2011-02-14

Tradhtia ndaj Kosovës, partizanët shqiptarë u vunë në shërbim të jugosllavëve





Nga: Tanush  KASO


Urdhri i Titos për Enver Hoxhën të dërgonte në Kosovë divizionet e partizanëve shqiptarë dhe si u përdorën këta të fundit nga forcat serbe për të shtypur shqiptarët e Kosovës
 Në këto kushte, ushtrisë gjermane, të thyer në të gjitha frontet, në Rusi e në Evropë, nuk i mbetej tjetër veçse të tërhiqej me shpejtësi e me sa më pak humbje drejt atdheut të vet, ku duhej të bënte qëndresën e fundit. Kësisoj, autokolona të pafundme ushtarësh e mjetesh, futeshin nga toka greke në jug të Shqipërisë dhe duke përshkuar disa qindra kilometra arrinin në veri, prej nga kalonin në Jugosllavi, për të vijuar rrugën për në Gjermani. Ndërkohë, gjatë kësaj maratone tragjike, që vazhdonte me ditë e net, ajo goditej kohë pas kohe, nga prapa dhe anash, prej forcave partizane, me synimin që të dobësohej sa më shumë qëndresa e saj e mëtejshme në Gjermani. Praparoja gjermane u përgjigjej flakë për flakë sulmeve të forcave partizane dhe, për pasojë, mbeteshin shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Por dëmin më të madh ia shkaktuan ushtrisë gjermane në tërheqje, avionët anglo-amerikanë, me mitralime e bombardime, gjatë gjithë atij rrugëtimi të tmerrshëm.Në Shqipëri, për t’u përmendur është goditja e autokolonës gjermane nga aeroplanët anglezë në rrugën Elbasan-Tiranë, tek vendi i quajtur Qafa e Kërrabës, ku ende sot gjendet një përmendore kushtuar “lavdisë së luftës partizane”. Aty u qëlluan nga ajri e mbetën të vrarë shumë ushtarë gjermanë dhe u dogjën e u shkatërruan një numër makinash e mjetesh të blinduara.Të njëjtin fat pati autokolona gjermane edhe kur përshkoi rrugën e kthimit nëpër Jugosllavi. Ja si përshkruhen disa nga ato humbje, në faqet e një ditari me autor anonim, të ruajtur e të botuar (pjesërisht) në vitin 2006, nga ish-ushtaraku i Divizionit të 6-të shqiptar në Jugosllavi, Resul Bedo: “2 janar 1945: Mot i rënduar, erë e furtunë. Brigada e 7-të marshon në drejtim të Jabllanicës. Rruga e mbushur me kufoma nazistësh dhe armë. Luftëtarët mbledhin armë e municione. Gjurmë të bombardimeve të aviacionit anglo-amerikan në Bioce…
 4 janar 1945: Marshimi i brigadave kryhet nëpër luginën e lumit Tara. Kudo gjurmë luftimesh. Kolonat e nazistëve janë ndëshkuar rëndë nga aviacioni i aleatëve. Rifillojnë luftimet mes pararojës së Divizionit, me praparojën e nazistëve, në afërsi të Kolashinit…
