Nga Flori Bruqi
Pas pajtimit të Qeverisë që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me fusnotë, zyrtarë të institucioneve të vendit thonë se Kosova do të marrë “shpërblim” një pako stimuluese nga Bashkimi Evropian (BE), përfshirë liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në.
Shefi i ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e radhës të Këshillit Ndërministror për Integrimeve Evropiane, deklaroi se brenda një periudhe kohore, Kosova do të marrë udhërrëfyesin nga Bashkimi Evropian (BE).
Thaçi tha po ashtu se integrimi evropian është një përkushtim i të gjitha institucioneve të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të plotësojë të gjitha kushtet e procesit të liberalizimit të vizave në afat rekord, pas pranimit të udhërrëfyesit. Në bashkëpunim me Komisionin Evropian, presim që udhërrëfyesi t’í dorëzohet qeverisë gjatë muajve në vijim. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, vazhdon koordinimi intensiv lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në Bankë Evropiane për Investim”, deklaroi Thaçi.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, njohëse e integrimeve evropiane, tha se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave mund të merret brenda një periudhe të shkurtë kohore, gjë që sipas saj, marrja e këtij dokumenti është tejet i vonuar.
“Dhënia e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave është e stër-vonuar. Kjo vonesë është e paarsyeshme dhe ndikon negativisht në dinamikën e dialogut për liberalizim të vizave. Për më tepër, e ekspozon Kosovën në ashpërsimin e kushteve për liberalizim të vizave bazuar në përvojën e vendeve tjera të rajonit, zhvillimet brenda vet BE-së e të tjera. Për më tepër, e vendosë Kosovën para një procesi më të vështirë se vendet tjera të rajonit, në kohën kur ajo gjithsesi ballafaqohet me një proces të integrimit evropian të rënduar nga mosnjohja e 5 vendeve anëtare të BE-së”, u shpreh Hajrullahu.
Që moti zyrtarët qeveritarë, procesin e liberalizimit e kanë ndërlidhur me dialogun Prishtinë - Beograd, duke e cilësuar nisjen e dialogu për viza si shpërblim për rezultatet e treguara në bisedimet më palën serbe.
Venera Hajrullahu tha se kjo ndërlidhje është e pabazë dhe e dëmshme.
“Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si iniciativë apo shpërblim në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, dhe as si avancim i relacioneve Kosovë - BE, sepse formalisht nuk ndikon aspak në avancimin e marrëdhënieve kontraktuale, si një objektiv strategjik minimal i Kosovës dhe atë në afat të shkurtë”.
“Dialogu për liberalizim të vizave, i bazuar në një udhërrëfyes që i bën transparente edhe kushtet, edhe vlerësimin e progresit të Kosovës në këtë drejtim, ndikojnë pozitivisht në reformat evropiane në vend, por edhe në menaxhimin e pritjeve të qytetarëve në raport me lëvizjen e lirë në kuadër të hapësirës Shengen”, tha Hajrullahu.
Ajo theksoi rëndësinë që pala kosovare, sa më parë ta ketë në duart e veta udhërrëfyesin për liberalizim vizave për të dalë nga, siç tha ajo, izolimi aktual i qytetarëve të Kosovës.
Sido që të jetë, kryeministri Thaçi tha se Kosova ka një qëllim dhe një vizion të vetëm, e ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).
Sido që të jetë, kryeministri Thaçi tha se Kosova ka një qëllim dhe një vizion të vetëm, e ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).
Ai pohoi se perspektiva evropiane e Kosovës në anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet.
“Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me zotësinë më të madhe, me përkushtimin më të madh, që të arrijmë sa më shpejtë dhe suksesshëm këtë qëllim. Ne kemi perspektivë të sigurt evropiane, sepse jemi duke punuar maksimalisht për implementimin e të gjitha reformave demokratike”, u shpreh Thaçi.
Riatdhesimi, ri-integrimi, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerësohet të jenë kushtet kryesore të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.
Pas paqartësive disa-javore rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet dhe nismat rajonale, Prishtina zyrtare është shprehur në mbështetje të një modeli ku do të merrej parasysh edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara-siç kishte insistuar Serbia, por edhe Deklarata e shpalljes së pavarësisë së vendit dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.
Për zhbllokimin e ngërçit të deritashëm rreth kësaj çështjeje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai citohet të ketë thënë se modeli aktual për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale është i balancuar meqë merr parasysh dy realitetet ekzistuese-atë të Kosovës së pavarur dhe atë të Serbisë që nuk e njeh shtetësinë e saj.
