nga Flori Bruqi
Manifestimet organizohen nga Partia Demokratike, ndërsa kreu i kësaj partie ftoi të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në këtë ngjarje që shënon 20 shkurtin, ditën e shembjes së diktaturës
Sot 20 vjet më parë, pikërisht në mesditë rrëzohej busti i diktatorit Enver Hoxha, simboli i fundit i regjimit komunist.
Për kujtimin e kësaj dite, në sheshin “Nënë Tereza”, Forumi Rinor i Partisë Demokratike dhe forume të tjera të ngjashme rinore organizojnë një miting festiv.
Fillimisht do të këndohen këngë nga artistë të njohur e më pas do ta marrë fjalën deputetja Rajmonda Bulku.
Pas kësaj do të vazhdohet me koncertin për ta mbyllur me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha.
Kryeministri përshëndet me një fjalim koncertin e madh festiv “20 Vjet Liri”, në sheshin Nënë Tereza
“Gëzuar 20 Shkurtin, ditën e kurajës dhe të lirisë së qytetarëve. 20 Shkurti është një nga fitoret më të mëdha të kombit”.
Me këto fjalë, kryeministri Berisha e nisi përshëndetjen e tij gjatë koncertit të madh festiv “20 Vjet Liri”, në sheshin Nënë Tereza në Tiranë, në përkujtim të rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha 20 vjet më parë.
Duke vijuar se “jemi mbledhur këtu, për të festuar 20 vjet liri, 20 vjet nga greva epike e urisë së studentëve”.
“Më 20 shkurt, u përmbys diktatori i shqiptarëve, dhe kjo është dita kur ne shkallmuam bllokun bunker të regjimit barbar që e kishte zhytur Shqipërinë në mjerimin më ekstrem”, tha ai.
Më pas, kreu i qeverisë shtoi faktin se kjo ditë mbetet në kujtesën tonë, si ajo e memories së viktimave të sistemit komunist, të krijuar nga kasaphana e luftës së klasave, për të mbajtur pushtetin me dhunë.
Gjatë fjalimit, Berisha mbajti edhe një minutë heshtje para turmës, për gjithë viktimat e regjimit komunist.
Sipas tij, lulet e 20 Shkurtit, do të lulëzonin gjithë fushat dhe malet e këtij vendi dhe do të shkrinin përgjithmonë ngricën e terrorit të ngulur nga diktatura në mendjet e shqiptarëve, për të mos u kthyer kurrë më.
Rajmonda Bulku: Jemi këtu për t’i thënë Ndal krimit në
bulevard
Aktorja e mirënjohur shqiptare Rajmonda Bulku :“Jemi këtu për t’i thënë Ndal krimit në bulevard, jemi këtu së bashku sepse dimë të shtojmë optimizmin”.
Me këto fjalë, deputetja demokrate iu është drejtuar pjesëmarrësve në koncertin e madh festiv në sheshin Nënë Tereza në Tiranë.
Duke përkujtuar ngjarjen e 20 viteve më parë, atë të rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha 20 vjet më parë, Bulku tha se ajo do shënonte nisjen e demokracisë në vendin tonë.
“Një forcë që i jep energji popullit të vet, është burim i ndryshimit dhe kjo forcë jemi ne”, tha ajo.
Duke përmendur më pas faktin se kjo forcë ka vetëm një emër: Sali Berisha!
*******
Ngjarja...
Në datën 19 shkurt '91 rreth orës 15:00 Plenumi i KQ-së të PPSH-së del me një deklaratë, duke theksuar se kushtet e jetesës së studentëve janë përmirësuar mjaft dhe u refuzua kërkesa e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, si i pabazuar. Qëndresa e KQ-së mori fund pas dy muajsh, kur emri Enver Hoxha i Universitetit të Tiranës, u hoq.
Forca të shumta speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash, duke lagur të gjithë protestuesit.
Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan përtokë. Kishte shumë me fëmijët e vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha, e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të zmbrapste një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla Kosova ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.
Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash, duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit. Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gaz lotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: "Mos qëlloni, mos qëlloni".
Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë, duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut qeveritar.
Afro 10 deri 15 ushtarë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. U Nxitën protestuesit që ata të fillonin thirrjet: "Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë". Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete, si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe forcash të ndërhyrjes së shpejtë dhe të rendit, të shoqëruar edhe me qen kufiri, kishin përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti "Studenti".
Adrian Heta: Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit
Turma e protestuesve qe dhe më energjike kur arriti në sheshin "Skënderbej", për t'u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i forcave të ndërhyrjes së shpejtë që ndodheshin pranë sheshit "Skënderbej" dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti "Studenti". Në sheshin "Skënderbej" kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit.
Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t'u bëjë presion protestuesve të shumtë për t'u tërhequr dhe për t'u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste rrobat e protestuesve.
Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek sheshi "Skënderbej", për t'u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër sheshin "Skënderbej", duke u rënë sirenave për t'u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t'u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti "Studenti" dhe vendoset përreth sheshit "Skënderbej". Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në Rrugën e Kavajës, në Laprakë, në rrugën "Ali Demi", Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për t'u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, hotel "Tiranës", Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: "Mos u prapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër" (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda). Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh forcash speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.
