklaron botërisht se "Kosovo ne mozhe bez Serbije" (Kosova nuk mundet pa Serbijen) dhe me partitë serbe nuk e dëmton vetëm PDK-në, por e dëmton edhe Kosovën dhe cështjen shqiptare përgjithësisht. Vota për Pacollin "presednik" është votë për Serbinë dhe Rusinë, është votë kundër Amerikës. Njeriu i pranueshëm për forcat liridashëse, demokratike dhe përparimtare sot është Jakup Krasniqi. Ndrskamcat që po i bëhen janë të dëmshme për këto forca dhe për Kosovën.
Si mund të mendohet mbrojtja e çështjes shqiptare apo asaj të Kosovës duke lënë një pushtet shumë të fuqishëm në duart e atyre që nuk kanë as 9 përqindëshin e popullsisë së Kosovës, por e kanë yllin e barabartë me të shqiptarëve në flamurin shtetëror ? Si mund të avancohet çështja shqiptare e Kosovës duke bojkotuar njëri-tjetrin dhe duke kërkuar "ortakllëk" me Pacolla, me antishqiptarë?
Edhe AAK edhe VV duhej të hiqnin dorë nga ambiciet e tyre për hir të Kosovës dhe forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Ata do të ndikonin më së miri që bashkërisht me shokët e luftës të vazhdojnë në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe prosperitetit të gjithëmbarshëm të saj.
Me minoritete dhe me parti pa vlera kombëtare, nuk kemi pse dhe si të kërkojmë mbështetje nga bota. Me minoritetet i kthehemi pushtetit të huaj mbi Kosovën. Nuk mund të mendojmë ndryshe pos kështu nëse më shumë se gjysmën e qeverisë do ta përbëjnë një shtatë përqindësh minoritet dhe një shtatë përqindësh elektorat i Kosovës. Nuk mund të mirret me mend se si PDK duhet t’i bëjë ballë një opozite me gjysmën e elektoratit të Kosovës duke u strehuar dhe mbrojtur nga minoritetet e Kosovës.
PDK fitoi më shumë vota, por jo të mjaftueshme për të qeverisur pa të tjerët. Asaj i takon që hapin e parë për qeveri dhe koalicion për Kosovën ta bëjë drejt AAK dhe VV si forca që i kishte përkrah edhe në ditët më të vështira për Kosovën. I takon asaj të negociojë si duhet dhe sinqerisht me aleatët e saj të vjetër për të gjetur zgjidhjen e paszgjedhjeve. I takon asaj të rregullojë gabimin e saj për moskomunikim të duhur gjatë katër viteve të fundit sa ishte në pozitë për të ngritur urat e mirëfillta të komunikimit me shokët e tyre që i dolën bashkërisht zot Kosovës para një dekade. PDK i takon që të heqë dorë edhe nga ambiciet personale të ndonjërit për hir të interesit të Kosovës. Po që se arrihet marrëveshja e shumëpërfolur me minoritetet dhe me Pacollin është një matematikë shumë e gabuar dhe shumë e kushtueshme për PDK. Ajo të lëkundet çdo herë kur minoritetet do të kenë pengesa për stema qytetesh, për paragrafe të ligjeve apo edhe intervistave apo shprehjes së mendimit të ndonjërit nga politikanët e partisë që do të udhëheq qeverinë. Sa herë që do të vijë puna e numërimit të votës do të jetë një formë e fushatës elektorale. Blerja apo përvetësimi i ndonjë deputeti nga rradhët e jashtme të PDK nuk është as rrugë e mençur dhe as e duhur për këto kuota të sotme të deputetëve. "Tregu" i votave mund të përpijë edhe radhët e vetë PDK-së. Nëse është me të vërtetë kandidati për kryeministër pengesë, ai duhet të heqë vetë dorë nga kandidatura e tij për të pritur një marrëveshje tjetër të mëvonshme me aleatët e mirëfilltë gjatë katërvjetëshit të ardhshëm për të ringritur apo rifreskuar qeverinë.
Prandaj, duke mos dashur që të lëndoja gjithë ata djem që para një dekade ishin së bashku në istikame kundër pushtuesit, sot i kisha ftuar të tregojnë urtësinë dhe guximin për të shtrënguar duart për të mirën e Kosovës. Bashkërisht e çliruan Kosovën dhe bashkërisht kam bindjen e fortë se do të arrijnë që përgjithmonë të varrosin synimet serbe për tokat shqiptare të Kosovës.
Në fund duhet të përmend edhe një faktor tjetër politik që nuk e zura në gojë. Kosova ka nevojë edhe për opozitë. Isës së LDK-së i shkon mirë kjo detyrë, sepse kështu ishte opozitë partia e tij edhe një dekadë më herët kundër djemve të PDK, AAK dhe VV. Dhe edhe sot është opozitë e vërtetë e këtyre partive si nga ideja ashtu edhe përbërja e saj.
Nuk do të harroj se edhe në tre partitë që mendoj duhet t’i prijnë Kosovës, PDK, AAK dhe VV, do të ketë prapë opozitë në mesin e tyre. Demokracia e mbrendshme e secilës ka krijuar edhe në vetë mesin e tyre një opozitë të mbrendshme. Dhe le të jetë kështu, sepse edhe kështu ndihmohet vetë partia dhe Kosova përgjithsisht.
13.02.2011
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...