“Në bashkëpunimin regjional, në të njëjtën kohë, Kosova do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, pra do të merret parasysh Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008, gjithashtu opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që rikonfirmon edhe ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës dhe rezoluta 1244 që njeh dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO-s në Kosovë”, u shpreh kryeministri Thaçi.
Nga Bashkimi Evropian është sinjalizuar tashmë se raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd do të mbahet në javën që vjen me shpresën që, deri atëherë, të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët rreth bashkëpunimit rajonal.
Deri vonë, në opinionin publik patën qarkulluar ide të ndryshme për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Thuhej se në këto nisma Kosova do të përfaqësohej pa fjalën “Republikë” dhe me një fusnotë që do të përmbante disa sqarime për Kosovën.
I pyetur se a është pajtuar pala kosovare për heqjen e fjalës “Republikë” nga përfaqësimi i vendit në këto organizime, kreu i ekzekutivit të Kosovës u shpreh:
“Për ne nuk kanë qenë me rëndësi formulimet dhe simbolikat. Për ne është me rëndësi agjenda evropiane, përshpejtimi i pakos evropiane për Republikën e Kosovës”.
Përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovës i ishte përmendur, në dhjetor të vitit të kaluar, Beogradit si parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendimi për këtë çështje pritet të merret në fillim të muajit të ardhshëm, por kryeministri Thaçi shfaqi shpresën se pas zhvillimeve diplomatike të së shtunës edhe për Kosovën pritet të ketë përshpejtim të agjendës evropiane.
“Ka nj rritje të vetëdijesimit në domosdoshmërinë e lëvizjes së shpejtë të Kosovës drejt agjendës evropiane. E theksoj se Brukseli, padrejtësisht, ka pasur hezitime në ofertën evropiane për Kosovën. Kosovarët janë evropianët më të rinj; kanë merituar dhe meritojnë lëvizje më të shpejtë sepse kemi implementuar agjendë të rëndësishme evropiane”, theksoi ai.
Megjithëkëtë, nga Serbia nuk ka ende ndonjë sinjal për përqafimin eventual të modelit të përmendur nga kryeministri Thaçi.
Paraqitja e modelit në fjalë erdhi pas presioneve të shumta që Bashkimi Evropian (BE) dhe Uashingtoni zyrtar u bënë palëve të përfshira në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e ka quajtur të ngutshëm veprimin e Qeverisë së Kosovës që të pranojë që në fusnotë të përfshihet edhe rezoluta 1244.
Pas mbjedhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit ai tha se Qeveria nuk duhet të ngutet në vendimet që merr, sepse ende nuk dihen prapaskenat e këtyre vendimeve. Seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 1 mars 2012.
Pas mbjedhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit ai tha se Qeveria nuk duhet të ngutet në vendimet që merr, sepse ende nuk dihen prapaskenat e këtyre vendimeve. Seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 1 mars 2012.
Lideri I LDK-së ka reaguar ashpër sot në një Konference për shtyp mbajtur në Prishtinë lidhur me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit për përfaqësim rajonal të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës merr me shqetësim lajmin për kompromisin e bërë nga kryeministri Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por në vend të kësaj të shtohet një fusnotë, e cila i referohet edhe Rezolutës 1244. LDK-ja beson fuqishëm se një qëndrim i tillë përfundimisht betonon neutralitetin ndaj statusit. Kryeminstri Thaçi mundohet të manipulojë opinionin, duke theksuar se Kosova në të njëjtën kohë do të përfaqësohet me një fusnotë që përveç Rezolutës 1244 i referohet edhe në Mendimit Këshilldhënës të GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. LDK-ja konsideron se vetë pranimi që Kosova të paraqitet pa ‘Republikë’ dhe me fusnotë (me çfarëdo përmbajtje qoftë ajo) paraqet denigrim të pozitës kushtetuese të Kosovës si Republikë e pavarur dhe sovrane dhe e barabartë me shtetet e tjera.
Lidhja Demokratike e Kosovës merr me shqetësim lajmin për kompromisin e bërë nga kryeministri Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por në vend të kësaj të shtohet një fusnotë, e cila i referohet edhe Rezolutës 1244. LDK-ja beson fuqishëm se një qëndrim i tillë përfundimisht betonon neutralitetin ndaj statusit. Kryeminstri Thaçi mundohet të manipulojë opinionin, duke theksuar se Kosova në të njëjtën kohë do të përfaqësohet me një fusnotë që përveç Rezolutës 1244 i referohet edhe në Mendimit Këshilldhënës të GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. LDK-ja konsideron se vetë pranimi që Kosova të paraqitet pa ‘Republikë’ dhe me fusnotë (me çfarëdo përmbajtje qoftë ajo) paraqet denigrim të pozitës kushtetuese të Kosovës si Republikë e pavarur dhe sovrane dhe e barabartë me shtetet e tjera.