Ndërkohë sheshi "Skënderbej" ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: "Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci" etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq protestuesit i kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit duke bërtitur: "Fitore, Fitore" u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të sheshit "Skënderbej". Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë ambulancës nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë. Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur prof. dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në sheshin "Skënderbej". Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.
Astrit Hatellari: Unë vura litarin në grykën e diktatorit
Një grup i madh qytetarësh ishin të vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit komunist. Nga Rruga e Durrësit vijnë dy djem të rinj me një rrotull litari prej liri. Po në këtë kohë mbërrin tek sheshi "Skënderbej" makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi ku ndodhej monumenti i diktatorit. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë Astrit Hatellarin që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit. Përpjekja e parë dështon sepse litari shkëputet. Nga makina sjellin një kavo çeliku jo shumë të gjatë, të cilën e lidhin me litarin. Në përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar tjetër e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë i ulur poshtë, të monumentit të diktatorit. Pastaj u larguan të gjithë njerëzit, që të mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së monumentit gjigant. Makina e tërheq 3-4 herë monumentin e derdhur në bronz të diktatorit komunist, i cili bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar. Afro 100 mijë vetë që ndodheshin tek sheshi "Skënderbej", duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarjeje të papërsëritshme, filluan të brohorasin të entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit. Ndërsa në momentin që do të rrëzohej ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të papërshkruar bërtiste: "Ta heqim, ta heqim qelbësirën". Njerëzit nga kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj tij. Pastaj protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigand. Makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i tij, Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigand përgjatë sheshit "Skënderbej". Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhej në sheshin "Skënderbej" e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta.
Sulo Jaupaj: Me autobusin e minierës hoqa zvarrë Enverin
Pas gjithë këtyre, makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të Rrugës së Elbasanit. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të përndjekurve politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigand të diktatorit. Gjithashtu makina IFA pëson defekt (i digjet freksioni) për arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi monumentin e diktatorit. Turma e demonstruesve shkëput kavon nga makina dhe fillon të tërheqë vetë bustin e diktatorit, deri pranë parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit. Gjithashtu, tek pjesa e mbetur e monumentit të diktatorit, nga këmbët deri tek gjoksi, afrohet një "Skodë" e parkut të mallrave me shofer Sulo Jaupaj. Shumë demonstrues e lidhin këtë pjesë të mbetur të monumentit me "Skodën". Shoferi Sulo Jaupaj me makinën e tij lëviz afro dy kilometra nëpër rrugët e Tiranës i përshëndetur nga mijëra qytetarë. Në pjesën malore të Rrugës së Elbasanit për t'u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur vjen një autobus me ngjyrë të kuqe, që ishte i punëtorëve të minierës së Kërrabës. Kjo makinë drejtohej nga një shofer zeshkan 50-vjeçar, që quhej Hysen Alla. Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Kur autobusi mbërriti atje, shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve. Busti i diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë. Pasdite, mjaft qytetarë mblidhen përsëri tek sheshi "Skënderbej". Shumë prej tyre filluan të thyejnë bazamentin prej mermeri të errët të ish-monumentit të diktatorit. Mbasi u errësua, minatorët e Kërrabës e rilidhën përsëri bustin e diktatorit tek autobusi i tyre. Pas kësaj, autobusi me disa minatorë brenda vazhdon itinerarin për tek Rruga e Kavajës. Në zonën pranë ambasadave, policia gjuan me snajper autobusin dhe i thyen dy xhama. Arrestohen dhjetë minatorë, midis tyre zotërinjtë Hysen Alla, Vladimir Xhillari, Agim Abazi, Arben Lame, Luan Paja (ish-themeluesi i degës së PD-së për minierën e Kërrabës, i vdekur) etj. Po atë ditë në qytetet e Gjirokastrës dhe të Korçës rrëzohen monumentet e diktatorit komunist. Radiotelevizioni Shqiptar si dhe agjencitë e huaja të lajmeve jepnin njoftimin se në Tiranë, në mesditë, u rrëzua monumenti gjigand i diktatorit komunist.
Në ora 20:00 shfaqet në televizionin shqiptar Ramiz Alia, ish-President i Republikës, i cili në një prononcim të tij publik ndër të tjera thotë: "Sot kryeqyteti ynë kaloi një nga ditët më dramatike dhe të rënda të jetës së tij. Turma të irrituarish, duke humbur çdo arsye logjike kaluan në akte vandalizmi dhe arritën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës".
Pas orës 21:00 të asaj nate dhe në ditët në vazhdim, policia dhe Sigurimi komunist bazuar në filmimet e kamerave sekrete dhe nga të dhënat e informatorëve të tyre të infiltruar midis protestuesve, arrestoi rreth 300 protestues. Ndër ta, afro 70 veta u dënuan me burgime të ndryshme me akuzat për grumbullime të paligjshme, shkatërrim monumentesh dhe goditje të përfaqësuesve të shtetit. Me qindra qytetarë të tjerë u pushuan nga puna
Ç'tha shtypi?
