2011-02-14

Dy realitetet e kulturës shqiptare



Nga:Robert ELSIE


Nuk ka dyshim se shqiptarët kudo në Ballkan flasin gjuhën e tyre të përbashkët dhe, si rezultat, kanë kulturën e përbashkët, ndryshimet krahinore të së cilës veçse e begatojnë atë. Megjithatë, tani mund të shtrohet teza e ekzistencës, jo e një, por e dy letërsive shqiptare, ose të paktën e një letërsie me dy realitete. Gjysmëshekulli i fundit, periudha më e rëndësishme e historisë së zhvillimit të Shqipërisë, ka qenë periudha e ndarjes. Flirti politik midis PKJ dhe PKSH përfundoi në një tërmet që tundi gjithë shtëpinë – Shqipëri duke e ndarë në copa. Kështu u krijua drama e saj e madhe, aktet e së cilës luheshin njëkohësisht.

Me çlirimin e Shqipërisë nga diktatura, me shpërthimin e luftës në ish-Jugosllavi, një lufte e cila bëhet afër, shumë afër Kosovës, me rritjen e nacionalizmit dhe acarimin e marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit, ideali i ribashkimit të popullit shqiptar merr një rëndësi të veçantë. Nga ideali i përhershëm u bë sërish shpresë konkrete. Realizimi i bashkimit politik tani për tani duket një çështje tepër delikate dhe plot rreziqe. Mundësia e bashkimit duhet trajtuar me qetësi, kujdes dhe me një shikim afatgjatë. Mirëpo ekziston një fushë tjetër bashkimi, ndoshta po aq e rëndësishme, në mos më tepër, që, ndërkohë, mund të realizohet mjaft shpejt dhe pa rreziqe. Është bashkimi kulturor i shqiptarëve.
Bashkimi kulturor në asnjë mënyrë nuk duhet të sjellë me vete nivelizimin e gjërave, as dhe uniformitetin. Përkundrazi, kultura shqiptare, le të ketë dhe ajo sa më shumë ndryshueshmëri, sa më shumë kundërshtime. Nivelizimi, kjo ambicie partiake, ëndrra delirante e E. Hoxhës, gjendej shpesh në Shqipëri. Shkrimtari Anton Pashku e përshkroi bukur në romanin ‘Oh’ nga ku po e citojmë: “Do të ketë vetëm nji shtypshkronjë, e cila do të botojë vetëm nji abetare, vetëm nji libër leximi, vetëm nji libër të historisë, vetëm nji libër të filozofisë, vetëm nji tregim… vetëm nji dramë, vetëm nji sonet… vetëm nji gazetë të përditshme… do të ketë vetëm nji radiotelevizion, i cili do të emitojë vetëm nji kangë… vetëm nji lajm, vetëm nji informatë… vetëm nji vështrim, vetëm nji kritikë letrare…”
Nëse do duhen diversitete sa më shumë, ç’do të ishte atëhere bashkimi kulturor? Për mua ai duhet të jetë zbulim, një zbulim i vërtetë. Shqiptarët e R SH-së, të cilët jetuan për një kohë të gjatë, jo në Evropë por, si të thuash, në një shkretëtirë të një planeti tjetër, tani po prekin botën e madhe jashtë. Ndërkohë ata vlen të përvetësojnë arritjet e kulturës së shkruar në Kosovë. Ç’ka Kosova për t’i ofruar dheut amë? Me siguri mendimet ndryshojnë. Në fushën e letërsisë, sipas meje, ka mjaft elemente që e pasurojnë mozaikun magjepës kulturor të Shqipërisë.
Në një kohë, kur intelektualet e Shqipërisë rrinin urtë, detyrimisht shumë urtë, ashtu të urtësuar, brenda mureve të Spitalit Psikiatrik me emrin RPSSH, intelektualët dhe shkrimtarët e Kosovës zbuluan botën, shkruan dhe shprehën mendimet e ndjenjat e tyre në mënyrë pak a shumë të lirë. Bile kjo vetëkuptueshmëri e lirisë së fjalës në Kosovë përbën për mua ndihmesën kryesore. Por kultura kosovare nuk është vetëm kaq. Ajo na sjell gjithashtu mendime, guxim dhe eksperimente të shumëllojshme. Nuk ka dyshim se gjatë 20 viteve të fundit, librat me interesante të poezisë dhe të dramës shqiptare u botuan jo në Tiranë, por në Prishtinë.
Kritika letrare shqiptare e mirëfilltë, do të thosha, u botua ekskluzivisht në Kosovë. Edhe në fushën e prozës letrare u bënë eksperimente të shumta, disa prej tyre, jo të gjitha, me një sukses të dukshëm, veçanërisht në adaptimin e rrymave kryesore të kulturës bashkëkohore evropiane dhe botërore në letërsinë shqipe. Mund të jetë e kundërshtueshme, por, gjithmonë sipas meje, letërsia e Kosovës përbën urën e Shqipërisë që lidh rrugën e kulturës bashkëkohore të Evropës atë urë shqiptare me vlerat e kulturës tradicionale shqiptare, të cilat u humbën, u shkatërruan gjatë viteve të diktaturës komuniste.
Populli i Shqipërisë ka për të mësuar shumë nga Kosova dhe kultura e saj. Gjithashtu edhe populli i Kosovës ka aq shumë për të mësuar nga dheu amë. Arritjet në prozën e gjatë dhe në poezinë e re janë të padiskutueshme. Shpresoj se ky zbulim i ndërsjelltë do të përfundojë në një pasurim të mëtejshëm dhe jo në një nivelizim të kontraktuar. Duke theksuar rëndësinë e letërsisë së Kosovës për Shqipërinë, unë e kam të qartë se jo çdo gjë do të arrijë të sigurojë pëlqimin e lexuesit. Përdorimi i gjuhës herë-herë mund të duket i rëndë në Shqipëri, lexuesi i së cilës është mësuar ta shijojë fjalën. Disa nga figurat, stilistikisht, do t’i duken të dyshimta. Çdo lexues ka të drejtë të krijojë mendimin e vet: ose do të pranojë ose do te refuzojë, por ajo që është kryesorja edhe të bindet dhe një herë se fjala shqipe ka mundësi të pafundme.

Albanologu Dr.Robert Elsie lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e 'takimeve shkencore' midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft) ), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë afër kufirit belg.


Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...