Sali Berisha:Ata që duan pushtet me dhunë janë donkishotër
Nga katedralja Shën Luçia në Durrës gjatë rivarrimit të eshtrave Dom Nikoll Kaçorrit, një prej themeluesve të shtetit shqiptar, kreu i qeverisë, i quajti donkishotër ata që tentojnë të marrin pushtetin me dhunë. Në paralelizëm me protagonistët dhe anti protagonistët e qeverisë e parë shiptare, Berisha , premtoi harresën historike për ata që tentuan rushtin e shtetit në 21 janar.
“Natyrisht sot sërish na del përballë ndonjë Haxhi Qamil, por këto janë don kishotër të historisë. Asgjë, vullnetin tonë, asgjë vendosmërinë tonë për të ecur drejt Europës nuk do mund ta pengojnë”, tha Berisha .
Eshtrat e Dom Nikoll Kacorrit janë vendour brenda në kishën ku ai sherbeu për shumë vjet në fillim të shekullit të 20, në katedralen Shen Luçia. Pas përfundimit të ceremonisë kryeministri Berisha se bashku me kryetaren e kuvendit dhe deputetë kanë ecur për disa minuta në këmbë përgjatë rrugës Tregtare duke u përshëndetur me qytetarë të rastësishëm.(Flori Bruqi)
*****************
Eshtrat e Imzot Kaçorrit janë ekshumuar të martën, më 1 shkurt 2011, në Vjenë të Austrisë. Më 6 shkurt në Vjenë mbahet meshë përkujtimore, ndërsa më 9 shkurt eshtrat e Imzot Kaçorrit do të përcillen drejt Shqipërisë ku do të bëhet riatdhesimi i tyre, ka njoftuar don Pren Kola, atë shpirtëror i shqiptarëve të krishterë në Austri, Çeki dhe Sllovaki me rezidencë Vjenë
Pas 94 vjetësh që kur u nda nga kjo jetë, do të rikthehen në Shqipëri, në tokën për të cilën e shkriu tërë qenien e tij, eshtrat e Imzot Kaçorrit. Eshtrat e Imzot Kaçorrit deri më tani preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Vjenë, me ndihmën e veçantë të Qeverisë austriake, e cila edhe ka marrë përsipër shpenzimet ekshumimit dhe transportit të relikteve të të ndjerit Imzot Nikollë Kaçorri për në atdhe, si dhe me ndihmën e anëtarëve të Misionit Katolik Shqiptar nën drejtimin e meshtarit don Pren Kola, është arritur që të zhvarrosen eshtrat e Imzot Kaçorrit, të cilat më 9 shkurt do të trasferohen për në atdheun e tij të dashur, për të cilin u orvat tërë jetën.
Kontribut të jashtëzakonshëm dhe vendimtar në këtë punë ka dhënë Misioni Katolik Shqiptar ne Vjenë, Pjetër Logoreci, Vjenë dhe Edmond Kaçorri, Kanada.
Eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit janë ekshumuar të martën, më 1 shkurt 2011, në orën 8.30 në Vjenë të Austrisë, andaj me këtë rast, më 6 shkurt 2011 në orën 11.30 në Meiselstraße 1, 1150 do të mbahet meshë përkujtimore, ka njoftuar don Pren Kola, atë shpirtëror i shqiptarëve të krishterë ne Austri, Çeki dhe Sllovaki me rezidencë Vjenë, i cili thotë se në këtë meshë është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të shumë ambasadave në Austri, duke përfshirë edhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.
Rapsodi nga XHENC BEZHI
DON NIKOLLË KAÇORRIT
(rapsodi)
penda ime, mos shkrofsh kurrë.
Po them kangë, për t’ mos thanë gjamë,
don Nikollës, burrit mbi burrë,
E me u këndue n´tel t´çiftelisë
An’ e kand ku ka shqiptarë,
Namë të madh i la Shqipnisë,
Nuk harrohet ky pishtar.
Ka dhanë provë ku lypi puna
ku ma shumë iu desht Shqipnisë,
në daç n’ hartim të alfabetit,
në daç në shpallje t’ Pavarësisë.
Jo po mbreti e diktatori
Historinë ndryshuen, qe besa,
Kand e vranë, kand e larguen,
E pat mb’lue do kohë harresa.
