| |||
Në përkujtim të profesorit Bajram Kurti, që u nda nga ne fizikisht më 14 shkurt 2011 - intelektualit mendjendritur, veprimtarit të devotshëm për çështje kombëtare, aktivistit të paepur të pajtimit të gjaqeve, autorit të shumë shkrimeve, e në veçanti të 20 veprave voluminoze për dëshmorët e kombit "Gjaku i Lirisë", i cili i motivuar nga qëllimet më fisnike, më sublime, për asnjë çaste nuk pushoi se vepruari me gjithë qenien e tij, në shërbim të dijës, në shërbim të atdheut, në shërbim të bashkimit kombëtar. MR.SCI.Prof. Bajram Kurti Jeta është një rrugëtim!... Rrugëtim nga një skaj, në tjetrin! Proces i natyrshëm i ligjit universal... ritëm i përhershëm i ndryshimeve - lindjes, zhvillimit dhe shpërbërjes... Shumëkush këtë rrugëtim e mat me hapa! Shumë të tjerë e peshojnë me kohë - sekonda, orë, ditë, vite të llogaritura në letër... por edhe të tillë që e kalojnë të zhytur në melankoli!... Jeta nuk matet me hapa, as nuk peshohet me kohë, as s'ndalon me vajtime, por me gjurmë - gjurmë të trasuara me bardhësinë e shpirtit dhe ngrohtësinë e zemrës, gjurmë të trasuara me mprehtësinë e mendjes dhe forcën e veprimit, gjurmë të trasuara me vullnetin e çeliktë dhe sakrificat më sublime... gjurmë të trasuara me vlerat më të larta, më të pastra, më të çmuara, më fisnike: morale, intelektuale, njerëzore e hyjnore... GJURMË QË MBESIN NË PËRJETËSI... Çdo rreze drite e nxit një shkëndijë... çdo shkëndijë e ka një burim... e kur burimi është i pastër si kristali, natyrshëm, edhe shkëlqim pastaj, nuk mund të jetë tjetër, përpos reflektim madhështor i gjurmëve të arta gdhendur ndër shekuj në obeliskun e pavdekësisë, në majën e të cilit qëndron përherë ndezur flakadani i lirisë - udhërrëfyes brezash në vazhdimësi, që e sollën titanët e kombit, sikurse Prometheu nga Olimpi i shenjt. TITAN I KOMBIT ishte edhe profesor BAJRAM KURTI - mishërim i dashurisë ndaj lirisë dhe atdheut, intelektualit, pajtimtarit, por edhe guximtarit e rezistuesit - SIMBOL I BUJARISË, MENÇURISË, VENDOSMËRISË DHE SAKRIFICËS. I pathyeshëm sikurse Prometheu, u rezistoi të gjitha sfidave të kohës... padrejtësive, dhunës dhe terrorit barbar, dhe asnjëherë nuk u nënshtrua, nuk u mposht... Nuk iu zbeh për asnjë çast krenaria, as motivi, as vullneti e as dashuria për të shpërndarë dritën e diellit, dritën e dijës, rrezet e arta të lirisë, në çdo cep ku frymon e flitet gjuha e bukur dhe e bekuar shqipe. Barbarët nuk e dërguan shqiponjën, siç veproi Zeusi me Prometheun, për t'ia thyer krenarinë, se ky shqiponjë ishte vet, por korbat e zinj të ardhur nga Karpatet që silleshin si sundimtar mbi mbretërinë e shqipeve! Korba në qiell e çakaj në tokë... vasal, kameleonë, kolaboracionist e mercenar që përpiqeshin të shlyenin çdo gjurmë të lavdishme të historisë... të zhbënin çdo gjë të shenjtë të kësaj toke dardane... ta shuanin flakadanin e ndezur që ndriste, ngrohte dhe ushqente shpresat e vegjëlisë... dhe në çdo përpjeke për ta shuar, ai shpërthente me fuqishëm, se ishte i gatuar ndër shekuj... me djersë, punë, sakrifica por edhe me barot e gjak! ...Drita e artë këtij flakadani një ditë praroi qiellin e Kosovës... dhe ngrohu zemrën e vuajtur të kësaj toke dardane... ngrohu edhe zemrën e këtij Titani fisnik. Dhe me ngjyrën e kuqe të penës la gjurmë në histori - përjetësoi bijtë më të devotshëm, ata që mbi supet e tyre dhe me gjakun e tyre mbajtën të ndezur vazhdimisht këtë pishtar shprese, krenarie e guximi... GJAKU I LIRISË vazhdon të rrjedh në dejtë e çdo shqiptari! Të pakët janë ata Yje që, edhe kur shkëputën poshtë, i'u bashkëngjiten yjve të mëdhenj të përjetësisë, atje lartë në pafundësi - arrijnë të rreshtohen në panteonin e mendjeve më të ndritura të kombit PËR TË MOS U SHUAR KURRË! I lehtë i qoftë dheu i tokës mëmë që aq shumë e deshi! Ngushëllime të thella familjarëve, farefisit, miqve dhe gjithë atyre që patën nderin ta njohin profesorin mendjendritur Bajram Kurti! Regjistrimet e mëposhtme (ku mes urtakve, intelektualëve e atdhetarëve të kombit, shkëlqen edhe mendja e ndritur e profesor Bajram Kurtit) janë bërë gjatë viteve të Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, në Zhur, Billush dhe Murademe (Komuna e Prizrenit) në janar të vitit 1991 me kamerë time amatore. Megjithëse kualitet i dobët teknik, mbeten dëshmi e një lëvizjeje historike ku në emër të atdheut, në emër të lirisë, në emër të bashkimit... u shtrinë duart e pajtimit, u shtrënguan dhe u bënë grushte të fuqishme për pushtuesin që me shekuj e kishte mbjell e kultivuar me çdo mjetë, mes nesh, këtë farë vëllavrasëse. Video incizimet prezantohen publikisht për herë të parë. http://www.youtube.com/watch?v=AFxp2RXUquo http://www.youtube.com/watch?v=DEMth2krLhI |
LEXONI:http://floripress.blogspot.com/2011/02/vdic-atdhetari-dhe-publicisti.html