LDK-ja beson se heqja dorë nga Republika paraqet heqje dorë nga elemente kushtetuese të shtetësisë dhe ky vendim mund t’i ndihmojë vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa kompromisi, që është në dëm të Kosovës, po bëhet pikërisht për shkak se Serbia nuk pranonte të qëndronte në të njëjtat salla ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.
Kryeministri Thaci, rreth dy javë më parë, pati thënë se kurrë nuk do të heqë dorë nga përfaqësimi si ‘Republikë’, ndërkaq tani e konsideron përfaqësimin në këtë nivel si një ‘formulë dhe simbolikë të parëndësishme’. LDK-ja ia rikujton z.Thaçi se pikërisht për këtë Republikë, që ai e quan simbolikë të parëndësishme, populli i Kosovës sakrifikoi me shekuj. Prandaj, ne e kundërshtojmë çdo lloj përfaqësimi ndryshe nga ai që është i paraparë në Kushtetutën e vendit.
Ne mendojmë se agjenda evropiane e Kosovës nuk shtyhet përpara duke bërë kompromise në dëm të shtetësisë, por duke plotësuar kushtet e nevojshme për këtë proces, që ndër të tjera përfshin luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
LDK-ja po ashtu ia kujton Qeverisë Thaçi se gjatë kohës sa politika e jashtme udhëhiqej nga LDK-ja, Kosova ishte e barabartë në forumet rajonale dhe evropiane sipas modelit të quajtur “Gymnich”. Përkundër presioneve të mëdha, LDK-ja asnjëherë nuk ka pranuar që Kosova të paraqitej me fusnotë apo e pabarabartë me pjesëmarrësit e tjerë.
Pjesëmarrja me këtë model krijon precedent të rrezikshëm, meqë kjo mund të rezultojë me përfaqësim të Kosovës me fusnotë edhe në forume të tjera të niveleve më të gjera dhe më të larta. Për më tepër, kjo ka hapur rrugë që Kosova, në çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare në të ardhmen, të jetë e përfaqësuar me fusnotë në vend të emrit të saj kushtetues. Gjithashtu, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e iniciativave rajonale janë nën obrellën e BE-së, kjo e detyron Kosovën që edhe në raport me BE-në të paraqitet me këtë model. Përfundimisht, kjo do të ketë efekte negative në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, meqë, me këtë qëndrim, edhe vetë Kosova e pranon se nuk është anëtare e barabartë me shtetet e tjera, thuhet në reagim të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se me këtë marrëveshje, Qeveria po heq dorë nga obligimet e saja kushtetuese.
“Ne jemi kundër këtij vendimi, sepse kjo nënkupton heqje dorë nga obligimet kushtetuese që i ka Qeveria e Kosovës. Por, po e themi qartë se sa më shpejtë të largohet kjo Qeveri, aq më shpejtë fillon ndryshimi pozitiv në Kosovë”, thotë Burim Ramadani.
Lëvizja Vetëvendosje, e ka quajtur kompromisin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Kryetar i Grupit Kuvendar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se heqja e republikës është zhbërje e pavarësisë.
“Në vend që në katër vjetorin e shpalljes së pavarësisë të krenohemi me sovranitetin e arritur, ekonominë e zhvilluar dhe mirëqenien e përmirësuar, kryeministri Thaçi po e shpall heqjen e republikës”, potencoi ndër të tjera Ymeri.
"Ditë më parë, kryeministri i Kosovës tha që nuk do të hiqet fjala Republikë nga emërtimi i shtetit tonë dhe se nuk vijnë në shprehje fusnotat dhe Rezoluta 1244. Dje, ai e deklaroi saktësisht të kundërtën. Qartazi kemi të bëjmë me një kryeministër jo serioz dhe të pasinqertë," thanë më tej përfaqësuesit e Vetëvendosjes.
Ata më tej thanë se kryeministri i Kosovës duhet ta tërheqë këtë deklaratë të tijën. Qeveria e Kosovës nuk duhet ta pranojë këtë qëndrim disfatist të kryeministrit. Ky qëndrim personal i kryeministrit nuk është vendim i qeverisë së Kosovës dhe nuk rrjedh nga ndonjë mbledhje e qeverisë së Kosovës.