Dom Prend Kola, i forti burrë,
larg në Vjenë të Austirsë,
detyrë t’ madhe i kish vu vetit
me ia kthy nderën Shqipnisë
Tre vjet rresht pa e humb’ shpresën,
në një gur, në një pllakë vorrit,
hoqi pluhnin e harresës
e gjet emnin e Imzot Kaçorrit.
Prej shumë djemve, nanë Shqipni,
që s`ua din vorrin ku e kanë,
një prej tyne t’ ktheva sot,
ta mbajsh n’ gji për jetë e mot.
Xhenc Bezhi
Shkurt 2011
Biografia e Don Nikollë Kaçorrit
1862 në Krejë, Lurë (Shqipëri) – †1917 në Vjenë (Austri)
-Don Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë-Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 1917 në Vjenë.
-Ai kreu shkollen jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kacorri u shpërngul për në Itali, ku dhe diplomohet në shkollën teologjike “Propaganda Fide-s”. Menjëherë pas studimeve të larta u shugurua për prift (1890) dhe tre vjet më vonë u emërua prift i Kishes Katolike në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si Zëvendës-Arqipeshkv (me disa ndërprerje të shkurtëra).
-Pas emërimit të tij si prift në Durrës, ai ishte i përfshirë në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive. Në këtë periudhë të shërbimit të tij në Durrës, ai kishte marrëdhenie shumë të mira me qeverinë Austro-Hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsise katolike, pasi që në perandorinë osmane gëzonte privilegjin e administrimit apo protektoratit ndaj popullsisë katolike.
-Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip, dhe poashtu i shtypit shqiptar patriotik. Për këtë arsye edhe pat konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patriarkun grek.
-Ai ishte edhe pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Poashtu mori pjesë nëKryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe kërkonte angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke.
-Mori pjesë në Kongresin e Manastirit me 14 nëntor 1908 ku u vendos Alfabeti i Gjuhës Shqipe.
-Mori pjesë në Kongresin e Dibres në vjeshtën e vitit 1908, qëllimi i cilit ishte synimi i xhonturqëve për të bërë për vete shqiptarët, me të cilin rast Nikoll Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë dhe hetoi synimet e xhonturqëve.
-Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit ku u diskutuan problemet të shkollës shqipe.
-Në vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit.
-Me 18 qershor 1910 Kaçorri u arrestua nga forcat turke dhe si kundërshtar i urdhëresave të qeverisë osmane dhe Sulltanit.
-Merr pjesë në organizimin e kryengritjes së vitit 1911 dhe 1912 kundër turqçve.
-Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga Luigj Gurakuqi. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët Don NikollëKaçorri nënshkroi i dyti.
-Don Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912.
-Ai ishte një personalitet i kishës katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai ishte monsinjor.
-Pas një sëmurje të shkurtër vdiq në Vjenë me 29 maj 1917. Në varrimin e tij, me 1 qershor 1917, morën pjesë: komandanti i krahines së Tiranës, Feldmarschall Braun, Kryekonsulli i Shkodrës, e veja e konsullit Austro-Hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau si dhe shumë diplomatë të tjerë.
-Me 2 qershor 1917, në kishën ,,Maria Treu” u tha mesha për të.
Kush në të vërtetë është Imzot Nikollë Kaçorri? Cili është kontributi i tij për çështjen kombëtare dhe përparimin kulturor të shqiptarëve? Historiografia shqiptare pas viteve 90 falë depërtimeve individuale ka bërë përpjekje të ndriçojë këtë figurë të madhe të kombit tonë, por harresa ideologjike e diktaturës komuniste ka bërë që emri i tij për 50 vjet të mos përmendej gati fare. Kështu, qëllimshëm është hedhur pluhuri i harresës mbi njeriun që firmosi pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, Alfabetin e Shqipes më 1908 në Manastir, etj.etj.
