2011-03-01

Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erudiciont të Fan Nolit


Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erudiciont të Fan Nolit


Adnan Mehmeti: “Në rast se Noli ynë i madh dje i mblodhi shqiptarët rreth “Vatrës”, gazetës “Dielli” apo “Kombi” etj,- sot ne kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, që merr shumë kuptim, jo vetëm në barasvlerën e vlerave sublime kombëtare, në krijimtarinë letrare në prozë, poezi publicistikë, në mbrojtjen dhe vazhdimësinë e përjetësimit të tyre, progresit e të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, kombit tonë në përgjithësi kudo ndodhet brenda e jashtë trojeve etnike, për të njehsuar identitetin tonë kombëtar në formë e përmbajtje, ashtu si kanë bërë këta kolosë e dashamirës të shquar të Rilindjes Kombëtare”.

Dielli dhe Vatra e Shqipërisë në Amerikë




 Në mendjet dhe zemrat e kombit shqiptar, të njerëzve të penës e të dijes, që me punën e tyre krijuese nënkuptojnë të vërtetën e madhe, se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes dhe dijes ka shpresë, dashuri, dhimbje, mall, përjetësi, muzikë, gjeografi, histori, ka vizion, shprehi të një humanizmi thelbësor. Sikundër që ka edhe në mendjen e çdo individi krijues, intelektual, lider, individ i botës njerëzore dhe hyjnore, në mbarë botën shqiptare, si në kulturën dhe traditën e çdo kombi. Në mbarë komunitetin shqiptaro - amerikan, u përkujtua me madhështi e krenari kombëtare, ashtu si e meriton një kolos i letrave shqipe, i galaktikës intelektuale shqiptare, njeriu i idealeve, i besimit në drejtësinë e universit të të drejtave të kombit shqiptar, në një status të barabartë më botën e qytetëruar, shansin për të qenë të barabartë mes të barabartëve, figurës së shquar, eruditit e poliadrikut, njeriut që jetoi mes botës njerezore e hyjnore,- figura dhe kontributi i Theofan Stilian Nolit, në 45-vjetorin e vdekjes së tij. Në këtë ditë përkujtimore, i gjithë potenciali i tij intelektual nxjerr në pah vlerat dhe virtytet e tij, si një figurë dominuese e Rilindjes Kombëtare, letrave shqipe, kishtar, politikan, përkthyes, diplomat, poet e shkrimtar, njeriu që bashkoi shqiptarët e Amerikës pa dallim feje e ideje, - njeriu i njerëzores e hyjnores, që karizma, aureola dhe erducioni i tij ndjehen eternalë në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan, kombin e trojet shqiptare. Shqiptarët e Amerikës, të vjetër e të rinj, valëvitin flamurin kuq e zi shqiptar, për më shumë se një shekull në tokën amerikane, duke patur mundësinë të integrojnë gjuhën e tyre, identitetin dhe vlerat kombëtare, kulturën, traditën, pavarësisht përballjes me sfidat e kohës, për mundësinë e ruajtjes së këtyre parimeve, tregojnë se edhe ata kanë të drejtën t’i quajnë tonat vlerat dhe parimet, si një domosdoshmëri, se ruajtja e tyre është antiasimilim – atë çka predikoi Noli i madh gjatë gjithë veprimtarisë së tij erudite e kombëtare. Arsyeja pse Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ndodhet këtu, është sepse në mars iu dha privilegji për të qenë pjesë, të ndajnë e te tregojnë historinë, për të lëvizur drejt një faze të re të bashkëpunimit, të natyrës universale, të së tashmes me të kaluarën. Perspektiva e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ndaj veprës së Fan Nolit dhe Rilindjes Kombëtare, në këtë vazhdimësi të nderimit të figurave, i ka shndërruar në pasardhës, studentë të tyre. Ata kudo që shkojnë, krijojnë, mbartin me vete nderimin dhe respektin për këto figura, si një dëshmi profesionale e shpirtërore, emocionuese dhe edukative, për të bërë sa më shumë në ndërtimin e memorialit të një kombi, aftësia e tyre krijuese e intelektuale, ndjesia më e fuqishme shpirtërore, të tregojnë në librat e tyre, në poezi, prozë, publicistikë, muzikë, si gjëja më e çmuar dhe e mrekullueshme që kanë ndeshur në jetë. Gjithsesi ajo çka është mbresëlënëse në këndvështrimin e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë të vjetër e të rinj, është se ata kanë ecur shumë nëpërmjet krijimtarisë dhe aktiviteteve të tyre, duke rritur kredibilitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, për të pohuar të shkuarën, nderimin e saj, historinë dhe kulturën shqiptaro - amerikanë këtu. Në orët e para të paraditës mbërrijnë në qytetin e lashtë e historik të Bostonit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, përfaqësues të shoqatës panshqiptare, “Vatra”, kryetari aktual i saj dr. Gjon Bucaj, nga