 5 janar 1945: Vazhdon të bjerë shi e borë… Ndeshen gjatë rrugës trupa të shumtë të kufomave, kamionë e mjete të shkatërruara, që kishin targa të Shqipërisë dhe të Athinës”.(Resul Bedo: “Divizioni i 6-të “Sulmues” në fletët e një ditari” – Tiranë, 2006).Pra, shihet qartë se ushtria gjermane po largohej vetë, si nga Greqia e Shqipëria, edhe nga Jugosllavia.Këto vende po zbrazeshin, po çliroheshin, sepse Gjermania, e mundur dhe e thyer në frontet kryesore të luftës, nga forcat ushtarake të aleancës anglo-sovjeto-amerikane, nuk kishte asnjë arsye për të qëndruar ende në Ballkan. Ajo tanimë po tërhiqej në atdheun e vet, duke i lënë të lira vendet e Ballkanit, që i kishte pushtuar “përkohësisht”, për nevojat e “luftës kundër anglo-saksonëve”, – siç kishte deklaruar kryekomandanti i forcave gjermane, sapo kishte shkelur në Shqipëri (shih gazetën “Kombi”, 28 shtator 1943). Kështu që -në të vërtetë- këto shtete nuk po i çlironin partizanët, pavarësisht se ata, qysh nga shtatori 1943 e në vazhdim, kishin bërë luftë çetash kundër forcave gjermane. Me pak fjalë: Është e qartë dhe e sigurt se Jugosllavia do të ishte çliruar edhe pa ndihmën e dy divizioneve shqiptare, të kërkuara me ngut nga Josif Broz Titoja. Po përse iu deshën, realisht, udhëheqjes së lartë sllavo-komuniste, ato forca ushtarake shqiptare në Jugosllavi, e veçmas në Kosovë (kur gjermanët ishin larguar andej)? Në se do të pranonim versionin e propagandës komuniste se ato shkuan atje, të shtyra nga ndjenja internacionaliste “për të çliruar Jugosllavinë”, atëherë: përse kur dy divizionet po shkonin drejt Sarajevës, në ndjekje të gjermanëve, iu dha papritmas urdhri që të ktheheshin në Kosovë?  Ishte një urdhër i dhënë me fonogram nga Tirana, që i çuditi edhe krerët e Divizionit të 6-të, me të cilin kërkohej që: “Divizioni i 6-të të ndërpresë luftimet në Bosnjë dhe të përqendrohet në Kosovë (në zonën Mitrovicë-Vuçitern-Podujevë.” . Ky urdhër i pabesueshëm bëri që radisti i Divizionit të kërkojë ritransmetim. Erdhi i njëjti njoftim: “Divizioni të ndërpresë luftimet në Bosnjë dhe të përqendrohet në Kosovë.”…Komandanti i Divizionit, kolonel Gjin Marku dhe komisari Njazi Islami kërkuan të dinin më tepër. Përsëri erdhën shpjegime të tjera. Divizioni duhej të kthehej në Kosovë. Po përse?” (Resul Bedo: “Divizioni i 6-të “Sulmues”, në fletët e një ditari”. Tiranë, 2006; faqe 183-184).  Përgjigjen e asaj pyetjeje, ata do ta merrnin menjëherë sapo të arrinin në Kosovë e të njiheshin me gjendjen e krijuar atje, me terrorin e pashembullt serbo-malazez mbi popullsinë shqiptare dhe me rezistencën e armatosur të burrave të Kosovës, për vetëmbrojtje. Kërkohej ndërhyrja e dy divizioneve shqiptare, si “amortizatorë”, për qetësimin e situatës, për shuarjen e qëndresës mbarëpopullore kosovare. Kjo fillimisht do të bëhej me propagandën mashtruese të “vëllazërim-bashkimit”; pastaj edhe me prerje në besë e tradhti të hapur, deri në ndeshje me armë, me kosovarët kryengritës.