Agjencia britanike e lajmeve "Rojters", duke komentuar rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës shkruan se, u rrëzua një simbol i urryer i të kaluarës staliniste. Një diplomat i huaj, komenton kjo agjenci, theksoi se statuja e themeluesit të shtetit komunist u rrëzua pas një demonstrate masive në qendër të sheshit "Skënderbej". 100 000 veta jo vetëm studentët, por edhe punëtorë dhe intelektualë, u grumbulluan në sheshin qendror të kryeqytetit dhe në të gjithë bulevardin e gjerë rreth tij. Kjo ishte ngjarja më e rrezikshme, komplekse në Shqipëri gjatë këtyre dekadave.
Në një njoftim tjetër të saj, po kjo agjenci bën fjalë mbi ndryshimin e emrit të Universitetit të Tiranës. Autoritetet komuniste të Shqipërisë thekson ajo, u gjunjëzuan përpara protestave popullore dhe hoqën emrin e ish-udhëheqësit stalinist, Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës, por paralajmëruan se vendi është në prag të krizës.
Shqipëria më parë kështjella e fundit e stalinizmit është përfshirë nga ndryshimet që nga lëvizjet e para studentore të vitit të kaluar. Alia legalizoi partitë e opozitës dhe premtoi reforma të mëtejshme. Por, ai mbajti një qëndrim të vendosur ndaj studentëve grevistë, duke i quajtur kërkesat e tyre jodemokratike.
Sheshi "Skënderbej" ku mijëra shqiptarë rrëzuan statujën e madhe të ish-diktatorit Enver Hoxha është zemra politike e sistemit stalinist të vendit, ekuivalenti i Tiranës për sheshin "Tienanmen".
Në komentin e saj mbi ngjarjet e fundit në Shqipëri, agjencia jugosllave e lajmeve "Tanjug", pohon se trazirat e mëdha dhe shkatërrimi i momumentit të Enver Hoxhës në Tiranë të kujtojnë fillimin e përmbysjes së diktaturës në Rumani, dimrin që shkoi.
Shkatërrimit të monumentit të babait të kombit, Enver Hoxha në Tiranë i parapriu një luftë e vogël midis policisë dhe popullit, i cili i mbuloi me gurë forcat speciale. Në rrugë dolën edhe autoblinda e tanke, u dëgjuan të shtëna.
Bashkë me monumentin, theksoi agjencia e mësipërme, ra edhe një epokë e historisë së re jo aq të lavdishme e Shqipërisë. Policia nuk mundi të mbronte më tepër atë që nuk mund të mbrohet nga populli. Ajo hoqi dorë nga udhëheqësi i saj i dashur dhe për këtë fitoi të puthurat e masës së ekzaltuar të popullit të grumbulluar.
Ndërkohë, bëhet e ditur se populli ka shkatërruar monumentin e Enver Hoxhës edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa i njëjti fat e pret monumentin e Enverit edhe në Korçë.
Ngjarjet dhe pamjet rumune në Tiranë nuk mbetën pa jehonë edhe midis shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Studentët e Prishtinës i dërguan telegram përkrahjeje dhe solidariteti studentëve në Tiranë. Telegram përkrahje studentëve të Tiranës i kanë dërguar edhe të rinj nga Tetova në emër të Lidhjes Demokratike të të Rinjve shqiptarë.
Lidhur me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, agjencia austriake e lajmeve "APA", shkruan: Fakti se kur udhëheqësi heroik i popullit shqiptar, Enver Hoxha, do të rrëzohej nga piedestali i monumentit të tij, ishte thjesht një çështje kohe. Prej vitesh regjimi i tij stalinist mbante përgjegjësi për keqdrejtimin katastrofik të ekonomisë dhe izolimin e Shqipërisë nga pjesa tjetër e Evropës për më tepër se 45 vjet. Me rrëzimin e përmendores së tij prej bronzi, në sheshin "Skënderbej" në zemër të Tiranës, 6 vjet pas vdekjes së tij përfundoi më në fund një epokë, e cila në bazë të teorisë së Hoxhës ishte një luftë e përhershme kundër armikut të jashtëm.
Hoxha nuk ishte njeri që i linte gjërat përgjysmë. Ai e drejtonte vetë rrënjësisht politikën që ndërtoi sipas modelit stalinist. Aparati shtetëror ishte plotësisht në dorën e vet, ai ngriti një shërbim të fshehtë, i cili me emrin "Sigurimi" ngjallte tmerr tek njerëzit. Ashtu si edhe i vetëshpalluri Mbreti Zog, që gjatë periudhës midis dy luftërave ndiqte kundërshtarët e kuq, në të njëjtën mënyrë veproi edhe Hoxha pas luftës kundër çdo elementi antikomunist. Vala e persekutimeve të tij ideologjike mori përmasa absurde. Më në fund, si purist mbronte pikëpamjen se, vetëm ai përfaqësonte mësimet e pastra të komunizmit dhe me këtë e shkëpuste veten nga komunistët ortodoksë të Lidhjes. Për KSBE dhe institucionet e të drejtave të njeriut ai nuk kishte asnjë përfillje.