Imzot Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë-Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 1917 në Vjenë. Rrjedh prej një familjeje katolike dhe myslimane, pra nëna e tij ishte myslimane ndërsa babai katolik. Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kaçorri u shpërngul për në Itali, ku dhe diplomohet në shkollën teologjike “Propaganda Fide-s”. Menjëherë pas studimeve të larta u shugurua prift (1890) dhe tre vjet më vonë u emërua prift i Kishes Katolike në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si zëvendës-arqipeshkv (me disa ndërprerje të shkurtëra). Pas emërimit të tij si prift në Durrës, ai ishte i përfshirë në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive. Në këtë periudhë të shërbimit të tij në Durrës, ai kishte marrëdhënie shumë të mira me qeverinë Austro-Hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsisë katolike, pasi që në Perandorinë Osmane gëzonte privilegjin e administrimit apo protektoratit ndaj popullsisë katolike.
Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip, dhe poashtu i shtypit shqiptar patriotik. Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patriarkun grek. Ai ishte edhe pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Poashtu mori pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi me shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe kërkonte angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor 1908 ku u vendos Alfabeti i gjuhës shqipe.
Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, qëllimi i cilit ishte synimi i xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, me të cilin rast Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë dhe hetoi synimet e xhonturqve. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit ku u diskutuan problemet të shkollës shqipe. Në vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit ndërsa më 18 qershor 1910, Imzot Kaçorri u arrestua nga forcat turke si kundërshtar i urdhëresave të qeverisë osmane dhe Sulltanit. Ai mori pjesë në organizimin e kryengritjes së vitit 1911 dhe 1912 kundër turqve. Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga Luigj Gurakuqi. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët don Nikollë Kaçorri nënshkroi i dyti.
Don Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912. Ai ishte një personalitet i kishës katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai ishte monsinjor. Pas një sëmundje të shkurtër, Imzot Kaçorri vdiq në Vjenë, me 29 maj 1917. Në varrimin e tij, më 1 qershor 1917, morën pjesë komandanti i krahines së Tiranës, Feldmarschall Braun, Kryekonsulli i Shkodrës, e veja e konsullit Austro-Hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau si dhe shumë diplomatë të tjerë. Me 2 qershor 1917, në kishën ,,Maria Treu” u tha meshë për të.
Riatdhesimi i eshtrave të Imzot Kaçorrit, të këtij personaliteti që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë dhe që ishte protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare, përveç si një detyrim minimal njerëzor, duhet të jetë edhe akti i fundit i harresës dhe injorimit të qëllimshëm ideologjik dhe me premisa politike që për më shumë se një gjysmëshekulli është bërë ndaj shtresës më të ndritur të kombit tonë.(Enver Sylaj)
Nga Daniel Gàzulli
Tue fillue prej salvimit të Imzot Pjetër Bogdanit e deri tek vetëflijimi i At Anton Harapit, nuk ka ngjarje në historinë e kombit tonë ku kleri katolik shqiptar të mos ketë luejtë një rol shumë të randësishëm për çashtjen kombëtare, qoftë me organizmin e kuvendeve, të shkollave e të qendrave kulturore për popullin shqiptar, ashtu edhe si mbeshtetës të luftës së popullit në qytete e malësi, për mbrojtjen e identitetit dhe të pavarësisë kombëtare; ata ishin drejtuesit kryesorë të Kongresit të Manastirit 1908 për Alfabetin e gjuhës shqipe, ashtu edhe drejtues të delegacioneve përfaqesuse te popullit shqiptar në konferencat ndërkombetare apo pranë kançelarive europiane, atje ku vendosej fati i popullit dhe i trojeve shqiptare; kleri katolik ka qenë dhe asht mbështetës i popullit shqiptar në mbrojte të demokracisë dhe kundër diktaturës komuniste.
Kleri katolik shqiptar ka qenë përherë e mbi të gjitha vetëdija e kombit. Pa të vështirë të thuesh cili do të kishte qenë fati i popullit tonë, qoftë nën pushtimin otoman, ashtu edhe prè e lakmisë së babzitun sllavo-greke. Klerikët katolikë shqiptarë kanë qenë sogjet e qendresës, ata që ndalen që kombi ynë të mos shpërbahej.
Në gjysmën e dytë të shek. XIX roli i klerit katolik u rrit aq shumë, qoftë me zgjimin e vetëdijës kombëtare, ashtu edhe në mbrojtjen e integritetit prej lakmisë së fqinjëve tue luejtë një rol të dorës së parë kudo.
