2012-12-23

DHORI KULE “Kur dashuroja shoqen e klasës”


E gjen mes shkresash dhe një axhende “full” për ditët në vazhdim. Shkresa që mbartin vendime, ankesa dhe propozime që vijnë nga çdo cep i Universitetit të Tiranës dhe jo vetëm. Pavarësisht ngarkesës nuk refuzon të shprehet për mediat dhe sidomos vë buzën në gaz kur i tregojmë se në fakt jemi nga suplementi “Studenti”. Përgëzon për iniciativën dhe sigurisht na parashtron një sërë problematikash që janë shqetësuese.

Dhe në morinë e bisedave nuk ngurron të përmendë jetën e tij studentore, atë retrospektivë që sot po I kërkohet. Mbase janë kujtimet e shumta dhe të bukura që I vijnë në mendje, të cilat gjysmat i ndan me ne dhe të tjerat mbase i mban dhe për vete, por përfundimisht rektori Dhori Kule ndjehet i lumtur për jetën e tij studentore. Nuk rezervohet të flasë për dashurinë e tij të madhe që e ka gjetur gjatë kohës kur ka qenë student, vajza gjirokastrite, e cila sot është edhe bashkëshortja e tij. Por si e përshkruan këtë kohë rektori Dhori Kule do ta zbuloni në intervistën e mëposhtme.


Z.Kule, çfarë mbani mend nga jeta juaj studentore?
Cilët janë ato kujtime që ju i ruani në memorien tuaj?
Nga jeta studentore mbaj mend shumë edhe për një specifikë, sepse në një farë mënyre nuk jam shkëputur nga ajo jetë. Mua më duket se edhe tani që jam 52 vjeç, duke qenë mes studentëve, duke u marrë me problematikat e tyre, gënjej veten që jam akoma në atë moshë, por diferencën e kupton menjëherë kur ndokush të thërret “xhaxhi” dhe, atëherë e gjitha kjo zhduket. Nga jeta ime studentore, e cila ka filluar në 1977-ën dhe ka mbaruar në 1981-in, ruaj kujtime shumë të bukura. Kam pasur njëkohësisht fatin e dyfishtë që jetën studentore ta kaloja në Qytetin Studenti. Godina ku kam jetuar ka qenë ajo në hyrje të këtij qyteti dhe për katër vite kam jetuar në të njëjtën dhomë në kat të dytë dhe me të njëjtët shokë.

Po jeta në Qytetin Studenti si ka qenë?
Kemi qenë katër shokë, një nga Tropoja , Elez Pashkurtaj, një djalë, për të cilin ruaj respektin më të thellë sepse ishte i mirë, i ndershëm punëtor, një nga Saranda, Vangjel Qirjazi, të cilit i uroj shëndet të plotë dhe një nga Vlora, Anesti Shalhari, i cili tani jeton në Tiranë dhe unë. Në grupin tonë kemi qenë shtatë djem dhe pesëmbëdhjetë vajza. Ajo që është e veçantë për grupin tonë, përveç faktit se sa mirë shkonim, është se katër djem u martuan me shoqet e klasës mes të cilëve edhe unë. Gruaja ime është ish-shoqja e klasës nga Gjirokastra. Jemi katër çifte nga shoqëria e vjetër, nga e cila ruaj kujtime vërtet të bukura, si nga pikëpamja e jetës së asaj kohe dhe të komunikimit me njëri–tjetrin. Nga ana tjetër ishte edhe fakti që ne që studionim Ekonomik duhet ta vinim në praktikë dhe të bënim edhe ekonomizim të vetvetes me ato pak para që na dërgonte shtëpia për jetesën tonë këtu. Shkonim në mensën e Qytetit Studenti, ku gatuhej mirë por shpesh kur donim të dilnim nga Qytet Studenti shisnim “latat” e asaj kohe. Ajo periudhë ka qenë e bukur nga pikëpamja e marrëdhënieve shoqërore, dinjitetit shoqëror, kompaktësisë dhe unitetit për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe shumë më të impenjuar me mësime, sepse unë shoh dhe studentët e sotëm.

Si jeni njohur me gruan tuaj?
Ka qenë nga njohjet më të natyrshme, që transformohen në ato elementët e realitetit. Sot kemi 26 vjet martesë dhe dy fëmijë, një vajzë 25 vjeçe dhe një djalë 13 vjeç. Njohja fillimisht ka qenë si shokë grupi dhe që të dy ishim konviktorë. Gruaja ime ishte nga Gjirokastra dhe unë nga Berati, por nuk është se na lidhte fakti që të dy ishim nga qytete muze. Ajo që nabashkoi është komunikimi I pashpjegueshëm me fjalë, por që natyrshëm shoqëria u kthye në dashuri dhe në vitin e tretë të fakultetit bëmë ato që quhen ceremoni zyrtare, pra fejesa. Mbaj mend sa emocionues ka qenë në fakt propozimi që I kam bërë. Kam qenë duke e përcjellë për në konvikt, sepse dilnim ndonjëherë bashkë, shihnim ndonjë film ose shkonim në teatër. Pikërisht një nga ato net kur e përcillja për në konviktin e vajzave dhe mes emocioneve që kishim atëherë dhe interesave mbi këtë emocion ia thashë si nëpër zë, mbytur “të dua” dhe më pas më pushtoi një shqetësim i momentit, i cili u mirëkuptua shpejt midis nesh. U ndamë. Të nesërmen duke qenë se rrinim afër në bankë emocionet ishin të shumta, por në ditët e tjera kjo kaloi natyrshëm. Shokët dhe shoqet e grupit e dinin që ne ndjenim diçka, sepse kishim kohë që rrinim pak të veçuar në komunikim midis nesh. Ka qenë dhe është lidhje që e kujtoj me emocione dhe të bukur siç ka filluar dhe siç vazhdon akoma dhe sot në krah të bashkëshortes sime.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...