Hoxha i thurte gjithashtu vetes lavdi si shkrimtar. Prodhimi i tij letrar u derdh në më tepër se 70 libra, për të mos i përmendur literaturën për të. Partia Komuniste e mban lart kujtimin e tij në mbarë vendin me shkronja gjigande të tipit hollivudian. Lavdi Enverit, në shpate malesh ose me parulla të vendosura në ndërtesa të larta... Më në fund, atij i është dedikuar dhe ndërtesa më e shtrenjtë në vend, muzeumi i bukur futurist Enver Hoxha, i cili u ndërtua me shpenzimet që arrijnë deri në 3 miliardë shilinga.
***********
“Unë, studentja e parë që kërkova pluralizëm”
Për herë të parë, dëshmia e Mimoza Ferrajt për Lëvizjen e Dhjetorit.Ferraj: Emri im, i pesti në themelimin e PD. Azemi rol të padiskutueshëm.
Zonja Mimoza, ju jeni një nga studentet që morët pjesë aktive në lëvizjen e dhjetorit 1990 dhe në themelimin e Partisë Demokratike. Kanë kaluar 20 vite që nga ajo kohë, pse nuk keni folur më përpara për historinë e këtyre ditëve?
Çdo vit që televizioni jepte ngjarjet e dhjetorit emri im ishte Alma Meçe Bendo. Unë nuk e kisha menduar ndonjëherë të vija në Shqipëri dhe të publikoja të vertetën. Gazeta juaj publikoi artikullin në datën 12/10/2010 “Hoxha: Ja për çfarë debatova me Azemin para se të takonim Ramizin” në të cilin shikoj emrin tim të vërtetë. Falenderoj zotërinjtë Aleksandër Meksin që më ka përmendur në një intervistë të vitit 1998, Arben Imami për intervistën që ka dhënë publikisht në dhjetor 2009 dhe zotin Latif Hoxha për artikullin e 12/10/2010.
Unë e kam vlerësuar si një nga momentet më të rëndësisheme të jetës pjesëmarrjen time aktive në Lëvizjen e Dhjetorit 1990. Emocionet, kujtimet janë dhe do të jenë gjithmonë të gjalla në jetën time. Kujtoj me nostalgji lotët e gëzimit, të shpresës për një jetë demokratike në sytë e qytetarëve të kryeqytetit, por bashkë me këto ndjenja është e përzier dhe ndjenja e thellë e zhgënjimit për mos realizimin e një demokracie të vërtetë në Shqipëri dhe keqardhjen e humbjes së jetës së shokëve të mi.(Azem Hajdari, Arben Broci, etj).
Në datën 8 dhjetor duke u gdhirë data 9 keni qenë në turmën e studentëve të bllokuar te vendi ku sot është ambasada amerikane dhe keni qenë më e goditura nga dhuna e policisë. Kush e dha urdhërin për të goditur studentët, a ishit aq afër saqë ta dëgjonit këtë urdhër?
Unë dhe një grup vajzash studente isha në rreshtin e parë, ndërsa djemtë studentë ishin në rreshtat nga mbrapa dhe shtynin njëri–tjetrin nga prapa duke thirrur parulla kundër dhunës, ne ecëm dhe 4-5 hapa përpara. Papritur, në krahun e djathtë të demostruesve paqësorë u dëgjua zëri i lartë i nje oficeri ushtarak. Ai thirri: “Revolen! Ma morën revolverin!”. Asnjë nuk i mori revolen atij, kjo parrullë jo e vërtetë u përdor si shkak që nga megafoni i ministrit policor të Alisë të dëgjohet thirrja: “Të spastrohet sheshi!”. Njëri nga studentët tanë të inxhinierisë, e kapi me dy
duar Hekuran Isain dhe duke e tundur i tha se Ramiz Alia premtoi se nuk do përdorej dhuna mbi studentët. Vetë shefi i policëve të Byrosë Politike (H.Isai) tha: “të ikin ata me gjithë premtimet (partia dhe Ramizi), do t’ua shtyp kokën të gjithëve nëse nuk e mbyllni gojën”. Studenti që foli me Isain dhe një student tjetër e përplasën ministrin në grumbullin e ferrave, por edhe pse i rrëzuar ministri Isai thirri si i çmendur: “pastroni sheshin, u bini qenve” dhe me megafonin e policisë tha se do të urdhëronte policinë të shpërndante protestën e paligjshme. Isai tha se asnje i gjallë s’do kalonte drejt bulevardit. Ndërkohë unë rrëmbeva megafonin nga dora e Hekuran Isait dhe u bëra thirrje studentëve të qëndronin. “Studentët nuk mund t’i ndalojë dhuna policore e ministrit Isai, pasi ata tashmë ishin si një uragan që nuk kthehet prapa dhe vazhduan drejt rrugicës që të çonte te Universiteti.” Ne vajzat filluam të bërtisnim, djemtë studentë filluan të hidhnin parrulla kundër PPSH–së dhe Ramiz Alisë. Mua më goditën brutalisht aq sa dhe kam humbur ndjenjat.
Pas kësaj nate nëpër muret e universitetit është shfaqur një fletërrufe. Kush e kishte shkruar dhe a e mbani mend tekstin e kësaj fletërrufeje?
