2012-02-20

Vrasjet “politike”, në duar të EULEX-it dhe të Prokurorisë Speciale

description


Kanë kaluar 12 vjet kur menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovës filloi eliminimi i shumë personave, shumica e të cilëve zyrtarë të partive politike, vrasje këto të cilat sot e asaj dite kanë ngelur mister për opinionin kosovar. Këto raste, të kualifikuara si vrasje politike, nga duart e Policisë dhe Prokurorisë së UNMIK-ut, pas përfundimit të këtij misioni, kanë kaluar në duar të prokurorëve të misionit të EULEX-it dhe atyre të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Zyrtarë të misionit të EULEX-it në Kosovë, duke mos dashur të japin detaje rreth asaj se deri ku kanë arritur hetimet e këtyre vrasjeve, kanë pranuar se prokurorë të EULEX-it janë duke u marrë me këto lëndë. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka pohuar se një numër i vrasjeve të pasluftës në Kosovë janë duke u hetuar nga prokurorët e EULEX-it. “Lëndët nga UNMIK-u janë transferuar te prokurorët e EULEX-it. Një numër i tyre gjendet në Prokurorinë Speciale të Kosovës, dhe prokurorët nga PSRK-ja janë duke hetuar disa raste të vrasjeve të pasluftës”, ka pohuar Krasniqi. Ai nuk ka dhënë ndonjë detaj nëse këta prokurorë janë në përfundim të ndonjërës prej këtyre lëndëve dhe rreth asaj se nëse mund të pritet ndonjë ngritje e aktakuzës nga gjitha këto lëndë të këtyre vrasjeve që i posedojnë prokurorët ndërkombëtarë.
EULEX-i t’i zbardhë rastet
Avokati Tomë Gashi pohon se EULEX-i duhet t’i marrë më seriozisht rastet e vrasjeve të pasluftës dhe të mos arsyetohet vetëm me hetimin e rasteve të krimeve të luftës. “Do të duhej të merreshin seriozisht këto raste, sepse nëse EULEX-i ka ardhur këtu për të ndikuar në sundimin e ligjit dhe të drejtësisë dhe nëse nuk merret me rastet e profilit të lartë, me rastet e quajtura raste të ftohta, të cilat kanë mbetur me decenie pa u zbuluar, atëherë ata nuk po merren me çështje serioze. Nuk është e pamjaftueshme që EULEX-i të përmendet vetëm për raste të krimeve të luftës, por ata do të duhej që të merren seriozisht edhe me krimet ordinere, që janë mjerisht vrasjet”, ka pohuar Gashi. Sipas tij, është e pakuptueshme që lehtësia e të përmendurit të vrasjeve në Kosovë të jetë kaq e lehtë, pasi do të duhej të jetë e trishtuar kur përmenden rastet e dhjetëra të vrarëve, autorët e të cilëve ende nuk dihen. Ai pohon se do të ishte mirë që misioni i EULEX-it të deklarohet se në çfarë faze kanë rritur hetimet për raste të caktuara, apo janë duke u hetuar.“Besoj se nëse ata kanë prova të mjaftueshme nuk kanë kurrfarë arsye që të mos ngrehin akuza të caktuara, mirëpo akuzat do të ishte e nevojshme të ishin të bazuara në ligj dhe në fakte dhe jo në thashetheme”, shprehet avokati Gashi.
Ai ka thënë se rastet e vrasjeve, të cilat kanë ndodhur në kohën menjëherë pas luftës, posaçërisht ato vrasje që janë kualifikuar si vrasje politike, përveç dhimbjeve që u janë shkaktuar familjarëve të viktimave, të cilët dikush i ka vrarë për arsye të cilat nuk dihen, shkaktojnë edhe një turbulencë tepër të madhe tek popullata e Kosovës, sepse së paku një pjesë e mirë e popullatës së Kosovës të gjitha ato vrasje, posaçërisht të zyrtarëve të partive politike, janë konsideruar si vrasje politike.“Mendoj se i gjithë opinioni kosovar është i mendimit që vrasësit duhet sa më shpejt të zbulohen dhe të dalin para gjykatave për t’u gjykuar. Unë vlerësoj se askush i cili pretendon që e do shtetin e Kosovës nuk qëndron prapa teorisë se vrasësit janë persona të cilët nuk mund të zbulohen”, ka thënë avokati Gashi.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...