 Synohej vazhdimi i strategjisë së ndjekur në Shqipëri nga misionarët jugosllavë të tipit Mugosha e Miladin Popoviç, qysh me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare, për të përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve. Në këtë rast, komunistët e Shqipërisë do të duhej të vepronin mbi bashkëkombësit e Kosovës, për llogari të shovinistëve serbo-malazezë, të maskuar pas ideologjisë marksiste-leniniste dhe “internacionalizmit proletar”. Këtë “detyrë internacionaliste”, udhëheqësit komunistë të Tiranës (Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Haxhi Lleshi, etj…) si dhe krerët e përzgjedhur të dy divizioneve të dërguar në Kosovë, do ta realizonin plotësisht, me të gjitha format e mjetet, me mashtrim e dhunë. Ata u kthyen në kodoshë politikë, duke u përpjekur t’iu mbushnin mendjen kosovarëve se ujqërit serbë e malazezë me yllin e kuq, tanimë ishin kthyer në qengja.Populli fisnik i Kosovës i priti me përzemërsi bashkëkombësit e divizioneve “nacionalçlirimtare shqiptare”; shpresoi dhe besoi në mbrojtjen e tyre. Por, dolën tepër të zhgënjyer, kur panë se ata i kishin humbur të gjitha cilësitë e mira të shqiptarit dhe ishin bërë njëlloj si sllavët. Le të shikojmë disa nga çastet e mikpritjes së çiltër kosovare, sipas librit të përmendur më sipër, të R. Bedos, “Divizioni i 6-të “Sulmues” në fletët e një ditari”: Faqe 201: “Brigada e 8-të dhe e 22-të parakalojnë në Mitrovicë, të brohoritura nga populli. Brigada e 22-të vazhdon marshimin në drejtim të qytetit Vuçitern. Vendoset në qytet dhe pritet me përzemërsi nga populli.” Faqe 269: “Ardhja e Divizioneve tona në Kosovë, ndikoi për të zbutur goditjet e egra dhe raprezaljet ndaj shqiptarëve, ndikoi në ndalimin e vrasjeve masive nga ana e serbëve. Po ajo nuk ia arriti të shmangte tërësisht të keqen. Në ditët e mëvonshme ngjarjet rrodhën ndryshe.”Pra, dy divizionet shqiptare, edhe pse ishin në dijeni të plotë dhe i shihnin nga afër ngjarjet tragjike, nuk bënë asnjë veprim konkret për ta ndalur “të keqen”. Ato vetëm mbanin konferenca në popull, për “bashkim-vëllazërimin” dhe hanin pite Kosove. Nuk është aspak e vërtetë ajo që thuhet se “Ardhja e Divizioneve… ndikoi në ndalimin e vrasjeve”, sepse “Masakra e Tivarit” ndodhi bash në atë kohë, kur ato gjendeshin në Kosovë, në marsin e vitit 1945. Madje, kjo ngjarje as që përmendet fare në librin e shkruar “me partishmëri të lartë” nga ish-pjesëtari i asaj ushtrie, Resul Bedo.Faqe269: “17 mars 1945: Sot në Podujevë, komisari i Brigadës 7-të, Qazim Kapisyzi, mbajti një konferencë, ku morën pjesë një shumicë e madhe vendësish. Batalionet zhvillojnë konferenca në popull”. Faqe 270: “Në Bosnjë jetonim të uritur, me pak bukë elbi ose dy kokrra patate në ditë, kurse në Kosovë motrat tona na shtrojnë në sofër pite Kosove.” Kjo na kujton vargjet e Naimit: “Buk’ e mëmëdheut i zëntë, tradhëtarët e pabesë!”. Sepse shumë prej atyre djemve e burrave të Kosovës, që me flamurin kombëtar ndër duar, u bashkuan me divizionet shqiptare dhe kërkonin shpëtim prej tyre, iu kthyen poshtërsiht forcave jugosllave, ku gjetën vdekjen. Diçka e tillë tregohet (pjesërisht), edhe në librin “Unë, Ramiz Alia, dëshmoj për historinë”, nga i cili citojmë: Faqe 35: “Ne morëm një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugosllave, që të dy divizionet tona të shkojnë në Kosovë… atje në atë kohë kishte lëvizje antijugosllave. Me pak fjalë, situata ishte shumë e turbullt. Më kujtohet, asokohe flisnin shumë keq për një brigadë malazeze, e cila bënte kërdinë në Kosovë”.