U fol se këtë gjë e bënë disa student që ishin nga pjesa e grupit të studentëve dhe pedagogëve që kishte paracaktuar vetë Ramiz Alia, për të bërë përçarjen tonë dhe për të realizuar synimet e veta. Pak rëndësi ka përmbajtja, por ideja e saj ishte që ne të përçaheshim
Publiku e dallon qartë se në takimin e studentëve me Ramiz Alinë gjendet dhe një vajzë, që jeni ju. Kush ju zgjodhi që të merrni pjesë në takimin e madh në Pallatin e Brigadave?
Pallati i Brigadave ishte ndeshja ime finale me demin e kuq, Ramiz Alia. Keni parë ndonjëherë ndeshje me dema meksikanë? Unë isha futur në një sport pa trajnier, dhe pa skuadër. Ndeshja ime e parë ishte me të dërguarin e ministrit të Transportit, në fund të nëntorit të vitit 1990, ku zhvilloi një takim me studentët e inxhinerisë mekanike dega transport. U lajmëruam nga zyra e dekanit nëpërmjet sekretares tonë Janulla Majko (mamaja e zotit Pandeli Majko), shokut tim të inxhinierisë, se kemi mbledhje me një të dërguar nga Ministria e Transportit. Mbledhja u bë në një nga sallat e korpusit, në katin e dytë. Në mbledhjen që patëm me personin e dërguar u diskutua se si reformat demokratike që do të vihen në zbatim nga qeveria moniste do të kenë efekt tek brezi ynë inxhinierik, dega transport, pasi tani do të shfytëzohet deti, ajri the toka për kommunikim transporti me botën e jashtme dhe brezi ynë do të ishte me fat se do te ishim intelektualët e parë në këto ndryshime rrënjësore. Une ngrihem dhe e pyes se “si ju do t’u jepni liri veprimi aeroplanëve, trenave dhe vaporëve dhe jo njerëzve. Ju i jepni liri mjeteve të transportit kur ne si inxhinierë të ardhshem nuk kemi liri fjale, feje apo ideje.” Salla gumëzhiu. Asnjë nuk i priste ato që thashë. I dërguari u përgjigj se ai ishte aty vetëm për lirinë e mjeteve të transportit, “në qoftë se keni pyetje të tilla drejtohuni ministrive përkatëse”. Pasi mbaruam aty shokët dhe shoqet e mia më thanë se tani mund të marrin ndonjë masë për mua për ato që unë diskutova. U sugjerova të kërkojmë një takim me të gjithë ministrat e tjerë në qytetin Studenti me qëllim që “edhe ne të fitojmë liri si mjetet e transportit”. Këto ide, jo vetëm mua si inisiatore, por edhe shumë shokëve e shoqeve tanë studentë na erdhën natyrshëm, na buronin nga shpirti ynë i trazuar, nga mosha jonë e re dhe gjithë ai pseudorealitet i krijuar në gjithë vendin. Ky realitet i ngjante një tullumbaceje shumë të bukur nga jashtë, por që brenda vinte shumë erë e keqe dhe presioni që kishte arritur gjithnjë e në rritje, bëri që kjo “tullumbace” të rrudhej pak nga pak deri në shfryjen e saj të plotë, që tashmë kishte filluar dhe ishte e pashmangshme. Fundi i saj nuk dukej se ishte edhe aq i lehtë. Krijuam një listë dhe lista u drejtua për një takim me ministrat ne qytetin Studenti. Kjo ishte ndeshja ime e parë. Ndeshjen e dytë do ta bëja bashkë me shokët, me një skuadër më pak e përgatitur se e para. Në datën 8 dhjetor në orën dhjetë në godinën e inxhinierisë, godina 11 në qytetin Studenti, ku kisha dhomën, erdhi grupi i ministrave të shoqëruar nga Adil Çarçani. Une isha në konsultim me profesorin tim në korpus dhe më lajmeruan se ata kanë mbërritur. I kërkova profesorit tim, Bashkim Bahollit, të më jepte biçikleten e tij që të arrija sa më shpejt. Me biçikletë (e cila ishte nga ato me hekur në mes),u nisa në qytetin Studenti. U futa në godinën time, ata ishin mbledhur në sallën e televizorit. Po dëgjoja debate mes ministrave të ndryshëm dhe studentëve, ndër ta edhe ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, i cili fliste për ca metoda të reja në matematikë. Deri aty kërkesat dhe ankimet e studentëve ishin ekonomike, pa ujë, pa ngrohje, pa drita, pa xhama. Pasi dëgjova shokët e mi u ngrita dhe kërkova leje të flisja. Zoti Adil Çarçani më dha të drejtën të flisja. Iu drejtova zotit Adil dhe ministrave duke u thënë se “problemi ynë kryesor nuk është ekonomik, por është politik”. I thashe që “ne jemi të zhgënjyer nga politika e PPSH-së, dhe se kjo parti nuk do të mbante përgjegjësi vetëm për brezin tonë, por dhe për brezin që do të lindnim ne, sepse me jetën që bënin femrat shqiptare nuk do të jenë në gjendje të prodhojnë brez tjetër, dhe unë personalisht nuk do të bëja fëmijë që t’i shërbente këtij pushteti