Në fillim të shek. XX, kur tashma çashtja kombëtare ishte shtrue dramatikisht: ose çlirim prej zgjedhës turke e mvetësi, ose të shpërbamë thele-thele në mes shovinistëve serbo-grekë, ata nuk e humben besimin, po mblodhen grusht rreth vetit lulen e atdhetarëve.
Ma shumë se kryengritjet e armatosuna që, gjithësesi, nuk munguen kurrë, pesë shekuj robni kishin mpì ndërgjegjën kombëtare, prandaj zgjimi i saj do të mund të bahej vetëm nëpërmjet ditunisë.
Në cilën shoqni, kuvend, kongres nuk morën pjesë klerikët katolikë e nuk luejtën rolin kryesor në zhvillimin e mbarë të tyne: prej Kongresit të Manastirit, tek ngritja e Flamurit me 06 prill 1911 nga legjenda Dedë Gjo’Luli në Deçiq?
Po edhe kryegritjet antiosmane nuk po sillnin çka andërronte shqiptari, as lëvizjet kulturore nuk po sillnin trandjen përfundimtare të shqiptarëve vetë.
Koha kërkonte tashma hapin e madh, atë drejt Pavarvsisë. Drejt saj kleri katolik pat një rol ndoshta vendimtar, pse mbas çdo kryengritje, mbas çdo peticioni e memorandumi, mbas çdo kuvendi, ishte një organizator meshtar.
Një prej këtyne figurave që do të banin historinë ishte edhe Imzot Nikollë Kaçorri, aq i madh në historinë e vërtetë, gati i panjohun për publikun e gjanë shqiptar, pse gjatë diktaturës ai ishte “i padëshirueshëm” në kunorën e atdhetarëve që banë historinë, prej Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, tek Isa Bolentini e Dom Nikollë Kaçorri, prej Aqif Pashë Elbasanit tek Lef Nosi, prej Abdi Bej Toptani tek Petro Poga, prej Mit’hat Frashërit tek Pandeli Cale.
Prandaj, na duhet ta marrim lexuesin përdore e të shtegtojmë me të prej Lure në Vjenë, dy caqet e skajshme të jetës së të madhit Imzot Kaçorri.
Imzot Nikollë Kaçorri kishte le në Krejë të Lurës më 1862. Ishti i biri i një katoliku dhe i një muslimaneje, gja jo e pazakontë në ato treva. Atje e rriti shtatin në mes pishnajave e kaltërsisë së liqejve e të qiellit. Atje dëgjoi balladat e para që evokonin liri. I kishte ngelë veçanarisht në mend një kangë që thonte:
“Të gjithë gjaqet ju t’i falni,
luftën turkut mos ia ndalni”
Ndrysh prej moshatarëve të tjerë, ai pat fatin të ndiqte mësimet në Seminarin Papnor të Shkodrës, në shkollën ma të organizueme e me nivel ma të naltë shkencor, që ishte atëherë në Shqipni. Ajo shkollë financohej nga Austro-Hungaria e nxanësit ma të zellshëm, shpesh herë ndiqnin edhe studimet e nalta në Austri, ashtu si i ndoq edhe Nikollë Kaçorri për teologi dhe filozofi.
U kthue në Atdhe në vitin 1884 dhe po atë vit u shugurue meshtar në Shkodër. Mbas rreth gjashtë muejsh shërbim në qytet, lurjanin riosh, që në shtëpinë e prindëve festonte Pashkë e Bajram, e caktuen meshtar në Delbinisht të Kurbinit, trevë që vlonte nga zjarri për çlirim nga zgjedha ottomane. Edhe pse mbas pesë vjetësh e caktuen në Durrës, që ishte qendër e Dioçezës, ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me kurbinasit; përkundrazi, i nxiti e i organizojë në kryengritje të armatosun, u siguroi mbi 500 armë e municion, kështuqë në vitet 1905-1907, Kthella dhe Kurbini u banë një nga votrat ma të nxehta në luftë kundër turkut, që tashma kishte shpërthye anë e kand Shqipnisë.