Akademia e Shkencave Shqiptaro –Amerikane, konsulli i Konsullatës Shqiptare në New York, zonja Admira Jorgji, konsulli i nderit z. Stefan Koçi, personalitete të njohura, të fushave të ndryshme të artit, kulturës dhe jetës social-ekonomike në SHBA, media e shkruar dhe vizive, me editorin e gazetës “Dielli”, publicistin e njohur Dalip Greca, nga gazeta “Iliria”, kryeredaktorja e Radio-Diasporës, Makfire Canolli, patriotë, atdhetarë, dashamirës dhe qytetarë të hershëm e të ardhur rishtas. Bën pak freksët, sepse valëzimi e oqeani sjell paksa të ftohtë. Në anë të tij shtrihet Bostoni, një nga portualet më të mëdha në Amerikë. Që në pamje të parë të bie në sy gjallëria e këtij qyteti mondan e historik, që të bën të përfytyrosh se si kanë qenë ëndrrat e shqiptarëve të parë vendosur këtu. Sikush ka pasur një ëndërr, një shpresë të atyre që kanë parë ecjen në kohë të gjeneratave, që panë dinjitetin kombëtar të ngrihej e integrohej nga dita në ditë, nga viti në vit, nga dekada në dekadë, duke kapërcyer shekullin. Të përfytyrosh elitën e shquar të Rilindjes Kombëtare, që jetonin e vepronin në Boston, Nolin e madh, Faik Konicën, Qerim Panaritin, Sotir Peçin, dr.Turtullin, Goni Katundin, Kol Tromarën, Josif e Vasil Panin, Kristaq Trebickën, Anthony Athanas etj, etj. Në hyrje të kishës së Shën Gjergjit, ata u pritën mes shtrëngime duarsh, përqafime dhe buzëqeshje nga pasardhësi dhe studenti i Fan Nolit, At Arthur Liolini, shkrimtarja e publicistja Rozi Theohari, shkrimtarja Shpresa Vranari, poeti, prozatori dhe moderatori i tubimit, Guri Stefani, poeti Skënder Kodra, publicisti e shkrimtari Skifter Këlliçi, studiuesi dhe gjuhëtari prof. Niko Dako, kryetari i Shoqatës Shqiptare-Kosovare të Bostonit, z. Hafiz Kabashi dhe tërë ata bostonianë të vjetër e të rinj. Tubimi u zhvillua në sallën kryesore të kishës, ku u mbahen ceremonitë e shenjta fetare dhe kombëtare. Salla ishte mbushur plot me shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, Çamëri, Kosovë e Shqipëri. Kishin ardhur nga diaspora e largët, pastaj shqiptarët e Izmirit të Turqisë, familja Nova, trashëgimtarë të bashkëkohësve të Nolit. Ndriti veëmas edhe shqiptaro –amerikani më i vogël 6-vjeçari, Joshua. Pikërisht ajo sallë u bë pika e bashkimit të shqiptarëve që shënoi kthesën historike në Rilindjen Kombëtare, forcoi dhe hodhi idenë, krenarinë e të qenurit shqiptar nga Fan Noli ynë i madh. Në sfondin e sallës qëndron flamuri shqiptar i vitit 1908. Një grup vajzash të veshura me kostume kombëtare mbanin posterin me shënimin: Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Sipas traditës, fjalën përshëndetëse e të mirëseardhjes, moderatori i tubimit Guri Stefani, ia dha At Arthur Liolinit, klerikut që vazhdon të mbajë gjallë traditën mikpritëse noliane. Në fjalën e tij, At Arthur Liolini përgëzoi presidentin e SHSHSHA-së dhe editorin e revistës “Pena”, poetin nga Lugina e Preshevës, z. Adnan Mehmeti, organizatorët e këtij tubimi dhe shprehu nderimin dhe respektin për të gjithë anëtarët e pranishëm e jo të pranishëm të Shoqatës dhe të gjithë pjesëmarrësit në sallë, të cilët u mblodhën aty për të nderuar dhe respektuar figurën e eruditit e poliadrikut, Theofan Stilian Noli. Më pas përshëndeti dhe uroi mirëseardhje edhe konsulli i nderit në Boston, z. Stefan Koçi, i cili do të prezatonte praninë në këtë tubim të konsullit së Konsullatës Shqiptare në New York, zonjës Admira Jorgji. Të dy diplomatët në fjalën e tyre vlerësuan dhe i dhanë mbështetjen e tyre morale dhe institucionale, aktivitetit të SHSHSHA-së, që nëpërmjet penës së tyre krijuese artistiko –letrare, në poezi, publicistikë, libra historikë e studimorë, ecin në gjurmët e Nolit të madh e të patriotëve, atdhetarëve dhe njerëzve të letrave shqipe, të jenë trashëgimtarë të denjë të rizbulimit e të integrimit të vlerave dhe identitetit kombëtar, në këtë tokë që ata e quajnë atdheun e dytë. Poeti dhe prozatori Guri Stefani, tek po moderonte tubimin me një eksperiencë dhe profesionalizëm të admirueshëm intelektual e kulturor, ia jep fjalën presidentit të SHSHSHA-në, poetit, Adnan Mehmeti. Me fjalën e tij dashamirëse, në adresë të audiencës, z. Mehmeti vlerësoi arritjet e Shoqatës gjatë vitit që kaloi dhe cilësoi daljen në dritë dhe botimin e revistës “Pena”, si një organ me rëndësi historike, kombëtare dhe letraro-artistike të saj. Në fjalën e tij që u prit me entuziazëm dhe u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, midis të tjerave ai tha:

“Në vazhdën e kësaj tradite intelektuale të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro –Amerikanë, në këtë rrafsh, ne vijmë të suksesshëm, në raport me vitet e tjera. Me kontributin e çmuar, të mendjeve dhe penës krijuese të anëtarëve të Shoqatës, të cilët nuk rreshtin së shkruari, duke paralelizuar historinë, na i sjellin të gjalla dhe idetë e tyre, i tretin me idetë e Fan Nolit, Konicës, Arshi Pipës, Isuf Luzaj Zef Oroshit etj. Jemi sot këtu për të vazhduar integritetin e letrave shqipe, me kurajon, forcën dhe mundin tonë. Gjatë vitit 2009, ne kemi fituar një eksperiencë, duke bërë të mundur realizimin e disa aktiviteteve me taban letrar, kombëtar dhe historik. Noli ynë i madh, duke patur mbështetjen e fuqishme intelektuale dhe mendjendritur të patriotëve të vjetër, të njerëzve të penës e dijes, si njeriu i parë që me meshën shqiptare shënoi kthesën e parë historike të Rilindjes Shqiptare, kryerdaktor i gazetës më të vjetër “Dielli”, themelues dhe president nderi i Federatës panshqiptare “Vatra”, me veprën e tij në çdo aspekt: atë të patriotizmit, fetare, politike, letrare është e do të mbetet një kontribut i pavdekshëm i Rilindjes Kombëtare dhe historisë së popullit shqiptar. Në rast se Noli ynë i madh dje i mblodhi shqiptarët rreth “Vatrës”, gazetës “Dielli” apo “Kombi” etj,- sot ne kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, që merr shumë kuptim, jo vetëm në barasvlerën e vlerave sublime kombëtare, në krijimtarinë letrare në prozë, poezi publicistikë, në mbrojtjen dhe vazhdimësinë e përjetësimit të tyre, progresit e të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, kombit tonë në përgjithësi, kudo ndodhet brenda e jashtë trojeve etnike, për të njehsuar identitetin tonë kombëtar në formë e përmbajtje, ashtu si kanë bërë këta kolosë e dashamirës të shquar të Rilindjes Kombëtare, të patrotizmës, të letrave shqipe,-ne sot kemi revistën “Pena”. Kjo është një arritje e madhe e Shoqatës sonë