që ishte qelbur si peshku nga koka”. Skënder Gjinushi u mundua të më trëmbte me xheste e veprime e më pas edhe me fjalë. Iu drejtova atij dhe i thashë që “babai im ka qenë partizan në Brigadën e Pestë sulmuese bashkë me nënën e tij, por ndryshimi im dhe i tij ishte I madh, gruaja jote e ka takën elegante 7 pond. Sistemi politik në funksion nuk është në gjendje të sigurojë asnjë kërkesë ekonomike se problem jeni ju”. Unë isha në radhët e fundit, ngaqë erdha me pak vonesë dhe mbrapa kisha një kalec (polic) me pardesy të bardhë që më afroi gjoksin e tij dhe ndjeva diçka të fortë. Iu drejtova Adil Çarçanit dhe i them ta largojë nga salla kalecin me automatik poshtë pardesysë se nuk më tremb. Salla buçiti pa ndaluar emrin tim. Mbledhja mbaroi me premtimin se çdo gjë do të realizoj për 15 ditë. Ndeshja ime e tretë ka qenë atë natë, duke u gdhirë 9 dhjetori, me pjesëmarrjen time aktive në krye të protestës, ku ia hoqa nga dora Hekuran Isait megafonin dhe më pas u plagosa. Ndeshja e katërt ka qenë para ambasadës amerikane me sampistët në drekën e ditës së 9 dhjetorit. Dhe ndeshja finale ishte me Ramiz Alinë. Si mendoni ju a ishte e nevojshme të merrja leje për ndeshjen time finale? Dhe në qoftë se do të vendosja të merrja leje kujt duhet t’i drejtohesha sipas mendimit tuaj? Trajnerit apo skuadrës që nuk ekiztonin asnjëri? Këtë pergjigje po ia jap të drejtpërdrejtë bashkëatdhetarëve të mi nga janë dhe nga s’jane, studentëve që kanë qenë dëshmimtarë të të gjitha ndeshjeve të permendura më lart, kudo që të jenë, brenda dhe jashtë vendit, nënave tiranase që më futën në gjirin e tyre dhe na dhanë ndihmën e parë pas goditjeve mizore të policëve shqiptarë.
A kishit frikë dhe a ju mbështeti familja në aktivitetin tuaj, në një kohë të vështirë për vendin, e sidomos për rolin e femrës në shoqëri, ku pra ekzistonte një lloj paragjykimi?
Une nuk e njoh dhe nuk e kam njohur asnjëherë frikën, në asnjë moment. E vetmja frikë që njoh është mosdija, injoranca. Unë kisha një gjë të qartë “…kur ecën në pisllëk me derrin, derri do të fitojë”. Liria nuk kërkohet fitohet. Iu futa rrugës së kërkimit të demokracisë, së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e mi për një demokraci të pastër e të sinqertë, jo me “derra” dhe nuk zgjodha rrugën e “pisllëkut”. Po kështu nuk llogarita as pasojat qe do me vinin nga familja ime (të cilat ishin normale për kohën dhe mentalitetin e krijuar në vite, por jo nga gjithë pjestarët e familjes), por isha e bindur se sikundër thotë edhe fjala popullore se “i yti mishin ta ha po kockat ti lë” dhe as pasojat që do të më vinin nga të tjerë dhe që kuptohet ishin shumë evidente deri në eleminimin tim fizik.
Bëhet pyetja se kush ju zgjodhi, pasi disa fakultete të universitetit i bënë me zgjedhje studentët që do të merrnin pjesë, por ka dhe nga ata që u “emëruan”, ku lihet të kuptohet që pushteti kishte caktuar të vetët të merrnin pjesë. A i dalluat atëherë këto dy kategori dhe cila ishte më aktive në takimin me Ramizin dhe a mund të na thoni ndonjë emër?
Në takimin me Ramiz Alinë ishin tre grupe të ndryshme: Në grupin e parë ishin studentët dhe pedagogë që kishin ardhur të bënin “gjënë e duhur” për shembull Azemi, Arben Broci, Arben Imami etj. Në grupin e dytë ishin personat që kishin ardhur të bënin “jo gjënë e duhur”. Në grupin e tretë ishin personat që kishin ardhur të “mos bënin asgjë”. Në politikë ka një shprehje të ish-presidentit amerikan Theodore Roosvelt: “In any moment of decision the best thing you can do is the right thing, the next best thing is the ërong thing, and the ëorst thing you can do is nothing”. Pra e rëndësishme ishte që të krijohej partia e dytë pluraliste dhe kjo ishte gjëja më e mirë që mund të bëhej në atë moment, që u realizua pa gjakderdhje dhe nuk kanë shumë rëndësi se kush do të vinte në krye apo kush do të merrte pushtetin me pas. Kjo gjë do të rregullohej më pas me zgjedhjet e lira dhe demokratike, por e rëndësishme ishte se do të arrihej me çdo kusht dhe me këmbëngulje rënia e monizmit dhe krijimi i pluralizmit e më pas Liria dhe Demokracia aq e ëndërruar. Ndoshta kishte ardhur edhe te ne “The Ëind of Change”, por ishim të gjithë ne studentët e Dhjetorit që e bëmë atë realitet dhe nuk na e dhuroi askush.
