Rita Saliu,u lind në një familje me traditë të gjatë atdhetare në Prizren. U shkollua në Prishtinë, ndërsa të shumtën e kohës e kaloi midis Kosovës dhe Amerikës, ku kjo e fundit i krijoi të gjitha parakushtet të merrej më denjësisht me çështjen e Kosovës, për të cilën, nuk u ndal asnjëherë, sidomos, pas vitit 1981, kur kuçedra ballkanike i ishte sulur edhe njëherë Kosovës dhe po ia zinte frymën gjithnjë e më shumë, Rita nuk pushoi së vepruari, fillimisht në Kosovë e pastaj në Amerikë… Ku ajo shkroi shumë shkrime për Kosovën, të cilat u botuan në shtypin e lirë në Sh.B.A.Rita arriti edhe sukseset e para në letërsi, pasi përvoja që fitoi e mbushi me frymëzim, ndërsa ngjarjet që kishte përjetuar vetë, nuk duheshin harruar.Krahas shkrimeve gazetareske për Kosovën, Rita botoi edhe shumë poezi në shtypin e këtushëm, për të cilat morri edhe vlerësime të veçanta nga ato poezi..Me poshte po botojme nje cikel poezish shkeputur nga vëllimi poetik: “ENGJËJT NUK JETOJNË NË TOKË”.
.
Falë Jetës
Të bukurën ma morën.
Falë Jetës
Duke ma përdhosë shpresën
Ma morën pranverën
Duke ma shkelë lulen
Ma morën lumturinë
Duke më vra dashurinë
Falë jetës
Ruajta vetëm një grusht dhé
Të shndërruar në baltë të ëmbël
Njomur me djersë dhe gjak
Pastaj riktheva pranverën
Bukurinë rilinda
Përjetësova lumturinë
Me ngjyrën e syve të dheut
Falë jetës
Zhvesha pikëllimin
Shpirtin ia fala këngës
Të ma ruajë zërin nëpër kohë
Sa shumë halle
Dhe mall për baltën tënde
Frikohem të jem vonuar
Të kthehem në brigjet e tua
Të endem me këpucë të lustruara
Me djersën dhe gjakun e shekujve
ÇELËSI I MALLIT
Në xhepin e shqyer nga malli
Të palltos së harruar në gardhin e vendlindjes
Kërkoj çelësin e përjetimit
Portat e harrimit për t’i hapur
Të më thërrasë kujtesa të kthehem
Nga dheu i huaj në prehër të nënës
Që më pret te kulla e braktisur
E rrënuar nga stuhitë karpatiane
Duke qarë për mua vret vetminë e heshtjes
Apo mungesën time dëshiron ta vrasë
E kulla ia reciton heshtjen pa mua
Çelësin e mallit e gjej
Në fund të palltos së mykur moteve
Që ruan plagët e lirisë
Në betejën e mbramë
Era e mykut më shndërrohet në aromë
Ua fal luleve që vendos te shtatorja e lirisë
Ku u betova se s’do ta lë më vetëm nënën
Përtëritja i kthehet kullës
Dhe e mbyt harrimin e heshtjen
POEZIA
Poezia është mbretëreshë
Vasha më e bukur
Që i bën lulet të çelin
Është zambak
Që i fal ngjyrë paqes
Dashurisë i dhuron aromë
Është kënga më e bukur
Fildish i fushave bleroshe
Është zë plot jehonë nëpër kohë
Dhurata më gjeniale për njeriun
Është krah i hapur i lejlekëve
Që bartin nektarin e bukurisë
Është brumë që gatuhet për çdo sofër…
Shoqja ime jetës – e pashtershme
ENGJËJT NUK JETOJNË NË TOKË
Fytyra e Atdheut
Ngjyrë limoni
I pasur me relikte të rralla
Gjithçka e mirësisë
Mbuluar me gjethe thinjash
Yll i hutuar
Si engjëll i trazuar
Për fatin tragjik
Helmohem prej të helmuarit
Nga pragu iku dhe qeni besnik
Për mungesë nderimi
Çfarë duhet të di në këtë kohë…
Po e shoh (kuptoj) se engjëjt nuk jetojnë në tokë.