Që në numurat e parë të revistës “Pena”, u pasqyruan shkrime letrare, poezi, tregime dhe publicistikë, me autorë të ndryshëm që mund t’i vlerësosh për cilësinë dhe stilin e të shkruarit, të komunikimit me lexuesin dhe dashamirësit e shumtë të letrave shqipe, në evoluimin modern të këtyre penave. Kjo për ne është nder, krenari, sukses!

Sot kjo revistë gjendet këtu në ekspozitë, krahas librave të Fan Nolit, të shumë krijuesve në diasporë dhe të anëtarëve të Shoqatës.

Të përjetshme kujtimi dhe vepra Fan Nolit!, përfundoi fjalën e tij, z. Adnan Mehmeti.

Ndërsa publicistja fisnike dhe e talentuar korçare, znj. Rozi Theohari, banuese për një kohë relativisht të gjatë në Boston, lexuese e veprës së Fan Nolit, intervistuese e shumë bashkëkohësve të tij, e patriotëve e atdhetarëve të vjetër e të rinj, e kanë shndërruar atë në një transmetuese e përhapjes së humanizmit, çuarjes e përjetësimit, të veprës së Nolit të madh, mbajti referatin me titull “Dielli” e Fan Noli”. Midis të tjerave ajo u shpreh: “Ardhja e Fan Nolit në Amerikë, më 1906, është një moment i rëndësishëm historik, që shënoi fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë në fillimvitet e para të shekullit të kaluar .Dalja e gazetave të para; “Kombi”, e më vonë “Dielli”, si dhe aktiviteti i “Vatrës”, i shoqërive e organizatave të tjera patriotike që përmblidhnin dhe ndërgjegjësonin shqiptarët kurbetxhinj, u realizuan me përpjekjet e Fan Nolit dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë Faik Konica, Sotir Peçi, Kol Tromara, Josif e Vasil Pani, Goni Katundi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, Kostandin Demo e shumë të tjerë. Noli luajti rolin vendimtar të propagandistit të ideve të Rilindjes dhe drejtuesit të lëvizjes patriotike shqiptare të diasporës së atdheut. Ai dha alarmin dhe shkroi vargjet – apel me të cilat ngriti peshë zemrat e mërgimtarëve: ”Mbahu, nëno, mos koj frikë/ Se ke djemtë në Amerikë...”

Shkrimtarja Shpresa Vranari, në kumtesën e saj me titull “Tingulli i poezisë së Nolit”, duke dhënë vlerësimin maksimal për kontributin letrar e kombëtar të tij, tha:

“Emri i Theofan Stiliano Nolit është një emër i nderuar në kulturën shqiptare. I lindur në një qytezë tërësisht shqiptare, ai u rrit me tingëllimin e pastër të gjuhës shqipe, mes këngëve dhe folklorit shqiptar, mes heronjve krenarë si Gjergj Kastrioti, pra ai ishte një shqiptar i madh. Me këtë ngarkesë emocionale, me këtë lumë dashurie për nënën Shqipëri, ai kapërceu oqeanin dhe ndërtoi këtu në Amerikë “Vatrën” e ngrohtë shqiptare ku mbështolli dhe vazhdon të mbështjellë mërgimtarët e malluar”. Pena e tij trajtoi një tematikë të gjerë në vargje, po unë kam shkëputur ;”Rend or rend, rend or Marathonomak”. Figura e njohur e Marathonomakut, figura e lajmëtarit të fitoreve, figura e bashkimit, e paqes, e harmonisë dhe mirësisë e cila tingëllon e bukur dhe mbarëbotërore”, tha ajo dhe mbylli fjalën e vet duke recituar poezisë për Morathonomakun.