Një vit mbasi shkoi në Durrës, pra më 1892, emnohet Ipeshkëv i Dioçezës së Durrësit dhe asht ndër meshtarët e parë shqiptarë, që për merita të veçanta, dekorohet nga Vatikani me “Kryqin e artë”, mirënjohja ma e naltë që jepej nga Papati.
Imzot Kaçorri përkrahu, nxiti dhe bashkëthemeloi me atdhetarë e intelektualë të tjerë vendas shoqatat e para në Durrës, “Vllaznia” dhe “Bashkimi” (1907-1909), që kishin si synim të mirëfilltë përpjekjet me dalë nga zgjedha turke. Atje takoheshin intelektualët më me za, tue e pasë si synim të pare e sa ma të afërt rilindjen e Shqipnisë, arsimimin dhe gjuhën shqipe. Me veprimtarinë e tij luen rolin kryesor në bashkrendimin e lëvizjes kombëtare edhe jashtë Durrësit, si e vërteton edhe letërkëmbimi me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Aqif Pashë Elbasanin, Shtjefën Gjeçovin, Haxhi Vebi Dibrën etj. Për veprimtarinë e tij të gjithanvshme antiosmane, ai u ba shinjestër e sundimtarëve anadollakë, që e hodhen në gjyq, e dënuen dhe e ridënuen me burg, po në pritje të përgjigjes ankimore nga Stambolli, Imzot Nikollë Kaçorri nuk e ndërpreu aspak veprimtarinë e tij, përkundrazi: Në vjeshtën e vitit 1908 e gjejmë në Manastir si përfaqësues të Durrësit, përkrah At Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Dom Ndre Mjedës e atdhetarëve të tjerë, që arrijten të imponoheshin për pranimin e alfabetit me shkronja latine. Mbas një viti ai do të merrte pjesë edhe në Kongresin e Elbasanit dhe do të bahej mbështetje e randësishme financiare për subvencionimin e Normales historike, ku drejtor u caktue miku i tij Luigj Gurakuqi.
Edhe pse i ndjekun e i përndjekun, Imzot Kaçorri nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me çetat kryegritëse, sidomos ato që vepronin në zonën e Kurbinit dhe në Malësitë e Kthellës, ku përfshihej edhe vendlindja e tij, Lura.
Në Durrës gjendja e tij bahej gjithmonë e ma e vështirë: Ishte një paradoks, po ai u gjend në mes dy zjarrëve, pushtetarëve otoman, që e kishin përherë nën mbikqyrje, e në bashkpunim me ta edhe nga dhespoti i Kishës Ortodokse, Jakovi. Popullsia muslimane e Durrësit dhe e Shijakut, edhe pse e ndërsyeme liksht kundër tij nga turqit, nuk e tradhëtoi kurrë, po përkundrazi, e mbështeti, e mbrojti, shpesh herë edhe me armë.
Bashkëkohësit e përshkruejnë si një klerik jo fort paqësor: Ishte kohë kryengritjesh për liri dhe meshtari nuk i shmangej as luftës së armatosun.
Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër tij nuk pushuen një çast, aq sa gjendjen e tij e përcollën jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit, si gazeta “Dielli”, por edhe gazetat e hueja si “Corriere di Trieste” apo edhe shtypi austriak me të cilin ishte i lidhun posaçrisht edhe për shkak të njohjes së gjuhës, pse atje kishte krye studimit.
Në prag të shpalljes së Pavarësisë Imzot Kaçorri i dërgoi një memorandum Mbretit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefi, çka parapërgatiti vizitën që do të bante delegacioni shqiptar me në krye Ismail Qemalin në Vjenë. Vetë Ismail Qemali u befasue me njohjen e gjendjes aq mirë nga Ministria e Jashtme Austriake, që ka qenë mbështetja kryesore për Shpalljen e Pavarësisë në Konferencën e Fuqive të Mëdha e sidomos në kundërvumjen Rusisë, mbështetësja kryesore e planeve të Serbisë, Bullgarisë e Greqisë për coptimin e Shqipnisë.
Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arrijti nga Trieste me datë 22 Nandor 1912. Durrësi ishte parashikue nga atdhetarët si qyteti ku do të bahej Shpallja e Pavarësisë. Mirëpo, qeveria turke urdhnoi vezirin në Janinë të dërgonte forca ushtarake atje e të zhdukte edhe fizikisht atdhetarët shqiptarë, që donin të shpallnin Pavarësinë. Si thamë, komandanti turk gjet “aleatë” moralë dhe informativë tek dhespoti Jakov me Myftiun e qytetit, që pamundësuen ngritjen e flamurit dhe mbajtjen e kuvendit të parashikuem në Durrës.
Në këto rrethana, me këshillen e Imzot Kaçorrit, delegatët e zgjedhun nga krahina të ndryshme për Shpalljen e Pavarësisë u nisën të primë nga meshtari trim drejt Vlonës, të siguruem nga atdhetarë durrsakë e kështu me radhë gjatë gjithë rrugës.
Kuvendi i Vlonës, i çelun në orën 14,°° të datës 28 Nandor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë. Firmë e dytë, mbas Ismail Qemalit, ishte Imzot Nikollë Kaçorri. Valvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shejtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushueme nga komunistët, u ba pikërisht nga Imzot Noli, Luigj Gurakuqi, Imzot Nikollë Kaçorri e Aqif Pashë Elbasani.
Kuvendi zgjodhi qeverinë e Imzot Kaçorri u zgjodh Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Parë Shqiptare mbas 450 vjet robnie.
Kështu, Më 28 Nandor 1912 mendjet ma të ndrituna të kombit shqiptar të mbledhuna në Kuvendin Kombëtar në Vlonë “me një za venduen që Shqipnia më sot të bahet në vete, e lirë e e mosvarme”. Firmëtarët e këtij vendimi historik ishin: Ismail Kemal (Qemali); Kaçorri (Dom Nikoll Kaçorri); Vehbi Dibra; J. Karbunara; Elmas Boco; Vehbi Harçi; Qazim Kokoshi; J. Minga; Rexhep Mitrovica; A. Ruçi; Abdi (Toptani); Abas Dilaver (Çelkup-a); Mid´hat Frashëri; Shefqet Daiu; Zihni Abas Kanina; Xhelal (Kopernacka); Hajredin Cakrani; Qemal Elbasani (Karaosmani); Iljas Vrioni; Salih Gjuka; Dhimitër Berati; Dhimitër Emanuel (Mborja?); Dhimiter Zografi; Murat Toptani; Pandeli Cale; Luigj Gurakuqi; Bedri Pejani; Spiro (don) Ilo; Thanas Floqi; Lef Nosi; Dr. H. Myrteza; Nuri (Sojliu); Mustafa Asim Kruja; M. Ferid Vokopola; Ymer (Deliallisi); Xhemaledin (Xhemal Deliallisi); Nebi Sefa Lushnja; Zuhdi Ohria, ndërsa 2 emna janë të palexueshëm, pse, si dihet, nga 83 delegatë të zgjedhun, munden të arrinin në Vlonë vetëm 42, pse të tjerët u penguen nga hordhitë serbe e bullgare, që kishin sulmue Shqipninë Veriore e Qendrore, nga malazezët që kishin rrethue Shkodrën, nga komanda turke e Janinës, shiko-shiko!, në bashkpunim me çakejt e Athinës. Po aty ishin Shkodra a Malësia, aty ishte Prizreni e Kaçaniku, Ohri e Çamëria. Edhe pse jo fizikisht, aty ishin edhe Dedë Gjo’ Luli e Hasan Prishtina, Gjergj Fishta e Bajram Curri e gjithë lulja e atdhetarëve që u punguen(penguen) nga fqinjët barbarë.
Roli dhe autoriteti i Imzot Kaçorrit në atë qeveri ka qenë i dorës së parë, edhe pse Ismail Qemali, që mbante edhe detyrën e Ministrit të Jashtem, qendroi ma shumë nëpër kançelaritë e Europës për njohjen e Shtetit të ri Shqiptar dhe në përpjekje për moscoptimin e vendit.
Po ngjarjet do të ridhnin jo ashtu si kishin andërrue atdhetarët: Lufta Ballkanike, pabesia e Esat Pashë Toptanit dhe e mehmurëve të tjerë me trup në trojet arbnore, po me mendje e zemër në Stamboll, banë që Qeveria e Ismail bej Vlonës të mos jetonte gjatë.