( Pra, komisari i Divizionit të 5-të, R. Alia, është në dijeni për atë që ndodh me vëllezërit kosovarë dhe nuk reagon fare, d.m.th. pranon në heshtje gjithçka. Dhe juridikisht e moralisht, mosveprimi dënohet).Faqe 36: “…divizioni ynë nuk ka marrë pjesë në luftime. Por neve na kanë ardhur shumë kosovarë, e mbaj mend si sot, me flamur shqiptar duke thënë: -Në dorën tuaj…”.Dhe Ramizi me shokë, i dërgoi ata në duart e kasapëve serbo-malazezë. Kjo është e pafalshme! Komisari R. Alia dhe komandanti Rrahman Perllaku, i kanë qëndruar besnikë në krime, padronit të tyre, Enver Hoxhës, të cilit i raportonin gjithçka u kërkonte; dhe zbatonin me servilizëm urdhrat e tij. Më 7 prill 1945, vetëm një javë mbas masakrës së Tivarit, nga Mitrovica ata i përcjellin Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, listën e kosovarëve të tjerë, që do të dërgoheshin drejt vdekjes. Në dokumentin që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, firmosur nga komandanti, n/kolonel Rrahman Perllaku dhe komisari, n/kolonel Ramiz Alia, shkruhet tekstualisht: “Bashkangjitun po ju dërgojmë listën emnore e të dorzuemve dhe të vullnetarëve kosovarë t’ardhun në radhët e këtij Divizioni.-“. (Gazeta “RD”, 21 shtator 2010).Ndërsa me radiogramin e nisur nga Tirana, më 5 qershor të vitit 1945, urdhërohej: “Divizionit të 5-të. Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 (jugosllav- T.K.) -Enver.” (Gazeta “RD”, 22 shtator 2010).Në “dëshminë e tij për historinë” si dhe në librat e tjerë me histori lufte, ish komisari i Divizionit të 5-të nuk thotë asnjë gjysmë fjale për “Masakrën e Tivarit”. Bën të padijshmin dhe i shmanget përgjegjësisë për atë ngjarje makabre. Pa ndihmën dhe bashkëpunimin me komunistët shqiptarë, Titoja do ta kishte shumë të vështirë t’i shtypte revoltat në Kosovë. Dhe vetëm për këtë qëllim i kërkoi dy divizionet shqiptare, jo për të luftuar gjermanët e për të “çliruar Jugosllavinë”. “Operacionet e organizuara me pjesëmarrjen e reparteve të shumta ushtarake jugosllave, kundër “forcave kundërrevolucionare”, filluan në ditët e para të dhjetorit 1944. Në botimet e ndryshme të publikuara në Serbi dhe në Jugosllavi, midis të tjerave, është theksuar se pas çlirimit të Kosovës, atje shpërtheu një qëndresë e armatosur me pjesëmarrjen e mijëra “kundërrevolucionarëve” dhe “brigadave balliste”… Sipas tyre, qëndresa e armikut ishte aq e fuqishme në disa rajone të Kosmetit (si në Drenicë), saqë çoi deri në luftime frontale.” (Lefter Nasi: “Ripushtimi i Kosovës” – Tiranë 1994, faqe 142).  “…nën pretekstin e mbledhjes së armëve dhe të shtypjes së reaksionit, repartet jugosllave filluan fushatën e terrorit, pa bërë asnjë dallim… Ata filluan ta torturonin dhe ta dënonin pa gjyq popullsinë, duke e akuzuar se kishte armë.” (Po aty, faqe 143). “Në këtë operacion, krahas reparteve të UNÇ të Jugosllavisë, morën pjesë edhe formacione të UNÇ të Shqipërisë, të cilat në atë kohë vepronin në Kosovë. Sipas pohimeve arbitrare të Shtabit Operativ të Kosovës, Brigada e 5-të e UNÇSh do të vepronte në “vatrën e reaksionit”, në krahinën e Drenicës….terrori antishqiptar mori përmasa të gjera, të shëmtuara dhe, për rrjedhojë, ai provokoi revoltën masive të armatosur të popullit shqiptar për t’u vetëmrojtur.” (Po aty, faqe 144). “Në mesnatën e 2 dhjetorit 1944 mijëra fshatarë të udhëhequr nga Adem Gllavica, Qazim Llugaxhia, Hysen Tërpeza, etj., sulmuan gadi nga të gjitha anët qytetin e Ferizajt. Pasi thyen qëndresën e forcave që ruanin qytetin, brenda një kohe të shkurtër ata marshuan drejt qendrës së qytetit dhe ndërtesës ku ndodhej shtabi i brigadës. Me fshatarët që sulmonin u bashkuan banorë të qytetit, si edhe një pjesë e të rinjve shqiptarë të mobilizuar në formacionet e UNÇ të Jugosllavisë… Me kërkesën e shtabeve jugosllave, aty u dërgua me nxitim edhe Brigada e 25-të e UNÇSh, e cila deri në këtë kohë ishte e përqendruar në Gjakovë. Më 3 dhjetor ajo arriti në qytetin e Ferizajt, ku vazhdonin luftimet ndërmjet Brigadës së dytë kosovare dhe forcave që kishin sulmuar qytetin, të cilat arrinin në 2500 veta. Në mbrëmjen e asaj dite u fut në luftim batalioni i parë dhe i dytë i kësaj brigade (të 25-të, të UNÇ Shqiptare – T.K.). Rrethimi i qytetit u ça brenda një kohe të shkurtër, sepse forcat fshatare e lëshuan frontin… Forcat fshatare të përqendruara në atë sektor, u tërhoqën pa bërë asnjë qëndresë dhe “pa shkrehur asnjë pushkë”, sepse nuk pranuan të ndesheshin me formacionet e UNÇ të Shqipërisë.” (Po aty, f.145-146).