Dielli dhe Vatra e Shqipërisë në Amerikë
Dielli dhe Vatra e Shqipërisë në Amerikë

Raimonda Moisiu, në fjalën e saj, duke vendosur Nolin mes botës njerëzore e hyjnore, tha: “Noli ka qenë njeri i letrave dhe i humanizmit të thellë njerëzor, në ato përmasa, saqë nga burrë shteti u bë prift. Të bëhet dikush prift, do të thotë të jetë idealist patjetër, njeri që jeton mes botës hyjnore, pra njeri tolerant, i dhimbsur për njerëzit, prandaj, duke i patur këto cilësi, e pati të thjeshtë krejt të vishte rason e zezë. Dhe sakaq dha një deklaratë brilante që i kapërceu me të shpejtë kufijtë e mijëvjeçarit. Ai tha se populli shqiptar me një shumicë dërrmuese myslimane, zgjodhi në krye një prift orthodoks, sic vdiq ai. E ku ka kompliment, më të bukur se ky mesazh i tolerancës e bashkejetesës fetare, më të bukur që mund t’i bëjë dikush, popullit të tij, se sa ky? Fan Noli i ka kapërcyer kufijtë e kulturës intelektuale të kohës, shqiptarë e jo shqiptarë.

E paçim njëri-tjetrin!!”, mbylli fjalën e saj, Raimonda, duke imituar urimin që Noli e përdorte shpesh.

Fjalën pastaj e mori kryetari aktual i shoqatës panshqiptare “Vatra”, dr. Gjon Bucaj, duke e vlerësuar Nolin si themelues të saj, një pikë bashkimi e shqiptarëve rreth saj, dhe ne sot vazhdojmë ta ruajmë dhe mbrojmë atë, çka na dhuroi Fan Noli. Poetja dhe studiuesja, znj. Eleonora Gjoka, në fjalën e saj, mes të tjerash, tha: “Është fat për mbarë çështjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, që në vend të Nolit qëndron Hirësia e Tij At’Arthur Liolini. Kisha e Nolit është kthyer në qendër për bashkimin e komunitetit shqiptar në Boston dhe në krejt Amerikën. Aktivizohen shumë njerëz të komunitetit të Bostonit si znj. Rozi Theohari, prof. Neka Doko, mësueset e talentuara në edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe, në ruajtjen e identitetit kombëtar. Aktivistë të nderuar të SHSHSHA-së dhe vetë udhëheqja e saj, z. Adnan Mehmeti e z. Dalan Luzaj, u takon një meritë e veçantë për punën që bëjnë për mbarë komunitetin.

Poeti Shpend Gjocaj recitoi poezinë-kushtrim: “ Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”, ndërsa poeti dhe prozatori, nënkryetari i SHSHSHA-së, z. Mëhill Velaj, i njohur për ndjenjat e tij të flakta atdhetare dhe patriotike, solli një ditiramb të shkruar enkas për këtë tubim, me titull “Jam marathonomaku yt”, në përkujtim të 45-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit. Ja si u shpreh z. Velaj:

“E kam të vështirë që në pak rreshta të përshkruaj figurën e Fan Nolit këtij personaliteti të shquar të kombit, letrave shqipe dhe Rilindjes Kombëtare. Ai na ka lënë një kontribut në libra të tërë dhe vitet kanë krijuar në historinë e kombit një traditë të veçantë në stlilin e nderimit, respektit, përjetimin e veprës së tij, për të cilin ne sot si pasardhës të Nolit jemi krenarë e duam edhe ta imitojmë. Ende sot, ne trashëgimtarët e atdhetarizmit, patriotizmit, trashëgimtarët e shqiptarisë, të penës e dijes, jemi të impenjuar për të mbrojtur në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, për të përjetësuar, trashëgminë e vlerave dhe identitetin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane. Fan Noli është një produkt natyral i atdhetarizmit dhe patriotizmit, përfaqësues tipik i shqiptarisë në këtë tokë, të cilën ne, ashtu si Noli, e quajmë atdheu i dytë yni. Shekulli kaluar do të hyjë në historinë e kombit shqiptar si shekulli i një kthese historike në solidaritetin kombëtar të shqiptarëve, pa dallim feje e ideje në sajë të karizmës dhe kulturës së jashtëzakonshme që eruditi dhe poliadriku Fan Noli karakterizohej.” Zoti Velaj, me dëshirën e mirë dhe idenë se e ardhmja e vazhdimësia i përket brezit të ri, ia jep poezinë e tij ta recitojë studentja kosovare me banim në Albany, New York, Donjeta Canolli. Fjalën e mori edhe publicisti i njohur z. Dalip Greca, i cili paraqiti një resyme të punës, sakrificave e sfidave për të ringjallur gazetën më të vjetër të themeluar nga Noli e “Vatra”, “Dielli”, dhe si një editor i saj tashmë ia ofroi jo vetëm SHSHSHA-së por edhe shoqatave e qytetarëve të ndryshëm për të bashkëpunuar dhe abonuar në këtë gazetë, që del prej muajit korrik 2009. Poeti, prozatori dhe moderatori i tubimit recitoi poezinë “Hymni i flamurit” të Fan Nolit. Zëri i poetit Stefani kumboi fort në atë salle. Për çudi, ngjasonte me zërin kumbues të Nolit, me ato nuancat dialektore korçarce - kolonjare, nga është edhe origjina e të dyve: Nolit dhe shkrimtarit Guri Stefani. Më pas foli prof. Neka Doko, drejtuesja e Bibliotekës së Kishës Autoqefale Orthodokse të Shën Gjergjit. Duke vlerësuar punën e shkrimtarëve, kërkoi bashkëpunim në pasurimin e bibliotekës me krijimtarinë e tyre në vazhdën e traditës të lënë nga Noli. Edhe shumë pjesëmarrës të ndryshëm, adhurues të veprës e figurës së Fan Nolit recituan poezi, tregime dhe lecuan mbresa për të. Të gjithë pjesëmarrësve iu dha libri “Celebrity 100 years 1908-2008, Albanian Orthodox Archdiocese in America”, në anglisht dhe e shoqëruar me CD-në përkatëse, “In their own language”. Në fund të tubimit e morri përsëri fjalën At Arthur Liolini, duke i falenderuar pjesëmarrësit, organizatorët e tubimit dhe Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, i çmoi si dëshmues dhe trashëgimtarë të veprës së ndritur dhe erdudiciont të Fan Nolit. Mbas tubimit, SHSHSHA-ja, zonja Admira Jorgji, konsull e Konsullatës Shqiptarë në New York, kryetari i “Vatrës”, dr.Gjon Bucaj, prof. Agron Fico, e shumë pjesëmarrës të tjerë, bënë homazhe te varri i Fan Nolit. Kurorën, në emër të SHSHSHA-së, e vendosën presidenti i saj, z. Adnan Mehmeti dhe zonja Rozi Theohari. Nënkryetari i Shoqatës, z. Mëhill Velaj, dhe kryetari i “Vatrës”, dr. Gjon Bucaj, mbajtën fjalën përkujtimore të rastit tek varri i Nolit. Mbasditja kaloi në restorantin shqiptar “Eda’s”, nën shoqërinë e At Arthur Liolinit dhe pjesëmarrës nga të gjitha trevat etnike të Shqipërisë, Çamërisë, Kosovës dhe nën ritmin e muzikës popullore të shoqëruar nga grupi i vajzave valltare të Shoqatës Shqiptare-Kosovare të Bostonit dhe serenadave të kënduara nga z. Guri Stefani. Moment emocionues ishte kur At Artur Liolini iu bashkua korit të shkrimtarëve, duke kënduar së bashku me ta. Ishte një aktivitet mbresëlënës, diçka ndryshe nga aktivitetet e tjera të Shoqatës. Kjo u arrit falë punës së palodhur të presidentit të saj, z. Adnan Mehmeti, hapësirës dhe besueshmërsisë që ai iu ofroi kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të grupit organizues: zonjave Rozi Theohari, Shpresa Vranari dhe moderatorit që mbajti peshën kryesore të tubimit, z. Guri Stefani. I gjithë aktiviteti u ndoq nga gazetarët, Dalip Greca, Makfire Canolli, Raimonda Moisiu dhe Qazim Doda.

Raimonda Moisiu

South Boston

Massachuset, Mars 2010

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...