Nikollë Kaçorri u kthye në Durrës. Aty ai do të ndeshej me një nga ngjarjet ma të shëmtueme në historinë shqiptare Renegati Haxhi Qamili do t’i digjte qelën ku banonte dhe t’i shkatrronte bibliotekën e tij personale, ndër ma të pasunat në Shqipni në atë kohë.
Po Imzot Kaçorri nuk u step. Bashkë me Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujen, Themostokli Germenjin etj., themeluen lidhjen “Për Atdheun e për Thronin”, që të mund të ndalnin atë hemorogji të tmerrëshme kombëtare që po shkaktonin atdhemohuesit si Esat Totani, Haxhi Qamili etj.
Në ato vite të trazueme të Luftës së Parë Botnore, në rrethana politike e vetjake që kanë mbetë mister(mos duhet – ende misterioze), Imzot Kaçorri dërgohet në Vjenë, ku edhe ndërron jetë me 29 Maj 1917.
Nga kostelacioni i yllësisë së atdhetarëve ma të shquem shqiptarë shkëputej një yll i pashoq, lurjani i urtë e trim, që as u përkul kurrë, as u thye.
Po tragjedia personale e Imzot Kaçorrit do të vazhdonte e mund të themi vazhdon edhe sot e kësaj dite. Një mur heshtjeje, i plumbtë, u vendos përreth tij. Deri më 1962, që përkonte me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, emni i tij u harrue plotësisht. Në atë përvjetor u përmend për herë të parë qysh prej vitit 1944. E si shpërblim e fyen deri në palc: Për veprimtarinë e tij atdhetare ndër ma të shquemet e dekoruen me urdhënin fyes “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë”! Atë, viganin, me një medalje të klasit të dytë! Në përmendoren e Pavarësisë nuk u paraqit truporja e tij e shejtë. Në asnjë vepër arti, aq të shumta për Pavarësinë, nuk u pikturue fytyra e tij e ndershme. Në faksimalin e Aktit të Pavarësisë u arrijtë deri atje sa iu hoq firma e bukur. Në filmin “Nandori i dytë”, kushtue Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm një herë, po jo në ballkonin ku u valëvit Flamuri i shejtë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, faqe 440, Imzot Nikollë Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 gjysma rreshtash, prej të cilëve katër rreshta për një shpifje bajate ndaj Klerit Katolik. Vetë zani “Shpallja e Pavarësisë” (faqe 1031) ka vetëm 17 rreshta të një kolone, kurse lopçarja Lenka Çuko ka 55 rreshta, ndërsa renegati e turpi i historisë shqipatre, Haxhi Qamili, ka gjithashtu plot 55 rreshta, pa folë për themelimin e rrugën e “lavdishme” të PKSh me plot 939 rreshta!
Rasti i Imzot Kaçorrit asht shembull tipik që provon thanjen e Sami Frashërit “Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelat”.
Po pse u kalbën, u harruen dhe u përbuzën figurat ma të shqueme historike, ndërsa u lartësuen kriminelët, pansllavistët, turkofilët dhe grekofilët, le t’ia lamë kohës ta gjykojë. Një gja asht e sigurtë: ata i banin hije bandës së Enver Hoxhës.
Fatkeqësisht edhe mbas viti 1990 vetëm sa u tha ndonjë fjalë për të madhin Imzot Kaçorri, vetëm sa u shkrue ndonjë artikull, sa me thanë se po e kujtojmë, si shprehet populli. Po sot, kujt i ban hije ky vigan?
E ndjej për detyrë morale të falnderoj Bashkinë e Durrësit, i vetmi institucion që e nderoi ashtu si e meriton, me një monument dinjitoz.
Ata banë historinë. Nuk kanë nevojë për lavdi, sepse janë lavdia vetë. Kemi nevojë na për ta, që ta kuptojmë cilët kemi qenë e cilët jemi.
Ata janë përfaqësuesit e genit tonë.
Në këtë përvjetor, nësa po afrohet tashma 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, Imzot Nikollë Kaçorri do të jetë përsëri në Vlonë tue adhurue shqiponjen me dy krena, por me një zemer.
Autori – Daniel Gàzulli
Lezhë, më datën 21.XI.2010