Në këtë takim, të 11 dhjetorit 1990, zoti Alia shprehet se “nuk di gjë për dhunën e ushtruar”, këtë pohim e ka bërë dhe në disa intervista dhe në librin e tij “Jeta ime”. Por kundërshtohet nga salla, pra ju mendoni se ka pasur urdhër nga lart të goditen studentët?
Nuk ka rëndësi nëse Hekuran Isai e zbatoi dhunën pa marrë urdhrin nga Ramizi apo alternativa tjetër që ai mori urdhër nga Ramizi. Ramiz Alia është përgjegjës për veprimet e H.Isait. Dhuna fillimisht ishte e pranishme dhe me intensitet të lartë, madje deri në eleminimin fizik. Prova e parë jam unë kur jam goditur fizikisht kur bëra polemikë në këtë takim me Ramiz Alianë, ndiqni pjesën e 11 të takimit të studentëve me Ramiz Alinë, është ironike, unë i thosha “ja ujku” ai më thoshte “ku janë këmbët”. Kush ju ftoi të ishit pjesë e themelimit të Partisë Demokratike, që bazat i hodhi në shtëpinë e Gramoz Pashkos? Na jepni detaje rreth kësaj?
Nëse do të bënim një krahasim unë isha nusja e demokracisë dhe Azemi dhëndri, ajo ishte dasma jonë e quajtur demokraci.
Shtëpia e Gramozit ishte një “lokal” pa pagesë për dasmën tonë të demokracisë. Kisha rënë në dashuri me demokracinë që ditën që kisha lindur. Në shtëpi vëllai i madh nuk më fliste Moza, më fliste “amerikane”, nga mendimet e lira që kisha. Isha e para që në nëntor 1990 u shpreha në sallën e rektoriatit që para se të fluturonin aeroplanët të lirë, (që ne nuk dispononim), që para se të liheshin njerëzit e lirë, isha e para që në takimin e 8 nëntorit me Adil Çarçanin dhe ministrat i thashë që ne jemi të zhgënjyer nga politika e PPSH-së, dhe kjo parti nuk do mbante përgjegjësi vetëm për brezin tonë, por dhe për brezin që do të lindnim ne, isha e para që ia shpreha Ramiz Alisë në takim kërkesën për krijimin e një partie studentore. Kjo gjë ndodhi pasi erdhëm në qytetin Studenti, ku gjërat dihen. Pastaj unë Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Edmond Budina u mblodhëm ne shtëpinë e Gramoz Pashkos, poshtë në katin përdhe dhe filluam të formulonim deklaratën e partisë që duhet të çohej në ministrinë e Drejtësisë, të njihej zyrtarisht. Ai ishte programi minimal i PD-së, që u caktua të lexohej tërësisht në mitingun e shpalljes së partisë.
A ishte i pranishëm Sali Berisha në momentin kur po hartohej dokumenti i rregjistrimit të kësaj partie, nëse po çfarë i shtoi ai statutit, nëse jo, pse dhe kur erdhi?
Po ai ishte. Ishte në orën e parë të bisedimeve, pastaj u largua. mbaj mend se më la një porosi që të shkruajmë dhe çështjen e bashkimit kombëtar.
Më pas Azemi dhe ju keni lajmëruar studentët për themelimin e PD-së. Që nga shtëpia e Gramozit, që gjendej pranë stadiumit studenti e deri te qyteti i Studentit është pak rrugë në këmbë. Si e bëtë këtë rrugë dhe me cilin shoqëroheshit dhe si e pritën studentët lajmin?
Rrugën e bëmë në këmbë dhe unë shoqërohesha nga grupi i nismëtarëve të themelimit Eduart Selami, Azem Hajdari, Arben Imami, Alexander Meksi, Gramoz Pashko. Gjatë gjithë rrugës mbaj mend që na përqafonin të gjithë studentë, pedagogë dhe qytetarë me përzemërsi e mall shumë të madh. Arritëm mes një entuziazmi të paparë në Sheshin e qytetit Studenti, ku të gjithë studentët e pritën lajmin me brohoritje e parrulla ku më të famshmet ishin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa, Liri-Demokraci etj.
Ekzistojnë disa lista nismëtarësh të themelimit të PD-së, njërën e ka botuar Blendi Fevziu në librin “Piedestale pa statuja”, një listë e Ilenja Mëhillit, studente që ka mbajtur protokollin e parë të mbledhjeve të PD-së dhe një tjetër pa emër,por emri juaj nuk është në to.Si e shpjegoni këtë fakt?
Në fakt emri im është i pesti në listë, por jo me emrin tim Mimoza Ferraj, por me emrin e pagëzuar Alma Meçe Bendo,arsyen se pse e shpjegova në përgjigjen e parë.
Problem me listat është edhe ajo e studentëve të dhjetorit. Kanë qarkulluar një sërë listash me emrat e studentëve pjesmarrës në lëvizjen e dhjetorit, për të cilat ka pasur kundërshti nga disa pjesmarrës. A jeni në dijeni të këtij fakti dhe si mund të përpilohet pa manipulim lista e vërtetë?