AFSHI
Me plagë në zemër
Me shpirtin e trazuar nga mllefi
Nisem për në brigjet e lashtësisë
Të gjej pak ngrohtësi pranë zjarrit të shenjtë
Të vatrës ku e lash loken të larë në lot
Ku shpirti më përtërihet
Duke prekur lashtësinë
Me degën e zemrës
Do të vij bregut të detit
Ta përtërijë ujin me lot
Si nënat e kërrusura nga pesha e vetmisë
Dhe në këmbë do ta kaloj oqeanin
Me fuqinë e gjysheve
Që dua të më bekojnë në altarin e kthimit
FJALA
Fjala merr ton mallëngjyes
dhe më bind
se nuk mund t’i vihen pranga shpirtit
fundi i jetës nuk është vdekja
kur je zot shtëpie
NDJEJ
Në këtë qiell kaq të ngatërruar
Ndjehem e tronditur
Më kaplon një lodhje
E përqafoj dheun tim
Dua të ndahem përfundimisht nga e kaluara
Të shndërrohem në shpirt
Që djegë bërllokun
Dhe shpërlanë gjithë të keqe mbi dhe
MEMORIALI I JASHARËVE
Zëri i kambanave ushtonte në Prekaz
Ta dëgjonte bota memece
Një flamur, një valle,
një shqiponjë, një vatër
dhe gjaku në ballë
dhe plagët në gjoks
Dielli e retë
dëshmitarë të lirisë
pranvera do të çelë lulet
në krenarinë e kujtimit
Memoriali i Jasharëve
si Sfinks u bën roje varreve
PËRBALLIMI
Përballem me stuhitë e mallit
Tek sodis nga dritarja e mendjes
Në shpirt
Shiu i kujtimeve
Po më kalbë… po më kalbë loti i dhembjes
Rrëzohem trotuareve
Kërkoj askund nuk e gjej
Përpëlitem dhe më fanitet vetvetja
Në ëndrrat për vendlindjen
Kur të kthehem
Do ta sjell portretin tim
Që ma dhuroi mërgimi
Shpresoj të m’i njohësh
Sytë e mi të mekur
Nën flokët e mi të thinjur
Mall i përjetshëm,
VEND I LARGËT
Vendi i largët
Me sy të stolisur
Me flokë të blertë
Më mashtroi si një përrallë
Tashmë kur jam bërë gjyshe
Përralla nipërve nuk u tregoj
Lum ai që nuk u bë personazh
I përrallës që më mashtroi
KËNGA
Sa mall kam për këngën e kujtimeve
Deri të arrij te burimi i shpirtit
Më jehon kumbimi i saj si ushtimë pylli…
Ai kushtrimi më bëri trimëreshë
Ngado më hodhën valët e jetës
KUJTIM
Kujtesa ma kthen shpirtin
ma kujton plagën që më vriste
si shigjeta zogun pa krahë
kur fërkoja shuplakat e dregëzuara nga kazma
nuk mund të heshtë
armiku është fshehur
si kukuvajkat nën çatinë e kullës
në errësirën që s’i mund drita e vajgurit
e presin t’i këndojnë ngadhënjimit të vdekjes
nga arma do të ndahem
vetëm kur të vete në varr
DIKUSH
Ajri pështillet rreth një ëndrre në gjumë
Asgjë nuk fryn asgjë nuk ngrihet
Retë notojnë qetë qiellit të kaltër
Mund të bien në tokë të bëhen shi
Të bëhet baltë e përbuzur të shkelur
pamëshirshëm
Dikush luhatet fshehurazi pas hijes së vet
E dëshiron punën e dhelprës përballë rrushit
Merr në thua e rrëzohet
E Ti u dashka falje t’i kërkosh
Hijes që s’e njeh as nuk e ndjenë
Pa fjalë, vetëm me mimikë
T’i tregosh sa je e kujdesshme
E ai ka të drejtë edhe mos me të kuptue
Kur të përsëritet vapa në bregun tjetër
Mbrëmja bëhet e padurueshme
Me buzën në gaz i bënë lajka shpirtit
Ndërsa ti ngrihesh në ajër si zog pa krahë
Me kthetra të prera shkëmbinjve të robërisë
NGJITJA
Ngjitem shkallëve të jetës
Si në skenë teatri
Ku vetëm një herë mund të luaj heroinën
E ëndrrave të mia për dheun
Që blerohet çdo pranverë
E ma përjetëson ngjyrën e syve të mi blerosh
Eci kokëlartë me fytyrë kah jugu
Dielli më përcëllon
Të më japë ngjyrën e dheut që më mungon
Ndeshem me valët stuhitë netët korb të zeza
Deri në agim që i fal mendjen shpirtin djersën
Vë duart e lodhura mbi ije
Pres përqafimin e njomë të fëmijëve
Ngjitur majave të bjeshkëve
Të shndërruar në diej në yje
M’është thinjur malli për kullën
E shndërruar në shkëmb
Mund të ngre flamurin
T’ia them këngës malësorçe
Si gjyshi para litarit a në teh të hanxharit
Po e këndoj këngën si duke folur më vete