Ismail Kadare përfaqëson një lloj fantazie për mua, si lexuese dhe si shkrimtare. Kur kam qenë fëmijë duke udhëtuar në shtëpinë e stërgjyshërve të familjes sime në Greqinë veriore, ne gjithmonë do të arrinim në një pikë të rrugës ku e majta të dërgonte në veri drejt Shqipërisë dhe e djathta të dërgonte në verilindje në malet e Pindit.
Kohëve të fundit kam menduar shumë për Ismail Kadarenë. Sinqerisht. Shkrimtari shqiptar herë pas here është emëruar si laureat i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsi, ndërkohë që edhe romani i tij ‘Aksidenti’ sapo është shfaqur në anglisht, duke fituar vëmendjen e shtypit. Por, ky interesim i fundit për Kadarenë është vetëm pjesë e asaj se pse i kam kushtuar rëndësi veprës së tij.
Kadare përfaqëson një lloj fantazie për mua, si lexuese dhe si shkrimtare. Kur kam qenë fëmijë duke udhëtuar në shtëpinë e stërgjyshërve të familjes sime në Greqinë veriore, ne gjithmonë do të arrinim në një pikë të rrugës ku e majta të dërgonte në veri drejt Shqipërisë dhe e djathta të dërgonte në verilindje në malet e Pindit. Ne shkonim djathtas, por në kthesën e majtë ishin ushtarët që mbanin një pikë kontrolluese me kamionë ushtarakë dhe tanke. Përtej kësaj, disa kilometra më shumë nëpër asfaltin e shpërbërë dhe ja, Shqipëria e Enver Hoxhës, ku pakkush hynë brenda e asnjë nuk doli jashtë.
Nganjëherë ne do të ndalnim në pikën kontrolluese dhe vetëm shikonim një apo dy minuta. Gjyshi im do të tregonte se si ka ndihmuar ta zbythë ushtrinë e Mussolinit në Shqipëri, apo edhe të tregonte se komunizmi i Hoxhës ka qenë dëshmi se nacionalistët, me të cilët ai ka luftuar, kanë qenë në anën e duhur gjatë luftës civile në Greqi. Pastaj do të ktheheshim në veturë dhe të niseshim drejt shtëpisë sonë.
Për shkak se s’mund të futeshim brenda, sepse ka qenë një gardh, dëshpërimisht dëshiroja të shkoja në Shqipëri. Vite më vonë, duke lexuar librin ‘Fantazmat e Ballkanit, të autorit Robert D. Kaplan, u godita ndoshta më së shumti nga kapitulli i tij mbi Shqipërinë. Më kujtohet qartë përshkrimi i Kaplan’it i turmave jashtë një ndeshjeje futbolli në Tiranë. Burra me sandale të holla plastike, dhe identike në këmbët e tyre, të pashtruar dhe të tensionuar kundër pakënaqësive të ndeshjes dhe jetëve të tyre.
Kur rashë në kontakt me Kadarenë, isha e emocionuar të lexoja prozën që vinte nga ajo botë, edhe pse Kadareja e kishte braktisur Shqipërinë për të shkuar në Francë në vitin 1990. (Kadare rrjedh nga një qytet jo shumë larg nga pika e kontrollit: Gjirokastër në shqip; Argyrokastro në greqisht).
E kam çmuar ‘Koncertin’, por ‘Ura me Tri Harqe’ më ka turbulluar dhe më ka drithëruar. Romani i drejtohet ndërprerjes së Perëndimit dhe Lindjes gjatë viteve të fundit të Perandorisë Bizantine, përderisa një udhëheqës lokal organizon ndërtimin e një ure guri. Ura do të hapte një vijë të tregtisë për tregtarët me kuaj, por edhe do të hapte fshatin ndaj forcave otomane që i vinin përballë. Ky ishte fillimi i fundit i sundimit bizantin në botën e romanit.
Pjesa drithëruese e librit të Kadaresë, megjithatë, ka të bëjë me ndërtimin e urës. Mjeshtri e kryen një pjesë të caktuar të punës për çdo ditë, por në natën themelet saj rrezohen përtokë. Çdo ditë, mjeshtërit e rindërtojnë urën dhe çdo natë, lumi e shkatërron atë. Zgjidhja është e qartë. Mjeshtri duhet të murosë një vullnetar brenda themeleve të urës, përndryshe ndërtimi kurrë s’do të përfundojë.
Rrëfimi i vullnetarit të murosur (zakonisht një femër) nuk është zbulim i Kadaresë. As nuk ishte hera e parë që u ndesha me këtë gjë. Këto udhëtime fëmijërore në shtëpinë tonë filluan me një rrugëtim tetorësh nga Athina në Janinë, në Epir, ku, sikurse në fshatin fiktiv të Kadaresë, ishte udhëkryqi ndërmjet kulturave islame dhe perëndimore gjatë Perandorisë Otomane.
Minaret ende qëndrojnë mbi liqenin e qelqtë skaj qytetit, pranë kështjellës së Ali Pashës - udhëheqësit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Për të arritur atje, duhej të kalonim nëpër lumin Arachthos, në Arta. Rruga kalonte pranë urës mesjetare – ku legjenda thotë se mjeshtri ndërtues e murosi në themele vajzën e tij të re, në mënyrë që ndalte forcën shkatërruese të ujit.
Duke dëgjuar këtë legjendë sa isha e vogël, isha e tronditur nga mizoria e rrëfimit dhe nga pashmangshmëria e asaj mizorie. Askush kurrë nuk ishte ndalë me ritregimin e asaj se sa i pashpirt do të ketë qenë kryemjeshtri. Për mua, tmerri qëndron në atë që dukej lehtë si zgjedhje e kryemjeshtrit. Dhe ja ku ishte ura, ende e padëmtuar, monument i mizorisë e, njëkohësisht, i së mirës shoqërore.
Kur arrita në tregimin e njëjtë në ‘Ura me Tri Harqe’, përvoja çuditërisht tregoi të vërtetën e legjendës me të cilën isha rritur. E kishte betonuar tregimin si pjesë të një realiteti më të gjerë ballkanik. Gjë që, në fakt, edhe është. Tregimi është i njohur në studimet folklorike si ‘Ura e Artës’, një emër ky për një grupim të legjendave që origjinën e kanë në Evropën Qendrore-Lindore - përfshirë këtu murosjen e një personi të virtytshëm për arritjen e një të mire të përbashkët për shoqërinë. Përveç atij të Kadaresë, ekziston versioni bullgar, versioni rumun dhe disa interpretime moderne, përfshirë këtu libretin operistik të Nikos Kazantzakis, ‘Protomastoras’ (Kryemjeshtri).
‘Ura me Tri Harqe’ nuk konsiderohet ndër veprate më të mira të Kadaresë. Dimensioni folklorik i narracionit e shtynë atë larg fiksionit standard letrar. Por, për mua, është një tekst i fuqishëm. Jo vetëm ngase e rishkruan tregimin tradicional në një kontekst bashkëkohor politik dhe kulturor, por edhe për shkak se është një fiksion që krijon njëlloj fakti.
(“The Millions”
Autorja është themeluese e online magazinës letrare ‘The Drum’, që boton tregime të shkurtra dhe ese, kryesisht në audio formë. Romani i saj ‘Clean Monday’ do të botohet nga Ballantine Books)