Në fund të qershorit, fillim të korrikut kam shkuar në Hungari si vendi i parë demokratik lindor. Shkova atje për të marrë eksperiencë së bashku me shumë studentë të tjerë. Lista e përpiluar në vajtjen atje nuk kishte asgjë të përbashkët me personat e vërtetë të lëvizjes së Dhjetorit, por ata ishin të gjithë pjesë e fëmijëve që kishin qenë në pushtet. Edhe dy prej aktivistëve të vërtetë, që ishin bashkë me mua, nuk qëndruan në Budapest, por u larguan për në Gjermani në mënyrë të paligjshme dhe ma lanë porosi të ndjek hapin e tyre. Listë të vërtetë nuk ka dhe është vështirë bërja e një liste të tillë nisur nga koha e gjatë, pozicionimi, postet politike të mëpasshme dhe ato aktuale.
A keni lexuar dëshmi të tjera për lëvizjen studentore dhe duke qenë dëshmitare a e keni konstatuar se ka përpjekje për manipulim të historisë? A mund të saktësoni se kujt i intereson një manipulim i lehtë i fakteve të këtyre ditëve?
Po kam lexuar disa të shkruara në vite, por çdo dëshmi e tillë i ngjan një fjalëkryqi ku ka pjesë të plotësuara dhe që janë reale dhe pjesa tjetër e paplotësuar dhe që ngelet e errët, pasi Lëvizja Studentore është përdorur shumë nga klasa politike dhe është përdorur nga ajo.
Si mund të shkruhet historia e një lëvizjeje të tillë,ndërkohë që nuk është mbajtur asnjë dokumentacion i saktë për të?
Është një “Puzzle” i pazgjidhshëm.
Thuhet se kryetari i parë i Partisë Demokratike u zgjodh Azem Hajdari. A u bënë realisht zgjedhje për Hajdarin, apo u zgjodh nga masa e madhe e mbështetësve si lider,pa bërë zgjedhje të rregullta?
Azem Hajdari me veprimet e tij aktive, pozicionin dhe simpatinë që kishte fituar ishte “a person of great merit”, dhe si i tillë ai e meritoi zgjedhjen e tij kryetar, gjë e cila ishte e paçmueshme për kohën dhe nuk pati aspak kundërshtime nga masa studentore. Në atë kohë as që mund të mendohej për zgjedhje të rregullta, por pas propozimit dhe meritës sikundër thamë më lart ai u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë si kryetar.
Personazhet
Cili ishte roli i Skënder Gjinushit gjatë lëvizjes studentore?
Ishte një aktor i keq. Ishte dora direkt e Ramiz Alisë për të mposhtur lëvizjen Studentore. Më vjen të përzierë në stomak kur mendoj për të.
Si e keni parë përfshirjen e Sali Berishës në lëvizje e më pas në themelimin e PD-së. (në foton që më dërgoni, ai duket krejt pak, pas shpinës suaj)?
Një përfshirje aktive, pasi ishte ndër intelektualët që ne si student donim që të na mbronte interesat tona. Ai mori përsipër mjekimin e studentëve të plagosur dhe lirimin e të gjithë studentëve të ndaluar apo arrestuar nga policia. Roli i tij ka qenë ekuilibrist, mediator dhe tolerant në “peshoren” midis policisë dhe shtetit nga njëra anë dhe kërkesave të drejta (politike, pluraliste) të studentëve nga ana tjetër.
Kush ishte Pandeli Majko në atë kohë dhe a ka pasur kontribut në lëvizjet studentore?
Pandeli Majko ka qenë student i Dhjetorit dhe për pozicionin dhe shtresën nga e cila ai vinte ka edhe ai së bashku me të tjerët kontributin e vet në pluralizëm.
Cili është mendimi juaj për Leka Meksin, Arben Imamin dhe Azem Hajdarin?
Të gjithë personat e mësipërm ishin “proletarët” e vërtetë të Lëvizjes Studentore, të cilët nuk kishin “life insurance”, por punuan me gjithë shpirt pa marrë parasysh asnjë rrezik.
Jeta aktuale
Pse dhe kur jeni larguar nga Shqipëria?
Unë dhe burri im shkuam në Amerikë për të punuar dhe po vazhdojmë të punojmë dhe të jetojmë këtu.
Cila është mirënjohja më e madhe që keni marrë për kontributin që keni dhënë në lëvizjet demokratike?
Ne Amerikë ku unë jetoj dhe punoj me familjen time, askujsh nuk e di rolin dhe aktivitetin që kam pasur në dhjetor dhe në lëvizjen studentore, këtë nuk e dinë as fëmijët e mi.
Pse në krye të shtetit shqiptar kanë mbetur shumë pak aktivistë të lëvizjeve të dhjetorit?
Është një pyetje interesante dhe e mirë.
Kur keni ardhur për herë të fundit në Shqipëri dhe për çfarë?
Më 11 shtator të këtij viti. dhe kam qëndruar dhjetë ditë. Kam ardhur për disa probleme të familjes sime, që kërkonin praninë time këtu. qënia ime në shqipëri dhe kontaktet me miq të vjetër më ktheu kujtesën, më bën që të kujtoj mjafr ngjarje të së kaluarës. unë uroj dhe shpresoj që t’i shërbej vendit tim dhe uroj gjithashtyu që të kemi në Shqipëri demokracinë që kërkuam në dhjetor.