Mund të flisni për një takim që keni pasur me Bekim Fehmiun?
Është shumë e rëndësishme që sado i madh të jetë diapazoni aktorial i të interpretuarit, aq më shumë i admirueshëm është aktori përpara publikut. Edhe ne kemi aktorë të mëdhenj. Shiko Bekim Fehmiun me të cilin kam pasur fat të rri katër-pesë orë vetëm një herë në jetën time. Ka qenë rreth vitit 2003, kam qëndruar me Bekimin katër orë në hotelin “Rogner”. Kam edhe foto të paharrueshme me Bekimin. Dhe ajo që më ka mbetur në mendje, është se artistët e mëdhenj janë modestë. E kam parë filmin e parë me Bekimin dhe unë e kam vlerësuar jashtëzakonisht për talentin e tij të madh, si një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë për mua. Kur i thashë: “profesor Bekimi...”, më tha, “hiqe atë fjalën ‘profesor’, ne jemi kolegë”. Mirëpo unë s’mundesha t’flisja, më dukej shumë pak t’i drejtohesha me fjalën ‘Bekim’ dhe për së dyti i thashë “profesor Bekimi”, gjithmonë duke e pyetur për karrierën e tij, për punë e tij. Më tha: “Ta thashë edhe një herë, hiqe këtë fjalën ‘profesor!’”. Ka shembuj të mëdhenj që mund të mësosh prej tyre, shembuj qoftë të Bekimit, qoftë të artistëve të mëdhenj, të të gjithë botës, janë modestë, sepse ata e dinë peshën që ka talenti i tyre i madh. Nuk kanë nevojë ata as ta reklamojnë talentin, as ta peshojnë arin në peshë, as ta masin. Talenti i tyre është brenda qenies së tyre dhe ata nuk kanë nevojë t’i bëjnë reklamë. Kjo më ka pëlqyer dhe e vlerësoj shumë këtë fakt: modestinë e këtyre artistëve të mëdhenj.
Lidhjet e para me Kosovën?
Për herë të parë mbaj mend, kam parë “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”që vuri Pirro Mani dhe, mos gaboj, rolin e Gjeneralit e luante një me trup mesatar, Shani Pallaska, një aktor shumë interesant që më ka lënë mbresa. Isha relativisht shumë i ri, shumë i vogël në atë periudhë, por më ka lënë mbresa edhe realizmi i asaj shfaqje prej Pirro Manit. Më ka lënë mbresa i tërë ai spektakël, sidomos realizmi i dasmës. Ishte shumë interesante, kishte aktorë të cilët këndonin jashtëzakonisht bukur. Pastaj kam ndjekur një koncert me disa këngëtarë prej Kosove dhe kam ndjerë tinguj modernë të muzikës shqiptare. Aty kam njohur për herë të parë Sabri Fejzullahun. Ishte djalë i ri me kaçurrela të zeza. Në gjithë atë plejadë të atyre këngëtarëve, atëherë ishim në një moshë shumë të re, i kam ndjekur dhe i kam parë me shumë simpati.
Më vonë pastaj kam njohur Fadil Hysajn. Kemi qenë dhe pedagogë bashkë në Universitetin e Tetovës në vitet e vështira pas viteve 90- ta, kur Universiteti i Tetovës ishte pothuajse ilegal, ne shkonim dhe jepnim mësim. Në kohën e luftës në Kosovë, Fadili me shumë artistë që erdhën në Shqipëri, dhe në mbështetje të Ministrisë së atëhershme të Kulturës së Shqipërisë, u vendos që të vihet një shfaqje në Teatrin Kombëtar, dhe unë isha një prej aktorëve që luaja në atë pjesë të Fadil Hysës. Ishte edhe dramaturg, edhe regjisor.
Mund të tërhiqni paralele para viteve 90- ta? Ne kemi jetuar me interpretime tuaja, ashtu siç iu ka thënë ai çun kosove. Mesazhi Juaj?
Sensi që ne jetojmë ditët e lirisë, Kosova është e çliruar, Kosova është më vete, Shqipëria jeton në demokraci, në liri dhe me këtë sistem kur është sistemi i vlerave, ku është sistemi i zhvillimit ekonomik, ku është sistemi i zhvillimit artistik, tani lypset bashkëpunimi midis vlerave artistike që prodhon Kosova dhe atyre që prodhon Shqipëria. Ne jemi një komb. Dhe ne duhet të fakturojmë artistikisht vlera artistike të cilat të plotësojnë, të ngacmojnë, të shqetësojnë, të ushqejnë shpirtin e të gjithë shqiptarëve dhe them që ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm drejt njëjtësimit të kombit shqiptar. Pavarësisht shprishjes, ekuilibrave, balancave, gjërave, psikologjive, të gjitha gjërave, ne artin duhet ta udhëheqim nëpërmjet bashkëpunimit në të tëra fushat.
Pritja e jashtëzakonshme për Asqeriun e Radojen
No comments:
Post a Comment