 Janë edhe një varg revoltash të tjera të kosovarëve në Gjilan, Mitrovicë, Drenicë, Polluzhë, Vuçitern, etj.. Dhe pas shuarjes së tyre, për shkak të kolaboracionizmit të komunistëve shqiptarë me serbo-malazezët, vijojnë operacionet ndëshkimore dhe gjenocidi i vërtetë, që shtrihet edhe në fshatrat më të thella, në të gjithë Kosovën. “Shtypja e revoltave u shndërrua në një kasaphanë të vërtetë, që synoi asgjësimin sistematik dhe të organizuar të popullit shqiptar. Nga të dhënat e dëshmitarëve të ngjarjeve dhe të dokumentave të kohës, del se gjatë dimrit të vitit 1944-1945 në viset shqiptare në Jugosllavi, u asgjësuan rreth 40.000 veta.” (L. Nasi: “Ripushtimi i Kosovës”, faqe 182).
 Disa nga drejtuesit e UNÇ Sh dhe ata të LANÇ të Kosovës “i informuan drejtuesit kryesorë të PKSH për gjendjen e rëndë, për ndjekjet, raprezaljet e terrorin që mbizotëronte në Krahinë. Në atë kohë F. Hoxha (Fadil Hoxha, udhëheqësi komunist kosovar – T.K.), deklaronte hapur se në politikën e ndjekur në Kosovë e në viset e tjera shqiptare, nuk shikonin ndonjë ndryshim me të kaluarën, se shqiptarët vuanin si në periudhën e Jugosllavisë së kralëve. Por drejtuesit e PKSH nuk patën kurajon e guximin për të ngritur zërin dhe për të kërkuar zgjidhjen e problemit kombëtar të popullit shqiptar, për të mbrojtur të drejtat e tij të ligjshme kombëtare, por as për të protestuar kundër shtypjes së egër të ushtruar në këto vise. Për më tepër, një nga drejtuesit kryesorë të PKSH, Koçi Xoxe, e informonte shefin e OZN-as për Kosovën, S. Gjakoviçin, për takimet dhe ankesat e paraqitura në atë periudhë nga F. Hoxha.” (Po aty, faqe 160). “Pas qetësimit të gjendjes në këto vise, udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave kërkoi largimin e formacioneve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, drejt kufijve jugorë të Republikës së Maqedonisë dhe më pas kthimin e tyre në Shqipëri.” (Lefter Nasi: “Ripushtimi i Kosovës”, faqe 183).Kuptohet se mbasi i kishin përdorur siç deshën vetë dy divizionet shqiptare dhe mbasi e kishin arritur qëllimin e tyre kryesor: vënien e Kosovës nën kontrollin e plotë policor, për jugosllavët tanimë ato forca ushtarake ishin krejtësisht të panevojshme, madje “të bezdisshme”. Kishte mbaruar akti i fundit i tradhtisë ndaj popullit të Kosovës.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...